KOMINTERNI SHQIPTAR

Nga Mihal Gjergji
Në përfundim të luftës së dytë botërore, Uinston Çërçill u sygjeroi amerikanëve që të sulmonin Rusinë, duke parandjerë rrezikun potencial që do të vinte nga ideologjia komuniste. Amerikanët kundërshtuan. Ishte përsëri Uinston Çërçill i cili më 19 shtator 1946 propozoi formimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës, si një front i bashkuar kundër Federatës Ruse. Kohë më vonë do të merrte jetë propozimi i kryeministrit britanik. Aktualisht, Bashkimi Evropian (BE) bashkim i 27-të vendeve anëtare, i krijuar me qëllim përforcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe social, përjeton krizat më të thella; ekonomike, morale dhe politike. Themeluar nga Traktati i Mastrihtit, në vitin 1993, BE-ja pretendonte të ishte më shumë se një integrim ekonomik. Po cfarë ndodhi me Rusinë? Ajo është përsëri aty, mes vendeve evropiane, me ideologjinë, forcën ekonomike dhe rjetin e padukshëm të spiunazhit. D.m.th, BE-ja do të merrte formën e një Kominterni të ri, në dukje me një ideologji ndryshe dhe me ëndrra bashkuese rreth një tryeze. (Me siguri keni dëgjuar për Kominternin, i cili u themelua në Moskë në muajin mars 1919 me qëllimin për të përkrahur qeverinë sovjetike dhe për të favorizuar përhapjen e partive komuniste në të gjithë botën, gjithashtu dhe revolucionin botëror. Sëmundja e Moskovit pushtoi dhe Shqipërinë e drobitur nga luftrat e pandërprera dhe sundimi gjakatar i pushtuesve të huaj). A do të kemi edhe ne një vend ku të ulemi krah të mëdhenjve, atyre që marrin vendime në forumet drejtuese të BE-së? Le të shpresojmë, por mos harroni rolin e Kishës Ortodokse dhe boshtin e së keqes për vendin tonë; Paris-Beograd-Athinë. Kryqi i mallkimit vazhdon të tundet sipër nesh prej 200 vjetësh. (Kishën shqiptare e penguan të përcillte fjalën e Zotit në gjuhën tonë të bukur, besimtarët e saj i përndoqën dhe asimiluan aq sa mundën). Dhe pikërisht në këto qendra (Paris, Beograd, Athinë) u trajnuan mëkatarët që do të drejtonin Shqipërinë, qysh nga Enver Hoxha e duke vijuar me ata që hodhën në humnerë mundin dhe djersën e këtij populli, shkatërruan uzina, fabrika, institucione, ushtrinë me vlerat materiale të llogaritura në 100 miliard dollar dhe gjithcka tjetër. Po kështu edhe mëkatarët pasues që denatyruan në shkallën e shfytyrimit të plotë njeriun shqiptar, tashmë me psikikën dhe dukjen e skllavit (aq sa kishte mbetur nga sundimi i diktaturës së proletariatit). E shanë, e pështynë, e tallën…Dhe të gjitha këto ndodhin para syve dhe nën kujdesin e Evropës që e dëshirojmë aq shumë. Mirëpo armiku i vjetër s’mund të bëhet mik i ri, kështu thotë populli. Ne jemi evropianë, gjeografikisht dhe me kontributet tona historike të patjetërsueshme, para dhe pas Skënderbeut. Drejtuesit e BE-së (ata që na coptuan me traktatet e tyre famëkeqe) s’harrojnë ta vizitojnë Tiranën për të parë ecurinë e eksperimenteve të tyre. Në këto rrethana shqiptarët morën rrugët e mërgimit, jo duke luftuar me të keqen por duke ju larguar asaj. Dhe e dini si ndjehen? Si Alcesti te “Mizantropi” i Molierit:
“Ngado i tradhtuar, padrejtësisht m’sulmojnë
Do zhdukem nga ky pus ku veset triumfojnë
Dhe do kërkoj në botë një vend, sado të mjerë
Ku, duke qënë i lirë, të mund t’jetoj me nder”.
E shikoni pra, si përsëritet historia! Sundimtarët e Shqipërisë mbledhin liderët e shteteve evropiane në Tiranë, i presin me hosanara e dorën në zemër, u përulen në gjunjë dhe u puthin duart, u shtrojnë trapezin sic e do zakoni dhe mandej shpalosin idetë për ndryshimin e kontinentit të plakur, pa ndryshuar më parë veten tonë dhe Gadishullin Ilirik ku bëjmë pjesë. A nuk meriton të quhet një komintern i ri me emërin tonë? Kominterni bolshevik funksionoi deri në vitin 1943, d.m.th punoi 24 vite. Po të shikojmë BE-në nga brenda, krizat dhe korrupsionin, burokracitë dhe trajtimet paternaliste sipas preferencave, me siguri që do të ketë të njëjtin fat, do shkërrmoqet duke mbetur kështu një ëndërr e parealizuar në mendjen e Çërçillit. Ndërsa ne do të jemi përsëri këtu, të varfër e të lënë mënjanë dhe mbrapa botës, sepse gomarin e nxjerr i zoti nga balta, të tjerët bëjnë sehir dhe shprehin keqardhje.
Tiranë, Maj 2025.