JUSUF GËRVALLA- NË BALLË TË KËTIJ POPULLI DHE TE KËMBËT E KËTIJ POPULLI, FLIJIMI DHE VDEKJA PËR REALIZIMIN E ASPIRATAVE TË TIJ, DO TË NA VIJNË SI PËRJETIMI MË I BUKUR E MË FISNIK NË GJITHË JETËN…

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1945- e vranë më 17 janar 1982)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Aneksimi i Kosovës nga Serbia (1945), do të shohim më vonë se, ishte vetëm një pjesë e padrejtësisë që u bëhej shqiptarëve në Jugosllavinë komuniste. Çështja e Kosovës nuk ishte krejt çështja shqiptare. Padrejtësinë që i bëhej popullit shqiptar në ish Jugosllavi e rëndonte edhe më tepër copëtimi i trevave në të cilat shqiptarët ishin popullatë e vetme apo shumicë dërrmuese në tri republika jugosllave: në Republikën e Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Kosova, u shkëput nga trungu amë, por asaj iu shpërbënë jo vetëm trevat e banuara kryekëput ose kryesisht me popullatën shqiptare në Maqedoninë Veriperëndimore dhe në Mal të Zi, por edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, në të cilat shqiptarët ishin shumicë dërrmuese.

Duke u nisur nga të gjitha ngjarjet që e karakterizojnë fillimin e fundin e vitit 1945, e duke vazhduar në periudhat e mëvonshme që nga fillimi i rezistencës ilegale të shqiptarëve e deri tek organizimi i demonstratave studentore të vitit 1968 e më vonë.  Mu në këtë kohë të egër e barbare, në fshatin Dubovik të Deçanit, më 1 tetor 1945, u lind heroi i kombit Jusuf Gervalla. Familja Gervalla ishte një familje me tradita atdhetare. Dhe ishte absurde të mos binte në sy të okupuesve. Andaj pushtetarët ndaj familjeve dhe individëve të tillë ishte e pamundur që të mos merrte masa të jashtëzakonshme ndëshkimi e presioni. Një gjë e tillë kishte ndodh edhe ndaj familjes Gërvalla. Jusufi ishte djali i Bardhosh Gërvallës dhe nënës Ajshe Gërvallës e lindur Buzhala. Nëna Ajshe  ishte martuar e re, dhe thuhej se fisnikëria, virtytet dhe trimëria e saj erdhën, dhe u bënë më të shprehura, kur u martua me trimin e njohur të asaj ana-Bardhosh Gërvallën. Ajo ishte e lindur në Kryeshec, komuna e Deçanit. Ishte e bija e Jusuf Buzhalës, i cili për shkak të rrethanave të rënda politike e ekonomike detyrohej që të shpërngulej në Pejë. Nëna Ajshe me një devotshmëri të pashoqe u kujdes për rritjen e fëmijëve dhe që të gjithë i edukojë në tabanin kombëtar, ruajti me krenari postulatet e të parëve për luftërat kundër robërisë, mbrojti familjen si gjënë më të shenjët.

Ajo- nënë Ajshja, pati një rrugë të vështirë dhe me plotë sakrifica, por në çdo kohë ajo rrezatonte amësi dhe trimëri, ishte burim frymëzimi për shumë atdhetar e atdhetare në përpjekjet sublime për liri. Duhet përmendur se karakteristik e imazhit të saj nëpër vite ishte shamia e bardhë që e mbante në kokë. Nëna lajmëronte paqen nëpër mes shamisë, por ajo atdheut i kishte falur edhe dy bijtë e saj trima: Jusufin e Bardhoshin, që i quante se ata ishin bijtë e Kosovës, bijtë e shqiptarisë. Nënë Ajshja në martesë kishte lindur katër djem. Avdylin, Jusufin, Hysenin dhe Bardhoshin. Djemtë e Gërvallve, me kalimin e viteve u rritën dhe me kohë u bënë rrezik për pushtetin dhe okupuesin.

Jusufi kur kishte vetëm gjashtë vjet, i vdesë babai dhe gjatë tërë jetës e ndjeu mungesën e tij. Në moshën shtatëvjeçare e dërguan në shkollën fillore, në Prapaçan, të cilën e mbaroi me sukses të shkëlqyeshëm. Ndërsa atë të mesmen e përfundoi në Pejë. Më 1959 familja e tij shpërngulet për në Slloveni, ndërsa ai mbetet në Kosovë, në Pejë, te daja i tij , për të mbaruar shkollimin. Studimet e larta i përfundoi mes Prishtinës e Lubjanës. Më 27 shkurt 1967, kur Jusufi ishte vetëm 21 vjeçar vendose të martohet me dashurinë e jetës së tij, Suzanës, ku si fryt i asaj dashurie janë tre fëmijët: Premtoni,  Donika dhe Ergoni.

Gjersa studionte në Prishtinë, kushtet e vështira ekonomike e detyruan që ai të kërkoi ndonjë punë. Fillimisht angazhohet të punoi si pëshpëritës në Teatrin e Kosovës. Si pëshpëritës që ishte në teatër, më 1969, bashkë me Trupën e Teatrit, i caktuan që të shkonin në Nish për të dhënë shfaqjen “Duke pritur Godon” para të burgosurve në burgun e Nishit.  E dihej se Burgu i Nishit ishte njëri ndër burgjet më të tmerrshme për të burgosurit politik shqiptarë. Jusufi kishte njohuri për këtë, andaj mezi priste që ti vizitonte të burgosurit. Para se të shkonte atje, ai kishte përgatitur një letër që t’iu dorëzoi atyre dhe kështu u bë. Pas shfaqjes shfrytëzoi rastin dhe njërit nga të burgosurit shqiptarë ia jep fshehtas letrën. Ajo kishte këtë porosi “Mbahuni e mos u mërzitni, nuk jeni vetëm. Të gjithë jemi me ju. E ardhmja është jona. Liria po vjen”. Mirëpo, udbashët nuk do të ishin udbash, sikur mos ta kishin parapa edhe këtë  të papritur. Ata, aktorët shqiptarë i përcillnin në çdo hap, dhe e kishin zbulua letrën që iu kishte dhënë Jusuf Gërvalla. Jusufi i entuziazmuar kthehet në Prishtinë, por shpejt e kupton se letra kishte përfunduar në duart e gardianëve dhe të hetuesve të burgut. Një mëngjes herët e marrin në polici, i bëjnë presion, e malltretojn lidhur me letrën dhe pas kësaj e largojnë nga puna.

Më 1971 punësohet në Shkup, si përkthyes në “Flakën e vëllazërimit”. Më 1972/ 1973 shkon në shërbimin ushtarak. Më 1973 fillon të punojë në “Rilindje”, ku më 1978 bëhet redaktor i faqes për radio dhe televizion. Ishte këngëtar me emër në estradën e Kosovës. Ishte edhe poet. Më 1975 botoi përmbledhjen e parë “Fluturojnë e bien”, më 1978 “Kanjushë e verdhë”, më 1979 “Shenjat e shenjta”. Ndërkaq, romanin e parë “Dy florinj të një dashurie” e shkroi më 1975, por nuk u botua. Edhe romani tjetër “Rrotull” u botua vetëm pasi e vranë. Gjithashtu, pas vdekjes u botua edhe drama “Procesi”.

Ndërsa, në lëvizjen ilegale atdhetare e gjejmë që në rinin e hershme. Fillimisht ishte aktivist në organizatën e Adem Demaçit, në Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSH). Ishte njoftuar dhe bashkëpunonte me Sabri Novosellën. Ata shpërndanin trakte të ndryshme dhe parulla kundër okupuesit. Traktet i shpërndanin në këtë mënyrë, djali i Jusufit- Premtoni, shkollën e kishte afër rrobaqepësisë të Sabriut, andaj çantën e tij të shkollës e mbushnin me trakte të cilat ai më pas i dorëzonte te atdhetari tjetër Sabri Novosella. Kështu vazhdoi shpërndarja e trakteve e parullave për vite me radhë, derisa një ditë iu ra në sy të armikut më vitin 1979. Me të zbuluar këtë veprimtari, forcat policore jugosllave bastisen shtëpinë e familjes Gërvalla në Dubovik, nga ku të arrestuar përfunduan vëllezërit e Jusufit: Hyseni dhe Avdyli.

Më 14 dhjetor 1979, kur u bënë arrestimet e pjesëtarëve të Lëvizjes Nacionale Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ), kupton se e pret arrestimi dhe largohet nga Kosova. Me ndihmën e Bardhoshit, nëpërmes tunelit të Goricës kalon në Austri dhe pastaj në Gjermani, ku kërkon strehim politik. Pas ikjes nga Jugosllavia, shkrimtari e gazetari Jusuf Gërvalla bie në kontakt me Ibrahim Kelmendin, i bashkëngjitet atij në veprimtarinë ilegale. Me angazhimin e tij në këtë organizatë intensifikohet puna dhe aktiviteti organizativ. Kjo organizatë veprimtarinë e vet planifikonte ta zhvillonte në tri etapa. Në etapën e parë ishte planifikuar që të demaskohej udhëheqja dhe sistemi jugosllav, të ngrihej vetëdija ideore dhe politike e anëtarëve të organizatës me anë të literaturës dhe të materialeve të ndryshme ilegale. Në etapën e dytë planifikohej që të bëhej presion i vazhdueshëm me anë të demonstratave, kurse në fazën e tretë dhe të fundit ishte paraparë që të fillonte lufta e armatosur.

Në verë të vitit 1980 bie në kontakt me një grup të organizuar ilegal në rrethin e Deçanit, konkretisht me Ismail Haradinajn nga Gllogjani. Këtij grupi Jusuf Gërvalla i dërgon materiale ilegale dhe disa qindra kopje të gazetës “Lajmëtari i lirisë” dhe përmes tij formon Komitetin e LNÇKVShJ-së për Komunën e Deçanit. Kjo organizatë ishte vazhdimësi e organizatës ilegale “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” që nga vitit 1964. Ajo kishte “paraprojektin e statutit” me 15 pika dhe dokumente të tjera që dëshmojnë se organizata kishte Komitetin Qendror dhe Komitetin e Rinisë. Kishte një organizim shumë të mirë, një konspiracion të thellë dhe një numër të caktuar komitetesh të vendeve, që vepronin në pjesë të ndryshme të Kosovës e jashtë saj. Në statut cekej se qëllimi kryesor i saj ishte “çlirimi i të gjitha krahinave të ndara dhe të robëruara nga Jugosllavia dhe bashkimi i tyre me shtetin amë – Shqipërinë”. Komiteti Qendror ishte organ udhëheqës, i cili në vete ngërthente komitetet qarkore, të vendit dhe lokal. Anëtarët e kësaj organizate, para se të pranoheshin në të, jepnin betimin para shokëve dhe kishin emra konspirativë për veprim. Komitetet e vendeve që vepronin në Kosovë ishin në lidhje të drejtpërdrejtë me “Frontin e Kuq Popullor”, që vepronte në Gjermaninë Federale, të cilin e udhëhiqte Ibrahim Kelmendi. Kjo organizatë kishte edhe organin e vet që quhej “Bashkimi”. Më herët Ibrahim Kelmendi kishte nxjerrë edhe gazetën ”Gazeta Punëtore”. Siç dihej, në Gjermaninë Federale vepronte edhe grupi më i vogël ilegal “Zëri i Kosovës”, që e udhëhiqte Hysen Gegaj. Ndërkohë ky grup bie në kontakt me udhëheqësin e “Frontit të Kuq”, Ibrahim Kelmendin, dhe më 1980 bashkojnë organizatën dhe grupin me emër të përbashkët “Fronti i Kuq Popullor”.

Në kuadër të Lëvizjes për Çlirim Kombëtar të Kosovës gjatë vitit 1981 u zbuluan dy komitete të vendit: njëri që vepronte në Deçan, e tjetri në Gllogoc. Në kuadër të tyre u zbuluan edhe nëntë grupe ilegale, të cilat ishin të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me Lëvizjen dhe pjesërisht me Frontin e Kuq Popullor në RF të Gjermanisë, me gjithsej 162 anëtarë.

Largimin nga atdheu, Jusufi e përjetoi rëndë, e këtë më së miri e shprehte nëpër mes poezisë, ku shkruante: “E kam braktis vendlindjen/E kam braktis shtëpinë/ Shkrepave tuaja të larta/ Peng ua lashë fëmijërinë…”; Ose poezia të cilën ia kushton nënës: ”N ‘vendlindje ishte vjeshtë/ Tani vonë/ Të presin të korrat e brengat/ N ‘mendime më ke tretur/ Tani, o nanë/  Për birin që të la në vetmi/ Shikim imi kah dera, kah dera më përgjon/ Trokitje të lehta dëshiron/ Ktheu shpejt më ke pas thënë…”

Edhe sot ruhet letra e Jusufit dërguar nënës, e cila me përmbajtjen e vet asnjë njeri nuk e lë indiferent, me mallin dhe dhembjen që shpreh në këtë letër.

Më 17 janar 1980, bashkohet me familjen, tek ai shkon: e shoqja Syzana dhe fëmijët Premtoni, Donika dhe Ergoni. Në mërgim Jusufi merret aktivisht me publicistikë. Do të ndihmojë në nxjerrjen e gazetës “Bashkimi”, më vonë të gazetës “Liria”. Në gusht të vitit 1980 nxjerr gazetën “Lajmëtari i Lirisë” (tre numra). Më 1 tetor 1981 nxjerr gazetën “Zëri i Kosovës” (dy numra). U angazhua dhe punoi deri në çastet e fundit të jetës për lirinë e Kosovës dhe trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavi. Udbashët sllavë e kishin hetuar veprimtarin dhe angazhimin e madh të tij për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare, dhe në një mënyrë ciklike po iu prishte llogarit të bëra gabimisht për Kosovën. Rezistenca shqiptare që vepronte në perëndim pati fat që në radhët e veta pati edhe atdhetarin e devotshëm, organizatorin e mirëfilltë të veprimtarisë ilegale atdhetare.

Me angazhimin e Jusufit në veprimtarin atdhetare në diasporë, që kryesisht angazhohej në organizimin e tyre që në rrugën e nisur të rezistencës, që të jenë sa më unik dhe më të bashkuar. S bashku me Kadri Zekën e Bardhoshin organizonin dhe merrnin pjesë në shumë demonstrata  anë e kënd Gjermanisë. Ata me të madhe angazhoheshin dhe punonin në bashkimin e organizatave ilegale shqiptare për të cilën UDB-eja jugosllave ishte tej mase e shqetësuar. Andaj rrjeti i krimit dhe i kriminelëve me të madhe u sensibilizua. U dërguan me urgjencë edhe jashtë shtetit gjithandej ku vepronte Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla dhe shokët e tyre.

Veprimtaria liridashëse dhe atdhetare e heronjve, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të pengonte shërbimet jugosllave brenda dhe jashtë vendit. Ata, që të tre në mes veti kompletoheshin e harmonizonin veprimet, sa që një lëvizjes atdhetare do ti nevojiteshin vite për të pasur këso kuadrosh në radhët e tyre. Jusufi ishte një penë e fortë e me emër në Kosovë, Kadriu ishte jo vetëm gazetar i mirë, por sidomos organizator efikas me përvojë shumëvjeçare në organizimin ilegal, Bardhoshi fliste shumë mirë gjermanishten e anglishten dhe kishte krijuar raporte të shkëlqyeshme edhe me organizata të tjera të shteteve të huaja që luftonin për liri dhe pavarësi të popujve të tyre. Që të tre ishin të rinj dhe të mbrujtur me një idealizëm e gatishmëri për çdo flijim.

Dhe, nuk shkoi gjatë, një ditë të ftohët janari (17 Janar 1982), nënë Ajshja mori lajmin e zi, se në vendin e quajtur Untergrupenbach afër Shtutgardit ishin likuiduar atdhetarët Jusuf e Bardhosh Gervalla dhe Kadri Zeka, të cilët në historinë e re të popullit shqiptar mbeten si figurat më madhore të Kombit tone. Më 17 janar të vitit 1983 në Untergrupenbach të Gjermanisë, dy vrasës të panjohur kryen një atentat ndaj një veture të tipit BMW 316, ku mbesin të vdekur Bardhosh Gërvalla (32 vjeç) dhe Kadri Zeka (29 vjeçar) mbetën të vdekur, pasi dy persona të panjohur sulmuan veturën e tyre dhe i vranë ata me breshëri plumbash, ndërsa Jusuf Gërvalla (37 vjeç), plagoset për vdekje dhe vdes pas katër orësh në spitalin e Heilbronn-it.

E përditshmja gjermane “Der Spiegel” në botimin e datës 25 janar të vitit 1982 do të shkruante se identifikimi i shpejt i viktimave e ka sqaruar edhe motivin dhe drejtimin politik të tyre: “….jugosllavë në ekzil që i takonin kombësisë Shqiptare nga provinca e Kosovës në jug të shtetit ballkanik, dhe që të tre veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”, kishte shkruar aso kohe gazeta gjermane.

Dhe, duhet thënë krejt në fund dhe do e përmbyll këtë shkrim me një citat të shkruar nga vet Jusuf Gërvalla i cili thotë: ”Në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli, flijimi dhe vdekja për realizimin e aspiratave të tij, do të na vijnë si përjetimi më i bukur e më fisnik në gjithë jetën. Dhe s’do të ketë forcë që do të na ndalë në rrugën tonë të ndritshme”, dhe vërtet ashtu ndodhi. Nënë Ajshja ngeli pa dy djemtë e saj, por një shqiptari e tërë ishte e saja dhe i qëndroi pranë deri në ditët e fundit.

Bijtë e Kosovës: Jusufi, Kadriu e Bardhoshi, vërtet shkuan në amshim, por burrat trima si ata nuk vdesin kurrë, dhe në kujtimet, në dashurin dhe në historinë e kombit ruhen ashtu të mëdhenj siç ishin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok