02/05/2024

IBRAHIM HOXHA- SEDLLARI- PA KOSOVË, NUK KA SHQIPËRI, DO TË FITOJMË KUR BËHEMI NJË

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1909- gjatë muajit shtator e likuiduan në burg, 1946)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Ibrahim Banush Sedllari u lind më 1909, në fshatin Shalë të Drenicës së Epërme. Baba kishte patriotin e njohur të kësaj ane, Banush Sedllarin, ndërsa, nëna Bahtije e rriti dhe e edukoi me një dashuri të jashtzakonshme djalin e saj trim. Familja e tij ishte e kamur dhe Ibrahimi u rrit pa brenga në fëmijërinë e tij. Ibrahimi i vogël ishte fëmija i parë në familje nga tetë vëllezërit që i kishte (Rexha, Hasani, Ramadani, Hyseni, Kadriu, Ademi, Isufi dhe Aliu) dhe dy motra ( Veziren dhe Eminen). Ibrahimi posa i mbushi 7 vjet ai filloi të shkoi në odën e babait dhe me vëmendje të madhe dëgjonte muhabetet e të rriturve dhe që nga kjo kohë filloi edhe të mendoi dhe të rritet me frymën e atdhetarisë. Qysh si fëmijë dëgjonte tregime të shumta për trimat e asaj kohe siç ishin: Isa Boletinin, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Haxhi Zekën etj. Në kullën e babait pati rast që të takohet me trimat siç ishin: Tahir Berisha, Osman Maloku, Qazim Bajraktari, Ramë Bllacën, Ferat Dragën, Nazim Gafurrin, Hajrë Karaçicën, Fetah Bylykbashin, Abdyl Canin e shumë të tjerë. Babai Banushi ishte arsimdashës i madh, andaj posa i bëri 7 vjet e dërgoi Ibrahimin që ti kryej katër klasë  të mejtepit sa kishte në fshat. Në mejtep mësoi shkrim leximin në alfabetin arab. Por duhet përmendur se ishte një gëzim i madh kur një i afërm Bajrush Shtimja i kishte sjell si dhuratë, Abetare në gjuhën shqipe. Me entuziazmin që kishte, ai shumë shpejt i mësoi germat, mësoi të lexonte dhe shkruante pa gabime në gjuhën shqipe.

Pas një takimi që kishin pasur Banush Sedllari, Tahir Berisha dhe Fetah Bylykbashi, vendosin bashkërisht që ti dërgojnë fëmijët e tyre: Ibrahim Banushin, Rifat Berishën dhe Shefqet Bylykbashin, për të vazhduar mësimin në Tiranë. Pas përfundimit të mësimeve me sukses të shkëlqyeshëm në mënyrë të shpejtuar. Ata kryen katër klasë të shkollës fillore dhe semimaturën, për të vazhduar gjimnazin në Tiranë. Por, baballarët e djemve kërkuan që ata të regjistrohen në shkollën ushtarake. Ashtu edhe u bë. Mbreti Zog atyre iu kishte sigurua bursa dhe vendosjen. Shkollën ushtarake e përfunduan me sukses të shkëlqyeshëm, dhe fituan gradën ushtarake –aspirant. Më 1933, u caktuan në vendet e punës, por përsëri kërkuan që të vazhdonin shkollimin për në Itali- Romë. Po ashtu me sukses përfunduan Akademinë Ushtarake në Romë, më 1936, dhe pas gjashtë muajsh pune në Shqipëri, Ibrahim Hoxha mori gradën e kapitenit. Ibrahimi u caktua të shërbej në Ushtrinë Shqiptare në Durrës. Por krahas Akademisë, Ibrahimi kishte përfunduar edhe Fakultetin Juridik. Pas punësimit në Ushtri, duke e ditur se ai kishte të përfunduar edhe fakultetin e drejtësisë, i ofruan vende të ndryshme të punës në Tiranë e Shkodër, dhe në fund e caktuan sekretar në bashkinë e Koplikut, të cilën e pranoi me dëshirë. Pas tre muajsh e caktuan kryetar komune. Pas kësaj e emëruan sekretar të prefekturës në Shkodër.

Më 7 prill 1939, Italia sulmoi Shqipërinë dhe pas kësaj Ibrahim Hoxha nuk pranoi që të punonte në ushtrinë italiane. Më 1940, ai dha provimin e avokaturës, por pushteti pushtues italian nuk e lejoji që të punonte si avokat. Ai filloi që të punonte me avokat të tjerë të cilët kishin leje për punë. Ibrahimi edhe pse nuk punonte më në ushtri ai mbante lidhje me shumë eprorë ushtarak nga anë të ndryshme të Shqipërisë. Takohej me Abaz Kupin, Muharrem Bajraktarin, Mon Tahirin, Rifat Berishën, Shefqet Bylykbashin, Spiro Mojsiun dhe me shumë të tjerë. Ibrahimi shoqërohej me nacionalist e atdhetar të shumtë. Ai asnjëherë nuk shikonte orientimet politike të tyre. Për Ibrahimin shqiptarë të mirë ishin të gjithë ata që luftonin kundër armikut të Shqipërisë, të gjithë ata që luftonin për çlirimin e Kosovës dhe për bashkim kombëtar. Nga ky qëndrim i tij parimor e kombëtar, Ballistët e konsideronin si të vetin, po ashtu edhe Legaliteti e konsideronte të vetin, por edhe komunistët e llogaritnin në anën e tyre.

Vitet 1940/1941 për Ibrahimin ishin vite të vështira. Ibrahimi nuk donte të ndodhej në administratën italiane, kërkonte me këmbëngulje armatosjen e popullit dhe të luftonte kundër okupuesve. Ai edhe në këto kohë i kishte ruajtur lidhjet me atdhetarët e rrethit të Bedri Pejanit. Më 7 mars 1941, Bedri Pejani kishte ftuar një mbledhje në Tiranë. Në të kishte marr pjesë edhe Ibrahim Hoxha. Në këtë takim të rëndësishëm u shtrua nevoja e bashkimit të të gjithë atyre që mund të ndihmonin në luftë për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë qoftë edhe e pushtuar nga Italia fashiste. Dhe nga ata u kërkua që të ktheheshin në mënyrë të organizuar në Kosovë.

Ibrahim Hoxha, pasi se në Tiranë e kishte gati tërë familjen dhe katër vëllezërit ishin në shkollim, ai priti që të përfundonte viti shkollor dhe me 5 gusht 1941 me tërë familjen pas 17 viteve u kthye në Shalë të Drenicës. Kthimi i Ibrahimit, toger ushtarak, avokat dhe njeri me virtyte të larta, bëri bujë të madhe. Njerëzit donin ta takonin, të bisedonin me te, të qanin halle, të merrnin këshilla nga ai. Ai si gjithmonë modest, nuk e kapte euforia, nuk krekosej por me urti bisedonte me ta dhe i këshillonte se në këto kohë të vështira duhet të qëndrojmë, duhet të mbrojmë njeri tjetrin dhe duhet të mbrojmë vendin nga sulmet dhe okupimi i serishëm. Në Mitrovicë u takua me atdhetarë të njohur si: Ferat Dragen, Xhafer Devën, Rexhep Mitrovicën, Ago Agaj, Pajazit Boletinin, Adem Vocën, Ibrahim Lutfiun e shumë të tjerë.

Pas një kohe të shkurtër bashkë me vëllain Ramadanin vije në Prishtinë dhe hapi avokaturën, me të cilën pati mundësi të njihej me parin e qytetit si me: Hysen Begun, Shasivar Aliun, Iljaz Agushin, Beqir Bajgoren, Bahtir Dumnicen, Luan Gashin, Ahmet Gashin e shumë të tjerë. Po ashtu mbante lidhje edhe me prijës të njohur të LANÇ-it të Kosovës e të Dukagjinit. Ibrahimi kishte një veti të shkëlqyeshme, asnjëherë nuk vinte në përfundime të parakohshme, por me një mençuri të pashoqë analizonte, mësonte dhe gjykonte. Kështu edhe lidhjet me njerëzit e ndryshëm i mbante dhe i gjykonte drejt.

Vitet 1943/1944 patën kthesë të madhe për Ibrahimin. Rrethanat si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri kishin ndryshuar në dobi të organizimit të LANÇ-it. Kishte takime të shpeshta me shok e miq  që kishte në Lëvizjen antifashiste. Mirëpo shërbimi sekret italian dhe gjerman erdhën deri të të dhënat se Ibrahimi po bashkëpunonte me partizan. Pas kësaj, Ibrahimi përcillej nga shërbimi italian dhe një ditë me rastin e varrimit të mikut të tij- Murat Pacin, që ishte anëtar i LANÇ-it, italianet i kërcënohen edhe Ibrahimit, andaj ai nxjerr revolen dhe vret një karabinier italian. Ai arrestohet dhe dërgohet në burg. Bashkë me të arrestohet edhe vëllai i tij Ramadani. Në hetuesi, italianet i thanë se ata janë shpëtimtarët e shqiptarëve. Ndërsa Ibrahimi iu kishte thënë se shumë më i lumtur do të ishte sikur ata të ishin në Itali e shqiptaret të luftoni kundër Serbisë dhe të bënim bashkimin kombëtar. Pa Shqipëri Etnike jeta ime do të ishte si flluska e ujit, iu tha italianëve.

Pas burgosjes së djemve, Banush Sedllari nuk la gur pa lëvizur e për këtë ishin të informuar edhe italianet, andaj pasoi lëvizja e Ibrahimit me të vëllain nga burgu i Prishtinës, më 18 mars 1943, i dërguan në burgun e Prizrenit. Më 25 mars 1943, nga Prizreni ata i dërguan në Burgun e Tiranës. Gjykata Ushtarake italiane shpalli aktgjykimin dhe Ibrahim e Ramadan Hoxha u dënuan me pushkatim. Dënimi i tyre pati jehon të madhe si te ballistet, gjithashtu edhe te komunistët shqiptar. Menjëherë pas informatës se do të pushkatohen Ibrahim e Ramadan Hoxha, filluan përgatitjet për ti shpëtuar ata. Por me ndikimin e madhe të shqiptarëve në pushtet dhe të forcave atdhetare iu falet jeta. Pas dy-tri dite Ibrahimi bashkë me vëllain kthehen në Shalë dhe fillon aktivitetin e vet luftarak. Ai vetes i kishte vu për detyrë që të luftojë kundër çdo pushtuesi të trojeve etnike shqiptare. Kërkonte një formë të përbashkët për luftë kombëtare për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai si rrezik permanent e shihte Serbinë. Luftën e vlerësonte si të detyrueshme për të krijuar kushte që në bazë të të drejtës për vetëvendosje të sendërtohej ideali i të gjithë shqiptarëve për bashkim kombëtar.

Qëllimet dhe parimet primare të ONDSH-së ishin, që anëtarët  apo simpatizantët e saj në mënyrë të organizuar, të përfshihen në radhët e pushtetit popullor, në ushtri, në organet partiake dhe në organizata të rinisë komuniste. Zaten me një punë të tillë, kjo organizatë arriti që nga radhët e veta të ketë edhe kapiten e ushtarak në Ushtrinë Jugosllave siç ishin: Ibrahim Banush Sedllari, Ejup Binaku, Hysni Rudi e shumë të tjerë. Ibrahimi ishte i njoftuar për këto parime dhe i aplikoi një jetën e tij.

Më 31 dhjetor 1943- 1-2 janar 1944, në Bujanë u mbajt mbledhja e quajtur “Konferenca e Bujanit”, e cila solli shumë vendime, në mesin e të cilave dallohej Rezoluta e konferencës, e miratuar në konferencë, ku në mes tjerash përcaktoi bashkimin e Kosovës me  Shqipërinë në bazë të drejtës për vetëvendosje dhe se për këtë garantonte UNÇ e Jugosllavisë, UNÇ e Shqipërisë dhe aleatët dhe dokumentet e tyre të miratuara si Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit. Pas kësaj, duke u nisur nga këto vendimi, Ibrahim Hoxha bisedoi me Rifat Berishën që e kishte shok fëmijërie e shkollimi, dhe erdhën në përfundim se po qese nuk sendërtohet Rezoluta  e Bujanit, edhe ai bashkë me nacionalist të tjerë do të luftonin kundër Jugosllavisë dhe qëllimeve djallëzore të saj për mbrojtjen e Kosovës. Ky edhe ishte momenti kyç në mes Ibrahim Hoxhës dhe Rifat Berishës dhe përcaktimi i tyre në luftë për bashkim kombëtar. Ibrahim Hoxha me vëllain Ramadanin dhe me babain Banushin, kurrë nuk ishin dhe nuk u bënë anëtarë të Partisë Komuniste. Ai thoshte se unë njëherë kam dhënë një betim për të luftuar për mbrojtjen e atdheut- Shqipërinë. Shqipëri për Ibrahimin ishin të gjitha tokat që nga Mavriqi e deri në Janinë, nga Kumanova e deri në Ulqin. Historia dëshmoi se Ibrahim Hoxha e mbajti besën, në momentin kur vërejti tradhtinë u vu kundër tyre.

Duhet përmendur se Ibrahim Hoxha, si ushtarak i shkolluar që ishte, u aktivizua në LANÇ, vetëm atëherë kur u mbajt Konferenca e Bujanit, dhe u soll Rezoluta për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Gjatë angazhimit të tij në LANÇ pati pozita të ndryshme. Ai, kur u inkuadrua në UNÇ pati gradën e kapitenit. Fillimisht u emërua komandant i UNÇ të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit për Drenicën e Epërme, ku edhe formoi njësitin e UNÇ në nivel të Batalionit, e cila numëronte mbi 500 ushtar, të cilët u sistemuan në Brigadën VII të UNÇ të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, por edhe në Batalionin partizan “Meto Bajraktari”, komandant i së cilës ishte Mustaf Hoxha. Por udhëheqësit e UNÇ-së, duke i parë qëndrimet e Ibrahimit i cili me çdo kusht mbronte vëllavrasjen në mes të shqiptarëve, filluan të bënin plane për anashkalimin dhe likuidimin e tij. Andaj e caktuan në Shtabin Operativ të UNÇ të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit. Ky emërim u bë me të vetmin qëllim që Ibrahimin ta ndajnë nga UNÇ-ja. Ibrahimi jashtëzakonisht shumë i pengonte OZN-es së Prishtinës. Mu nga ata doli propozimi që ai të dërgohej në ndonjë vend tjetër sa më larg Prishtinës. U dërgua në Pejë duke iu dhënë grada e majorit dhe duke iu dhënë pozita e zëvendëskomandantit në Qarkun e Pejës. Në Pejë situata politike ishte kaotike. Ibrahimi mori shumë informata kur filloi punën aty. I treguan se shqiptaret arsye e pa arsye futen në burg, nuk i regjistrojnë fare, nuk mbahen procese gjyqësore, por natën Oznashet i marrin dhe i pushkatojnë pa iu ditur varri. Ibrahimi ishte i shqetësuar dhe i revoltuar për atë që dëgjonte. Ai sa mundi shpëtoi shumë shqiptar nga vdekja e sigurt, e për këtë pushtetarëve serb iu bë halë në sy. Për të gjitha këto padrejtësi bisedoi me Rifat Berishën, Fadil Hoxhën, por edhe Milladin Popoviqin. Por ajo më e rënda që i ndodhi Ibrahim Hoxhës, ishte Lufta e Drenicës.

Më 23 janar 1945, u informua se shqiptaret po vriten  nga forcat serbe dhe të rinjtë shqiptarë po arrestohen dhe po dërgohen në burgjet e Prishtinë, Pejës, Istogut, Ferizajt etj. Ibrahimi menjëherë ndërmori masa për të shpëtuar të arrestuarit. I lironte ata dhe i sistemonte në brigada. Këtë e vërenin pushtetarët serb dhe me shumë kujdes e përcillte OZN-a. Kulminacioni i pakënaqësisë tek Ibrahimi arrit kur më 8 shkurt 1945 u vendos Administrimi Ushtarak në Kosovë dhe u bënë ndryshime të mëdha në Shtabin Operativ për Kosovë e Metohi, në të cilën komandant u caktua koloneli Sava Dërleviqi, e zëvendëskomandant Fadil Hoxha. Dhe se Shtabi Operativ vihej nën komandën e Shtabit Suprem të UNÇ dhe AP të Jugosllavisë. Ibrahimi konstatonte: Në Administrimin Ushtarak nuk ishte emërua asnjë shqiptar; Në SHO të Kosovës vetëm një shqiptarë-Fadil Hoxha i cili ishte s’postua nga komandanti në zëvendëskomandant; Në shtabin e Divizionit të Kosovës asnjë shqiptarë. Dëshpërimi dhe zhgënjimi kishin arrit pikën e vlimit.

Milladin Popoviqi më 30 nëntor 1944, kishte hartua disa teza lidhur me situatën politike në Kosovë të cilat iu kishte shpërndarë komisarëve politik. Në mes tjerash ky vlerësim ishte një ndër vlerësimet më të zeza që i kishte bërë ndokush deri atëherë. Milladini nga e tërë ajo që kishte vlerësua vinte në përfundim se, Kosova nuk ishte ende e çliruar, duke anashkaluar çdo sukses që kishte arritur LNÇ në Kosovë dhe kontributin e shqiptarëve në luftën antifashiste. Duke u nisur nga kjo Gjyqet ushtarake ishin jashtë çdo kontrolli të kuadrove shqiptare. Gjykimet e vrasjet ishin masive. Rreth 50.000 veta u likuiduan në forma të ndryshme. Pas tërë kësaj Ibrahimi bisedoi me babanë e tij Banushin. Babai aspak i befasuar i tha se fajet janë tek koka, pa u këputur koka nuk mund të ndryshojë asgjë këtu.

Ibrahim Hoxha, edhe pse ishte në UNÇ, ai asnjëherë si ndërpreu lidhjet me patriotët shqiptar si me prof.. Ymer Berishën, Luan Gashin , Adem Gllavicën, Halim Spahinë e me shumë të tjerë. Ai asnjëherë gjatë jetës së vet nuk bëri ndarje në baza ideologjike. Ai ishte patriot i madh dhe asgjë nuk kërkonte as më shumë e as më pak, veç bashkimin e të gjitha tokave shqiptare në një Shqipëri etnike.

Pas dështimit të vendimeve të Konferencës së Bujanit, organizatat patriotike ilegale shqiptare u aktivizuan edhe më tepër. Në terren u bë bashkimi i tyre. Besa Kombëtare me prof. Ymer Berishën u bë krahu ushtarak i LNDSH-së. U konstatua se të gjitha të këqijat që i ndodhën Kosovës ishin si pasojë e ardhjes së Milladin Popoviqit në Kosovë. Shumë grupe e individ kishin propozua se duhet likuiduar Milladin Popoviqi. Ibrahim Hoxha lidhur me likuidimin e Milladin Popoviqit kishte bisedua me krerët e ilegales, të gjithë ishin pajtuar se kjo punë duhet kryer sa më shpejt. Sipas disa shënimeve thuhej se për atentatin ndaj Milladinit ishin mbajtur disa takime. Në fund me kërkesën këmbëngulëse u vendos që atentatin ta kryej Haki Taha. Më 13 mars 1945, në ora 11 e 50 minuta në ndërtesën e Kuvendit Krahinor të PKJ-së, u dëgjuan krisma revoleje. U kry atentati në Milladinin.

Vrasja e Milladin Popoviqit pati jehon te madhe në Kosovë, në Jugosllavi, në Shqipëri dhe në vende tjera. Po atë ditë, në këto rrethana të okupimit, në Kosovë dhe në të gjitha territoret shqiptare këndej kufirit, zbatohej një diktaturë e egër ushtarake e udhëhequr nga grupet e komandove çetnikë si dhe komunistëve sllav duke bërë hetime e hulumtime për vrasjen e Milladinit. Sidomos, terrori e gjenocidi ndaj popullatës së pafajshme shqiptare erdhi e u shtua pas vrasjes së Milladin, i cili ishte një alibi i mirë që OZNA haptas justifikonte terrorin dhe likuidimin e intelektualëve shqiptar. Hetimet vazhduan edhe gjatë vitit 1945, 1946, 1947, por ato vazhduan edhe 10 vite më vonë.

Ibrahim Hoxha u arrestua mu atë ditë, më 13 mars 1945, para kazermës, nga ushtaret e Batalionit të Sh.O dhe njerëzit e OZN-es, të udhëhequr nga Çedo Topalloviqi dhe Jovo Bajata. Ai u arrestuan bashkë me rojat e tij: Asllan Vojvoden e Rasim Elezin. Po ashtu u arrestua vëllai i tij Aliu si dhe babai i tij Banush Sedllari. Më 14 mars 1945 u arrestuan shumë veta duke i akuzuar secilin se ti je vrasësi i Milladin Popoviqit.

Në burgun e Prishtinës u mbante Ibrahim Hoxha, hetimet ndaj ti vazhduan deri  në prill të vitit 1946, kur Prokuroria e Kosovës ngriti aktpadi, të cilën ia dorëzoi Gjyqit të Qarkut në Prishtinë. Ibrahimin e rrahën e e malltretuan në mënyrën më shtazarake. Sipas librit të Prof.dr. Fehmi Pushkollit, Ibrahim Banush Hoxha (1909-1946), Prishtinë  2002, thuhej se brenda 13 muajve hetimi, Ibrahimi u mor në pyetje 299 herë, dhe dosja e tij ka mbi 800 faqe të daktilografuara me shkrim dhe është ruajtur në Shërbimin e Sigurimit Shtetëror të Kosovës. Por, pas vitit 1981, shumë materiale u zhdukën, u asgjësuan dhe u vodhën.

Më 26 prill 1946, filloi procesi gjyqësor ndaj Ibrahim Hoxhës. Kryetar gjyqi ishte Smajl Softiqi, prokuror ishte Ali Shukrija dhe disa avokat të caktuar nga gjykata. Trupi gjykues shpalli aktgjykimin në të cilën u dënuan 1. Ibrahim Hoxha, me pushkatim, 2. Qazim Vula u dënua me pushkatim, 3 Asllan Vojvoda u dënua me 10 vite burg të rënd dhe 4 Rasim Elezi me 5 vite burg të rëndë. Në ankesën që bënë avokatet e Ibrahimit, në Gjyqin e Lartë të Serbisë, atij iu vërtetua dënimi me pushkatim, ndërsa me ankesën e avokatëve në Presidiumin e Kuvendit Federativ, Ibrahimit dhe Qazimit iu fal dënimi për vdekje dhe iu zëvendësua me dënim prej 20 viteve burg të rëndë. Ibrahimi pas faljes së dënimit, nuk ishte i lumtur. Ai i kishte thënë të vëllait- Aliut se “jeta në robëri nuk i vyente askujt. Rinia duhet të frymëzohet me sakrificën dhe flijimin tonë për të vazhduar rezistencën luftarake deri në çlirimin dhe bashkimin kombëtar- pa Kosovë nuk ka as Shqipëri”.

Më 1 shtator 1946, vëllai Aliu shkon në burgun e Prishtinës, për ti dërgua veshmbathje dhe ushqim, por përgjigjja e gardianëve ishte se Ibrahimi nuk është në këtë burg. Familjaret vazhduan ta kërkonin gjithandej në burgjet e Kosovës dhe gjithandej ku mendonin se mund të ishte. Pa rezultat. Edhe ish shokët e Ibrahimit i pyeten, iu kërkuan ndihmë, askush asgjë nuk dinte. Ibrahim Banush Hoxha u likuidua tinëzisht, në një natë skëterrë për Kosovën dhe popullin shqiptarë. Edhe sot nuk dihet se kur dhe ku u likuidua dhe e varrosën trimin e patrembur, që si maksimë jetësore e kishte thënien “Pa Kosovë, nuk ka Shqipëri, do të fitojmë kur bëhemi një”. Lavdi atdhetarit Ibrahim Banush Hoxhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok