06/10/2024

SHABAN SHALA “Soda”- “RROFTË SHQIPËRIA ETNIKE! RROFTË LIRIA! POSHTË KLIKA E TITOS DHE E RANKOVIQIT”

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
( 1933- 1963)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Atdhetari llapjan, Shaban Shala u lind me 16 shkurt 1933, në fshatin Letanc të Podujevës. Ishte i biri Behram Shalës dhe nënës Xhemile, e lindur Uka. Në kohën kur u arrestua për herë të parë ishte i pa martuar. Gjerë më atëherë ishte i padënuar. Shaban Shala, vinte nga një familje atdhetarësh dhe mbi të gjitha ishte atdheu dhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Babai Behrami ishte arsimdashës, andaj djalin e tij e dërgoi në shkollë. Në vitin 1945/46, përfundoi shkollën fillore me sukses të shkëlqyeshëm. Pastaj vazhdoi shkollimin në progjimnazin tri klasës dhe më 1949 e përfundoi gjithashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Më 1950 u regjistrua në shkollën e mesme të mjekësisë në Nish, dhe aty përfundoi vetëm një vit. Pasi u kthye nga Nishi vazhdoi kursin pedagogjik të mësuesisë në Pejë. Kursin e kryen me afat dhe, menjëherë fillon të punoi si mësues në rrethin e Llapit. Familja e Shabanit kishte këta anëtarë: Behramin (babain)- 40 vjeçar, Xhemilen (nëna)- 39 vjeçare, Sada (bashkëshortja)- 21 vjeçare, Hasani (vëllai) – 8 vjeçar, Hyseni (vëllai)- 7 vjeçar dhe Fatimja (vajza e Shabanit) – 1 vjeçare. Ndërsa, Shabani kur u arrestua për herë të parë kishte vetëm 19 vjet.
Shaban Shala, sa më shumë që avancohej në fushën e arsimit, ai edhe më tepër urrente armikun dhe angazhohej për të drejtat kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodheshin ata. Duke e parë se sistemi komunistë dhe riokupimi jugosllav ishte plaga kryesore e popullit shqiptar, ai me një grup shokësh, në fshatin e quajtur Obrançë, më 28 Nëntor 1952, formojnë Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare. Pas disa takimeve në organizatë, marrin qëndrim që për padrejtësitë e shumta që bëheshin nga jugosllavët, të njoftojnë opinionin e gjerë dhe del propozimi që një grup anëtaresh të dalin në perëndim dhe të bëjnë sensibilizimin e situatës dhe ndërkombëtarizimin e saj.
Aktiviteti i madh i atdhetarit i bie në sy organeve të UDB-es. Nga disa të afërm njoftohet se ata- udbashët i kanë rënë në gjurmë, dhe ai vendos që të arratisej nga vendi, nga Kosova. Por, hijet e përcillnin hapa pas hapi, dhe hetojnë që ai po përgatiste arratinë. Kështu s’bashku me Ibrahim Demollin, Nuhi Gashin dhe Shaban Zhieqin, shkojnë deri në kufirin slloven, në Maribor, por aty kuptojnë se janë të përcjell nga organet e UDB-es, dhe vendosin të kthehen. Por, posa arrijnë në Podujevë, ata arrestohen me 1952, në muajin gusht. Pas kësaj, më 5 shkurt 1953, arrestohet Sabit Kapiti, pastaj Fetah Babatinca. Nga shërbimi ushtarak u burgos Xhafer Meta, ndërsa Jusuf Koliqi, u burgos në konviktin e studentëve në Sarajevë. Të gjithë këta u sollën në burgun e Podujevës, në mars të vitit 1953. Më 24 prill 1954, u burgosë edhe Nexhmi Sejdiu. Kështu u burgosën hiq më pak se dhjetë anëtarë të organizatës.
Atdhetari Shaban Shala, merret në pyetje me 28 gusht 1952. Po ashtu u morë në pyetje edhe me 16 shtator 1952 dhe më 12 e 13 janar 1953. Gjyqi i Qarkut në Prishtinë P.nr. 319/53, nxjerr aktgjykimin, me të cilin Shaban Shala, mësues, i cili ishte në burgun hetues prej datës 28 gusht 1952, deri më 6 qershor 1953, lirohet nga padia. Gjatë procesit gjyqësor, Shabani deklaron se nuk ndjehet fajtor. Nuk pranon se në Maribor kishte shkua për të kaluar kufirin, por ishte në një ekskursion me nxënësit e shkollës. I tërhiqet vërejtja se duhet të ketë kujdes se, po vije në kundërshtim me vetveten, ngase në hetuesi kishte deklarua ndryshe. Shabani deklaron se të gjitha gjërat që i ka thënë në hetuesi, i ka dhënë nën presionin e dhunës dhe se iu është thënë që të përgjigjet në atë mënyrë, por në mungesë të fakteve, ai lirohet pas dhjetë muajve të kaluara në burg.
Gjatë qëndrimit në burg gati prej një viti, Shaban Shalën e kishin torturua dhe malltretua gjatë dhe shumë. Nga aty doli me shëndet të rrënuar dhe u detyrua që të shkoi në spitalin e Nishit e më vonë edhe në Beograd për tu shëruar. Më 1953 e dërgojnë në shërbimin ushtarak, por shëndeti i dobët i tij, i detyron ushtarakët që ta lirojnë nga ushtria. Pasi kthehet nga shërbimi ushtarak, Shabanin e emërojnë si mësues në shumë fshatra të Kosovës, si: në Dabishec e Tugjec të Gallapit.
Atdhetari, Shaban Shala para se të emërohej mësues në fshatin Tugjec, ai edhe më herët kishte krijuar një biografi të pasur patriotike. Krahas punës që bënte me fëmijë, duke e parë mjerimin e madh të popullatës shqiptare pas “çlirimit”, ai e ndjente rëndë robërinë që kishte pllakosë mbi Kosovën. Dhe, me tërë punën dhe aktivitetin që bënte dhe me tërë dashurin e madhe që kishte për atdheun, atij i kishte ngelur vetëm një rrugë. Rrugë e gjatë dhe e mundimshme, që të luftoi edhe në të ardhmen për çlirimin e Kosovës dhe mori për obligim që ta qoi deri në fund amanetin e të parëve që e kishin gjakuar me shekuj. Pas kalimit të tij për të punuar si mësues në fshatrat e Dardanës (ish- Kamenicë), saktësisht në fshatin Tugjec, formon organizatën e re të NDSH-së, në të cilën merrnin pjesë edhe Ali Peci- Boletini, Emrush Bejta nga Perlepnica e Gjilanit, Selim Buzuku e shumë të tjerë. Në aktakuzën e lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Gjilan, me numër K-45/56, thuhej se, ata dënohen për një mori veprash “armiqësore”, për të cilat duhet dënuar pa hezituar. Kësaj radhe do të ndalesha, në procesin gjyqësor që njëherë llogaritej se ishte edhe grupi i fundit i anëtarëve të ONDSH-së, në Anamoravë.
Më 23 qershor të vitit 1956, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan organizohet procesi i njohur gjyqësor ndaj tre personave: Ali Pecit- Boletinit, Emrush Bejtës dhe Selim Buzukut. Por, duhet sqaruar lexuesit, se në kohën kur mbahej procesi gjyqësor, nga grupi i lartë përmendur mungonte Shaban Shala, ngase nga torturat dhe dhuna që ishte përdorur në hetuesi ndaj tij dhe të tjerëve, ata qenë të detyruar që Shabanin ta dërgonin në Spitalin Neuropsikiatrik në Beograd, kjo ishte edhe arsyeja që ai mungon në këtë proces gjyqësor.
Për këtë proces gjyqësor, kryetar i grupit gjykues ishte caktuar Ratomir Paternogiq dhe gjykatësit porotë Svetka Stojanoviq dhe Sllobodan Zhivkoviq, për procesmbajtëse – Zagorka Gruiq. Si zakonisht, siç ndodhte në çdo proces gjyqësor, atdhetaret akuzoheshin se ishin tradhtar të popullit, banda dhe spiun që punonin për llogari të shteteve tjera perëndimore. Këtyre epiteteve, nuk i shpëtoi as grupi i vogël (them i vogël, ngase të arrestuarit, edhe pse u torturuan nuk i zbuluan shokët), që doli në gjykatoren e Gjykatës së Qarkut në Gjilan duke u akuzuar për vepra penale kundër shtetit dhe popullit nga neni 110, pika 1 dhe neni 117, pika 1 e 2 të LPJ. Të gjithë këta, sipas aktgjykimit thuhej se kishin për qëllim rrëzimin me forcë të pushtetit në Jugosllavi, e më vonë, ta bashkonin Kosovën me Shqipërinë.
Të lodhur e të rraskapitur nga torturat e shumta që iu kishin bërë në hetuesi, në bankën e zezë zënë vend:
1. Ali Peci- Boletini, që ishte i lindur më 12 korrik të vitit 1934, në fshatin Zhashë të Mitrovicës, nga babai Xhemail dhe nëna Arife, e lindur Latifi. Ishte i pa martuar me gjendje të dobët ekonomike. Me profesion ishte mësues. Në arrest ndodhej që nga 19 dhjetori 1955.
2. Emrush Bejta, mësues nga fshati Përlepnicë, i lindur më 1934, nga babai Ruzhdi dhe nëna Hyrije e lindur Bilalli. I martuar, babai i një fëmije. Ishte i dënuar edhe më herët, më 1951, për vepër penale me dy vite burg. Ndodhej në paraburgim që nga 27 shkurti 1956.
3. Selim Buzuku, ishte bujk nga fshati Tugjec, rrethi i Gjilanit. I lindur më 1922 nga babai Hasan dhe nëna Rabije e lindur Neziri, analfabet. Më 28 shkurt, forcat e shumta policore e rrethuan shtëpinë dhe e arrestuan.
Të gjithë të arrestuarit ngarkoheshin se, që nga viti 1952, në fshatin Tugjec, deri sa punonin si mësues, kishin filluar të punonin në terren për të formuar një organizatë nacionaliste ilegale shqiptare. Sipas dokumentit thuhej se Ali Peci si një nacionalist i përbetuar, vinte nga një familje patriotike nga Mitrovica, ngase edhe babain, menjëherë pas LDB-së, forcat partizane ia kishin pushkatuar, dhe ishte e natyrshme që ishte i pakënaqur me riokupimin e Kosovës nga ana e Serbisë. Ishte një djalë i ngritur dhe me një kulturë të gjerë. Pas likuidimit të babait, familjen e tij kishin filluar ta përcillnin udbashët. Edhe ai ishte në shënjestër. Nuk ishte i rastësishëm arrestimi i tyre. Emrush Bejta dhe Shaban Shala edhe më herët kishin qenë të burgosur dhe kishin zhvilluar një aktivitet të dendur ilegal. Ndërsa Ali Peci-Boletini, në kohën sa ishte nxënës, me punën e vet tërhoqi vëmendjen e organeve të ndjekjes. Ata e përcillnin hap pas hapi, atë, dhe se kishin informata se ai e urrente dhe nuk u pajtonte dot me sistemin okupues, që kishte katandisur trojet shqiptare, që kishin ngelur pa dashjen e tyre, jashtë kufijve politik të Shqipërisë. Është interesante të veçohet se gjatë tërë shkrimit të aktgjykimit, atij i kushtohet vëmendje e posaçme si sjelljeve po ashtu edhe bashkëpunimit të tij me të tjerët. Kështu, në faqen 4 të dokumentit thuhej se “ai sa ishte nxënës, me një vëmendje të veçantë dëgjonte stacionet e huaja në radio siç ishin: Radio-Parisin, Radio Londrën, Radio Uashingtonin, por rëndësi të madhe i kushtonte stacionit “Shqipëria e Lirë”, që transmetohej nga Italia, që për çdo ditë emetonte lajme për Shqipërinë komuniste, dhe njoftonte opinionin e gjerë se sistemi komunist i instaluar me dhunë, së shpejti do të përmbysej. Sipas të dhënave që dëshmojnë bindshëm, se Ali Peci-Boletini ishte properëndimor dhe u angazhonte për një shtet të mirëfilltë demokratik shqiptar, në kuadrin e secilës do të përfshihej Kosova. Shoqërohej me intelektual të kohës dhe me të gjithë ata që ishin kundër robërisë së shqiptarëve. Pas mbarimit të shkollës, ai, emërohej si mësues në fshatin Tugjec të rrethit të Gjilanit.
Fati e deshi që në këtë fshat të emërohej si mësues edhe një ish i dënuar politik- Shaban Shala, mësues nga Letanci i Podujevës. Më vonë, këtij grupi i bashkëngjitet edhe mësuesi i ri nga Perlepnica e Gjilanit- Emrush Bejta. Takimet dhe bisedat e gjata në mes tyre lindin dhe realizojnë iniciativën që të formonin në nëntor 1954, grupin ilegal, me emrin, siç e quajtën ata “Balli Kombëtar”, që e mendonin si degë të ONDSH-ës. Karakteristik e këtij grupimi ilegal ishte shifra e saj konspirative- SH. SH. SH. F. K. Z, që në zbërthim, do të thoshte “Shlirimi i Shtetit Shqiptar nën Flamurin Kuqë e Zi”.
Në dokumente, më tej thuhej se, grupi ilegal, gjatë veprimtarisë së saj, kishte mbajtur shumë mbledhjet, në të cilat u morën qëndrime të rëndësishme, që bënin fjalë për angazhimin sa më të madh të personave në radhët e saja dhe të venin urgjentisht kontakte me grupe tjera ilegale që vepronin në Kosovë. Detyrë primare që kishin vu para vetes ishte edhe kontakti sa më i shpejt me kreun e “Ballit Kombëtar” që vepronte në Itali. Ilegalistët e grupit, veç që mbanin takime në dhomat e njëri tjetrit, ata për të humbur gjurmë nga organet e ndjekjes, organizuan një takim, që ta mbanin në tren që udhëtonte në relacionin Kaçanik- Shkup. Në atë mbledhje që u mbajt më 3. IV. 1955, në mes shumë vendimeve që morën, ata kishin caktuar edhe pseudonimet për punë sa më të suksesshme konspirative. Ali Peci në këtë takim kishte marr pseudonimin “Ylli”, Emrush Bejta kishte marr pseudonimin “Sokoli”, ndërsa Shaban Shala kishte marr pseudonimin “Soda”. Ndërsa, me rastin e korrespodencës, zakonisht në qoshe të letrës, shënonin shifrën “SH. SH. SH. F. K. Z.”, me qëllim që të mos harronin se për çfarë ideje e qëllimi bëjnë luftën.
Më vonë, gjatë punës në terren, ata hetojnë se veprimtaria e tyre ilegale kishte fillua të përcillet. Në bisedë e sipër shokët Ali Pecit i propozojnë që të largohet nga vendi. Dy herë gjatë veprimtarisë së vet ilegale ai kishte tentuar që të largohej, por e kishte hetua se ishte i zbuluar nga organet e sigurimit jugosllav, dhe kishte qenë i detyruar që të heq dorë. Herën e parë kishte tentuar në muajin korrik, 1954, së bashku me Selim Buzukun kishin tentuar që të iknin ilegalisht për Austri, por kishin dështuar. Pastaj më 18.12.1955, kishin tentuar që të iknin për në Shqipëri dhe përsëri dështojnë.
Në grupimin ilegal ishte i angazhuar edhe fshatari nga Tugjeci, Selim Buzuku. Angazhimi i Selim Buzukut ishte një shans edhe më e mirë për grupin, ngase ai ishte anëtarë i Partisë Komuniste dhe këshilltar i Këshillit Popullor në komunë, dhe çdo informatë që vinte nga pushteti e partia ishte i mirëseardhur për ta. Informatat nuk mungonin nga Selimi i cili me vëmendjen më të madhe përcillte ngjarjet në komunë e më gjerë. Në procesin e grupit të quajtur të “Ballit Kombëtar, Emrush Bejta akuzohej se në nëntor të vitit 1954, bëhet anëtar i saj, i cili me kënaqësi pranon programin dhe detyrat që i caktohen nga ana e organizatës dhe gjatë tërë kohës ishte shumë aktivë në punën e saj në terren.
Ndërsa, anëtar i tretë- Selim Buzuku, akuzohej se kishte marr pjesë në formimin e organizatës, dhe gjatë tërë kohës ishte aktivë dhe sillte informata të rëndësishme që i merrte si anëtarë i PKJ-së dhe si këshilltar që ishte. Merr pjesë rregullisht në mbledhjet e grupit dhe me fjalët e tija bindëse kishte angazhuar shumë fshatar në radhët e grupit. Kurse, në korrik të vitit 1954, së bashku me Ali Pecin kishin tentuar që të iknin ilegalisht për Austri .
Duke u bazuar në këto të dhëna dhe sipas aktgjykimit me numër K-45/56, më datën 13 shtator 1956, Gjykata e Qarkut në Gjilan shpall fajtor dhe i dënon me këto vite burgu, këta atdhetar: Ali Peci, u dëbnua me 8 vjet burg. Emrush Bejta, u dënua me 2 vjet burg dhe Selim Buzuku, me 3 vjet burg. Shaban Shalën më vonë, e dënojnë me 4 vite burg. Kalvari i jetës së patriotit vazhdon edhe pas daljes nga burgu. Përsëri punon për çështje atdhetare, por përsëri zbulohet dhe përsëri bie në burg. Në bisedë me shokët e idealit, Shabani ishte i vetëdijshëm se një ditë do ta likuidonin edhe fizikisht udbashët, por nuk mërzitej. Ai, ishte i gatshëm që të flijohej për atdheun, vetëm e vetëm që ti bëhej e ditur botës se shqiptarët nuk janë të kënaqur me okupimin e ri.
Më 27 shtator 1962, Shaban Shala përsëri burgoset për herë të tretë. Kësaj here u burgos bashkë me Faik Mehmetin, Ali Pecin, Mustaf Kikaj, Sadik Malokun dhe veprimtar të tjerë. Shumë dëshmitar dëshmojnë se Shaban Shalen e torturuan keq në burgun e Prishtinës. Hyrije Hana, dëshmitare, thoshte se Shabanin e mbytën duke e rrahur, ndërsa ai brohoriste “Rroftë Shqipëria Etnike! Rroftë liria! Poshtë klika e Titos dhe e Rankoviqit”. Shaban Shala gjithmonë kishte thënë në bisedë me shok se “Robëria është më e rëndë se vdekja… Nuk jam as i pari, as i fundit në radhën e qindra veprimtarëve që rezistojnë për lirinë e popullit shqiptar…”
Parandjenja e tij doli e saktë. Më 1962, Shabani përsëri arrestohet vet i 18-ti, dhe me këtë rast dënohej me 2 vjet burg, por një ditë para se të lirohej, më 20 janar 1963, ndaj atij u aplikua një torturë ç ‘njerëzore. Atdhetarin e madh Shaban Shalen e mbytën në burg dhe vdiq nga torturat më 20 janar 1963. Kur anëtarët e familjes shkojnë për ta pritur, ata, udbashët i njoftojnë familjaret se, ai- Shabani, po atë natë kishte vdekur nga një sëmundje e rëndë. Por, populli shqiptar nuk ishte aq naiv sa të besonte në broçkullat e okupuesit. Shaban Shala u varros në Letanc me nderimet më të thella nga populli i tij.
Literatura:
ASHAK, Dosja Emrush Bejta, Aktgjykimi K-45/56, Gjykata e Qarkut –Gjilan.
ASHAK, Aktgjykimi i grupit të Gjilanit, K-45/56, Arkivi privat i Emrush Bejtës.
Shaban Shala- njeriu që u flijua për gjuhë e flamur, “Epoka e Re”, 17 shkurt 2007, f. 13.
Fehmi Pushkolli, Llapi gjatë historisë, Prishtinë 1998, f. 265.
https://www.radiokosovaelire.com/sabile-kecmezi-basha-shaban-shala-1933-1963/
https://sq.wikipedia.org/wiki/Shaban_Shala
https://shkollashabanshala.weebly.com/historiku.html
https://www.scribd.com/doc/51254427/SHABAN-SHALA-I-FLAMURITKOMBETAR
https://gazetablic.com/kurti-kujton-mesuesin-patriot-shaban-shala-tregon-fjalet-e-tij-te-fundit/
https://pashtriku.org/drjakup-krasniqi-shaban-shala-hero-e-flamurtar-i-lirise-1933-1963/
https://www.zemrashqiptare.net/news/26636/shaban-shala-i-betuemi-per-atdhe.html
https://www.llapi.info/kush-ishte-shaban-shala/
https://www.zemrashqiptare.net/news/41560/sabile-basha-kujtojma-atdhetarin-emrush-bejta.html

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok