04/12/2024

Me politikan të rinj në përballje me sfidat e kohës!

0
Florim-Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa

Politikanët që nuk e duan shtetin sikurse shtëpinë e tyre, që nuk i trajtojnë qytetarët sikurse familjarët e tyre shndërrohen në pushtetarë dhe uzurpatorë të mjerë, në sundues dhe grabitqarë të pronave dhe pasurive shtetërore.

Keq-qeverisja gjysëmshekullore

Të tillë janë bërë politikanët kosovarë pa ndonjë dallim të madh, pushtetarë dhe opozitarë, të cilët për 25 vjet rresht rropën e ç’rropën të gjithë pasuritë shtetërore, shfrytëzuan mundin e qytetarëve dhe djersën e mërgimtarëve që është e barabartë me pika gjaku për lirinë e Kosovës.

As regjimet më antipopullore të pushtuesve shekullorë nuk e kanë qeverisur më keq Kosovën sesa pushtetarët e pasluftës. Politikanët e Kosovës, pozitë dhe opozitë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, të zhytur në luksin përrallor, të dehur nga pushteti dhe lakmia për t’u pasuruar skajshmërisht dhe kriminalisht, nuk dëshirojnë të bien e as të ndahen nga karrigia e ëmbël e pushtetit.

Politikanët multimilionerë dëshirojnë të qeverisin e të sundojnë popullatën e varfër si mbretër e autokratë, që nuk ua lëshojnë vendin të tjerëve, por duan të qeverisin (sundojnë) në pafundësi. Figurat e politikës kosovare janë bërë tepër monotone, irrituese dhe të gërditshme për qytetarët.

Përfitimi i inkriminuar material është arsyeja që shumë figura politike duan të qëndrojnë në politikë derisa të jenë gjallë, ose deri në burgun që i pret për të bëmat e tyre kriminale e korruptive në Kosovën e çliruar nga uzurpatorët.

Në Kosovën e sotme ka arsye për të protestuar për shumë gjëra, por para së gjithash duhet protestuar në mënyrë të fuqishme për largimin komplet të kësaj klase politike, pushtet dhe opozitë së bashku. Pra, protesta për largimin e mashtruesve, uzurpatorëve të lirisë, hajdutëve e kriminelëve të të gjitha llojeve e ngjyrave.

Zgjedhjet pa alternativë të re nuk janë zgjidhje

Përkundër kërkesës së opozitës aktuale, për zgjedhje të parakohshme, zgjedhjet pa alternativë të re politike nuk janë zgjidhje. Opozita e përçarë, e ç’akorduar dhe e ndarë, e cila është përgjegjëse për të bëmat e saj, për rrënimin e gjithçkaje dhe çdo vlere në Kosovën e pasluftës, pushtetarët aktualë, me mosmbajtjen e asnjë premtimi elektoral janë kthyer në mashtruesit më të mëdhenj të pasluftës në Kosovë!

Për këtë arsye as pushtetarët dhe as opozitarët nuk paraqesin alternativë për të ardhmen e vendit, përkundrazi, janë kthyer në rrënues të çdo shprese të qytetarëve për jetë në këtë vend.

Ndryshimet kozmetike brenda partive të tejkonsumuara politike nuk paraqesin asnjë lloj ndryshimi, përkundrazi janë të mbështjellura me hipokrizi dhe mashtrime të radhës!

Sikurse pushteti, ashtu edhe opozita e tanishme, që për një çerek-shekulli e permbysen çdo gjë në këtë vend, po mundohen sërish të mashtrojnë qytetarët me paketime të reja kozmetike, kinse janë reformuar!

Sikur ta kishim një shtet i mirëfilltë ligjor, do të kërkonte reformimin e thellë të partive politike ose largimin e tyre nga skena politike, për t’i larguar të inkriminuarit brenda partive politike.

Sikur të kishim shtet ligjor dhe demokratik, disa partive politike do duhej ndaluar përgjithmonë aktivitetin politik për shkak të aktiviteteve kriminale dhe vandaliste ndaj institucioneve të shtetërore.

Kamuflimi i proceseve zgjedhore partiake

Aklamacionet janë kancer i demokracisë dhe fillim i tiranisë. Improvizimi i kuvendeve zgjedhore pa kundërkandidat dhe dhe pa votim të fshehtë brenda partive aktuale politike, e tregon nivelin e tyre antidemokratik.

Zgjedhjet pa votim të fsheht me “reformat” si sllogan politik e kanë vrarë demokracinë e brendshme partiake, e kanë pamundësuar shprehjen e lirë dhe dëgjimin e zërave kritik, duke e instaluar dhunën, kërcënimin dhe shantazhin politik për ngulfatjen e zërave reformator brenda partive tona politike.

Në këto situata “reformat” konsiderohet mashtrim për elektoratin dhe ushqim për krerët e partive politike të rrethuar nga grupet e interesit dhe sekserët e devotshëm, përmes të cilëve e bëjnë shpëlarjen e parave të pista dhe dominimin në skenën politike.

Nga këto parti politike Kosova nuk mund të presë asgjë dhe asnjë të mirë, përveq vazhdimit të keq-qeverisjes, nepotizmit dhe kriminalizimit të thellë të skenës politike nga bandat partiake!

Reformat e inskenuara nuk i lejonë partitë politike të hedhin hapa para, për shkak të pengimit dhe dhunimit të proceseve demokratike, të dhunimit të fjalës së lirë dhe mospranimit të mendimit ndryshe si vlerë e demokracisë.

Vazhdimi me këtë klasë politike në pushtet dhe opozitë, do të thotë vendnumrim dhe kthim prapa i Kosovës, do të thotë humbje e hapit në ecje me kohën moderne dhe zhvillimet e përgjithshme ndërkombëtare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok