Nga Edison Ypi

Katunarja është si Perëndia: Ndodhet kudo, por s’duket asgjëkundi. Nuk fshihet. S’ka kohë të duket. U fanepset veç pak besimtarëve të Saj të zjarrtë të cilëve u tregon ku ndodhet, dhe ata shkojnë ja qajnë hallet mes lotëve.

Katunarja sa e gjithfuqishme dhe e kudondodhur po aq dhe e nëpërkëmbur dhe e harruar, është pakrahasimisht më punëmbaruar se gjithë të tjerat dhe të tjerët.

Katunarja e katundeve të fushave ku Katuni nuk është zbrazur, arat mbillen, ka serra, ka marrë hov bujqësia dhe blegtoria, ka industri të vogla agropërpunuese, ndërtohen vila, ndihmon emigracioni, nuk i ka keq punët.

Përveç rasteve të rralla kur krruhet vet, Katunaren e sotme nuk e ngacmon kush si në kohën e Kooperativës kur ja lypnin me isharete dhe ja hypnin nëpër ferra. Tani që është bërë keq për nuse, shkesët s’dihet ku janë zhdukur, dhe nusen duhet ta gjesh me forcat e tua, kanë nisur t’ja dinë kimetin. Katunarja ka marrë statusin e paprekshmërisë. E përkëdhelin si beduini paguren e ujit. Thonë se do e shpallin vakëf. Po e ngacmove të gjen belaja. Nesër pasnesër do jetë gruaja e dikujt, e imja, e jotja, e mikut tim apo e kushiririt tënd, që ndoshta ja ka vën syrin, dhe po ja ngacmove kërcet pushka.

Për këto e të tjera, Katunarja vëren me kujdes rrethepërqark, merr mësimet e duhura, nxjerr përfundimet e sakta.

Katunarja e fushës e mbaron të mesmen në katunin e vet, ose aty rrotull.

Për të lartën vete në Tiranë. S’ka rëndësi sa kushton. Paguan mami, babi, sjell ndonjë lek vëllai nga kurbeti.

Me qytetin dhe universitetin ambientohet shpejt.

Ja vë syrin një katunari nga një katun afër katunit të vet. Ajo studion Ekonomi. Ai Agronomi. Kombinim perfekt.

Ja do ja rrëmbej zemrën këtij qefliu që ngeli tu i pa gocat nga koka te këmbët sikur do u presi fustan, ja do plas, thot me vete Katunarja. E ndjek me kujdes çfarë tipi është. Për pak kohë e bën të sajin duke i lënë përshtpjen se nuk u bë sebep ajo që e afroi atë, por ai që e kandisi këtë.

Në fund të studimeve, kthehen të dy në Katun. Varin diplomat në mure. Ja marrin këngës “Nëntë qyqe, tre bilbilë”.

Ëndërrat janë parë, planet janë thurur, qefi është bërë, Bebi po ngjizet.

Në pritje të dasmës që do tundi dheun, Katunarja dhe Katunari, lënë takime në vende idilike si, te mullari, te çesma, te pusi, te përroi, te kroi, te gardhi, te fiku, te arra, te dardha.

Vjen dasma. Kërrcet mishi, rakia, daullja, kënga, vallja.

Pas pak fillon puna. Ajo djersitet mbi hesapet. Ai lodhet nëpër ara. Vjen në jetë trashëgimtari. Blihet traktori. Ngrihet ferma. Vazhdon Jeta me kënaqësitë dhe kusuret e veta.

Nëse Katunarja ka lindur e është rritur, jo në fushë si kjo me takime fshehtaz te përroi dhe te mullari, por te ndonjë katun i thellë dhe i zbrazur me natyrë dhe klimë të hatashme por i pajetueshëm ku kanë mbetur nja tre a katër pleq me qurra nëpër turi dhe nja katër a pesë barkderra që merren me hashash, fati i Katunares është krejt tjetër.

Në këtë rast nuk presin që Katunarja të bëhet 17 e 18. Që 10 e degdisin te xhaxhallarët, Dajot, hallot, tezet. Më së shpeshti në oazin e katunareve, në Mekën e mëshirës, në Jerusalemin e qytetërimit, në Tiranë.

Deri 15 Katunarja e shtyn sa te njëri te tjetri familjar a farefis.

Katuni nga erdhi i ka mbet në mendje si një pus i zi i thellë i errët plot me korba, krrokama, lakuriqë nate, baltë, zhaba, minj, gjarpërinj.

Katunarja hedh sytë rrotull; Gjithandej rrena, makina, semafora, klithma, ulurima, kafenera, pare, llogari bankare, fundjava, restorante, hotele, plazhe, diskoteka, pishina, shkuma party, shëtitje me varka, telenovela, spektakle, cica përjashta, depilime, çmime të larta, e të tjera e të tjera.

E mahnitur nga qefi kaotik i Kryeqytetit, Katunares i vjen mendja rrotull. S’di nga t’ja mbajë. I afrohen ta këshillojnë “për të mirën e saj” duke e parë nga sisët dhe bythët. Preferon të dëgjojë ç’i thonë predikatorët e mirsjelljes, pastërtisë morale, përkushtimit ndaj familjes, traditave, seriozitetit, virgjinitetit. Jo se merakoset për seriozitet dhe virgjinitet. Por sepse vetëm prej moralistave rrenacakë mund të mësosh çfarë të mos bësh që të mos mbetesh gjithë jetën fukara me biberon në gojë.

Shkolla e mesme mbaron shpejt.

Ngutet të çlirohet nga virgjiniteti, kjo bezdisje që e lë pa gjumë, për të cilën mikeshat i thonë se është turp që ende se ka hequr qafe atë cip të hollë dhe atë koncept mesjetar.

Nis shkollën e lartë.

Për dy gjëra nuk kursehet shqiptari. Për shëndetin, dhe për ti bërë kalamajtë me universitet.

Gjatë universitetit Katunarja provon shetitjet, kafenetë, puthjet, pompinot. Nis e kqyr rretheqark për të ardhmen, burrin, karrierën. Çka e tërheq më tepër janë disa zyra me kompjutera dhe vetrata ku punohet pak dhe fitohet shumë. Quhen OJQ. U afrohet me kuriozitet dhe frikë. Zbulon se në këto zyra dukuria më e përhapur është kurvëria, më e rralla është puna. Shefja e OJQ-së është një baxhellë me mishra të varur, disa varëse floriri në qafë, unaza dhe rrathë me ngjyra në kyçet e duarve. Karaputana plakë është aty që nga koha kur Katunaria s’kishte lindur, dhe aty do vazhdojë të jetë derisa paret e vjedhura ti dalin nga brima e bythës.

I tha një mikeshë Katunares; Po të rrish tre vjet në një OJQ duke pi kafe dhe duke bërë thashetheme, çmendesh, vret veten, bëhesh lubì me shtat koka, burrin, të ardhmen, jetën, familjen, harroji.  Mahnitet dhe dëshpërohet Katunarja nga këto zbulime.

Për me e kalu kohën sa më këndshëm, fillon lë takime. Jo te mulliri, çesma, pusi, gardhi, fiku. Në Tiranë s’ka të tilla. Në Tiranë ka qëndra masazhi, kafenera, restorante. Ku pasi hamë e pimë e llafosemi, ngjitemi bëjmë qef me klithma në dhomën lart.

Katunarja ka sjellje dhe veshje snobiste.

E shkruan korrekt Shqipen.

Lexon romane me përmbajtje nga koha e trenave me qymyr, me zengjine të vetmuara brenda vaskave pllaquritëse kur dikush po i sheh nga brima e çelsit.

Pëlqen trashëgiminë folklorike, meseletë e vjetra, poezinë gojore.

Bën Yoga.

Ndonjëherë vete në seanca spiritike.

Frekuenton klubet Blues dhe Jaaz.

Kthen ndonjë whiskey.

Tymos ndonjë spinello.

Mëson gjuhë të huaja.

Tërhiqet kur konstaton se s’ka të drejtë.

Shprehet për probleme sociale dhe politike.

Merr, ose mbështet, iniciativa.

Shkon rregullisht në protesta.

Katunarja i ka të gjitha këto merita. Ama për katunin e baltrave dhe lëvereve të ndera në litar për tu tharë nga era, mishin t’ja presësh me gërshërë, nuk thotë asnjë fjalë, nuk flet kurrë, e ka dënuar me vdekje.

Kur e pyesin, ose kur duhet ta shkruaj vendlindjen në ndonjë formular, nuk tregon kurrë katunin e pisllëkut dhe rreckave, por qytetin 40 a 50 kilometra larg.

Katunarja është më e tonizuar, më produktive, më energjike, më diskrete, më diplomatike, më e vullnetëshme, se Qytetarja.

Si në romanet e Mopasanit dhe Balzakut plot me Katunare dhe Katunarë energjikë dhe të talentuar të etur për karrierë dhe Jetë që zbresin në metropole ku bëjnë hatanë, edhe Katunarja jonë kryen më shumë punë dhe plotëson më tepër detyra se Qytetarja jonë. Sa të thotë Qytetarja rrush, Katunarja ka ngrën një kosh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok