09/11/2024

Në kërkim të mjekësisë tonë të moçme!

0

Nga Jahja Drançolli

Mjekësia praktike në Arbëri, sidomos në shek. XI-XV është zhvilluar paralelisht krahas mjekësisë bizantine dhe të asaj perëndimore. Në esencë, mjekësia që zhvillohej në Arbëri ishte ajo e Hipokratit, Galenit, etj. Mjekësia klinike e Hipokratit ishte nën ndikimin e mjekësisë religjioze pa ndonjë zhvillim të anatomisë dhe fiziologjisë. Parimi themelor terapeutik ishte contraria contrariis curantur, duke menduar se sëmundja  evitohet vetëm me lëshimin e gjakut. Ndërhyrjet kirurgjike kufizoheshin vetëm në kirurgji të thjeshtë, me trajtimin e lëndimeve, frakturave, me prerjen e abscesit, herniotomi dhe ndonjëherë bëheshin dhe trepanacione.

Në shek. XIV-XV të gjitha epidemitë e murtajës vinin në Europë nga Azia e Vogël dhe kryesisht me det. Në Ballkan kjo epidemi me përmasa të mëdha u shfaq në vitin 1347/8; sipas burimeve bëri kërdinë edhe në Arbëri: Durrës, Lezhë, Novobërdë, Pejë, Prishtinë, Shkodër, Tivar, Trepçë, Ulqin, e ndonjë qytet tjetër (1456, 1457 e 1466). Parambrojtja më efikase nga kjo sëmundje ishte vetëm karantina. Veç murtajës, një sëmundje mjaftë e përhapur ishte gërbula (lepra, leproso) e njohur nga fillimet e shek. XIII. Të sëmurët që lëngonin nga gërbula përmendën në spitalin e  Manastirit të Deçanit; të sëmurit nga gërbula dëshmohën edhe në krisobulën e shenjëtorëve Mëhill e Gabriel në Prizren (1348?). Kur është fjala për spitalet duhet përmendur atë të Novobërdës i njohur ç’prej shek. XV në gjithë Europën Juglindore.

Në rrethanat e përgjithshme shëndetësore mesjetare rol me rëndësi kanë pasur kushtet higjienike. Nga objektet e higjienës në qytetet e Kosovës mesjetare  janë ruajtur cisterna në Prizren, Novobërdë, Trepçë, etj. Cisterna e Prizrenit është ruajtur deri në ditët e sotme, shërben si rezervuar për ujë dhe gjendet në kalanë e qytetit. Me ardhjen e osmanëve dhe ngritjen e hamameve në shumë qendra kosovare u bë përparim i dukshëm në këtë aspekt.

Në spitalin e Manastirit të Deçanit, gjenin strehim edhe të sëmurët nga epilepsia, tuberantët, reumatikët dhe leprotikët; në spitalin e Prizrenit te Manastiri i shenjëtorëve Mëhill e Gabriel, përveç të sëmurëve nga gërbula, strehim gjenin këtu dhe të sëmurët me sëmundje të tjera. Janë të njohura edhe spitalët pranë kishave dhe kuvendeve katolike, si dhe në qytete, siç ishte i Novobërdës, etj. Në shërbime mjekësore shquhenin  sidomos mjekët bizantinë, italianë e arbërorë. Vargu i mjekëve të njohur në Arbërinë mesjetare ishte bukur i gjatë. Shquheshin sidomos pjesëtarë të familjës Spani, Arbërori, Nikollë Leonik Tomeu e shumë të tjerë. Ndërsa, mjeku i parë nga Kosova,  i  dëshmuar në burime historike, ishte Milicius  de Presarin, i njohur në fushën e urologjisë.  Përveç tij, në Prizren e ndeshim edhe mjekun Abedin Zeneli i dëshmuar sipas një mbishkrimi në xhaminë e Sinan Pashës ne Prizren (1608).

Dokumentet e viteve 1339-1340 dëshmojnë për  zhvillimin e farmacisë në Prishtinë ku përmendet një farmacist i quajtur Zanini; gjatë viteve 1836-1856, në Prizren janë shitur ilaçe farmaceutike nga Haxhi Durmishi. Barnatoret e para profesionale në Kosovë janë të njohura në Prishtinë e Prizren (1885)!

Burimi: Akademik Prof. dr. Musa A. Haxhiu – Prof. dr. Jahja Drançolli, Prishtinë: Praxis Medica, 1997, 1998, 1999!

Ilustrimi: Prof. dr. Jahja Drançolli (Padova, Palazzo del Bo, 1987)!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok