07/10/2024

JUSTINA ALIAJ DHE UNË…

0

Nga Pierre-Pandeli Simsia

Siç e kam shkruar në shkrimet e mija të ndryshme dhe siç edhe jam shprehur në intervistat në studiot e ndryshme televizive, Festivalin e 11-të të këngës në radiotelevizion, 22 – 24 Dhjetor 1972 e kam parë në televizor, në të paktët televizorë të atyre viteve, në sallën e një ndërmarjeje të qytetit Berat me ndihmën e një fqinjit tim i cili edhe punonte në atë ndërmarje.

Që nga ai festival dhe deri në Festivalin e 29-të të këngës në radiotelevizion unë nuk do shkëputesha asnjë vit duke ia mësuar edhe këngët të çdo festivali…

Por, si më lindi dëshira dhe kurioziteti për të parë dhe dëgjuar një festival kombëtar kënge kur unë atë vit isha 12 vjeç?!

Një vit më parë, në funddhjetorin e vititt 1971, dy motrat e mija Xheni dhe Xhuljeta, më të mëdha se unë në moshë, katër dhe dy vjetë, e kishin parë në televizor Festivalin e 10-të të këngës shqiptare tek shtëpia e një vajze beratase me mbiemër Protopapa që i ati i saj asaj kohe shkonte me makinë jashtë shtetit dhe kishte sjellë edhe televizorët e parë dhe të paktë që ishin në Berat.

Pas Festivalit të 10-të, gjatë vitit 1972, dy motrat e mija jo vetëm që këndonin në shtëpi disa nga këngët e atij festivali: “STACION I DASHUR”, “NE TË DY”, “BARDHËSI”, “QYTETI PUNËTOR”, “MES DRITASH” (INTERESANT) “SHQIPËRIA PËRSHËNDET”… por edhe flisnin edhe për veshjet, këngëtaret, lëvizjet, shkathtësinë e të kënduarit në skenë të këngëtares Justina Aliaj, veçanërisht kur kishte kënduar duet me Sherif Merdanin këngën: “NE TË DY”

Ndërsa për këngëtaren Rozeta Doraci, flisnin edhe me shoqet e tyre, një këngëtare me zë të ëmbël, e bukur shumë si një pikturë…

Pra, duke dëgjuar disa nga këngët e festivalit të 10-të të kënduara nga motrat e mija në shtëpi dhe emrin e këngëtares Justina Aliaj, e prisja edhe unë me padurim festivalin e radhës, pra, Festivalin e 11-të.

Mbresat e mija nga ai festival si një telespektator parë nga akrani i televizorit i kam shkruar shpesh, madje edhe i kam përmbledhur në librin tim: “FALEMINDERIT, Shënime nëpër vite” dhe nuk dua të zgjatem. Unë prisja të shikoja dhe të dëgjoja Justina Aliaj-n e pëlqyer dhe e shumëpërfolur në shtëpinë tonë nga dy motrat e mija.

Dhe, mes emocioneve të fillimit të Festivalit të 11-të, prezantuesit e tij: Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu, pas këngës që hapi festivalin: “Sonte u takoj të gjithëve” muzika Josif Minga, me tekst të Shaban Murati-t dhe kënduar nga Zija Saraçi, prezantuan këngën e dytë: “Në ekranin e televizorit”: muzika Agron Xhunga, teksti Ibrahim Gani, këndon Justina Aliaj.

Sapo dëgjova emrin Justina Aliaj, mua, djaloshit 12-të vjeçar më filluan emocionet….

Vajza bjonde këngëtare me emrin Justina Aliaj, atë natë të parë të festivalit doli në skenë e veshur me një fustan deri poshtë këmbëve që në gjuhën popullore quhet maksifund. Flokët e shtrira që arinin deri tek supet e saja i kishte hedhur prapa veshëve dhe, sapo u përshëndet me spektatorët në sallë, mori mikrofonin në dorë për të interpretuar atë këngë të bukur që vetëm ajo di ta interpretojë me veprimet dhe lëvizjet e saja të shkathta si një aktore këngëtare.

Ndërsa në natën e dytë të festivalit që u përsëritën po të 20-ta këngët, Justina kishte ndryshuar edhe veshjen dhe pamjen e saj të jashtëme: dukej më e bukur, më tërheqëse, (Kështu m’u duk mua e bukura Justinë) flokët atë natë i kishte bërë me onde, ndërsa lëvizjet në skenë gjatë interpetimit të këngës ishin po ato të njëjta siç di vetëm ajo të përshtatet çdo interpretimi kënge…

Dihen pasojat e artistëve, goditja, dënimi që morën një pjesë e mirë e tyre pas atij festivali fatkeq dhe, një ndër ata artistë, ishte edhe Justina Aliaj.

Artisten Justina Aliaj e “zhdukën” nga skena e festivaleve për të kënduar; këngët e kënduara prej saj u dënuan, u “burgosën” për të mos u transmetuar dhe mos u dëgjuar për shumë vite…

Justinën e “zhdukën” por unë e kisha idhullin tim si këngëtare.

Në vitin 1981 ku unë studjoja për instrumentin trompë në Tiranë, mësova se Justina Aliaj punon në Ndërmarjen mësimore dhe sportive “Hamid Shijaku” në Qytetin e nxënësve në Tiranë.

Atë kohë, Justina kishte krijuar jetën e saj të re familjare në Tiranë. Mësova edhe vendin e punës ku ajo punonte. Dritaret e dhomës së punës ku ajo punonte bashkë me tre vajza apo gra të tjera, binin nga rruga që të çonte në godinat mësimore të Qytetit të nxënësve.

Një ditë të bukur pranvere tirane, shkoj për ta takuar edhe pse ajo nuk më njihte….

Qendrova pranë dritares së punës së saj dhe, ashtu i gëzuar dhe i emocionuar, e përshëndeta. “Fatkeqësisht”atë ditë Justina kishte dhimbje dhëmballe dhe nuk mund të fliste shumë gjatë, por, ajo më tha më prit, mos u largo dhe, pas disa minutash, më shfaqet në rrugë vetë Justina pranë meje… O zot, sa shumë emocione po ndjeja ato çaste. Ishte hera e parë që unë e shihja idhullin tim kaq shumë pranë meje. Biseduam, jo shumë gjatë, si të ishim të njohur prej kohësh. Kur u ndamë, pasi më falenderoi, më përqafoi, sikurse edhe unë e përqafova…

Gjatë jetës sime studentore në Tiranë, e ndoqa Justinën në disa aktivitete kulturore që zhvilloheshin midis ndërmarjeve të Tiranës.

O Zot! Çfarë emocioni na dhuroi ajo divë e skenës shqiptare atë ditë kur interpretoi e veshur me kostum kombëtar këngën e mirënjohur: “Xhamadani i Mic Sokolit” Për herë të parë dhe të fundit, prezantuesi e prezantoi, përveç mbiemrit Aliaj edhe me mbiemrin Kodheli, me Justina Kodheli, mbiemri i bashkëshortit të saj, Pjerin Kodheli, Mjeshtër dekoresh”

Nuk mund të përshkruhen në shkrim gjithë ato emocione që na dhuroi artistja atë ditë gjatë interpretimit…

Nga ai sukses i madh, nga ato emocione shumë të mëdhaja, dikush ngjitet në skenë, sigurisht nga organizatorët dhe, pasi e falenderoi për interpretimin, i kërkoi edhe diçka tjetër: “Të lutem Justinë, të lutem edhe në emër të të gjithë pjesëmarrësve; na interpeto diçka tani që të na emocionosh dhe më pas të na bësh të buzëqeshim…

Justina menjëherë hyri në rol; ne të gjithë prisnim interpretimin e saj.

Adhtu siç ishte para mikrofonit, fytyra i mori një trishtim, dhimbje, syt iu përlotën dhe lotët filluan ti shkisnin faqeve. Mes asaj pamje dhe gjendje shpirtërore të trishtë, filloi një interpetim të dhimbshëm. Ne të gjithë të pranishmit ishim të përqendruar vetëm tek ajo. Justina me interetimin e saj na kishte elekrizuar të gjithëve…

Dhe, pas pak minutash pas atij interpetimi madhështor, si me magji’ artistja fshiu lotët nga syt me duart e saja, mori një qendrim krejt të kundërt nga qendrimi i mëparshëm, e buzëqeshur, alegro filloi të interpretojë një monolog gazmor, shumë gazmor, madje mund të them edhe humoristik, sepse, një pjesë e mirë e njerëzve në atë sallë, filluan të qeshin me të madhe, thua, sikur nuk ishmim ne të njëjtët njerëz që u trishtuam, madje edhe u përlotëm pak çaste më parë….

* * *

Kishin kaluar shumë vite. Unë me bashkëshorten time dhe me dy djemtë tanë, në vitin 1997 erdhëm familjarisht në Nju Jork si banorë të përhershëm të Amerikës, ku vazhdojmë të punojmë dhe jetojmë edhe në ditët e sotme.

Nga pjesëtarë të komunitetit, mësova se në Nju Jork jetonte edhe Justina Aliaj, madje edhe aktivizohej në aktivitetet e ndryshme të komunitetit.

Oraret e punërave të ndryshme në Amerikë nuk të mundësojnë takime me miq e shokë, mospërputhje oraresh.

Në një nga aktivitetet kulturore artistike në komunitet, ku unë interpretova suksesshëm një poezi të cilën e kam shkruar vetë, mes pjesëmarrësve të shumta pash edhe Justinën, madje e pash edhe kur më duartrokiti gjatë dhe pas interpretimit tim.

Justina në atë aktivitet kishte ardhur së bashku me djalin e saj, Rubinin, i cili në atë kohë studionte në Nju Jork për instrumentin violonçel, madje vetë i biri Rubin Kodheli e shoqëroi mamanë e tij kur ajo këndoi disa këngë popullore shkodrane…

Pas aktivitetit, në sallën e madhe, gjatë koktejl-it, siç ndodh në raste të tilla që takohesh bisedon me miq e shokë, madje njihesh edhe me miq të rinj, syt e mi dhe të Justinës u kryqëzuan ashtu krejt rastësisht. Së bashku me bashkëshorten time Joanna shkuam për ta takuar.

Justina ishte pranë disa miqve të saj.

I dhamë dorën njëri tjetrit; më koplimentoi për krijimin, interpretimin e poezisë sime, sigurisht edhe unë e koplimentova për interpretimin e këngëve.

Nuk më njohu; sigurisht, vitet kishin bërë të tyren, mosha gjithashtu, flokët e mi dikur të dendur dhe paksa kaçurela, atëkohë kishin filluar thinjat dhe rënien e tyre dhe, Justina e kishte pak të vështirë të më kujtonte mua; Është më se normale, por unë e mendova t’i prezantohesha në një mënyrë tjetër…

Dhe prezantimin tim ia bëra në këtë mënyrë: Fillova t’i kujtoja disa nga tekstet e këngëve që Justina i ka kënduar vite më parë (35 -40 vite të kaluara), duke ia shoqëruar edhe me melodinë e tyre.

Ajo, si artiste aktore që është edhe nga emocionet dhe e papritura, mbeti si e hutuar dhe, menjëherë mbushi sytë me lot. Iu drejtua zotërisë që kishte në krah e i thotë: “Petraq, ky njeri po më “çmen… Disa nga këto tekste kangësh edhe unë mund t’i kem harruar, ndërsa ky… ” dhe, m’u drejtua mua; u përqafuam. Kur i them se kush isha, gëzimi ishte i papërmbajtur që unë dhe Justina takoheshim pas kaq shumë vitesh…

– Kush Petraq, është zotëria? – e pyes unë pastaj Justinën.

– Jam Petraq Risto, më thotë ai dhe me zgjat dorën për t’u takuar.

– Prit, – i them unë, duke qeshur, – se edhe me ty kam pak “punë”… Fillova edhe me poet Petraqin t’i kujtoja disa nga tekstet e këngëve të tij të festivaleve të këngëve në radiotelevizion.

Ai duke qeshur i drejtohet Justinës. – Ky njeri po më “cmend” edhe mua tani, si i mban mend gjithë këto tekste këngësh…

Ishin çaste të gëzueshme, të papritura….

Miqësia jonë nga ajo mbrëmje me Justinën dhe me poetin e mirënjohur dhe të suksesshëm Petraq Risto do të vazhdonte me shkëmbimet e mesazheve me njëri tjetrin.

Flisnim shpesh në telefon, përshëndeteshim në pamundësi për t’u takuar shpesh sepse jetonim në lagje qytete të ndryshme në Nju Jork, por edhe takoheshim në aktivitetet e ndryshme që zhvilloheshin në Nju Jork, aktivitete në gëzime dhe hidhërime. Një nga ata aktivitete të dhimbshme ishte edhe vdekja tragjike e tre brezave në Nju Jork, e këngëtares së mirënjohur Anita Bitri bashkë me nënën e saj Hazbie dhe bija e saj Sibora.

Kur unë botova librin tim, romanin “Një dashuri e vrarë” sigurisht, një kopje ia dhurova edhe Justinës.

Pas pak ditësh, pasi e kishte lexuar (Me një frymë) siç u shpreh vetë Justina, më telefonon ajo vetë dhe, pasi më uroi dhe më koplimentoi për librin, më tha: “Ky libër duhet të bëhet patjetër film, madje vet ajo, zgjodhi edhe personazhin që dëshironte ta interpretonte…

Justina e mirë Justina zemërmadhe, njerëzore (humanitare) shkoi deri atje, sa i shkruajti vet regjisorit të mirënjohur e të suksesshëm Viktor Gjika për ta realizuar film… Por që fatkeqësisht, atë kohë regjisori nuk ndihej mirë nga shëndeti dhe pas pak kohësh u nda nga jeta (Ndjesë pastë)

Për zemërgjerësinë e Justina Aliaj-t, shpirtin e saj human, po sjell edhe një shembull tjetër: Në një nga intervistat e saja, këngëtarja e mirënjohur shkodrane Vjoleta Zefi, përmend edhe faktin se, në fillimet e karierës së saj artistike si këngëtare e re në moshë, pas shfaqjes në Shkodër, Justina e ka shoqëruar Vjoleta Zefin për në shtëpi, por, para se të shkonin në shtëpi, kthehen në një nga mapot e dikurshme, dhe blen këpucë, veshje…

Kur shkojnë në shtëpinë e Vjoletës, u thotë prindërve të saj: këto janë dhurata ime më Vjoletën tonë…

* * *

Artistja aktorja këngëtarja e rrallë Justina Aliaj na iku nga Nju Jorku para disa vitesh dhe, sigurisht, na mungon shumë, por, unë personalisht, i ndjek aktivitetet e saj të suksesshme që ajo zhvillon atje në Shqipëri dhe, sigurisht, ndjej kënaqësi.

Para pak muajsh, mësuam lajmin e trishtë që artistja jonë Justina Aliaj, ishte prekur nga virusi vdekjeprurës Covid 19.

U trishtuam shumë për shëndetin e saj, u lutëm për shëndetin e saj dhe, fatmirësisht, Justina ia doli mbanë dhe gëzon shëndet të plotë.

Edhe pse Justina mban vitet e moshës së saj, ajo prap është dinamike, energjike në interpretimin e këngëve të ndryshme, në rolet e ndryshme interpretative skenike.

Justina Aliaj është dhe mbetet një yll i këngës dhe skenës shqiptare, ajo është një divë e vërtetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok