08/10/2024

HAMBARI I GUMNISHTËS

0

Kujtesë historike

Simbol i mbijetesës, heroizmit, sakrificës…

Nga Bedri TAHIRI

Aty, ku gërshetohen e djeshmja dhe e sotmja; mbijetesa dhe sakrifica, historia dhe ardhmëria…

Hambari i Gumnishtës:

Një emër, shumë histori.

Buka, jeta, vdekja.

Hambari plot, pushka plot,- thotë populli përvojë hidhur.

Jetë e vdekje përqafuar!- shkruante vite më parë Lasgushi  ynë i madh.

Një toponim, një ngulitje me rrënjë historie, një shenjë e shenjtë për reflektim epokash…

Por, kurrë nënshtrimi, kurrë gjunjëzimi…

Dromca historike…

Gumnishta (sot Maletaj)  është ndër vendbanimet më të vjetra në Shalën e Bajgorës, ngulitur në masivin e Albanikut. Sipas banorëve të saj, të gjithë të fisit Maletaj, të parët e tyre, një kohë kishin gjëzdisur nëpër Ceceli e Skromë, derisa kishin lëshuar rrënjë këtu ku janë sot, pa harruar se pinjojë të këtij trungu kanë vazhduar tutje, në Kaçanoll e një nip (Çela) në Brecë.

Si vendbanim është i regjistruar në Defterin e vitit 1530, në kuadër të Sanxhakut të Vushtrrisë me emrin Gunishte. Banorët e parë ishin vendosur në lagjen Mehmeti (vetë banorët atë lagje e quajnë Katun) e pastaj janë shpërndarë në lagjet tjera.

Toponimet më karakteristike nëpër lagje:

Zeka (Katunishta, Gurishta, Uji i Kuq, Mali i Kishës, Kodra e Hasa Gegës, Kroni i Kuleqëve, Kroni i Harzisë, Llazi i Gjanë, Llazi i Nikës, Llazi i Boçave , Llazi i Gurapeshit, Llazi i Linit, Llazi i Boronicave, Fërkemi i Kreshnikut, Bajraku, Udha e Minatorëve , Kroni i Shahës, Dardha e Murit, Ara e Fekës, Ara e Zekës dhe Duhoci.

Mehmeti (Livadhi i Kishës, Balltaku, Kodra e Bunarit, Katuni, Lugu i Kuq, Kroni i Çelës, Kërrshi i Zi dhe Seishta.

Ismaili (Lisi i Madh, Arat e Bares, Kroni i Fierit, Kroni i Masës, Kroni i Çajrit, Kroni i Gllogut, Arat e Rrethit dhe Udha e Mullinjve.

Hyseni (Vendësi(Venci), Shpella e Vendsit, Bira e Kosejit, Kroni me Gypa, Lugu i Dardhave të Buta, Agragja, Lugu i Bletës, Kërshi i Keq, Lugu i Hyjneshës, Bregu i Shkozës, Çuka e Bunjakëve, Lugu me Karthia dhe Te Vani (Shënime te Shaban Zekës).

Pra, siç po shihet, banorët e Gumnishtës jetojnë të shpërndarë në katër lagje: Zeka, Mehmeti, Ismaili dhe Hyseni, Në çdo rrebesh a zezonë konakët e tyre qenë të hapura e sofër shtruar me bukë, kripë e zemër. Burrat e tij patën traditë bujarinë, mençurinë, mirësinë, trimërinë dhe atdhedashurinë. Edhe armiku përherë e pati halë në sy. Vetëm në fundin e Luftës së Dytë Botërore, më 31 janar 1945, nga dora gjakatare serbe u vranë: Nebih Ismaili, Salih Ismaili, Bejtush Ismaili, Sokol Ismaili, Shaqir Ismaili, Ismail Ismaili, Ibish Zeka, Adem Zeka, Ajet Zeka, Mustafë Hyseni, Hamzë Mehmeti, Rifat Mehmeti, Maliq Mehmeti, Fetah Mehmeti, Halil Mehmeti, Hamit Mehmeti, Shaban Mehmeti ” (sipas shënimeve të mësuesit Hamit Hyseni).

Edhe në luftën e lavishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gumnishtasit ia thanë bukur këngës së grykëhollës. “Në radhët e UÇK-së ishin: Rrustem Hyseni, Latif Hyseni, Zymer Hyseni, Bekim Hyseni, Afrim Mehmeti, Fadil Mehmeti, Musli Ismaili, Isë Ismaili, Haki Ismaili, Fehmi Zeka, Bahri Mehmeti, Miftar Mehmeti, Sami Mehmeti, Naim Hyseni, Murat Hyseni dhe vëllëzrit Shemsi dhe Hysni  Hyseni”(informata nga Shaban Zeka, Bajram Hysenit  dhe Afrim Mehmeti).

Në Altarin e Lirisë zuri vend nderi Historiani që u bë Histori, Dëshmori i Kombit, i përjetësuar në Majdan, Rrustem Hyseni (1973-1999). Paskëtaj, u vranë edhe: Avdyl (Xhevat) Ismaili në Gumnishtë, në vendin e quajtur Gurishtë, Shefqet (Latif) Hyseni, në Begaj, Ahmet (Raif) Hyseni në Kqiç, Hoxhë Hysen (Shahin) Zeka në Vërnicë, dhe tre vëllëzërit Naser (Arif) Zeka, Nexhmedin (Arif) Zeka e Agim (Arif ) Zeka, në Vushtrri, më 22 maj 1999 (janë gjetur në Batajnicë)- rikujton sot vëllai i tre të fundit, Isa Zeka.

Në luftën e fundit 1998-’99, Gumishta kishte 33 shtëpi rreth 270 banorë. Aty gjetën strehim shumë refugjatë, të ardhur nga fshatra e vendbanime tjera. Të parët kishin ardhur banorët e Mazhiqit (më 15 shtator 1998), por masa e madhe kishin mbërritur nga Tuneli i Parë, ku në mesin e të cilëve kishte edhe nga Drenica. Para 2 majit 1999, banorët dhe refugjatët ishin larguar nga Gumnishta dhe kishin lëvizur në Skromë, në Karaçë, në Skoçne (Çukas), në Vushtrri, në Smrekonicë e në fund, shumica në Kqiç. Më 2 maj i kishin degdisur gjithandej, disa për Shqipëri, disa deri në Mitrovicë e 12 veta në burgun e Smrekonicës: Feriz (Hashim) Zeka, Abit (Hashim) Zeka, Shaban (Bajram) Zeka, Sami (Bajram) Zeka, Bejtullah (Asllan) Zeka, Imer (Dibran) Zeka, Ibish (Idriz) Zeka, Salih (Jahë) Ismaili, Hashim (Aziz) Ismaili, Nasuf (Aziz) Ismaili, dhe Ukishin (Bajram) Beka. Kurse më 22 maj, nga salla e sporteve u sollën në burgun e Smrekonicës edhe Veli (Jashar) Zeka e Adem (Hetem) Zeka. Gjatë qëndrimit në male, në kushte tejet të vështira, vdiqën dy fëmijë të sapo lindur të prindërve Sali Mehmetit dhe Ragip Zekës.

Ditën që u vra Avdyl Ismajli në Gurishtë, afër shtëpisë së tij, ishte zënë i gjallë Bajram (Ahmet) Zeka, të cilin duarlidhur e kishin dërguar në Mitrovicë (në shkollën teknike) dhe për dy net radhazi e kishin maltretuar për vdekje, saqë kur e lirojnë, me gjysmë shpirti mezi kishte arritur te familja në Kqiç.

Banorët e Gumnishtës, ashtu si gjithë të tjerët, pasi qenë shtuar, kanë shtegtuar dhe  kanë zënë vend në Stanovc, në Maxhunaj,në Vilanc, në Studime, në Begaj, në Sllatinë, në Dobërllukë, në Kqiç, në Vërnicë,në Banjskë, në Shipkovc dhe në Mitrovicë.

Trungu rrënjë thellë

Derë e njohur për burrëri, trimëri, bujari e mirësi ishte edhe ajo e Fetah Zekës, e cila kishte bërë emër në gjithë Shalën e Bajgores e përtej. Ky burrë babaxhan, krahas gjithë të tjerave shquhej edhe si mjeshtër i hollë, i drurit e i gurit. Çka i shihte syri, ia punonte dora! Fatin e lidhi me Ismen e Osmanëve të Vërnicës, të cilëve u lindën këta fëmijë: Miftari (kishte vdekur në Banatë), Jashari, Muharremi, Mustafa, Ajetja dhe Zyhra.

Oda e Fetah Gumnishtës, siç e quanin zakonisht, ishte e hapur natën e ditën. Aty vinte e kush nuk vinte. Për qejf e për zor. Nevojtarë e kryengritës. Lypsarë e drumtarë.  Aty gjenin konak të sigurt edhe ata që kishin zënë malet për lirinë e këtyre trojeve. Aty, ndjehej më mirë se kudo edhe trimi Sherif Tërstena, i cili edhe ishte djali i mbesës së tyre, Eminës, por që e thërrisnin Daglane. Për mbajtjen e këtij trimi kishin ngrënë dajak dhe ishin maltretuar rëndë Fetahu, Ahmeti dhe Kadriu, por çele guri gojën, kishin qëndruar si burrat!

Ai që i kishte ngjarë kryekëput Fetahut, qe i biri, Jashari! Ama me të gjitha! Edhe artin e mjeshtërisë e kishte trashëguar si me tapi. Jashari me Sofijen nga Zasella patën këta fëmijë: Veliu, Rahimja, Feridja, Vehbiu, Miftari, Ukshini, Sanija dhe Fatmiri.

Kjo familje degëshumë u zgjerua tej e tej. U degdisen si shumica e familjeve shqiptare. Jashtë e brenda. Jashari përherë qe i kamur dhe pasurinë e shfrytëzonte me mend e me vend. Bujaria e tij kalonte përtej bamirësisë. Parja e bardhë për ditë të zezë,- i kishte dëgjuar tek flisnin më të vjetrit. Kështu, paranë ishte i interesuar ta harxhonte duke i blerë tokat nga ardhacakët e përtej Tunës që na i kishin marrë pa pare pa pullë. Agrari ua kishte dhënë ku u kishte pëlqyer e ku ishte më së mirë. Largimin e këtyre ardhacakëve e konsideronte atdhetarizëm e shkuar atdhetarizmi. Dhe, ashtu ishte. Andaj, edhe nuk kurseu asgjë, dhe qysh në vitin 1972 bleu disa hektarë tokë në Studime të Poshtme (sot Martiraj të Poshtëm). E bleu nga Milenqiçët, familjarë të Lubës së Samadrexhës, përkatësisht të kriminelit Danillo Milenqiçit, të cilin e pati hequr qafësh Ferat Muja.

Fitorja e parë i dha zemër Jashar Zekë Gumnishtës për të vazhduar edhe me dy aksione të tjera, më 1978 dhe më 1981, duke ua blerë pasurinë edhe kolonëve të tjerë, dhe kur i hoqi njëherë e përgjithmonë nga këtu, u ndje i lehtësuar në shpirt…

Kush e ka bukën e fiton luftën

Familjarët e Jashar Zekë Gumnishtës edhe në trojet e reja iu rrekën punës dhe gjallimit me djersën e ballit. Bamirësia e tyre, mundësuan edhe shumë të tjerë që të zinin vend atypari, si miku i tij, Selim Mehmeti nga Bajgora etj.

“Unë, këtu nuk kalova mirë me pushtetarët e regjimit shtypës të Serbisë. Përherë isha në krye të protestave dhe demonstratave që kërkonim veç atë që na takonte. Ditën që u vra Ruzhdi Hyseni i Kollës dhe kur u plagos Ali Januzi-Pasoma, qëllova fare pranë. Bile, në shenjë revolte, mora disa gurë dhe ia theva xhamat shtëpisë së serbit, prej nga erdhën plumbat vrastarë,- kujton sot, i biri i Jasharit, Vehbiu, i cili, i ndjekur e i përndjekur qe detyruar ta marrë rrugën e mërgimit, ku është edhe sot.

Dhe,  pasi ndërtuan shtëpi të reja në Studime të Poshtme, dhe bereqeti shtohej në arat e tyre, Jashari iu përvesh edhe realizimit të ëndrrës së tij jetike: Ndërtimit të një hambari! Nga i ati kishte mësuar për zinë e bukës, në kohën e bullgarëve, dhe, përherë e kujtonte një fjalë të moçme: Kush e ka bukën e fiton luftën! Madje, shpesh thoshin edhe ndryshe: Hambari plot, pushka plot!

Dy lisa të mëdhenj bungu (njëri dydegësh), të rritur në Lugun e Smakës në Rashan, pronë e Çerkin Sadikut, që mezi i bartën dy traktorë, iu nënshtruan duarve të arta të mjeshtrit të hollë, Jashar Zekë Gumnishtës. Lënda e parë drusore,  u përpunua nga marangozë të zotë siç ishte Beqë  Dumnica, por e projektuar nga Jashari, mori formën e duhur. I vendosur në themele të forta, nga gurë te mademit të Studimës, latuar ngeshëm e për shtatë palë qejfe nga vetë Jashari, hambari hodhi shtat me gjashtë preseqtë e tij, ku mund të vendoseshin dyzet tonelatë grurë.

-Ky hambar është i të gjithëve!- thoshte kryefamiljari.

U tha, u bë! Aty merrte kushdo që kishte nevojë. I njohshëm e i panjohshëm. Sa e sa herë u mbush plot e sa e sa herë u zbraz deri në kokrrën e fundit.

Hambari Gumnishtës- sinonim i jetës

Vlera e këtij hambari u shumëfishua në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai u bë simbol dhe sinonim i jetës. I jetës dhe vdekjes.

Rreth tridhjetë mijë kilogram grurë, sa kishte në hambar, shpëtuan jetë, jo vetëm në Studime, por edhe larg e larg. Gruri, i bartur me thasë e torba krahu, rrjedhës së lumthit gjarpëror, bluhej në mullinjtë e Cecelisë e të Sllakofcit dhe gatuhej me pika gjaku nga civilë e ushtarë.

Veli Zeka, njëri nga djemtë e Jasharit, vepronte si drugëza në vegjë, kurrë pa pushuar, duke sjellë njerëz (diku 700 veta) nga gjithë Shala, që nga Vllahia e tutje, për t’i paqësuar këndej ku ishte pak më mirë.  Shumë herë edhe e kishte rrezikuar jetën. Njëherë kishin rënë në pritë, mu te hambari, por fati e kishte mëshiruar dhe, duke e njohur terrenin, bashkë me Imri Dragushën kishin shpëtuar. Kurse, të tjerët (gjashtë veta) ishin vrarë: Jetullah Mulliqi, Bedri Beqiri, Ramadan Zeneli, Besim Muhaxheri, Milaim Muhaxheri dhe Hamdi Krasniqi.

Ditën ecnin lumë e koha grindej me veten.

Hambari i Gumnishtës sinor midis jetës dhe vdekjes.

Në fakt, aty qenë dy hambarë, por si toponim ka ngelur Hambari i Gumnishtës (në njëjës).

Pra, përveç hambarit të Jasharit ishte edhe hambari i të vëllait, Mustafë Zekës, me njëzet e pesëmijë kilogram grurë, që u bë shpëtimtar jetësh në ato anë; për popullatën e për luftëtarët…

“Babai gjithmonë lutej: Veç hambarët lë të na shpëtojnë, se shtëpitë i bëjmë prapë…-rrëfen sot Rifat Zeka, i cili gjatë gjithë luftës qe ndërlidhës i UÇK-së dhe popullatës, duke mos pushuar për asnjë çast. Ai luftën e kishte ndihmuar me gjithë çka kishte. Të rinjtë vullnetarë që me familje kishin zbritur nga malet dhe kreshtat e Shalës, i përcillte dhe kontaktonte me eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe vetë kishte qenë i gatshëm ta veshte uniformën e ta rrokte pushkë, por ata e këshilluan që të luante rolin që kishte, me furnizime e ndërlidhje, sepse ajo hallkë e logjistikës ishte shumë e rëndësishme. Veturën dhe 250 litra naftë ua kishte lënë në dispozicion luftëtarëve të lirisë…

Dhe, aty, tek ata hambarë, lanë kokat shumë cerberë të përtej Tunës.

Të shtunën e 6 qershorit 1999, një grup policësh dhe oficerësh serbë, me disa mjete ushtarake, një pizgauer dhe një autoblindë, erdhën i morën disa vajza (Hyrën, Fatbardhën, Gëzimen dhe Selvinë) dhe u nisën për të vendi ku ishin ekzekutuar Selatini, Xhemaili dhe Shabani, kinse për të vërtetuar mënyrën e vrasjes. Mirëpo, rrugës, mu të vendi i quajtur Hambari i Gumnishtës, komandant Gani Imeri me luftëtarët e tij ua zënë pritën dhe i sulmojnë. Ata, të lemerisur e të gjakosur, i lënë të gjitha dhe marrin ikën. Trimat tanë marrin pizgauerin, me armë e municion, dhe kthehen në bazën e tyre…

Aty u thurën shumë plane e lindën shumë histori. Aty mbinë edhe shumë lulëkuqe lirie!…

Ndër të parët që ra atypari qe djaloshi Afrim Bekteshi.

Më 10 maj 1999, fytafyt me forcat serbe ra edhe ushtari i lirisë Hamdi Ferati.

Aty, në afërsi te hambarit, rrodhi  gjaku rrëke i Selatin Gërxhaliut,  i Shaban Gërxhaliut dhe i Xhemail Gërxhaliut.

Ura e çikave

Tek këmbët e tij, edhe një simbol altruizmi e ndershmërie e vajzërisë shqiptare: Ura e çikave!

Më 24 maj, një grup vajzash që ishin nisur për t’i ndihmuar ata që kishin ngelur nëpër shtëpitë e veta, derisa po ecnin përroit, ndalën nga serbët sy përdalë. Ato, si dikur vashat krutane në Shkëmin e Vajës, mblidhen kokë më kokë dhe ashtu, të përqafuara, e pranojnë vdekjen përpara poshtërimit. Dhe, ekzekutohen pa mëshirshëm:  Lutfie Sabit Gërguri (1976), Shemsie Isak Gërguri (1970), Hysnie Jakup Gërguri (1978), Imrane  Musë Gërguri (1980), Zejnepe Musë Gërguri (1984), Remzie Sabit Gërguri (1974), nga Studmija dhe Lumnie Fejzë Krasniqi (1974) e Nazmie Feriz Krasniqi (1970) nga  Trimori.

Pena e poetit Enver Bajrami skaliti një përmendore përjetësie me emrin Ura e çikave, nga po shkëpusim vargjet antologjike:

Çikat me trup i vunë digën  urës së tmerrit                                                                                                                                 E pastaj, faqezinjtë bën të vetën                                                                                                                                       I copëtuan me hanxhar                                                                                                                                                                     I gravuan me katër shkronja bastarde                                                                                                                             Në Studimën e lashtë të Vicianës                                                                                                                                         Në themelet e urës ranë tetë Rozafa…

Kështu, sot, pas më shumë se dy dekadash, këto SHENJA TË SHENJTA, siç po i quaj unë, ku bën pjesë edhe Hambari i Gumnishtës, të cilat, do të reflektojnë për jetë e mot atdhedashuri, bujari, zemërgjerësi, meritojnë një përkujdesje më dinjitet e mbarësi nga shteti e në shoqëria!

Po i respektuam këto SHENJA TË SHENJTA, kemi respektuar historinë, kemi respektuar luftën e lavdishme të UÇK-së, e cila kurorëzoi synimet tona shekullore dhe sollën LIRINË!

Një pllakë shënjuese, do të ishte nderim për pronarin, edhe për vetë luftën e lavdishme e të drejtë të UÇK-së, madje edhe për vetë historinë!

Përndryshe, po i harruam e i injoruam, vaj halli për ne!

Çdo harrim është dështim!

Galicë, 15 shkurt 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok