02/12/2024

HALIM ORANA- PRIVILEGJ TË VDESËSH PËR VENDIN TËND (1914- u pushkatua  në prill 1948)

0
Halim-Orana

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Atdhetar e intelektual i madh nga Gjilani, Halim Orana u lind më 1914 në Gjilan. Shkollën fillore e kreu në vendlindja, ndërsa të Mesmen Normalen në Shkup. Ishte njëri ndër të rrallë intelektualë që në kohën e Jugosllavisë monarkiste e kreu Shkollën Normale dhe karrierën e mësuesisë, ai e filloi në shkollat me mësim në gjuhën serbe. Megjithatë, fshehtas nxënësve shqiptarë, ai ua mësonte edhe gjuhën shqipe. Par luftës shërbeu mësues në rrethin e Gjilanit, në Tankosiq, Kabash e mese të tjera. Gjatë L.D.B. u emërua ambasador i shtetit  shqiptar në shtetin e pavarur kroat në Zagreb. Ishte në kontakt me Lëvizjen gjithë myslimane dhe gjithë kroate për shkëputjen e Kosovës, Bosnjës e Kroacisë nga shteti jugosllav i Beogradit. Qysh herët kishte fillua të merrej me çështjet politike dhe me problemet që e rëndonin popullin shqiptarë.  Menjëherë pas tradhtisë së madhe që iu bë Kosovës më 1945, angazhohej në LNDSH. Ishte kryetar i Komitetit Qendror të NDSH-së, në Shkup. Më 1 qershor me iniciativën e tij u thirr mbajtja e Kongresit të Katërt të NDSH-së që u mbajt po në këtë qytet. Komiteti Qendror i LNDSH-së në Shkup u formua në prill të vitit 1945 dhe veprimtarin e vet e zhvilloi edhe në Kosovë dhe Maqedoni. Ky Komitet pati jetë veprimi më të gjatë se KQ i LNDSH-së në Prizren, përkatësisht deri më 1946, kur edhe u zbulua veprimtaria e tij. Gjatë tërë kohës komiteti i Shkupit ishte shumë aktiv ngase mbante lidhje edhe me përfaqësuesit e huaj në Shkup si me përfaqësitë angleze, amerikane, franceze, turke etj. S’ka dyshim se rol me rëndësi të veçantë në KQ të Shkupit patën Gjon Serreqi  dhe gjilanasit si Halim Orana, Hamdi Berisha e Haki Sermaxhaj etj.

Nga ky kongres doli një udhëheqësi e re e NDSH-së. Kryetar u zgjodh patrioti dhe veprimtari i dalluar Halim Orana nga Gjilani, Qemajl Skenderi u zgjodh zëvendës-kryetar dhe Azem Morana, sekretar i organizatës, ndërsa anëtarë të KQ të NDSH-së u propozuan dhe u zgjodhën Hamdi Berisha, Mehmet Bushi, Hysen Rudi, Januz Balla, Mahmut Dumani, Hasan Bilalli, Haki Efendi Sermaxhaj, Osman Cani dhe Mitat Tershana. Kongresin e kishte përshëndetur edhe Luan Gashi. Që kastile kishte ardhur nga Perugji i Italisë dhe në atë kohë ishte sekretar i Komitetit të Ballit Kombëtar. Kongresi gjatë punës që zhvilloi, miratoi një serë dokumentesh që më vonë patën një rëndësi të madhe historike. Delegatët me aklamacion miratuan “Skemën e organizimit” dhe “Programin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare”. Në kongres vlen të përmendim se mirënjohje e veçantë për punën dhe hartimin e dokumenteve iu shpreh Halim Oranës, sepse pa angazhimin e tij puna e kongresit do të ishte më e zbehtë dhe jo në nivelin e duhur.

Qysh në fillim të vitit 1946, me gjithë angazhimin e forcave të mëdha ushtarake dhe organeve të ndjekjes, me gjithë dhunën, vrasjet, burgosjet, aktiviteti politiko-ushtarak i Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare antijugosllave jo vetëm që nuk u shua, por përkundrazi, vazhdoi luftën për lirimin e tokave shqiptare në kushte të reja të riorganizimit. U zgjerua rrjeti organizativ i KQ të ONDSH-së, në Shkup, me formimin e komiteteve të reja në Kosovë e Maqedoni, duke u shndërruar në lëvizje masive. Duhet cekur se edhe vet krerët e OZN-së u detyruan të pranonin se atëbotë në kuadër të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare antijugosllave, të udhëhequr nga KQ i ONDSH-së, vepronin mbi 30.000 mijë veta, ushtar, ndihmëtarë e bashkëluftëtarë, pra anëtarë aktiv, të organizuar në 54 komitetet dhe njësi të shumta guerile në territoret shqiptare nën okupimin jugosllav.

Qëndrimi ishte që të gjitha komitete nuk do të kenë lidhje as me Zogun, as me Fan Nolin. Këto komitete do të jenë thjesht Nacional Demokratike Shqiptare. Dhe, nga ky kongres doli kërkesa që sa më shpejt të thirret dhe të organizohet mbajtja e kongresit të pestë e NDSH-së. i cili duhej të mbahej në një vend ku mund të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare, me qëllim që të merret një vendim i përbashkët për një kryengritje të përgjithshme shqiptare. Halim Orana përsëri do t’i mbante lidhjet me jashtë përmes Zagrebit, kurse prof. Ymer Berisha kishte vënë lidhje me misionarin anglez në Tiranë, Hadson, përmes të cilit përpiqej ta bindë Anglinë për t’i ndihmuar shqiptarët në rast të një kryengritje të përgjithshme. Me angazhimin e tij u formuan shumë komitete të NDSH-së në Maqedoni , po ashtu edhe në Kosovë. Nga viti 1945- 1947 në shënjestër të organeve të UDB-së ishin anëtarët e organizatave ilegale, si asaj Nacional Demokratike Shqiptare, anëtarët e Besës Kombëtare dhe të organizatave të tjera. Vlen të përmendet se gjatë viteve 1946 dhe 1947 vetëm në dhjetë vjetët e parë ishte numri më i madh i të burgosurve politikë në Kosovë. Një fushatë tjetër arrestimesh ndërmerret gjatë viteve 1948-1953, gjatë kohës së informbyrosë, kur shqiptaret dëno­heshin ama për çdo gjë, por edhe si përkrahës të politikës së Shqipërisë dhe të Moskës zyrtare.

Politika antishqiptare që u ndoq gjatë gjithë kohës nga krerët jugos­lla­vë, forcoi urrejtjen e popullit, mbajti ndezur zjarrin e luftës për liri e të drej­ta politike dhe për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Shqiptaret nën oku­pi­­min jugosllav gjithnjë e më shumë u organizuan dhe u ngritën kun­dër pa­drejtësive të shumta që u bëheshin në të gjitha fushat e jetës po­li­ti­ke, eko­nomike, kulturore etj.

Rol të rëndësishëm në këtë drejtim, që dhe është e logjikshme, ka lua­j­tur elementi më përparimtar dhe më demokratik: rinia dhe inteligjen­cia shqip­­tare, që zënë një vend të veçantë në mbajtjen gjallë të patriotizmit të mirë­­f­illtë në këto troje. Më 10 shkurt 1947 zbulohet veprimtaria e KQ të NDSH-së dhe e vet Halim Oranës nga organet e OZN-ës. Halim Orana arrestohej në Zagreb për të dytën here. Pas një kohe u dërgua në Beograd, i identifikuar tash si udhëheqësi kryesor i LNDSH-s. Pas arrestimit të Oranës, OZN-a merr një fushat të madhe ndaj familjes Orana, duke përdorur të gjitha llojet e presionit dhe të torturës ndaj familjarëve të tij. I burgos vëllain  Xhelal Oranën, që ishte nxënës i gjimnazit në Prishtinë, të cilin më vonë e lirojnë, por më kaq nuk merr fund presioni ndaj tyre. Pas një kohe, të dy vëllezërit (Xhelalin e Nexhatin ) i përjashtojnë nga gjimnazi i Prishtinës. Familjarët e Halimit malltretoheshin, edhe pse nuk kishin asnjë informatë se ku gjendej vëllai i tyre.

Një numër i konsideruar i të dënuarve politikë shqiptarë u ndësh­ku­an jashtë Kosove, respektivisht në gjykata të ndryshme anekënd Ju­go­slla­visë menjëherë pas mbarimit të luftës, kur edhe merret qëndrim shte­të­ror për asgjësimin dhe burgosjen e elementit “armiqësor”. Janë të njohura pro­ceset gjyqësore që u organizuan në Shkup kundër anëtarëve të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, (Procesi i Azem Idriz Mo­ranës me shokë), me ç ‘rast u shqiptuan dënime me shumë vite burgimi dhe me pushkatim. Katër veta u dënuan me pushkatim, ndërsa 15 të tjerë me nga 2 deri 20 vjet burgim të rëndë. Raste të ngjashme pati në Gjilan ku  para trupit gjykues dolën hiq më pak se 37 veta, nga të cilët 32 veta u dënuan si “fajtor” dhe 5 veta nga këta u lëshuan nga burgu si të pafajshëm. Një nga këta u dënua me pushkatim-Hamdi Berisha, ndërsa për 31 veta u shqiptuan 427 vjet burg. Me të madhe ndaj të arrestuarve të këtij grupi gjatë hetuesisë kërkohej të tregonin çfarë dinin për Halim Oranën.

Shtypi i Beogradit për të dezinformonte opinionin për Halim Oranën, trumbetonte se ai kishte ikur jashtë Jugosllavisë. Pas disa muajve, fati e deshi që njëri nga të burgosurit shqiptar që ishte në burgun e Beogradit, kupton se në këtë burg ndodhej Halim Orana. Ai duke e ditur për dezinformatat që qarkullonin, iu shkruan një letër familjarëve të Oranës dhe nëpër mes të familjarëve të vet iu dërgon në Gjilan. Rrezik i madh ishte ndërmarrja e të burgosurit për informimin e familjarëve, por duke e ditur rolin dhe rendësin e veprimtarisë së Halim Oranës, ai e merr edhe këtë rrezik. Në letër iu shkruante se Halim Orana është në burgun ushtarak të Beogradit i quajtur “Centrallni zatvor”, rr. “Deligradska”, nr. 40. Pas kësaj informate, familjarët e vizitojnë disa herë Halimin në burgun e Beogradit.

Një ditë të kobshme kur familjarët shkojnë për ta vizituar, gardiani në hyrje iu thotë se Halim Orana është pushkatuar. Ishte muaji prill, i vitit 1948. Familjarët mbetën të shtangun. Kërkuan kufomën e tij, por nuk iu dhanë duke iu thënë se është e ndaluar me ligjet e Jugosllavisë. Llogaritej se në kohën kur u pushkatua, Halimi i kishte vetëm 33 vjet. Data e saktë e ekzekutimit me pushkatimit nuk dihet. Por një gjë është e sigurt se pas burgosjes dhe me procedurë të shpejt dënohet me vdekje me ç ‘rast edhe pushkatohet në burgun ushtarak në Beograd. Halim Orana u pushkatua ngase kurrë nuk u pajtua me robërinë, ai u angazhua pa kursyer asgjë vetëm e vetëm që një ditë Kosova e tokat shqiptare të jenë të lira dhe të jetë aty , ku e kishte vendin. Dhe krejt në fund, mund të themi, se Halim Orana me shokët e idealet, me guximin dhe luftën e pa kompromis që zhvilloi nëpër vite, i trandi në mënyrë të furishme organet e ndjekjes që vepronin në Kosovë por edhe të ish- Jugosllavisë. Andaj lufta me okupatorin, i siguroi edhe një vdekje prej heroi, ashtu edhe siç iu kishte hije patriotëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok