10/07/2026

IRONI E FATIT – ENDE PA I MBUSHUR TË DYZETAT, NEOKOMUNIZMI PARAQITET SI ZGJIDHJE

0
Llesh-Ndoj

Nga Llesh NDOJ

Gjendja në Shqipëri nuk është ajo që duhet të ishte, apo që ëndërruam t’a kishim pas përmbysjes së sistemit totalitar, jo vetëm në nëntëdhjetën postkomuniste, tashmë disi e largët, por as në vitet e vështira 2013 – ë, 2017 – ë, 2021, apo në 2025 – ën e afërt. E për këtë nuk ka nevojë të thirren në ndihmë shifrat dhe statistikat qeveritare, as ato opozitare.

O Zot…! Ndoshta jemi i vetmi vend në botë, ku edhe statistikat kanë ngjyra politike e partiake! Nejse. Le të vijmë në arësyetimin e nisur në fillim të këtij shkrimi. Jemi larg nga pritshmëritë edhe pse kanë kaluar 36 vite nga shkëputja zyrtare prej sistemit komunist. Thuhet se Enveri, në fundin e tij biologjik, u kishte thënë bashkëpunëtorëve të tij të merakosur për të ardhmen post atij, pak a shumë kështu: “5 vjet do t’më vajtoni, dhjetë vite do t’më shani, gjithë jetën do t’më kërkoni!”. Kuptohet se këto janë legjenda urbane, por realiteti na bën t’i sjellim në vëmendje edhe ato. Kështu afërsisht edhe po ndodh, sepse 5 vite lotuam, a thua u përmbys bota, pastaj e shamë aq shumë sa dyshuam tek vetja, deri në vitet 1997 – 1998, e prej asokohe, herë në një formë e herë në një tjetër, të gjithë po u vemë pikëpyetje sharjeve e disa edhe po e “kërkojnë”. Veçanërisht tani, e këtu qëndron edhe paradoksi më i madh. Nuk është meritë e ideve komuniste, aq më pak e realizimeve socialiste të së shkuarës së afërt, fakti se shumë nga njerëzit tanë po mendojnë: Ishim më mirë, kur ishim keq!

Pse ndodh kjo? Analiza mund të jetë e shumëanëshme e kurrë s’do arrijë të jetë shteruese, por njerëzit vlerësojnë deri diku atë qetësinë e sigurinë e kohës, pavarësisht mjeteve me të cilat realizohej (shteti diktaturë e ligjit është kurdoherë!), vlerësojnë se në burg hynte edhe i pasuri edhe i varfëri, kur i dilte kundra kohës së fiksuar në ligj, përballë faktit se sot të gjithë futen në burg, përveçse jo kriminelët e hajnat e vërtetë. Njerëzit vlerësojnë se burgu është jo vetëm për ata që s’kanë pushtet, por edhe për pushtetarët, përballë faktit se sot pushtetarët janë të parët në statistikat e krimit e të fundit në dyert e burgut; vlerësojnë barazinë pasurore në varfëri, përballë pasurimit galopant e diferencimit të dukshëm dhe pa djersë të një grushti njerëzish të lidhur me pushtetin; vlerësojnë e çmojnë se disa gjëra bazë, si arsimi, shëndetësia e buka, nuk kishin çmim, ose më saktë aksesoheshin nga kushdo, pavarësisht sa para kishte, përballë faktit se shoqëria aktuale (jo vetëm shteti!) e ka humbur ndjeshmërinë njerëzore; vlerësojnë se punë kishte për këdo, përballë papunësisë së sotme; vlerësojnë se në administratë punësoheshin më të diturit e kohës, përballë faktit se sot punësohen aty më shumë kriminelë e analfabetë se sa të shkolluar e të ditur; vlerësojnë se jetonim me familjen në solidearitet brezash: gjysh – femijë – nipër, përballë faktit se sot po i kemi mallë ti shohim e takojmë fëmijët, le pastaj të jetojmë me ta…

Nuk janë shumë ato që mund të rrjeshtoja si ndjesi njerëzore, përtej statistikave që mbeten shifra të ftohta, por sipas gjykimit tim, kjo gjendje nuk është dështim i sistemit demokratik përballë atij socialist, por dështim i qeverisjeve postdiktaturë në raport me të qeverisurit demokratik të vendit, apo pritshmëritë legjitime të kohës kur jetojmë. Paradoksi qëndron se edhe zgjidhjen e problemit, po e kërkojmë me mjete të së shkuarës.

Protesta e njerëzve në shesh tashmë prej dyzet ditësh, do të hyjë në histori për shumëçka, nisur nga numri, kohëzgjatja, forma paqësore (pavarësisht ndonjë incidenti), kërkesat e pastra politike, por artikuluar pa politikanë, ashtu si ka për t’u regjistrue si protesta e parë për “kthimin e neokomunizmit” në Shqipëri, ende pa i mbushur të dyzetat nga “vorrimi” i tij me po të njëjtin entuziazëm, bashkë me faktin se po duam t’a rikthejmë nga dritaret, pasi e përzunë studentët e nëntëdhjetës nga dera. Duke thënë këtë, e di se do marr mbi supe “mallkimet” e atyre që s’lexojnë më tej, e që euforia nuk i lejon për të qenë racionalë. Por unë do të pranoja më mirë sharjet e tyre, se sa të dalë profecia e mësipërme.

Hiqi ditës së parë të saj aktin barbar të dhunimit të një protestuesi, duke e hequr zvarrë në Zvërnec, gjithë përmbajtja dhe forma e mëtejshme e protestës të bart drejt një neokominizmi, eurokomunizmi, apo pseudokomunizmi të maskuar, por gjithsesi të frikshëm. A nuk erdhi komunizmi tek ne me parullat: “Liri a vdekje”, “Shqipëria e shqiptarëve – vdekje tradhëtarëve”, “Poshtë ky… e poshtë ai…”, “Toka u takon atyre që e punojnë”, në burg kush ishte kundra, me urdhër të turmës e me gjyq popullorë, shtetëzim i çdo pasurie, pa u thelluar në origjinën e tij, barazi me padrejtësi, duke ulë malet për t’i krahasuar me kodrat, asamble kushtetuese, kuvend popullor, republike popullore, mbeshtetje në forcat e veta, pa ndihma e kredi, e të tjera si këto, vijuar me Europa kapitaliste s’ka punë tek ne, edhe bar do hamë e nuk nënshtrohemi, imperializmi amerikan rrezik për popujt etj?! A nuk përfunduam gati në uri për bukën e gojës në nëntëdhjetën, e mbikqyrje ndërkombëtare ushtarake, për të parën herë në histori, kryesisht nga besimi i verbër tek ata që as vetë s’i besojnë çfarë artikulojnë, dukshëm të agjituar nga adrenalina e turmës, podiumeve e britmave pa veshë të pjesmarrësve.

Paralelet nuk janë kaq të dukshme, por gjithsesi mbeten të frikshme në brendinë e tyre. Uragani popullorë në vijim nisi kundër një investimi madhorë privat, madje në tokë private në Zvërnec, valviti flamurin e sovranitetit shtetëror (edhe kombëtar) me sfond Sazanin, ku ka interes amerikan për investim, vijon me “burg këtij… e burg atij”, thirrje histerike këto, në vend të drejtësi për këdo, kërkon kthimin në nivelin zero të gjithçkaje, me kuvend (popullor), “komitet të treqindëve”, me 500 kandidatë për kryeministra, por pa krye politik, ndonëse vërtitet rreth pretendimeve që askush veç politikës nuk mund t’a realizojë si formë, e askush veç politikës komuniste s’mund t’a bëjë ashtu me tak-fak, në formë e përmbajtje.

Çudi e madhe kjo protesta jonë, ku marrin pjesë edhe eurodeputetë, edhe djem e vasha shqiponja që mbi tridhjetë vite jetojnë në diasporë në vendet më demokratike të botës së qytetëruar, ku duam të integrohemi si vend e si shoqëri, eksponentë të partive politike që kërkojnë të faktorizohen permes tubimeve të tilla, por askush nuk u thotë njerëzve se shumë prej halleve që ata artikulojnë i përkasin gjyqësorit, pushtet i pavarur në një shoqëri demokratike, i cili vetëm në komunizëm merr urdhëra nga politika e nga turma, të tjera janë halle administrative e duhen zgjidhur administrativisht duke ndjekur hallkat administrative, për të përfunduar pastaj në duart e gjyqësorit, i cili do të japë verdiktin përfundimtarë, dhe vetëm një pjesë e atyre kërkesave janë politike. Dhe vetëm ato duhet të zgjidhen me politikë. Se politika është konkurencë, dialog, marrëveshje, jo ultimatume nga podiume të sajuara dhe që vijnë nga zëra të çirrur prej mllefit.

Pak më tej, si nuk del ndokush t’u thotë, se s’ka Shqipëri pa miqësinë e Amerikës aleate të përjetshme, se s’ka siguri pa Europën e NATO – n, se s’ka zhvillim pa investim të kapitalit të huaj e vendas, se s’ka të ardhme në izolim, etj. Ku janë flamujt e BE – s e SHBA – s në këtë protestë (jo vetëm fizikisht, por përmbajtësisht), apo jemi kthyer aty ku ishim… Edhe aty ishim më ndryshe, sepse Asambleja Kushtetuese e ’46 – ës u zgjodh, ndonëse me guraleca e dy kuti votimi, njëra kuqe e tjetra e zezë, ndërsa ky komiteti i fiseve të protestës s’dihet ka vjen, ka shkon e ç’ngjyrë ka.

Respekt guximit të drejtuesve të protestës, por a thue do të ulen ata ndonjëherë para televizorit e t’i dëgjojnë xhevahiret e tyre? A thue dikush nga të dashurit e tyre (vetë s’kanë kohë!) ua shpjegon, se po e “shëmtojnë” atë që nisi kaq e bukur e me ngjyra shprese, e tash po rrezikon të përfundojë në një asgjë, ose një gjë që do të ketë shijen e “serës ku po piqet”, jo të natyrës së bukur shqiptare, që përbën edhe “makiazhin” e bukur të protestës. Jo për gjë, por televizionet i ruajnë kronikat, e ndoshta fëmijëve të tyre nesër mund t’u vije zor nga artikulimi gjysmë analfabet, gjysmë tribal, populist e neomarksist i tyre.

Uroj të mos mbërrijmë në një pikë “lodhje totale”, apo “pikën e vdekjes”, nga ku mund të marrë udhë gjithçka, përveçse jo ndonjë gjë së mbari për të nesërmen. Një dhunë që kundërshtohet, mbetet zgjidhje më e mirë, se një dhunë që i nënshtrohesh pa kushte, nga se nuk ke më fuqi reaguese…

Lezhë, më 9 korrik 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok