05/05/2024

Pak Dije, pak Dashuri!

0

Nga Kimete Berisha

  1. Gjysma e botës e mbajnë kokën me duar për të mos i lënë t’u dalin mendtë e kresë.

Gjysma e botës vuajnë, të sëmurë prej mërzisë.

– Disa e tymosin mërzinë me duhan, por mërzia nuk e heq mërzinë,

tymi nuk e heq tymin.

– Disa e dehin mërzinë me raki, e kur mërzisë i del pija, mërzia kthjellet edhe më shumë, si shtrigë.

Dehja nuk e largon dehjen.

– Disa e drogojnë mërzinë, e kur mërzia ushqehet me drogë, forcohet edhe më shumë.

  1. Gjynah për të gjithë ne, se qëllimi është shumë i mirë: të ndjehesh i lumtur, të ndjesh diçka që nuk ekziston.

Lumturia është shpikje, si parajsa e shkruar në libër.

– E, a ka shërim nga mërzia?

– Ka!

– Çka bën?

– Kurrgjë s’bën.

Meqenëse nuk ekziston lumturia, nuk bëhesh budalla të kërkosh diçka që s’ka.

– Mërzitesh shumë, dhe kështu e harxhon atë mërzi…të djeg zemra fort, por kryhet…

e

Ti i dashur mos u tremb se s’ka mërzi më shumë seç duron ti.

3, Në luftën e dytë, një

gruaje nga Drenica ia vranë djalin e hasretit.

Meshkuj asnjë, bora deri në

gjunjë, gruaja e mori sajën dhe e vetme shkoi për ta tërhequr djalin e vdekur në një fshat larg nga shtëpia.

Kur u kthye e mërdhirë dhe e këputur në trup e në shpirt, e la djalin e vdekur në oborr dhe hyri brenda i tha së resë:

– A po ma bën do bukë, se nuk kam forcë ta çel varrin e djalit.

Pasi hëngri bukë, e çeli varrin, e varrosi djalin, u kthye në odë dhe hyri në vuajtjen e pafund.

  1. Vuajtja shpirtërore është luks, pret vuajtja, ka kohë për të vuajtur, sepse si shpirti, vuajtja nuk harxhohet.

– Kot nxiton ta harxhosh vuajtjen derisa të zbardh dita.

  1. Dhe, kështu, në një botë ku gjysma vuajnë nga mërzia, nuk mund të kërkosh që dija të bëhet ilaç.

Sepse, dija nuk të shëron.

Nuk e ka shëruar nga depresioni Churchill-in, Linkoln-in, Mikellangelon, Heminguejn, Van Gog-in, Newtn-in….Charles Dickens-in, e as Tolstoy-in.

– Isha gjimnaziste kur nuk arrija ta kuptoja e as nuk kisha kë ta pyes pse Tolstoy ka vuajtur kaq shumë.

Në fund, e shikoi gruan e tij, i tha vetes: Kush është kjo plakë që më sillet në shtëpi…Asnjë gjurmë nga dashuria ime dikur!

– I mërzitur thellë, e lë shtëpinë dhe niset për të jetuar në manastir…

rrugës e zë shiu…vdes duke i shkruar fjalët e fundit:

– ‘Kurrë nuk e kam kuptuar shkakun e vuajtjes sime’.

– E unë, në katin e katërt të ndërtesës, në rrugën ‘Kralj Petri’ në Veriun e Mitrovicës, në dhomën me dritare kthyer kah burgu, me roleta të gjelbra të lëshuara deri në gjysmë, ia lexoja ‘Ringjalljen’, shkrimtarit që nuk e dinte pse vuante.

  1. Të mësuarit për gjëra dhe ngjarje që nuk të hyjnë në udhë është në krizë globale.

Sot nxënësi do të bëhet i pasur – shpejt,

i lumtur – shpejt dhe të dijë veç çka ka nevojë të dijë – shpejt.

Dhe jam shumë dakord.

Çka më duhej mua përmendësh ‘Poema e mjerimit’!

Bash asgjë, ama asgjë nuk më

ka ndihmuar.

Gjatë kohës që e kam

mësuar përmendësh këtë poemë patetike, më mirë të kisha luajtur ‘fshehtas’ me shoqet e lagjes.

  1. Është sikur të mbledhësh thasë me poezi të lagura nga shiu, me botëkuptime, me ideologji, me pallavra, me numra e me biografi të tjerëve.

–  (autorja në gjimnaz e ka lexuar biografinë e Newtn-it , dhe me mendt të sotit nuk e kish lexuar.

Thjesht e kisha mësuar me një fjali ligjin e gravitetit, për të cilin isha shumë kureshtare…demek pse molla bie nga dega në tokë, e nuk fluturon në qiell…!

Kaq doja, një dije të tepruar!

– Në asnjë rast, sa herë kam hëngër mollë nuk më ka interesuar pse molla nuk

fluturon, por bie.

  1. Kam biseduar me disa mësues dhe prindër për ta kuptuar se pse sot nxënësit nuk janë kureshtarë të dinë asgjë.

– Kurrë s’kanë qenë kureshtarë për dije. Nuk është kjo gjeneratë e humbur.

Por, tash numërohet padija.

Në një shkollë në Mitrovicë mëson shumë vetëm një nxënëse (por jo edhe romane, jashtë programit mësimor) .

– Cili është motivi i saj?

– Dua të bëhem e para në familje, e shkolluar.

– A i shohin nxënësit prindërit e tyre duke lexuar libra?

– Jo. Kurrë.

– Çka bëjnë shumica e nxënësve?

Gjatë orës së mësimit postojnë në tik-tok ‘mbrapshtitë’ e njëri-tjetrit!

– S’ua merr dot telefonin, sepse s’guxon, të vijnë prindërit e tyre të mbesin në derë.

– Mësuesit më shumë janë në zahmet nga prindërit e nxënësve se sa nga nxënësit.

  1. Mësimi nuk është argëtues.

Kurrë s’ka qenë.

Prandaj, gjithmonë kam besuar se ekziston vetëm një shkollë: të jesh auto-didakt.

Nuk mund të bëhesh kureshtar me zor!

  1. Liria e tepërt është anarki.

Shqiptarët e kanë keqpërdorur lirinë e shprehjes, të komunikimit, e kanë dhunuar lirinë deri në shkallën e degradimit.

– Sot nxënësja ka Iphone 15 pro max, e njëshat varg.

Në vakt tonin, nxënëses i shkonte shurra vadë në klasë, prej bankës së fundit rrjedha – deri te tabelja, e asnjëri nuk qeshnim.

Sepse, s’ka pasur liri të tepërt, s’ka pasur liri që i kalon kufijtë e moshës, të dijes dhe të gjykimit, për të tallur të tjerët.

– Ata nga fshatrat e thellla që i ndërronin nga dy palë çizme për të ardhur në shkolllë sherri lloçit, ata mësonin më së shumti, sepse vuanin më së shumti.

  1. Pse duhet të dishë se sa banorë i ka Danimarka, sa ushtarë i ka, emrat e lumenjëve…përrenjëve, kodrave të tyre

– pyeti një ekspert nga Danimarka derisa ishte i pranishëm në një

orë mësimore në Kosovë.

– Pse de?

Pse unë i kam

mësuar përmendësh ditëlindjen e Naimit e Migjenit që as më pëlqenin, aspak!

  1. Duhet të të lejohet të dishë aq sa ke nevojë të dishë.

Sepse, është e kotë.

Nuk bëhen një popull dijetarë. Se edhe do të ishte e frikshme.

– Ajo nxënësja me Iphone 15, nesër e gjen vendin kryesor në Institucione, mbasi që nuk di, nuk filozofon bëhet edhe e përshtatshme dhe e dashur për sistemin e korruptuar…

– Çdo njeri në botë sot, i pasur dhe i sukseshëm është i pashkolluar ose me shkollë të mesme.

Prandaj, Lënda e vetme që duhet ta mësojnë shqiptarët është edukata:

– Mëso të hekurosësh; mëso ta ndërrosh poçin elektrik; mëso të durosh; ta pastrosh oborrin nga bora; trajnohu për të mos sharë me zë; mëso të mos i çosh vetullat kur flet, dhe mos bëj intriga si të parët tanë.

– Profesionist të bën përvoja, ama njeri është zor të bëhesh!

Mbi të gjitha, mëso një zanat.

– Mësuesi i Aleksandrit të Madh – Aristoteli, i tha Aleksandrit që puna e parë që duhet ta mësojë është një zanat.

  1. Askujt në botë nuk i këndohet më shumë rakisë se sa në këngët shqipe.

Në një dyqan ushqimor dje në kupë qielli, këndonte ‘Pi raki e mendoj për ty…n’tym duhanit dhimbjet po i shkrijë’.

Ia besova, se e dija që kënga e reflekton disponimin e njërës nga shitëset…

– Të gjithë vuajnë, por dikush ka sevda në vuajtje dhe e shoqëron me muzikë.

  1. Prandaj, varfëria mësimore është e madhe sepse përvoja ka treguar se askush sa dijetarët (shyqyr që s’ka hiç)

nuk janë nënçmuar e shkelur më shumë.

Ti e sheh, më i padituri është më atraktivi, më kryesori, më i pasuri.

Dija nuk është e përdorshme!

– Ju kam treguar se çdo kushërirë e imja që nuk e ka lexuar asnjë libër të vetëm në jetë është më e pasur se unë dhe i ka punët më mirë se unë që deri tash i kam lexuar me mijëra.

  1. Pra, lumturia nuk vjen nga dija, meqenëse vjen nga padija ajo nuk ekziston!

– Prandaj, nuk qortohen nxënësit që s’duan të dinë me kë kufizohej Jugosllavia.

Nuk jemi në krizë morale sherri i njeriut që nuk lexon histori e filozofi, por jeta jonë bëhet ferr sherri i njeriut të paedukuar dhe të keq.

Mjafton të jesh i edukuar, i mëshirshëm e i mirë.

Mësuesit s’kanë faj, edhe më hiç:

– ‘Kur nxënësi është i gatshëm – shfaqet mësuesit’.

  1. Më kanë hetuar që nuk po merrem me politikë, prandaj kohëve të fundit, kudo që po shkoj, po më bëjnë presion dhe po më ankohen që nuk po shkruaj kundër qeverisë.

– Prej se jam dashuruar, edhe qeveria po më duket më nom…Jo, por, nuk mund ta kritikoj Albin Kurtin pse i gëzon pensionistët e vuajtur në fundvit, sepse i bie që po protestoj edhe kundër gëzimit të nanës sime.

– Nuk mund të bëhem me mend të Hikmetes që e përqesh Albin Kurtin për ndihma pensionistëve e fëmijëve, kur ajo gjatë pandemisë ua ka dhënë milionat tregtarëve të lidhur me partinë e saj, anipse ata kanë punuar,

duke i shkatërruar Hikmetja me themel tregtarët e vegjël.

– Opozitë nuk ka.

Çdo fjalë që e flet opozita po shkon në favor të Albin Kurtit.

– Heshtja ime ka më shumë britmë.

P.S. Unë i kam 1.1 milionë audiencë.

70 për qind e lexuesëve të mi janë të moshës 18-45.

– S’e kam kuptuar ende se pse meshkujt më lexojnë më shumë.

Pra, unë nuk mund të them se nuk ka lexues.

Por mund të them se tema më e preferuar e lexuesëve mbetet tema arketipe – Dashuria.

– E pasi që u përmend dashuria, po ju tregoj një të vërtetë që ndodhi mbrëmë.

Pashë ëndërr që ishim në qiell, bashkë me atë djalin me sytë e zi, që më refuzoi para ca ditësh.

Unë ia puthja shputat e këmbëve, dhe që është më keq-nuk ndjehesha aspak e nënshtruar.

Përkundrazi, ndjehesha mirë si tek seriali ‘E bija e Mistralit’, ku ndodhi ajo puthja e famshme e shputave (nën tingujt e këngës ‘Only love can make e memory’.

– Kur dola nga ëndrra, e lexova Avicenën, nuk më tha që jam nënshtruar (aq shumë). Se s’ke se si nënshtrohesh mbi rè.

https://www.facebook.com/kimete.berisha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok