11/12/2024

Intervista:Flet e ftuara speciale e Festivalit të 50-të të Këngës në RTSH, e mirënjohura Alida Hisku

0
AlidaHisku_

Flet e ftuara speciale e Festivalit të 50-të të Këngës në RTSH, e mirënjohura Alida Hisku

E merkure, 18.01.2012, 07:30 PM

 

“Një spektator nostalgjik, që s’duartrokit vetëm këngën time, por edhe vuajtjen time në diktaturë”

 

Albert ZHOLI

 

E ftuar në Festivalin e 50 të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, ajo lë për disa ditë Gjermaninë, ku punon e jeton për mëse 20 vjet, për të marrë pjesë në natën e tretë të Festivalit që u kthye në një natë të pazakontë për të gjithë spektatorët, por edhe për teleshikuesit kudo në botë. Dalja në skenë e Alida Hiskut në këtë natë Gala u prit me duartrokitje të stuhishme. Dhe ajo ngjitet në skenë, ashtu  entuziaste, plot dëshirë për të dhënë këtë natë atë çka ajo ka dhënë gjatë gjithë jetës së saj. Dhe nuk zhgënjen asnjë. Dhe pse 20 vjet pa marrë pjesë në festivale, ajo këndon live, me po atë pathos, me po atë zë magjik, me po atë finese, sa i detyron spektatorët ta kthejnë dy-tre herë. Ndoshta e ekzagjeroj, por atë zë të kënduari direkt, them se e kanë shumë shumë pak këngëtare të reja sot. Këtë e vërtetuan duartrokitjet e stuhishme kur mbaroi këngën “Vajzat e fshatit tim”, të kënduar në vitin 1974 në Festivalin e 14 të Këngës në RTSH, ku ajo fitoi çmimin e parë. Ajo kthehet në skenë, ulet në gjunjë, puth mikrofonin dhe loton. Ajo përulje kalorësiake tregon botën e saj të gjerë. Respektin që ka pasur dhe ka ajo për publikun, për atë publik që s’e ka harruar edhe pas 20 vjetësh. Dhe mes duartrokitjeve, ajo i uron të gjithë shqiptarët kudo në botë “Faleminderit! Gëzuar Vitin e Ri, gëzime, hare, lumturi! Ju dua shumë nga Gjermania ime!”. Kjo ishte Alida Hisku e datës 28 dhjetor 2011,ajo Alidë që për mëse 12 vjet ishte protagonistja e festivaleve në RTSH duke mos zbritur asnjëherë nga skena pa çmim.

Si e priti Alida Hisku ftesën për festivalin e 50 në RTSH?

Sa më morën në telefon, nuk hezitova. Pranova menjëherë. Madje, me emocion.

Pse nuk hezitove?

 

Ka shumë arsye, por kryesorja është se më kish marrë malli të ngjitesha në skenë nën siglën e festivaleve tradicionalë të RTSH. Me këto festivale më lidhin shumë kujtime. Me këto festivale kam lidhur pjesën më të bukur të jetës sime. Me këto festivale kam qarë dhe kam qeshur, kam lidhur miqësi dhe kam marrë çmime, kam kaluar emocione të pashpjegueshme, sikundër dhe mërzi kalimtare. Ne këngëtarët e atëhershëm kemi pasur një miqësi që s’e beson askush sot. S’kishim xhelozi dhe e ndihmonim me shpirt njëri-tjetrin. Rrinim bashkë edhe jashtë pune. I gjendeshim njeri-tjetrit në çdo situatë. Ishin vitet më të arta të jetës time, ato vite kur isha në skenën e festivaleve, paçka se në regjimin komunist  më hoqën nga jeta skenike që e vuajta së brendshmi për shumëkohë.

Pra në drejtim të artit regjimi komunist kishte dhe vlerësime?

Unë se kam pranuar dhe se pranoj kurrë atë regjim. Unë e kujtoj me dhimbje atë regjim. Por dua të jem realiste. Në drejtim të artit, ai regjim kishte të mirat e veta. Nuk duhet të mohohet çdo gjë.

Mund të na përmendni diçka nga ajo e kaluar?

Konkretisht festivalet në RTSH ktheheshin në festa të vërteta popullore. Salla ku zhvillohej festivali nuk diskutohej që ishte plot, por në ato netë nëpër rrugët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë nuk gjeje njeri. Të gjithë i kishe pranë televizorëve apo radiove duke ndjekur festivalin. Kërkesa e llogarisë ishte në maksimum. Nuk kishte miqësi për t’u ngjitur në skenë. Ku njihej ateherë superpozimi apo play back?! Kush kishte zë, kishte zë, pike! Ai ngjitej në skenë. S’të faleshin teprimet në skenë. Skena ishte e shenjtë. Për të tjerat s’ia vlen të diskutojmë, se dihet si ishte ai regjim.

Ju folët për superpozimin, e dëmton këngën ky lloj të kënduari?

Sigurisht, në këtë mënyrë nuk dalin aftësitë e vërteta të këngëtarit. Aparatura e përmirëson zërin deri në atë masë sa këngëtari s’ka pse të japë gjithë aftësitë dhe mundësitë. Shumë zëra mund të jenë dhe artificialë. Kënga direkt si në festivalet e RTSH nxjerr në pah këngëtarët e vërtetë. Me këtë lloj të kënduari s’bëhet shaka.

Si u ndje këtë natë të 28 dhjetorit 2011 Alida?

Mos më pyet. Ju e patë vetë. Salla e mbushur si asnjëherë. Pra në qoftë se ditët e para kishte vende bosh, në natën e tretë salla ishte e tejmbushur. Salla dukej si një stadium gjigant. Duartrokitjet e tyre, jo vetëm për mua, por për të gjithë këngëtarët e vjetër tregoi se ne nuk jemi harruar. Spektatori na ndjek ende. Spektatori na ka kërkuar dhe na pëlqen po aq sa atëherë. M’u duk vetja si ditën kur dola për herë të parë në festival. Shumë emocione, shumë duarokitje, shumë lot, shumë kujtime, shumë, shumë…Ishte një natë magjike që ndoshta s’do ta harroj kurrë. Jam e gëzuar se sot provova që s’jam harruar, por ende jam tek spektatori me atë respekt që kam pas dhe kam për të.

Ju lotuat…

Eh! Mund t’i mbaje lotët në ato momente. S’doja të lotoja, por lotët më dolën vetë. As vetë se di. Ndoshta ishin shprehje e respektit për spektatorin, të cilit iu përula në gjunjë. E meriton ky publik përuljen.

Mendon se këngëtarët e brezit tuaj janë lënë në harresë?

Ishin lënë. Po. Ishin harruar. Duhej ky festival që organizatorët t’i thërrisnin ndërgjegjes dhe kujtesës se ky festival ka një histori. Kur kujton një histori të tillë, zgjon tek kombi rrugëtimin e një prej aktiviteteve më të rëndësishëm të kulturës shqiptare që ka bërë epokë. Sa të rëndësishëm kemi qenë dhe jemi ne plejada e vjetër për publikun shqiptar, e tregoi kjo ditë, skena e kësaj nate. Këngëtarë  si Vaçe Zela, Avni Mula, Sherif Merdani, Ema Qazimi. Liljana Kondakçi, Kozma Dushi, Tonin Tërshana, Bashkim Alibali, Lindita Sota, Myfarete Laze, Zija Saraçi, e shumë e shumë të tjerë i vijnë rrallë një kombi…

Albumin “Kthimi”  që e keni realizuar së bashku me djalin tuaj, Albinin (që u largua 4-vjeç nga Shqipëria) mos vallë do të ishte më mirë ta promovonit sot?

Çdo promovim ka kohën e tij. Të veçantën e tij. Titulli “Kthimi” i albumit që e kam bërë së bashku me Albinin, s’e kisha për këtë natë. Kjo natë kishte magjitë e saj, albumi kishte si ide kthimin tim në skenë para publikut, por tashmë jo vetëm, por me djalin tim, Albinin. Ndoshta ky album nuk do të pritet siç e meritoj, megjithatë për mua do të ngelet unik, sepse është albumi i jetës sime. Tek ai album kam dhënë shpirtin dhe momentet që më kanë dhembur aq shumë. Konkretisht kënga  “Kthimi”, me të cilën kam titulluar edhe albumin, është fabula e vetë jetës sime, që në formë balade përcjell gjithë filozofinë e një realiteti të dhimbshëm, por me një rikthim plot shpresë. Shpresat e albumit u realizuan sot.

Tashmë ka kaluar mëse një vit që ju keni botuar edhe një libër… A keni më kopje të tij?

Mund të them se kam shumë-shumë pak. Në një panair të librit në Gjermani ai u kërkua shumë.  Ai libër është një dëshmi jete në dy sisteme shoqërore. Libri erdhi tek unë ashtu si një frut që ka kohën e vet për t’u pjekur, ashtu erdhi edhe vetë koha për të bërë një analizë të jetës sime prej 50 vjetësh. Libri më dha një sadisfaksion të veçantë. Aty është historia ime e jetës si dhe fati në emigracion, që është pothuajse e njëjtë me atë të mijërave vëllezërve e motrave shqiptare, brenda dhe jashtë vendit. Sot them me bindje se bëra mirë që e botova atë libër. Sigurish që të këndoj është talenti dhe jeta ime, por edhe pse shkruaj për jetën time apo  mendimet e mia për jetën, nuk mund të them se është një sensacion. Libri titullohet “Die Hofnärrin des Diktators” që në shqip mund të përkthehet “Lolot e Diktatorit”. Ky libër është një autobiografi që përshkon fazën e jetës sime qysh fëmijë e deri në vitin 2005. Pas këtij viti, ndoshta duhet të ndalem më vonë.

Alida duket shumë e impenjuar…
Kjo është e vërtetë. E them me bindje se ditën e kam shumë të ngjeshur. Në familje kam disa role, grua, nënë, gjyshe, por dhe organizatore e një biznesi familjar, pa lënë mënjanë se jam artiste dhe aktiviste.

Çdo të na thuash për aktivitet e tua?

Kanë qenë të shumta. Konkretisht kur mbarova CD e re para 5 vjetësh në Francë,  “Kthimi”, me një kompozitor të talentuar, Leonard Sojli, menjëherë  fillova një turne në Itali me shumë koncerte bashkë me djalin tim të vogël, Albin. Në të njëjtën kohë fillova edhe projektin për botimin e librit. Më vonë fillova një projekt tjetër me një grup muzikor nga 5 kontinentet. Pra, formova grupin tim muzikor “Melodi Rain”, ku marrin pjesë gra muzikante nga kontinentet e botës. Kemi filluar turne nëpër Gjermani, ku dhe jemi të kënaqur me suksesin tonë. Jam e ftuar gjithmonë në shumë aktivitete që zhvillojnë emigrantët në Gjermani, por edhe në vendet e tjera në BE.

Ti ke shumë takime në Tiranë, të ndalojnë në rrugë, nuk bezdiset bashkëshorti juaj nga këto?

Ai është natyrë krejt, krejt tjetër. Shumë, shumë i qetë. Unë jam e vrullshme, ekspresive. Por ai nuk ka qenë dhe nuk është fare xheloz ndaj meje. Ma njeh tipin.  Mua më vinë burra e gra që më puthin në rrugë, dhe ai e pranon dhe e aksepton qenien time si artiste. Unë kam përfituar shumë prej tij dhe jam kacavjerrë për ta kapur, në mënyrë që të arrij  aty ku ai është. Shumë gjëra që më dukeshin të dëmshme, jam munduar t’i heq nga vetja. Në shtëpinë tonë nuk ka ekzistuar xhelozia. Më duket se xhelozia bën pjesë tek njerëz të një niveli tjetër, jo tek unë.

Ju kini një histori me Elida Hasanin dhe Amarilda Gosenin, dikur në Shtëpinë e Fëmijës?

Po. Është një histori e gjatë! Me dy vajzat e Shtëpisë së Fëmijëve që ju përmendët, Elida Hasani dhe Amarilda Goseni jam njohur një ditë vjeshte mbas një koncerti në Estradën e Tiranës, ku një grup i tyre kishte ardhur për të parë shfaqen. Ka ndodhur para 34 vjetësh,1984. Kjo ditë ka qenë tepër e dhimbshme dhe e veçantë….sepse nuk më kishte ndodhur që të kisha adhurues (fansa) kaq të vegjël dhe sidomos nga Shtëpia e Fëmijës.

Si i priste nëna juaj dhe pjesëtarët e familjes?

Ah, nëna ime ishte vetë artiste dhe dinte mirë t’i trajtonte adhuruesit e muzikës. Ajo tashmë ishte e lumtur që familja e saj u zgjerua dhe krenohej për këtë kudo. Ajo i trajtonte sikur të ishin të sajat. Ato vajza ngopeshin me dashurinë e nënës dhe të timen, më shumë se me bukë. Ato ndjenin tek ne, atë që mbase kurrë në jetën e tyre nuk e kishin ndjerë. E kjo i mjaftonte Elidës dhe Amarildës.

Vlerësime

Çmime
· 1970, 13 vjeçe në Festivalin e 9-të, merr çmimin e dytë. Kompozimi Agim Krajka “Portret”
· 1971, 14 vjeçe në Festivalin e 10-të, merr çmimin e dytë. Teksti Dritëro Agolli “ E paharruara”
· 1973, në Festivalin e 12-të fiton çmimin e dytë me këngë të Josif Mingës “Agimi i Kuq”
· 1974, në Festivalin e 13-te fiton çmimin e parë me këngën “Vajza e fshatit tim”
· 1975, në Festivalin e 14-të fiton çmimin e parë me këngën “Buka e duarve tona”.

  • 1976, në Festivalin e 15-të me këngën “Bisedon me popullin”, duet me Liliana kondakciun. · 1979, në Festivalin e 18-të me këngën “Nëntori i Lirisë”, fiton çmimin e dytë
  • 1980, në Festivalin e 19-të fiton çmimin e dytë me këngën “Njerëzit e Agimeve”
    · 1981, në Festivalin e 20-të me këngën “Flaka e Betimit”, në duet me Ema Qazimin.

Ditari im, si ditari i Ana Frankurt!…
Atëherë kam qenë tre muaj në një fshat të Sarandës, ku do të merreshim me punë fizike për t’u kalitur. Në punën prodhuese unë isha në dhomë me tri vajza nga Rrësheni, Vlora, dhe Fieri. Si sot më kujtohet ajo ditë. Ishte 13 qershor. Mbushej plot një vit që më kishte vdekur nëna, ndaj e mbaj mend atë ditë. Kujtimet për të mundohesha t’i hidhja në ditar. Pra çdo kujtim timin për nënën mundohesha ta hidhja në ditar. E doja shumë nënën pasi ajo ishte nënë për të gjithë lagjen dhe për shumë fëmijë jetimë.  Dua të theksoj se edhe motra ime mbante një ditar. Këtë ndjesi për ditar na e kishte kultivuar nëna, ndaj dhe e mbaja. Në ditar shkruaja çka më ndjente zemra. Ato çka pashë në realitet: P.sh, “Pikërisht sot në një vjetorin e vdekjes së nënës time të dashur jam shumë e mërzitur. Dhe jeta më duket skëterrë. Këtu ku jam, ha pula gur. Gjithë fshatarët rropaten gjithë ditën në punë dhe bëjnë jetë të keqe”. Të nesërmen ndodhi çudia. Ditari nuk ishte nën jastëk. Atë ja kishin dhënë profesorit të Shkollës së Partisë, i cili e çoi në Komitetin e Partisë. Po të nesërmen më thonë të nisemi direkt në Tiranë, ku do të paraqitesha në Komitetin e Partisë Nr.3. Aty më priti F.B., e cila më tha se keni thyer rregullat e partisë, ky ditar është hapur agjitacion e propagandë. Duhet të dorëzosh teserën e partisë. Ditarin ja dorëzova babait. Filluan dënimet. M’i zhdukën edhe këngët, organizata e partisë më hoqi dhe më çoi në një repart ku ishin punëtorët e dënuar. Kështu fillova jetën nga e para, por tashmë larg skenës, larg aktiviteteve, larg njerëzve, në një punë që rropatesha. Kështu kam punuar dhe jetuar derisa erdhi demokracia dhe u largova për Gjermani.

 

Si më futën Fiqret Shehu dhe Nexhmije Hoxha në Shkollën e Partisë
Si sot e mbaj mend. E mbaj mend fare mirë. Isha 18 vjeç kur u pranova në radhët e partisë, pasi, ngaqë isha shumë punëtore, shkoja në aksione, e gjallë. Dua të them se në atë kohë kam pasur edhe influencën e babait, që ishte sekretar partie në të gjitha shtypshkronjat e Tiranës. Ndoshta babai, ndoshta  isha kurioze si tip dhe doja të dija se çfarë ishin këto mbledhjet e famshme të partisë. Këto ishin arsyet që u futa në parti. Mbaj mend se në kohën kur më vdiq nëna në vitin ’80, vijnë për ngushëllim shumë nga të partisë. S’e mendoja thellë në atë kohë se krahas punës e këngës, i isha futur pa dashur edhe politikës. Për ngushëllim kishin ardhur Nexhmije Hoxha dhe Fiqiret Shehu. Kjo e fundit duke pirë kafe, më thotë : Alida ti je vajzë e kompletuar do të kemi dëshirë të vini edhe në shkollën time? U gjenda e befasuar. S’di se si më erdhi. Edhe gëzim. S’isha aq e dhënë pas politikës të mendoja ç’do të bëhej. Pastaj, kush ua kundërshtonte fjalën atyre! Në fund të bisedës ajo më tha që sa më shpejt të shkoja dhe të paraqitesha tek ajo në Shkollën e Partisë. Ishte qershor, kurse ne do të fillonim mësimin në shtator. Kështu fillova në Shkollën e Partisë. Punoja dhe në shtypshkronjë. Në fund të vitit të dytë, Fiqretja më thotë se do të largohesh nga shtypshkronja, se puna atje nuk të bën mirë për shëndetin. Më futi në punë në Ministrinë e Kulturës në marrëdhënie me botën e jashtme për kulturën.



(Vota: 0)

  Facebook  Twitter  Google+  Digg  

 

Koment

Mark H.[ E enjte, 19.01.2012, 05:56 PM ]

Kengetarja e fameshme Alida Hisku,thote:
Salla dukej si një stadium gjigant. Duartrokitjet e tyre, jo vetëm për mua, por për të gjithë këngëtarët e vjetër tregoi se ne nuk jemi harruar. Spektatori na ndjek ende. Spektatori na ka kërkuar dhe na pëlqen po aq sa atëherë.
Nji fraze mjafte e sakte per njerzit e talentuem kur kendojne kenge te bukura qe s’harrohen kurr.Kange e asaj kohe pa perjashtim jane te bukura.Se keto kanget e sodit na dhemb veshi ti ndigjojme.Per kuriozitet pak a shume kanget per partin e xhaxhin Enver i beni sa ma te bukura.Sidomos per konkurrimin e festivalit te femijve qe behesh ne qytetin tim Shkoder.
Dhe kur prisnja ne nji vend te zgjedhur ne kinema veroren (prone e gllaberuar nga Topallja e parlamentit) per te ndjekur festivalin,mbrapa kisha kryetarin e kom.Ekzekutiv te qytetit Nesip Brahimi nga Gjirokastra.Njerezit nuk kishin zene vendet po leviznin ne drejtim te tyre.Ne bisede e siper me gruan ne pritje te cfaqjes i fola mbi pershtypjet e kengeve te festivalit ne pergjithesi dhe ne vecanti per kete te femijve qe do ndiqeshim.Gruaja me tha ule zanin(difekt i imi flas me za te nalt).Po i thoja,sa fatkeqesi qe keto kange kaq te bukur qe i kendohen pikrisht partise dhe xhaxhit do vije koha te mos ndigjohen kurr.Kaq dhe nuk e zgjata.Zbatova keshillen.Nuk e mbaj mend vitin po ishte koha kur Nesipi ishte Kryetar i komitetit.
E mbylli komentin i kenaqur nga nji interviste origjinale dhe mjaft modeste pa komplimente plotesisht e besushme mbi rrealitetin.Por Artistja Hisku nuk duhesh te

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok