27/04/2024

MULLA IDRIZ GJILANI (1901- e djegin më 2.12.1949)

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

“Kemi tri fe, por kemi vetëm një Atdhe… një gjak, një gjuhë një diell e një Zot. … Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e Atdheut…”

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Mulla Idriz Velekinca (Gjilani), lindi në Velekincë, të Gjilanit, më 4 qershor të vitit 1901. Mësimet fillestare i ndoqi në mejtepin e Cërnicës të Gjilanit (1911), shkollën e mesme e mbaroi në medresenë “Atik” në Gjilan, ku dhe diplomoi më 1926. Në moshën 25 vjeçare bëhet imam dhe merr titullin “Mulla”. Shërbeu si Imamit në Karadak e në Hogosht të Dardanës. Më 1941 u zgjodh në postin e bashkë- ligjëruesit të Kuvendit fetar-arsimor të Vakëfit të Shkupit. Në edukimin e tij si fetar e atdhetar, ai u nis nga ky parim se ne shqiptaret : “Kemi tri fe, por kemi vetëm një Atdhe… një gjak, një gjuhë një diell e një Zot. … Detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e Atdheut…” Gjatë kohës që shërbente si hoxhë  zhvilloi një veprimtari intensive në fushën e edukimit fetar me frymë atdhetare. Hapi mejtepin e Pidiçit për mësimin e djemve dhe të vajzave, organizoi ilegalisht mësimin e shkrim-leximit me alfabetin e gjuhës shqipe, futi mësimin shqip në medresenë “Atik”, ushqeu mirëkuptimin dhe bashkëpunimin vëllazëror me bazë kombëtare shqiptare në popullsinë myslimane-katolike të zonës së Karadakut. Në prill të vitit 1937, në  ilegalitet të thellë, themeloi në Arllat të Drenicës                  Organizatën e Rinisë Përparimtare “Drita” të Kosovës. Aktivitetet e tij fetare nuk dalloheshin nga ato atdhetare e humane. Mulla Idrizi ishte kundër shpërnguljes së shqiptarëve. Mulla Idrizi printe në aksionet për ndërtimin e urave, rrugëve, krojeve, mejtepeve, xhamive, mirëmbajtjes së varrezave, të cilat i shikonte si mjete dëshmues të bashkimit të popullsisë shqiptare. Uniforma e ndihmoi për të maskuar aktivitetin e tij patriotik. Në kohën kur Mulla Idriz Gjilani ushtronte detyrën e ligjëruesit numri i nxënësve të  “Atik medresesë”  të Gjilanit arriti në 734, nga të cilët 326 ishin femra. Po ashtu i organizoi shkollat lëvizëse me mësues shëtitës. Vetëm në zonën e Gjilanit u hapën 39 shkolla të tilla fetare, që zgjuan te brezi i ri ndjenjat fetare dhe ndërgjegjen kombëtare.

Nga prilli 1941 Mulla Idrizi, iu kushtua plotësisht veprimtarisë politike. Ai luftoi për unitetin territorial të trevave shqiptare, luftoi kundër gjenocidit serb e bullgar, kundër komunizmit. Në qershor të 1944 -ës drejtoi betejën e Kikës, ku doli fitimtarë. Veprimtaria e Mulla Idriz Gjilanit është heroike. E tillë është edhe periudha 1944-1949 dhe kallja e tij në zjarr më datën e 2 dhjetor 1949. Mulla Idrizi njihej edhe si intelektual që fliste disa gjuhë të huaja dhe gjatë asaj periudhe kishte botua disa punime fetare-shkencore.

Pas sulmit në Gjilan, që u bë pa pëlqimin e Mulla Idrisit, ai strehohet në fshatin Tugjec e pastaj te familja patriotike Sadiku në Gjyrishec. Aty qëndroi pesë vjet me popullin dhe në kontakt të përhershëm me Lëvizjen e Rezistencës. Një ditë, pas shumë kërkimesh, zbulohet dhe arrestohet në natën e 22-23 nëntorit 1949. Lajmi për arrestimin e Mulla Idrizit u përhap me shpejtësi. Gjatë kohës së kaluar në hetuesi, Mulla Idrizi përjetoi torturat më të tmerrshme, por s`u dorëzua.  Në vazhdim do ceki një informacion nga dokumenti i Ministrisë së Punëve të Brendshme të RFPJ,  për rrethin e Gjilanit, ashtu siç e ka lëshua Arkivi Regjional i Gjilanit. Dokumenti është i lëshuar me 3 dhjetor të vitit 1949 dhe mban numrin 887, Gjilan. Në dokument nuk shkruan fare se kur është arrestuar dhe kur ka përfunduar burgu. Në vazhdim thuhej se është hapur hetuesia penale  me burgim hetues (është caktuar burgimi) me vendimin e Prokurorit Publik të Rrethit të Gjilanit,  me vendim të lëshuar me 26 Nëntori 1949, çka dëshmohet se Mulla Idrizi është arrestua me 26 nëntor, dhe dokumenti mbanë po këtë datë (26 nëntor), me nr. 18/49, me dyshimin se ka kryer vepër penale, sipas nenit 3, pika 3 dhe 8, të Ligjit penal të RFPJ. Pasi se gjatë hetuesisë, respektivisht me ditën e 2 Dhjetorit 1949, ka bërë “vetëvrasje” e ka “kall veten” (sipas UDB-es), andaj ata propozojnë që të ndërpritet burgu hetues dhe hetuesia  e mëtejshme. Krejt këtë material e kishte nënshkrua organi i autorizuar, Dragi Popoviqi.

Pra, duke e lexuar dokumentin, pa dashur të kap frika, athua vallë sa e sa falsifikime janë bërë në dokumentet ndaj shqiptarëve të cilat përdorën pa ditë se prapaskenat e tyre ishin skandaloze e të tmerrshme.  Dhe dokumenti i zbuluar, megjithatë, ishte një lajm i mirë, që na ofron një të dhënë  të rëndësishme historiografike për kohën e arrestimit dhe gjithashtu edhe për likuidimin e tij, ngase ekziston një e dhënë sado e falsifikuar të jetë, por besoi se dita e arrestimit dhe e djegies së Mulla Idrizit duhet të jenë të sakta, ngase këto data nuk kanë pasur ndonjë peshë për udbashët. Ndërsa për mua si historiane dhe që jam ballafaqua goxha shumë me dokumente “top sekret”, nuk besoi dhe se jam shumë e bindur në falsifikimin e të dhënave për “vetë djegien” e Mulla Idrizit, ngase monstruoziteti dhe falsifikimi i udbashve ka qenë dhe vazhdon të jetë specialitet i tyre. Megjithatë, besoi, se sido që të jetë, ky dokument do të ketë rendësin e vet për opinionin e gjerë dhe në veçanti nga komuniteti i historianëve, ngase jeta e vepra e Mulla Idrizit do të jetë më e plotënume dhe është e lidhur ngushtë me ndriçimin e historisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të popullit të saj në Kosovë e më gjerë. Ishte krejt normale që pushtetarët e hetuan një rrezatim të patriotit të shquar dhe ndien rrezikun nga ai. Shpejtuan ta asgjësonin  Mulla Idriz Gjilanin, sepse ai asnjëherë nuk deshi të bie në duart e tyre të pista, të bashkëpunonte me ta, të shpifte, t’i jepte shokët, të tjetërsohej dhe asnjëherë nuk pranoi ta mohonte veten. Çka është e vërteta atdhetari jetoi shkurt, por në këtë hark kohor veproi bujshëm e me guxim duke e tmerruar armikun shekullor. Dhe duhet shtuar se mu kjo, ndikoi që të tërhiqte vëmendjen e pushtetarëve e spiunëve, ndaj ndjekjet e vazhdueshme të okupuesit u bënë një me të, derisa edhe e arrestuan. Pushtetarët e ndienin dhe e nuhasnin rrezikun nga veprimtaria e Mulla Idrizit. E ajo frikë nga ai ishte e madhe… shumë e madhe… Kosova pas riokupimit më 1945,  ishte fuçi baroti, së cilës i mungonte vetëm një fije shkrepëse për ta ndezur Ballkanin. Prandaj, ishte krejt e natyrshme që ata, shtuan represaliet e dhunën ndaj shqiptarëve, vetëm e vetëm për ta zbuluar se ku fshihej patrioti -Mulla Idrizi. Shekuj luftimesh bënë shqiptarët e shumtë, vetëm e vetëm pse gjakonin lirinë. Një fat të tillë e pati edhe Mulla Idriz Gjilani, i cili në  veprimtarin e vet na shfaqet e na rishfaqet në një pamje shumëdimensionale: si hoxhë, si vizionar, si realist, si atdhetar i devotshëm i çështjes kombëtare, si diplomat e përfaqësues politik i shqiptarëve në shumë tubime kombëtare e ndërkombëtare, si njeri i patjetërsueshëm dhe si luftëtar i madh i lirisë, që një ditë, jo të largët, gjakonte për ta bërë e për të parë Kosovën në gjirin e shtetit amë.

E pikërisht, për këtë luftë që zhvilloi, ai u detyrua të qëndronte pesë vite në sarkofagun me madhësi 80X397X220 cm. pa u takuar me askënd dhe pa e ditur as familjarët e ngushtë të tij.  Pa dashur të imponohet se fati i këtij atdhetari duket sikur vjen thellë nga kohët, por me një ndryshim të vockël, se jeta e tij ishte trinom me guximin, lirinë dhe vuajtjen. Duhet shtuar edhe këtë se Mulla Idrizi, pas vdekjeve të dy bashkëshorteve te para, ai u martua për herën e tretë me Hatixhe Rexhepin nga Gjilani, me të cilën pati tre fëmijë: vajzën Eminen, dhe dy djem: Musanë dhe Isanë. Gruaja e Mulla Idrizit jo që ishte bashkëshorte e devotshme e tij, por ishte edhe shoqe e idealeve, që e përkrahu pa rezervë në të gjitha ndeshtrashat e jetës. Ose thënë më ndryshe, jo vetëm që e përkrahu, por në momente të caktuara diti edhe ta nxiste, duke i dhënë kurajë për rrugën e filluar. Për këtë dëshmon edhe e dhëna që edhe pas shumë mundimeve e peripecive që kishte pësua nga udbashët, ajo kurrë nuk foli dhe nuk tregoi se ku ndodhej burri i saj. Përkrahja e saj  kishte një domethënie të madhe për luftëtarin, se edhe në momente të rënda të jetës i jepte zemër për qëndresë dhe për  ditët që vinin.

Duke shkruar, hulumtuar dhe analizuar jetën e veprën e Mulla Idrizit, vizioni i tij, në të shumtën e rasteve, na del jashtë kornizave të kohës, dhe në mënyrë ciklike vjen dhe na i kujton ngjarjet e shumta nga një kohë jo shumë e largët, kur kujtimet janë të freskëta dhe në momente lufta e madh i tij të bëhet më e rëndësishëm se çdo gjë tjetër në jetët tona. Sepse Mulla Idrizi ishte dhe mbeti një figurë e madhe, e dashur, me një natyrë kryengritëse, guximtar deri në vetë sakrificë. Në të njëjtën kohë ishte popullor, me një aktivitet e kontribut të spikatur në dobi të çështjes kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok