14/10/2024

Nga Edison Ypi

Le të vozisë kush të dojë me makinë të vogël si buburrec, të qetë si peshk, të ulët si zvarranik, të ngrohtë, me kolltuqe të rehatëshme, me marsha automatikë, navigatorë që tregojnë edhe shtigjet e nëndheshëm të milingonave, GPS që gjurmojnë edhe brimat ku hyn e del miu. Janë të mrekullueshme të gjitha. Hiç mos iu ndani diabolerive kaurreske. Por unë s’kam punë me ‘to. Un jam tjetër gjë. Un jam 4×4.

Si do largohem un pa 4×4 nga gjurulldia e qytetit për të vajtur t’i vë veshin muzikës më të bukur të botës, pëshpërimës së përroit në Çemerricë ?

Vërtet s’kam un tank, apo helikopter, apo dron, për me vajt në Manastirin e Shën Marenës, por kam 4×4.

S’jam un as zog me fluturu nga Vidhkuqi në Çorovodë. Por për këtë dhe plot të tjera kam 4×4.

Un s’kam as kalë ose mushkë (o ç’mrekullie do ishte t’i kisha), për me ja ther nga Peshtani ose Malëshova, aty e nga pas malit, drejt e në vendet e kaurrit, në Zagori, Çajup, Dropull. Si i bëhet këtij halli, a s’më thua ? Ky hall rrafshohet vetëm me 4×4.

Nga Kukuri në Bishnicë, nëpër ato miliona kthesa mespërmes kurrkundit, brenda tuneleve të dushknajave edhe në mes të beharit plot me ujra të kristalta, si u shkoka atje pa 4×4 ?

Si mund të takoj un pa 4×4 dikend anës rrugës pa rrugë veshur me lecka, ulur më bisht, duke u dridhur në shi e në ngricë, që ndoshta pas pak do vdesi ?

Apo një mesoburrë kur un pa zbritur nga 4×4, ai pa zbritur nga gomari, njësoj si do bënte Pikaso Historinë e Botës me një vijë të vetme pa hequr lapsin nga dora, ma tregon fijepërpe jetën e tij në 3 minuta ?

Ose, si ta takoj un pa 4×4 në mes të pyllit, pranë Malit të Pilafit, një çoban të vetmuar, 13 vjeç, me kërrabë në dorë e biçak në rrip, pa shkollë, pa libra, pa internet, pa telefon, pa qënë kurrë në asnjë qytet, me një dritë të thellë në sy, krejt si profetët e muraleve të kishave me sy të nxjerrë me bajonetë, gati për ta transferuar dritën nga vetja te kushdo që i lypset ?

Pas pak rrugët do jenë të asfaltuara të gjitha. Por edhe pas një shekulli turizëm intensiv, vendet e Shqipërisë që shetiten vetëm me 4×4 nuk do jenë ekaploruar as gjysma.

S’do ment se më të shijshmet e rrugëve, janë rrugët që shijohen me 4×4, rrugët e pakaluara, si këngët e pakënduara, si dashuritë e parealizuara.

Librazhd-Bulqizë, për shembull, pas nja 20 kilometrash, të hedhësh sytë në perëndim është si të shohësh Circen. Ngurosesh në çast. S’di nga t’ja mbash. Të vdesësh a të rrosh. Në horizont ke fundin e botës, një oqean me male, shkrepa, gryka. Shyqyr që në Fushë-Studë gjithmonë takon ca tipa që estetizantit ja çlirojnë ngërrçin. Adhuruesit e paepur të 4×4, të tregojnë me hollësi si shkohet përmes asaj llaftarie me male dhe pyje, te Kroi i Kuq. Është e pabesueshme. Por rrugë pa rrugë ka. Offroadistët e kanë kaluar. A mundem un me vdek para se me kalu e me u deh andejpari ? Me çfar tjetër, veçse me 4×4 ?

Shqipëria ka pafund rrënqethje eksplorative, turistike, estetike, klimatike.

Më të mahnitshmet e tyre nuk mund të bëhen pa 4×4.

Pa 4×4, si mundem me shku mbi rrugët pa rrugë nëpër maja malesh, rrënoja kështjellash, katunde ku flasin dialekte me të ik çaçka e kokës, katunde të zbrazura ku të merr të qarët, lugina të thella që s’i zë Dielli, pyje me ketra, ujq, arinj, dhelpra, burime të kaltra, përrenj të frohtë brisk, liqene akullnajore, vendbanime të lashta, gryka ku janë bërë luftra, rrafshnalta ku janë vrarë me mijra, e të tjera e të tjera.

Këtu s’po flasim për restorante ku hahet mish e pilaf e pa pik mëshire i hidhen tjetrit në turi gromsima të skëterrshme plot utha e thartira. As për bare ku pihet kafe dhe thuren intriga. Këto ndodhin në vende të sheshta anës lumenjve ku shkohet rehat-rehat me një Fiat Uno ose një Nissan Micra.

Po flasim për itinerare shenjtorësh, lugina rrethuar nga male ku banorët e fshatrave nuk japin shpirt pa arritur 100, vende të virgjëra, luadhe ku vallzojnë e lodrojnë xhindet natën, ngrihen vampirë nga varri, dalin magjistrica.

Shumë mirë bëni që ndërtoni rrugë të reja. Shumë faleminderit që asfaltoni rrugët ekzistuese. Janë të mrekullueshme për me më çu ku fillojnë të mrekullueshmet rrugë pa rrugë që mund të shkelen vetëm me 4×4.

Pa 4×4 Zoti nuk të pret në audiancë nëpër vendet e shenjta. Rojet s’ti hapin portat.

Kali i vëllait të vdekur ngitur nga varri me motrën e gjallë nëpër natë, Argo e Uliksit, Ninja e Kolombit, Sant Antonio e Magelanit, të gjitha 4×4 kanë qënë.

Me ma heq mu 4×4-ën ësht pun’ që s’bëhet. S’janë shpikur ende ata vinça. Ësht njësoj si me ja heq fukarait çapën e bukës nga goja, Mbretit kurorën, Skënderbeut shpatën, Lasgushit Rimën. Shekspirit penën, Prometeut Zjarrin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok