15/04/2024

Heroi i kombit Prof. Xhemajli Berisha

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

PROF. XHEMAJLI BERISHA- E KEMI PËR DETYRË QË PIKËRISHT NË PENGESA E VËSHTIRËSI TË DALIM NGADHËNJIMTARË, E KEMI TRADITË QË NË TË PAMUNDURËN TA GJEJMË TË MUNDURËN, NË TË KEQËN TA NGJALLIM TË MIRËN, NË TË ULËTËN TA NGREHIM TË LARTËN”

(1958- e mbysin me 6 prill 1989)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Presioni, dhuna e terrori  serb ndaj  shqiptarëve në përgjithësi, e i atyre të Kosovës në veçanti, ka rrugë të gjatë, laramani të shumëfishtë veprimi e forma të veçanta aplikimi, gjithnjë duke iu përshtatur rrethanave të mundshme të zbatimit. Në këta shekuj të gjatë, shqiptarët përjetuan dhunë politike, dhunë shpirtërore e dhunë materiale. Të gjitha këto forma të dhunës barbare serbe, kishin  objekt  represionin fizik e shpirtëror, kishin shtypjen e substancës shqiptare, ndjenjave kombëtare dhe vlerat shpirtërore e njerëzore të tyre, me të vetmin qëllim përmbajtjesorë, dëbimin dhe pastrimin etnik të shqiptarëve nga këto troje. Shumë programe e elaborate serbe kundër shqiptarëve e Shqipërisë ishin shkruar në kohët më të hershme të periudhave historike, por  duken gjithmonë aktuale, nëse e gjykojmë në çka ka ndodhur në Kosovë dhe në Jugosllavi përgjithësisht duke u nisur nga  1991, në mos po nga viti 1981, po ashtu edhe nga viti 1941. Megjithatë aplikimi i tyre vjen në dukje sidomos pas Luftës së Dytë Botërore në shtetin e “Ri” socialist duke bërë gjenocid dhe krime të papara. Programet antishqiptare jo vetëm që u aplikuan në mënyrat më perfide, bile urrejtja shkoi edhe më larg sa që në to u përfshi edhe Akademia e Shkencave e Arteve Serbe, duke shkruar dhe specifikuar si dhe në çfarë mënyre duhet të eliminohen shqiptarët nga trojet e tyre. Kështu shkruhet në të gjitha programet e elaboratet serbe të kohës.

Për copëtimin, uzurpimin, shpërnguljen, eliminimin e shqiptarëve është shkruar shumë, nga ana e intelektualëve të njohur serbë, por edhe tani shkruhet akoma më shumë. Por, pas përfundimit të LDB-së, me aneksimin e Kosovës Serbisë, programet serbe në mënyrë institucionale u futën në sistem dhe tërësisht u legalizuan. Më vonë, çdo gjë që u punua dhe trazirat që përjetoi populli shqiptar në Jugosllavi ishin prodhim i programeve antishqiptare. Me anën e këtyre programeve, politika serbe e hegjemoniste kishte për qëllim realizimin e parashikuar në vazhdimësi historike në projektet e përgatitura nga politikanët si Garashanini,  Çubrilloviçi, Andriçi, Vukotiçi, Jankoviçi e deri te frymëzuesi shpirtëror i urrejtjes të të gjithëve që nuk janë serbë, Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave në fundshekullin XX-të. Pas vitit 1945 filloi të aplikohet masa e kolonizimit, sikurse në vitet 1913-1941, që zgjati gjer më 1966. Këto tendenca u manifestuan edhe pas vitit 1981. Shqiptarët u akuzuan në procesin e montuar të Prizrenit. Kundër një numri të madh të kuadrove politike, e në veçanti kundër intelektualëve, janë zbatuar masat e ndjekjes, përgjimit dhe  përpunimit, kurse disa të tjerëve u visheshin “fakte të caktuara armiqësore”.

Këtë më së miri e dëshmon “Procesi i montuar i Prizrenit”. Në mesin e shumë rasteve të montuara, ky është shembulli më eklatant i një sistemi dhe i një periudhe të caktuar. Në këtë proces të montuar politik që u mbajt në vitin 1956 u akuzuan: Njazi Maloku, Sedat Dida, Shani Hoxha, Demush Canhani, Brahim Moni, Rexhep Muhadri, Hasan Bajrami, Muhamet Emini dhe Sali Mehmeti. Shkas kryesor ishte: spiunazhi dhe përkrahja e personit që ka kryer vepër penale kundër popullit dhe kundër shtetit nga neni 126 i LPJ-së. Më vonë, më 14.3.1968, pas Plenumit të Brioneve, shumë të vërteta dolën në shesh nga vetë ata që e montuan, që e realizuan dhe që në fund, përsëri, vetë e shpallën si të pabazë këtë proces. Në Plenumin VII të LK  të Kosovës e tërë kjo u quajt vepër e armikut, u quajt me emrin e vërtetë proces i montuar politik, qëllim kryesor i të cilit ishte të njolloseshin sa më shumë kuadrot shqiptare.

Aksioni për mbledhjen e armëve, sipas Plenumit VII  të  KK të LKS-së, u organizua pa dijeninë dhe pa pëlqimin e Komitetit Krahinor. Me gjithë faktin se ky aksion ishte i vetmi i këtij lloji në Jugosllavi, Komiteti Krahinor dhe organizatat e tjera i kanë dhënë përkrahje vetëm mbledhjes së armëve jo legale. Mirëpo, metodat me të cilat u zbatua ky aksion i kaluan të gjitha normat normale, kompetencat dhe të drejtat e organeve të Sigurimit Shtetëror.

Aksioni i mbledhjes së armëve kryesisht u përgatit dhe u aplikua gjatë vitit 1955 dhe vazhdoi deri në fillim të vitit 1956. Në këtë aksion u përfshinë të gjitha fshatrat e qytetet e Kosovës dhe në mënyrë kolektive e  gjithë popullata shqiptare gjatë represionit.

Gjatë kësaj periudhe u bënë torturat e keqtrajtimet më të mëdha që do të mbahen  mend. Torturimi u bë forma më e preferuar e udbashëve serbë. Ai përsëritej nga java në javë e nga muaji në muaj. Fillonin nga hetuesia, kalonin në rrahje e deri te masat më drastike të mundimeve. Dhuna individuale me likuidime ishte një praktikë e vazhdueshme e njohur dhe traditë në organizatat terroriste serbe, vetëm se në këtë rast UDB-ja i kthen ato në një praktikë të re në situata të reja.  Gjatë kësaj periudhe Sigurimi Shtetëror në Kosovë hapi 22.038 dosje personale, prej të cilave 240 për personalitete politike shqiptare. Me atë rast nuk u kursyen as edhe 4 anëtarët shqiptarë të KQ-së të LKJ- së, 16 anëtarë të Komitetit Krahinor, një numër i madh punëtorësh politiko-shoqërorë që nga sekretarët e organizatave punuese deri te deputetët e të gjitha kuvendeve. Në këtë aksion, veç tjerash, u rrahën mbi 30.000 shqiptarë dhe nga torturat vdiqën mbi 100 veta. Gjatë kësaj periudhe burgjet ishin mbushur plot me shqiptarë. Sipas një të dhëne, vetëm në burgun e Nishit  mbi 2000 shqiptarë të burgosur, në atë të Mitrovicës së Sremit mbi 700 të tillë. Gjendja nuk ishte aspak më e mirë edhe në Idrizovë të Maqedonisë, në Prishtinë, në Goli Otok e vende të tjera anembanë Jugosllavisë.

Shqiptarët mbushnin burgjet ish jugosllave. Ata qëndronin në to pa pasur ndonjë status të definuar të të burgosurit. Për ta nuk ka të dhëna se janë llogaritur si të dënuar politikë. E vërteta është se çdo aksion  i këtij karakteri ka pasur prapavijë politike, që sa më shumë shqiptarë t’i braktisnin vatrat e tyre dhe të kërkonin shpëtim jashtë Kosove dhe jashtë kufijve të ish Jugosllavisë.

Gjatë kësaj periudhe shqiptarët pushoheshin nga puna, ngarkoheshin me taksa, trilloheshin hasmëri personale, diskreditoheshin. Arrestimet dhe torturat masive janë përdorur si mjete efikase për t’i detyruar të braktisin vendin e tyre. Sipas statistikave jugosllave, vetëm në Kosovë në vitin 1954 ishin të gjykuar 2. 981 shqiptarë, kurse në vitin 1956, 3.213 të tillë. Arrestimet, gjykimet dhe torturat gjithmonë kanë pasur për qëllim shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare. Edhe në çështjet e rëndomta prapavija ndaj shqiptarëve ishte politike.

Në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi aplikoheshin forma të ndryshme dhe bëheshin përpjekje për asimilimin, shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe për ndryshimin e strukturës kombëtare të popullsisë, qoftë duke bërë presion mbi njerëzit që të regjistroheshin si turq, myslimanë, “maqedono-myslimanë “, jugosllavë e çdo gjë tjetër. Për të shtuar presionin mbi shqiptarët vendës filluan të sjellin kolonistë të rinj nga vise të ndryshme të Jugosllavisë e madje edhe nga diaspora.

Organizatat ilegale patriotike shqiptare gjatë kësaj periudhe u fuqizuan dhe u masivizuan duke inkuadruar në radhët e veta forca të reja. Me arrestimet e njëpasnjëshme që bënte UDB-ja, lëvizja ilegale përfitoi terren. Ndonëse u dëmtua një numër i konsideruar intelektualësh shqiptarë, mbetën të paprekura forcat e organizuara dhe u shtua urrejtja ndaj atyre që e shtypnin dhe e arrestonin popullin e pambrojtur. Ky popull u bind edhe një herë se pa shkëputjen nga Serbia nuk mund të ketë liri të mirëfilltë. Si rezultat i kësaj erdhi duke u përforcuar edhe ideja për formimin e Republikës Shqiptare në Jugosllavi. Duke u nisur nga fakti se forcat patriotike kanë qenë dhe ishin udhërrëfyese të popullit nga i cili edhe dolën, ato e përqafuan kërkesën për Republikë dhe u angazhuan pa u kursyer për realizimin e saj.

Në këto kushte të rënda për shqiptaret dhe për Kosovën, në fshatin Brestov të Rahovecit, lindi atdhetari e profesori Xhemajli Berisha, më 17 prill 1958. Ai ishte i biri i Reshit e Mihrije Berishës. Që në vegjëli ishte i zgjuar dhe i vendosur në qëndrimet e veta. Skajshmërisht ishte i drejt dhe i dashur për familjen dhe me shokët që e donin shumë. Pas përfundimit të shkollës fillore, shkollën e mesme e mbaron në Prizren. Pas një kohe, varfëria ishte e tejskajshme andaj për kushte më të mira jetese, familja e Xhemajliut shpërngulet nga Brestova dhe vendoset në fshatin Arbanë (Dushanovë) , në afërsi të Prizrenit.

Por me kohë gjendja ekonomike deri diku përmirësohet, ngase  vëllai i madh i Xhemajlis hynë në punë në fabrikën e tekstilit “Printeks” të Prizrenit. Po në atë vit ai regjistrohet në Akademinë Pedagogjike. Pra ishte viti i parë që shkolla kalonte prej ish- Normales në Akademi Pedagogjike. Po në këtë vit, djali i ri nga Dushanova, pasionohet pas leximit, ashtu edhe siç dëshmon vet se vetëm  brenda katër viteve kishte lexua 250 vepra të autorëve shqiptar e të huaj. Por në mesin e kësaj literature nuk mungonin edhe librat e ndaluar që vinin nga Shqipëria që sistemi jugosllav rreptësishtë i kishte ndaluar. Ishte i ri dhe me plotë elan rinor. Ishte pjekur para kohe dhe situatën politike dhe zhvillimet në vend i kuptonte dhe shpesh bisedonte me shokë dhe në mes veti kërkonin një zgjidhje. Jeta nën okupim ishte e rënd e Xhemajliu ishte shpirt poeti e krijuesi, nuk e duronte dot okupimin.

Edhe pse kishte tentuar që të regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë, nuk ia arrin, andaj regjistrohet bashkë me shokun e vet Nazmi Morinë në Fakultetin Juridik. Pasi përfundon vitin e parë, megjithatë ai e regjistron edhe Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Ishte student i mirë dhe me kohë përfundon fakultetin dhe në ndërkohë fillon të punoi më 1982, në gjimnazin e Prizrenit “J.R. Kica”, sot gjimnazi “Gjon Buzuku”.

Siç dihet, më 25 mars të vitit 1981, nga ora 11 e 50 minuta në oborrin e përbashkët të Shkollës së Lartë Pedagogjike dhe të Akademisë Pedagogjike në Prizren kishte ardhur një grup  prej 20- 30 nxënësish të shkollave të mesme e studentësh dhe ishte futur në ndërtesën e Shkollës së Lartë Pedagogjike, duke thirrur parullën “Kushtetutë”. Me këtë rast ishin thyer dy dritare të shkollës. Grupit në fjalë i ishte bashkangjitur një grup i konsideruar i studentëve dhe nga aty kishin vazhduar rrugëtimin nga Akademia Pedagogjike, para së cilës kishin dalë forca të shumta të policisë. Pastaj grupi  i shtuar kishte vazhduar rrugën nga gjimnazi duke iu bashkangjitur shumë nxënës, dhe nga këtu demonstruesit kishin vazhduar rrugëtimin drejt shkollës së Mjekësisë dhe Konviktit të studentëve. Numri i demonstruesve tani  ishte shumë më i madh dhe me kërkesën e shumicës së tyre vazhduan rrugën për në qendër të qytetit. Në qytet demonstruesit i pritën forca të mëdha policie që pa paralajmërim kishin intervenuar dhe me përdorimin e forcës i kishin shpërndarë rreth orës 12.20 minuta. Gjatë intervenimit të policisë ndaj studentëve në rrugët e qytetit u thyen dritaret në tetë shitore, një xham në një automjet dhe një automobil ishte rrokullisur. Atë ditë të organizimit të demonstratave në Prizren ishte ditë tregu dhe një numër i konsideruar i qytetarëve iu kishte bashkangjitur demonstruesve. Policia i shpërndau demonstruesit me ç’rast u lëndua një polic. Pas demonstratave, organet komunale ishin shumë aktive dhe nxitonin se cila do të bënte e para vlerësimin e tyre duke informuar dhe thirrur  kuadrot nga KK i LKK nga Prishtina.

Duhet cekur se Xhemajli Berisha ishte ndër të parët që merrte pjesë në demonstratat studentore. Asnjëherë nuk u nda nga shokët dhe nxënësit e vet. Dhe ishte krejt normale që një figurë emblematike e arsimit të Prizrenit t’iu bie në sy organeve të sigurimit të Prizrenit. Atë e përcillnin dhe mjaftonte një gjest i vogël atdhetar që atë ta hidhnin në burg. Ai e dinte këtë dhe e ndjente se ishte nën survejimin e hetuesve udbash, megjithatë nuk e ndërpreu veprimtarin e tij ilegale.

Bilanci i të gjitha demonstratave ishte tragjik: në anën e demonstruesve pati 8 të vrarë dhe 130 të plagosur, prej të cilëve  55 të plagosur me armë zjarri. Në anën e forcave të sigurisë 1 polic i vrarë dhe 135 të lënduar, 4 prej tyre rëndë. Organet e Sigurimit kishin arrestuar përkohësisht dhe kishin proceduar 956 veta, ishin dënuar për kundërvajtje 219 veta, dhe me procedurë ndjekjeje penale ishin 45 veta. Ndërsa në një mbledhje tjetër të Kryesisë të KK të LKK-së, 5 ditë më vonë thuhej se “prej 11 marsit deri më 10 prill, janë marrë një varg masash parambrojtëse për 1.500 veta”. Në fusnotë të dokumentit jepet edhe kjo e dhënë se prej 1500 vetave, 460 prej tyre janë të dënuar për  kundërvajtje, procedurat penale kanë filluar ndaj 90 personave, ndaj 160 vetave ashtë aplikuar masa e izolimit për arsye të ndryshme dhe 743 janë marrë nga organet e SPB-së, me të cilët është biseduar dhe janë liruar. 700 veta janë në burg për këto shkaqe: kundërvajtje, procedurë penale dhe izolim. Struktura kombëtare e të dënuarve  për kundërvajtje është: shqiptarë 419, serb 37,  malazez 1, mysliman 1. Struktura sociale: studentë 70, nxënës 132, punëtorë 164, punëtorë të arsimit 27, bujq 21. Struktura sociale e personave kundër të cilëve  zhvillohej procedurë penale është: studentë 13, nxënës 27, punëtorë 23, punëtorë të arsimit 10, nëpunës 1, bujq  7 dhe të tjerë 8 veta.

Më 9 gusht 1985, Xhemajliun e thërrasin në shërbimin ushtarak dhe fillimisht e dërgojnë në vendin e quajtur Tolmin (Slloveni) e pas një kohe e kalojnë në Shkofija Lloka, po ashtu në Slloveni. Gjatë shërbimit ushtarak përjetoi shumëçka, shihte se si ushtarët shqiptar ishin të diskriminuar dhe i detyronin që të kryenin punët më të rënda dhe më të pistat. Udhëheqësve ushtarak e që shumica prej tyre ishin serb iu pengonte jashtë mase shqiptari i shkolluar, andaj ndaj Xhemajliut kishin shtua presionin. Sa ishte në ushtri ai shpesh iu thoshte shokëve “E kemi për detyrë që pikërisht në pengesa e vështirësi të dalim ngadhënjimtarë, e kemi traditë që në të pamundurën ta gjejmë të mundurën, në të keqën ta ngjallim të mirën, në të ulëtën ta ngrehim të lartën”. Kjo fjali e tij, sa ishte praktike ishte edhe filozofike, sa ishte aktuale ishte edhe historike, sa ishte e përhershme aq ishte edhe domosdoshme. Ishte koha kur shumë ushtar shqiptar ktheheshin para kohe në shtëpitë e tyre në arkivole, duke thënë se kanë bërë “vetëvrasje”, e populli këtë asnjëherë dhe në asnjë mënyrë nuk e kollofit.

Atë, atdhetarin e madh përsëri e gjejmë, profesor në gjimnaz dhe përsëri e gjejmë entuziast dhe të devotshëm në mësimdhënie. Nxënësit e donin dhe në të kishin besim se në të veç profesorit kishin gjetur mikun , prindin, shokun i cili ishte me ta në çdo kohë dhe i përkrahte në qëllimet e tyre.

Më 23 Mars 1989, Serbia me trysninë e tankeve të ushtrisë jugosllave dhe terrorin e tejskajshëm të policisë, suprimoi autonominë e Kosovës të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974 me të cilën shqiptarët kishin fituar statusin më të lartë politik e juridik deri atëherë në kuadër të federatës jugosllave. Parlamenti i Kosovës ishte i rrethuar me tanke dhe ushtri, dhe nën një shtetrrethim, Serbia dhunshëm ia mori Kosovës autonominë. Nga 190 delegatët e pranishëm në Kuvend, 10 prej tyre, edhe pse nën presionin e shtetrrethimit të hekurt, kishin votuar kundër këtij suprimimi, e në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës.

Nën masat e “gjendjes së jashtëzakonshme” në të cilat gjendej Kosova, një masë e cila ishte vendosur nga organet më të larta partiake e shtetërore jugosllave, pas grevës historike të minatorëve dhe protestave masive të shqiptarëve në mbrojtje të kushtetutës, Kuvendi i Kosovës më 23 Mars 1989, me shumë parregullsi procedurale e përmbajtjesore, miratoi amendamentet kushtetuese të Kushtetutës së Serbisë. Me këtë akt, dhe me miratimin e amendamenteve edhe nga Kuvendi i Serbisë, de facto dhe de iure Serbia okupoi Kosovën. Shqiptarët, u ngritën në demonstrata të fuqishme kundër këtyre ndryshimeve kushtetuese dhe në mbrojtje të të drejtave e lirive kombëtare. Protestat u shtypën në mënyrën më barbare nga policia federative duke vrarë 21 shqiptarë, shumica e tyre të rinj nën moshën madhore, madje edhe fëmijë.

Duhet përmendur se me 20 mars të vitit 1989, rrethohej me policë shtëpia e familjes berisha, dhe më vete marrin dhe arrestojnë dy vëllazëritë e Xhemajliut.  Arrestimi i tyre ishte edhe një mesazh të cilin shumë mirë e kuptoi Xhemajliu por edhe familjaret dhe të afërmit. Udbashet donin dhe kërkoni që ta arrestonin profesorin e nderuar-Xhemë. Gjatë kohës sa jetoi  ishte arrestua vetëm dy herë. Për herë të parë ishte mbajtur vetëm një natë, dhe për herën e dytë u mbajt tri natë. Për këto tri natë, hetuesit ndaj tij përdorën të gjitha metodat më shtazarake të dhunës. I thyen kokën, i thyen kraharorin, i dërmuan trupin ia gjakosën fytyrën, e fyen deri ku nuk durohej duke kërkuar që të tregoi shokët dhe organizatën ilegale që i takonte. E ai, profesori, i shikonte me përbuzje, i injoronte pyetjet e tyre dhe nuk e qeli gojën deri sa u alivanos. Udbashët i qitnin ujë për ta kthjellur dhe vazhdonin me të njëjtin avaz, edhe profesori qëndronte përball tyre i paepur. Dhe, më vonë kur u binden se profesori kishte dhënë shpirt, ata, e marrin nga dhoma e torturave nr. 35, nga kati i tretë i burgut të Prizrenit, në ora 14 e 55 minuta e hedhin trupin e heroit në tokë duke thënë se ai bëri “Vetëvrasje”, ngase këtë metodë të “vetëvrasjes” e kishin aplikua edhe ndaj të riut Afrim Abazit në burgun e Ferizajt.

Më 6 prill 1989, policia serbe e dërgon trupin e pa jetë të Prof.Xhemajli Berishës në Spitalin e Prizrenit, te doktor Halil Berisha duke e urdhëruar që vdekjen e tij në certifikatë ta shkruaj si rast “vetëvrasje”. Doktori atdhetar, Halil Berisha, nuk kishte pranuar për asnjë çmim ta bëjë një gjë të tillë. Dhe këtë vepër dinjitoze, udbashët nuk ia harruna dhe me 3 qershor 1989, doktorin e helmoi sigurimi serb!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin e kombit Prof. Xhemajli Berishën

 

Literatura:

Bajram Kurti, Gjaku i lirisë V/VI, P

https://insajderi.com/xhemajli-berisha-shpallet-hero-i-kosoves/

https://prizrenpress.com/31-vjet-nga-vrasja-e-heroit-te-kombit-xhemajli-berisha/

https://pashtriku.org/sheradin-berisha-profxhemajli-berisha-ne-30-vjetorin-e-renies-u-be/

https://rahoveci24.com/33-vjet-nga-renia-e-heroit-te-kosoves-prof-xhemajli-berisha-nga-brestoci-i-rahovecit%EF%BF%BC/

https://ekonomiaonline.com/gashi-epoka-e-deshmorit-xhemajli-berisha-sinjalizoi-daljen-e-uck-se-ne-skene/

https://prizrenpost.com/al/presidenti-sot-dekoron-me-titullin-hero-i-kosoves-deshmorin-xhemajli-berisha/

https://www.facebook.com/TVBESA/videos/d%C3%ABshmori-i-kombit-xhemajli-berisha-me-rastin-e-30-vjetorit-t%C3%AB-vrasjes-dekorohet-/541903219551560/

https://ekonomiaonline.com/tag/xhemajli-berisha/

https://pashtriku.org/ismet-sylejmani-profxhemajli-berisha-atdhetari-emblematik-i-shqiperise-natyrale/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok