28/04/2024

Fara e tradhtisë

0

Nga Ndue Ukaj

Shekujt e dominimi të errët dhe përçarës – thonte Ernest Koliqi – kishin mbjellun në shpirtin e kombit shqiptar farën e tradhtisë që e brente dhe e shkatërronte ndjenjën mbi origjinën e përbashkët, përkatësisht vëllazërimin.

Me gjasë kjo farë është problemi ynë më madhor dhe prej tij rrjedhin të gjitha tjerat.

Është kjo farë ajo aë po e bren dhe po e shkatërron lidhjen tonë me perëndimin, por edhe raportet ndërmjet nesh.

Krejt këto marrinat tona të kohëve të fundit, s’kanë kurgja të bëjnë me vlera politike e patriotike, por qartësisht janë rredhojë e çarejve të mëdha kulturore dhe krizave të thella identitare, më qartësisht farës së tradhëtisë për çka shkruante kthjellët Koliqi.

Pra, kjo farë tashmë i ka përndezë censorët kundër perëndimit e të cilët po punojnë pa pra e në shumë fusha.

Nëse s’ kthjellemi, ka rrezik që një ditë kur të zgjohemi prej kësaj letargjie, gjërat të kenë marrë rrjedhë të pakthyeshme. Për kopetë politike e besa edhe disa të sferave të tjera natyrsisht kurrë s’bëhet vonë, ato me lehtësi i ndërrojnë kahet.

_______

Një shoqëri që ushqehet me deklarata politike e deklaratat politike i kthehen në parulla e ushqim të përditshëm, ajo shoqëri ka probleme serioze me shëndetin e vet.

E në fakt, ka kohë që një pjesë e shoqërisë sonë, burim të vetëm të ushqimit mendor e shpirtëror i ka deklaratat politike, pas të cilave magjepset, si të ishin kryevepra arti- kjo pjesë e shoqërisë i gëlltit aq shpejt këto paçavure sa shpesh u ngelin në fyt.

Njerëz, prej deklaratave koti s’ka asnjë fryt, ato janë turfullime sa për sy e faqe, pas të cilave vjen realiteti.

E realiteti ynë politik është tepër i vështirë.

Sepse ne udhëhiqemi prej sharlatanëve.

Kosova është nën sanksione të perëndimit dhe kjo duhet ta tronditë secilin njeri të këtij vendi – krejt tjerat janë broçkulla.

Efekti i vetëm i deklaratave është ekzaltimi i disa tutkunëve që mezi presin momente të tilla sa për me ushtru gurmazin duke e mbrojtë kryeministrin.

Një kryeministër, cilido qoftë ai, krejt fjalët e botës nuk mund ta mbrojnë nëse ai prapa vetes s’ka vepra të vërteta e punë të dukshme.

Ky i yni veç vepra të mira s’ka.

Deklarata pafund, duke treguar natë e ditë sa të këqij janë tjerët e asnjëherë sa i mirë është vetë.

Dhe pastaj, pas çdo dështimi, një justifikim.

Ç’shkollë mjerane!

_______

Përvetësimi obsesiv e gati kolektiv i debateve si ky i sotmi për Rita Orën dhe flamurin serb, tregon vërtet batakun ku është katandisë shoqëria jonë, dhe në një dimension tjetër, shpërfaq krizën tonë më të rëndë  e më serioze, atë identitare – krizën e njeriut të cilin navigatorët e ndryshëm ia ndërrojnë lehtësisht mendjen dhe e çojnë kah të duan.

Patriotët e rremë zakonisht kërkojnë situata të tilla që të dalin në sipërfaqe e  të shprazin bataretë e tyre të urrejtjes.

Por fuqia me urrejtë kundërshtarin e flamurin e tij, kurrë nuk të bën patriot, as nuk të ndihmon të krijosh vepra të mira për veten e vendin tënd.

Sikur i gjithë ky obsesion kolektiv të kthehej në dashuri të vërtetë për vendin tonë, për vlerat tona kulturore, për personalitet me vleftë e veprat përfaqësuese, me siguri shumë anomali tona do t’i kishim kuruar më shpejtë dhe budallallaku ynë do të ishte pakësuar.

Kështu siç po sillemi, veç një gjë e kemi të sigurtë: mbi qiellin tonë po e rrisim përditë e më shumë përmasën e flamurit të marrëzisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok