21/12/2024

I madhërishmi dhe i papërsëritshmi, Mirush Kabashi

0
Mirush-Kabashi

Nga Enver Bytyçi

Mirush Kabashi ndërroi jetë, por nuk u nda prej nesh. Ai është aty, është me ty i dashur mik, është me mua, është e do të jetë si hije edhe me ndonjë që e nënvleftësoi dhe nuk e deshi dhe u mjaftua thjesh me një status lamtumire. Mirush Kabashi jeton. Atij nuk i thuhet lamtumirë. Se i dha jetë dhe dritë një vendi, një kombi dhe një populli në errësirë. Ai ishte ndryshe nga të gjithë ne. Ndryshe nga socio-rilindasit, ndryshe edhe nga demokratët, ndryshe nga lloji e jashtë llojit të vet. Nuk mund të krahasohet me askënd, sepse nuk imitoi kurrë, kërrkënd mbi këtë dhe. Ishte origjinal dhe i papërsërishëm si vetë uji i lumit që kalon rrëmbyeshëm nën urë.

Të madhërishmin, Mirush Kabashi, e kam takuar për herë të parë në fund të dhjetorit 2010, në atmosferën e liberalizimit të vizave për shqiptarët. Dy ditë para Vitit të Ri 2011 në hollin e katit të parë të kryeministrisë po promovohej libri i Dr. Dom Lush Gjergji mbi Nënë Terezën dhe Mirushi po e moderonte atë event. Do flisja për atë libër. Kur Mirushi më dha fjalën, më ngatërroi emrin. Ishte mbreslënës fakti se ai kërkoi ndjesë para gjithë të pranishmëve jo vetëm në moment, por edhe kur mbarova fjalën time. Më pas u miqësuam. Gjithnjë falenderimi dhe mirënjohja i miqëson njerëzit. Nuk mund të ndodhte ndryshe me artistin më të spikatur të skenës shqiptare.

Pas gati dy vitesh iu luta të moderonte promovimin e librit tim “Diplomacia imponuese e NATO-s në Kosovë”. Jo vetëm që pranoi, por recitoi disa poema dhe poezi gjatë atij moderimi dhe e ngriti peshë sallën. Ndërkaq më rekomandoi që të ftoja Korin e Burrave të Gjakovës, të cilët erdhën dhe interpretuan këngën kushtuar NATO-s e kontributit të saj për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit e dhunuesit e ushtrisë e policisë serbe të Milosgeviçit. Në prill të vitit 2016 e ftova të vinte në Kukës e të shfaqte “Apologjinë e Sokratit”!

Erdhi me gjithë dëshirën e tij të madhe për të ndikuar te njerëzit, te qytetarët, në frymën sokratiane. Por këto janë thjesht bashkëpunimet. Koha me Mirush Kabashin është ndoshta koha më e çmuar që kam kaluar. Sepse te Mirushi gjeje njerëzillëkun, jo vetëm dekanin e artit shqiptar!

Mirush Kabashin nuk e kemi e nuk do ta kemi më fizikisht në mesin tonë. Kështu është jeta njerëzore. Disa ikin e disa vijnë në këtë botë. Por Mirushin nuk do ta harrojmë kurrë, jo vetëm ne që patëm fatin ta njohim, ta ndjekim në shfaqjet e tij teatrale apo në kinema. Me Mirushin, imazhin e tij, rolet e shumta e të jashtëzakonshme që ai luajti, me talentin dhe mesazhet që na ka lënë, do të jetojnë breza të shumtë. Si të gjithë ne bashkëmoshatarët e tij, edhe Mirush Kabashi jetoi dy kohë, dy epoka të zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Në kohën e diktaturës i dhanë role komediani përgjithësisht të vogla, si te zëvendësuesi i grave, apo të Dora e Ngrohtë me bishtin e qenit. Por në kohën e lirisë ai dëshmoi se kishte një dimension të pamatë në talentin e tij aktorial. Megjithatë, si rrallë ndokush tjetër, ai me talentin e artin e tij i bashkoi këto dy epoka thuajse në një, me pak ndryshime, me pak diferenca.

Mirush Kabashi na la shumë role, mbi 100 të tillë. Secilin në origjinalitetin e vet, në dinamikën e lojës së tij të shkëlqyer. Por roli i Sokratit e bëri Mirush Kabashin të jetë vetë një Sokrat shqiptar. E luajti Sokratin e antikitetit athinas në skenat e shumta të botës. Fitoi me atë rol çmime të shumta. U nderua dhe u duartrokit si askush tjetër në skenë. Se ishte vetë Sokrati. Se e përjetonte dramën e Sokratit të para 2400 viteve në gjendjen e aktualitetit të sotëm, sidomos në Shqipëri. Drama jonë ishte edhe drama e Sokratit antik, por edhe e Sokratit modern me emrin Mirush Kabashi. Për këtë arsye ai nuk u pëlqye aq nga disa demokratë në pushtet. Dhe u përbuz nga rilindasit pasues të demokratëve. Madje nga këta të fundit u urrye, sepse Sokrati dhe thirrja e tij kundër korrupsionit ishte ulëritëse për ta.

Për njerëzit e mëdhenj thuhet shpesh se “Ai ishte i përmasave të jashtëzakonshme”! Për Mirush Kabashin nuk do të ketë përmasa të asnjë lloji. Ai pushtoi skenat më të mëdha të Shqipërisë e të Kosovës. Me Apologjinë e Sokratit kaplloi skenat botërore në mbi 80 shtete, përfshirë Britannë e Madhe, Gjermaninë, Zvicrën, Austrinë, Italinë, Francë, Danimarkë, Poloni, Çeki, Turqi, Slloveni e deri në Gjypt . Në Kosovë është dhe do të mbetet aktori më i preferuar. Me interpretimet e tij ngriti në këmbë mijëra spektatorë.

Gjithashtu salla e kongreseve në Tiranë me mbi 2200 spektatorë është ndrzur nga interpretimet e Mirush Kabashit. Kosova u magjeps jo vetëm me Sokratin shqiptar, por edhe me recitimin e tij të famshëm e hit “Jam shqiptar, kosovar”, recitim i cili lindi në gojën e artistit të madh gjatë luftës për çlirimin e saj nga sunduesit mizorë të Serbisë së Milosheviçit. Kurrë nuk iu nda Kosovës. Kurrrë nuk u lodh duke e dashur atë dhe madje duke e mbrojtur nga të lajthiturit edhe ndër ne shqiptarët: Psh kur në Durrës erdhën grupet e specializuara të shpëtimit nga Kosova në ndihmë të viktimave të tërmetit të 26 nëntorit 2019, ai thoshte: “Këta janë ‘kosovarët’ që ju i paragjykoni, për mua këta kanë qenë gjithmonë, janë dhe do të mbeten shqiptarët e Kosovës. Kjo është gjysma më e mirë e Shqipërisë”.

Mirush Kabashi nuk qe vetëm artist i famshëm, nga ata gjigandë, të cilin nuk “guxonte” asnjë tjetër ta konkuronte. Ai qe një qytetar dhe patriot i përmasave të kjashtëzakonshme, me frymë dhe zemër të madhe. Ishte frymëzimi i shqiptarëve në patriotizëm. Por edhe luftëtar i kauzave të mëdha. Teatri Kombëtar pati si mbrojtës të flaktë aktorin e shquar të kombit tonë. Ai ishte gjithmonë aty në mbrojtje të këtij institucioni historik dhe magjik për shqiptarët. I mbështeti dhe frymëzoi aktivistët për mbrojtjen e teatrit gjithnjë me recitimin e tij të shpirtit “Eshtë koha e maskarenjve” të Ali Asllanit. Ndërkohë fjalimet që mbajti aty në sheshin e teatrit ishin mbresëlënëse.

Mirush Kabashi ka lënë gjurmë në përpjekjet e tij për edukimin, si dhe formimin e forcimin e identitetit të shqiptarëve dhe të kombit shqiptar. Në monologu për dinjitetin Mirushi i madhërishëm paralajmëron katastrofën njerëzore e kombëtare që vjen prej “kacavjerrësit” të të të fortëve, politikanëve, ministrave a pushtetarëve. Në një takim në Fier më 4 maj 2019, ai thoshte: “Mungesa e besimit e ka bërë shoqërinë tonë të harrojë vlerat shpirtërore, të harroje vlerat e moralit, pa të cilat nuk mund të futemi atje ku ne aderojmë të futemi në shoqërinë europiane. Nuk është ligji, është morali ai që e mban shoqërinë. Ligji është vetëm për raste ekstreme…Nuk ka të ardhme pa besimin”.

Për njëmijë e njëmilion arsye Mirush Kabashi do të jetojë shumë gjatë në memorien e kombit tonë. Shqiptarët kurrë nuk do t’u ndahen roleve që ai luajti në skenat shqiptare e ato ndërkombëtare. Për Mirush Kabashin nuk do të shkruhen elegji, por monografi pa fund. Do të përcillet nga dekada në dekadë e nga shekulli në shekull. Dhe për këtë nuk mund të shkruaj e të them më shumë se ajo çfarë tha aktori i madh i Kosovës, Çun Lajçi. “Dije, se nga sot e tutje për ty do t’thonë; – ai, po ai ishte i madh, gjeni ishte, yll arti i pashuar!”, ka shkruar Çun Lajçi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok