14/12/2024

NDERIMI I BEKTASH PETOSHATIT DHE AMANETI I TIJ PËR DETIN

0
Bektash-Petoshati

Nga Albert HABAZAJ

Nderim

Në këtë kohë ende të paqartë, kur qan Shqipëria se ikin shqiptarët e kur përcillet një meteor nga shtëpia, qajnë familjarët, vlen më shumë që ne ta shikojmë njëri-tjetrin në sy, ta duam si familjarin tonë të mirë edhe atë që nuk e kemi gjak, të japim e të marrim më shumë dashuri me njëri-tjetrin, siç bëjnë zogjtë e lirë hapësirave të qiellit. As sa zogjtë… Ç’mesazhe na japin!…

Ndër ne, në pikëllime përcjelljesh, njerërit ndajmë dhimbjen e lotët bashkë, dhe me kurajë qëndrojnë të fortë në hallin që i ka zënë, por patjetër edhe për ta vijuar Udhtimin e jetës po aq denjësisht sa më parë kur e kishin njeriun e tyre …

Fluturoi zgalemi…

Iku Bektash Petoshati, ushtarak i lartë karriere, që ka lënë gjurmë nderi e dinjiteti në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, një oficer detar profesionalisht i përgatitur dhe atdhetarisht i përkushtuar, një emër shumë i njohur dhe i vlerësuar në Vlorë, në Durrës, Tiranë, jo më pak edhe jashtë shtetit, atje ku e kërkonte përgjegjsia e detyrës apo e lidhte puna si teknicien dhe i dëgjohej me vëmendje fjala e saktë dhe me peshë. Ç’lajm i trishtë e humbje e parakohshme. Ishte shumë herët për të. Vetëm 65 vjeç. Qe një njeri me shumë vlera si qytetar e njeri. Fjalë të mira dëgjojmë përgjithësisht për çdo njeri që largohet nga jeta, por unë e them sinqerisht, se ashtu ka qenë: korrekt, shembull, i zoti. Ai njihej nga qytetarët si komandant i nëndetseve, ndërsa nga kolegët si  oficer detar profesionalist, ekspert i deteve, specialist i zoti dhe i guximshëm që dha mendime teknike konstruktive që i shërbejnë Çështejs së Detit, temës shumë të nxehtë me Greqinë. Aso kohe zëvendëskomandant i Forcave Detare, anëtar i grupit të parë ndërinstitucional të ngritur nga Kryeministri me përfaqësues të ministrive kryesore dhe i larguar pakuptueshmërisht nga grupi i punës për paktin detar me Greqinë, sepse, si një ndër negociatorët më kontretë të ekipit, me të drejtë nuk firmosi relacionin…

Na iku një mik i mirë dhe qytetar model, mua edhe një shok i vjetër, ish-skënderbegas, njohur në Tiranë qysh në vitet 1975 e në vijim. Ç’kujtime e mbresa që më vijnë si vegime, kur më vjen para syve ai skënderbegasi me ëndrra të kaltra, ai student i bukur dhe i pashëm, shembullori i Shkollës së Marinës. Eee… Takoj e ngushëlloj një nga njerëzit më të afërt të tij, mikeshën time të penës, poeten, përkthyesen dhe gazetaren Laureta Petoshati. Pasi mora përsipër nëpër lotë të shkruaj dy fjalë për jetën dhe veprën që la Bektashi, e cila u vërejt edhe në atë përcjellje aq madhështore që iu bë në vendorigjinën e tij në Dukat, Lau më thotë: “Na e copëtoi zemrën. E vetmja betejë që humbi… Qenka e vështirë të shkruash fjalë lamtumire për këdo, aq më tepër për njeriun që ke njohur nga afër, por të gjithë  e dimë se vdekja është e pashmangshme dhe përderisa ajo është larg, askush nuk mendon për të. Rrjedhimisht askush nuk është i përgatitur ta presë” … Fluturoi zgalemi, por la pas amanetin e furtunës detare për Marrëveshjen Detare me Greqinë, shelfin kontinental me fqinjin jugor.

Nëpër piketat e dukshme jetëshkrimore

Nuk kam ndërmend t’i paraqes lexuesit tonë jetëshkrimin e Bektashit, që tani dritëron në krahë të paharrimit, por dua të bëj një kalim në piketat orientuese për biografinë e tij të vlertë.

Bektash Petoshati lindi më 6 janar 1958 në qytetin e Vlorës, me baba Xhevit Petoshatin nga Dukati i Vlorës, nga një familje e mbarënjohur në krahinë e më tutje, shumë e lidhur me atdheun dhe arsimin. Babai i Bektashit ka qenë partizan i Brigadës XII S dhe përkthyes për Forcat Aleate në Gjirin e Gramës. Nëna e tij ishte Aishe Muharrem Nezha edhe kjo nga Dukati, nga një familje bujare dhe patriote. Gruaja e Bektashit është Elisabeta Kojani, çupë mësuesi nga Radhima, e bija e dritanit të dijes Tare Kojani. Lindën, rritën dhe edukuan dy djem të mrekulueshëm. Djali i madh, Doreid Petoshati është diplomuar në Universtitetin e Padovas për Shkenca Politike, ndërsa tjetri Brikseni për inxhinieri kompjuterike, informatike. Elisabeta dhe Bektashi u bënë dhe gjyshër të lumtur e të qetë por…

Është më mirë të bëjmë një rikthim udhëve të shkollimit dhe punës së Begos tonë të paharruar: Shkollën 8- vjeçare “Avni Rustemi” e kreu në qytetin e Vlorës me rezultatet më të larta. Si i tillë, fitoi bursë dhe vijoi gjimnazin me uniformë në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë (1973-1977) dhe për të vazhduar studimet universitare ushtarake fitoi për në shkollën e Lartë të Marinës në Vlorë (1977-1981), që më vonë u quajt Akademia e Detarisë. Mbasi përfundoi akademinë, ka qenë në krye të detyrës si oficer në Brigadën e Nëndetëseve në Pashaliman deri në pozicione të larta komandimi. Më pas kreu disa detyra të tjera në Forcat Detare, duke filluar nga drejtues i Akademisë së Marinës deri në Zëvendëskomandant i Flotës Detare Shqiptare. Në vitet 1995-1997, për dy vjet e gjysmë vazhdon dhe përfundon shkëlqyeshëm Akademinë e Detarisë në Stamboll, që është niveli më i lartë i edukimit ushtarak jo vetëm në Turqi. Në të njëjtën kohë, ishte në Akademinë Ushtarake për Forcat Tokësore edhe këshilltar i sotëm Politik dhe Diplomatik i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Kolonel (R) Perikli Koliçi, i cili tha shprehimisht: “Bektash Petoshati ka qenë një nga studentët më të mirë të Akademisë së Marinë në Stamboll. Ai e përvetësoi turqishten në mënyrë të habitshme dhe komunikonte aq lirshëm me turqit sa krijoi me ta një shoqëri natyrale. Largimi i tij nga jeta ka trishtuar edhe shokët e Akademisë në Turqi, qofshin shqiptarë dhe turq”.

Komandanti i Forcës Detare Shqiptare, Kundëradmiral Adnan Agastra e shpreh pikëllimin e tij me këto fjalë: “Të dashur miq e dashamirës të Bektashit! Shpirti i tij i bukur sot fluturoi në qiellin dhe jetën e përjetësisë pas një beteje të gjatë që vetëm ai mundi ta luftonte në formën dhe mënyrën e tij unike. Këtu poshtë la një boshllëk që çdo ditë do bëhet më i madh dhe plaga në shpirtin tonë gjithmonë më e pashërueshme”!

  1. Petoshati arriti gradën e lartë të oficerit të Forcës detare Kapiten i Rangut të Parë (R). Për punën e tij është vlerësuar disa herë nga ana e Komandës së Flotës Detare, Ministrit të Mbrojtjes dhe Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Bektashi, kudo ku ka punuar, ka transmentuar ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi në kryerjen e detyrës. Ai ishte dhe do të mbetet modeli i oficerit të marinës, dinamik dhe bashkëkohor, një strateg i artit të detarisë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historikun e FLD.

Piktori i Merituar Zamir Mati, i biri i Kundëradmiral Abdi Matit, njërit nga specialistët më të mirë të FLD dhe njeriu që themeloi Flotën Luftarake Detare, shkruan: “Komandant Bektash Petoshati, oficeri që trashëgoi  detarinë nga babai nënoficeri radist i Marinës Mbretërore dhe u edukua në Shkollën e Lartë të Marinës e që shërbeu në Flotën Luftarake Detare dhe forcat Detare me detotshëmëri e patriotizëm. Jam i nderuar që në fletët e Librit tim FLD 1994-1992 kam vendosur edhe kujtime me këtë komandant të shquar të detarisë shqiptare”.

Bektash Petoshati gjithnjë është karakterizuar nga dashuria për familjen, shokët, kolegët dhe vartësit, krenaria për vendlindjen, për aq të dashurën Shkollë të Marinës dhe Flotën Luftarake Detare, që ishte malli, dhembja dhe dinjiteti i tij. Trupi i tij u përcoll për të pushuar pëjetësisht në Dukat, pranë varrit të babait, sepse për atje e kishte lënë vetë. Pati shumë pjesëmarrje, shumë fare, saqë ra në sy nga njerëzit apo turistët që lëviznin përgjhatë rrugës nacionale seç’është ky personalitet që po përcillet në mënyrë kaq madhështore. Vunë një sup në traun e rëndë të dhembjes që u shkaktoi familjarëve dhe të afërmëve edhe shumë miq e shokë, qytetarë, shtetarë e pushtetarë. Eee, ndoshta çaste të tilla mund të shndërrohen në akte reflektimi nga vertikatiteti ynë, që nga këta që respektojnë traditat e doket tona deri tek të tjerët që rendin drejt globalizmit pa kthyer kokën pas… Në shtëpinë e përjetshme të Bektashit, dhembjen e Shoqatës “Detaria Shqiptare” dhe kryetarit të saj Bujar Shtylla, e shprehu Kapiten i Rangut të Parë (R) Astrit Aliaj.

Kapiten i Rangut të I-rë Bektash Petoshati shërbeu me nder në radhët e Forcës Detare për mbi 35 vjet. Ai e filloi karrierën e tij si oficer detar në nëndetse, fillimisht si Shef organi e më pas Komandant Nëndetse. Që në fillim u shqua për aftësitë e tij të spikatura profesionale, korrektësinë, dashurinë për Flotën Luftarake, të cilën e ushqente cdo ditë duke realizuar me përpikmëri detyrat e ngarkuara. Këto tipare u bënë pjesë e karakterit të tij, të cilat komandant Bektash Petoshati, i zbatoi gjatë gjithë karrierës së tij në Flotën Luftarake, si Shef Shtabi Nëndetëseje, Komandant Distrikti e deri Zv/Komandant i Forcës Detare. Ai dha një kontribut të vecantë në ringritjen e Distriktit Detar të Vlorës, ku tregoi me vepra se ishte një drejtues vizionar, kërkues ndaj vetes dhe vartësve, punëtor i palodhur, këmbëngulës në realizimin e detyrave të caktuara, i dashur dhe i respektuar nga vartësit. Kontributi i tij doli në pah dhe gjatë kohës kur shërbeu si Zv/Komandant i Forcës Detare, ku inicoi dhe mbështeti disa projekte të rëndësishme për reformimin dhe modernizimin e Flotës. Dhe në detyrat e tij të fundit nën uniformë, në QNOD e Akademinë ushtarake, Bektashi tregoi aftësitë e tij si drejtues, kuadër i veprave, jo fjalëve, si një komandant i papërkulshëm.

Nëpër fletët e kujtimeve të tij

Nga jeta në nëndetëse, ku Bektash Petoshati ka shërbyer e drejtuar si komandant i ND në vitet 1990-1993 ka shumë kujtime, nga të cilat menduam të shkëpusim disa fletëza, për ta prurë sa më të gjallë imazhin e dinjitetshëm që la për të pasmit: “Pas vitit të parë të studimeve në Akademinë e Detarise shkuam për praktikë një mujore në nëndetëse. Në atë kohë, efektivi i Brigadës ishte duke përpunuar fazën e dytë të stërvitjes dhe na ra rasti të mernim pjesë në një lundrim natën me ND-1. Gjatë lundrimit nuk na lejuan të dilnim në urën e komandimit, por në orët e para të mëngjesit, kur po ktheheshim në bazë në postin qendror nga traslasi dëgjojmë komandën: “Studentët të dalin në urë të komandimit!”. Dolëm lart. Dielli sapo kishte dalë mbi majën e Çikës. Nëndetësja ecte me dy motorët gjysmë force para. Deti ishte vaj. Në urën e komandimit, përveç komandantit të ND Ethem Hamzarai dhe komisarit të ND Kujtim Sinani, ndodhej edhe shefi operativ i brigadës Xhafer Rroka. U mbushëm me frymë dhe përpara na u shfaq një peizazh mahnitës. Dy delfinë shoqëronin nëndetësen që kthehej në Bazë, sikur të ishin një eskortë ceremoniale, e cila nderonte nënujësit pas misionit në det. Më pas, në Korrik 1981, pasi mbarova studimet në Akademinë e Detarisë Vlorë, u emërova për të kryer stazhin në Bazën Detare Sarandë. Megjithëse kjo bazë ishte shumë e mirë dhe me efektiv të shkëlqyer, unë synimin e kisha të shërbeja në nëndetëse, si arma më e vështirë dhe me krenari historike për atë periudhë. Por pa dyshim edhe delfinët kishin bërë punën e vet. Dëshira ime u realizua në Tetor 1982 kur u emërova zv/kom. OL.1 në ND-2 me komandant Anastas Milo dhe komisar Ilir Manço. Menjëherë fillova të studjoj për paraprovimet për shërbim vetmor dhe drejtim të organit. Shumë shpejt fillova shërbimin vetmor e vazhdova detyrën nomale në nëndetësen, e cila në atë kohe ishte në DOK për riparim të mesëm. Në Mars 1983 u zgjodha sekretar rinie brigade e njëkohësisht kryeja detyrën edhe në sektorin e propagandës, por nga lundrimet nuk u shkëputa asnjëherë. Në një nga këto lundrime, me sa më kujtohet, në Shtator 1984 kam përjetuar momentin më të vështirë por edhe më mësimdhënës, i cili më shërbeu edhe më pas në detyrën time deri komandant nëndetëseje.

Ishim duke lundruar në P.D.N me nëndetësen e katërt ne rajonin e Rrugëve Bardha. me Komandant ND ishte Petrit Ago e zv/kom. Mitat Islami. Komisari nuk më kujtohet. Lundrimi vazhdonte i qetë dhe une po shijoja kënaqësinë që të jep vrojtimi në periskop. Në timonat horizontalë të bashit shërbente bocman Kristaq Bitri kurse në ato të kiçit një detar. Në postin qendror kishte shumë njerëz dhe për një moment u krijua njëfare rrëmuje. Komandanti i brigadës Dervish Jaupi ishte sigurues lundrimi dhe ishte duke dremitur, ulur tek stoli i tasistit. Pamja ime në periskop u turbullua në moment si pasojë e fillimit të zhytjes së nëndetëses. Në postin qendror erdhën menjëherë raportime nga lokali i parë dhe i shtatë. Nga lokali i parë, komandanti i lokalit shefi i OL-3 Pilo Bomba raportoi:  Thellësia 27 metra, kurse nga lokali i shtatë komandanti i lokalit zv/shefi i OL3 Dritan Spaho raportoi: – Thellësia 4 metra. Nëndetësja filloi të zhytej me shpejtësi në thellësinë e detit, e cila në rajonin e lundrimit ishte 350 m. Dizeli u stopua dhe barometri tregonte 500m/m të shtypjes atmosferike. Komandanti i nëndetëses erdhi menjëherë nga lokali i katërt, por në moment u dëgjuan disa komanda e raportime. – Kom. Brigadës: “Çfry mesin”! Hambaristi: “Ju kuptova, çfry mesin… U çfry mesi”! Megjithëse mesi filloi të çfryhej në 50 m thellësi, nëndetësja vazhdoi të zhytej dhe stopoi në 85 m. Më pas ajo filloi të dilte me shpejtësi në sipërfaqe. Rrezikohej që ND të dilte si tapë dhe të humbiste stabilitetin në dalje, por komandant Dervishi e kishte ndjerë nëndetësen në gjumë, kishte një jetë të tërë si nënujs dhe filloi një grup të dytë komandash. Kom. Brigadës: “Mbush mesin”! Hambaristi: “Ju kuptova, të mbushet mesi”… U hap 4-5 m në të dy bordet … u mbush mesi! Megjithëse mesi u mbush në të dy bordet nëndetësja vazhdonte të dilte në sipërfaqe për inercion, por në thellësinë 4-5 m ajo filloi të zhytej përsëri. Në thellësinë 20 m, përsëri një varg komandash dhe raportimesh. – Kom. Brigadës: “Çfry mesin”! – Hambaristi: “Ju kuptova, çfry mesin… U çfry mesi”! Dolëm në sipërfaqe. Një grup i OL-5 shkoi të verifikonte timonat e kiçit. Ishte këputur një kopilje e timonit horizontal të kiçit. U dha urdhër të riparohej defekti. Për pak minuta çdo gjë ishte gati dhe vazhduam lundrimin. Për mua ky veprim ishte një mësim i madh. Në nëndetëse gabohet vetëm një herë. Çdo person, ekipazh i nëndetëses është pjesë e saj por edhe nëndetësja është pjesë e shpirtit të efektivit të saj. Hambaristit Kosta Gremi kjo ngjarje i ka lënë një kujtim, një gungë në dorë, të cilën e ka edhe sot, atje në Itali ku punon së bashku me familjen e vetë…

U riktheva në nëndetëse në 1996 me detyrë funksionale si zv/kom ND, ku një ndihmë të pa mohueshme më dhane Ethem Hamzarai dhe Bardhyl Nika, në atë kohë të dy komandantë ND. Disa muaj më pas u transferuam në Palermo, ku shërbeva si zv.kom. dhe komandant ND dhe ku shërbeva deri në Maj 1993, kohë kur kalova Shef Shtabi në Distriktin e Dytë Detar Vlorë. Kënaqësinë më të madhe gjatë shërbimit tim në nëndetëse e kam ndier kur drejtoja daljen në sipërfaqe. Pasi jepja komandën: “Nëpër vende, qëndroni për dalje!” dhe më pas: “Bocman dil!”, kur në periskop shikoja bashin që dilte mbi ujë, më dukej sikur nëndetësen nuk e nxirnin elektromotorët dhe timonat por sikur e nxirja peshë me dy duart e mia. Disa herë kam dalë mbi ujë në gjiun e Himarës e bashkë me bashin në periskop shikoja në ballkonin e shtëpisë sime, atje në katin e katërt të pallatit në buzë të detit, tim bir Dorin tre-katër vjeçar, i cili ndiqte lundrimin e babit, dhe natyrisht mezi priste të shijonte çokollatat, tubetat e qumështit konservë dhe kompostot, të cilat ishin racion për fëmijët tanë pas lundrimit. Më pas, në detyrat ku unë kam shërbyer si Shef Shtabi apo Komandant jam përpjekur të imitoj idhullin tim si drejtues dhe manaxhues ish Komandantin e Brigadës Çapajev Smokthina, i cili në kushtet tejet të vështira të Palermos i dha brigadës një fytyrë tjetër dhe bëri që të dëgjohej zhurma e dizelave të nëndetëseve deri në Ulqin. Nëse do të më jepej edhe një herë mundësia të zgjidhja në jetë fillimin e një profesioni pa dyshim ai do të ishte: nënujës”… Ai la shumë kujtime, mbresa, refleksione, shënime, me informacione intrerante dhe me vlera. Ndoshta një ditë mund të botohen si libër…

Dritërimi

Shpirtin e tij luftarak, këmbëngulës e të paepur, Bektash Petoshati e tregoi dhe në qëndresën që i bëri sëmundjes së rëndë që kaloi për mëse 2 vjet, deri sa mbylli sytë. Sot, gjithë efektivat e Forcës Detare, kuadro, detarë e specialistë, ndjejnë dhimbje e trishtim për ndarjen nga jeta të këtij kuadri të devotshëm të Forcës Detare, këtij njeriu që kohën më të madhe të jetës së tij ja kushtoi Flotës, Distriktit Detar Vlorë. Ai  ishte i mirë, ishte vërtet më i miri, që vetëm mirësi dhe dashuri dinte të falte. Lum ai që la pas mirësi! Engjëjt do ta shoqërojnë në parajsë shpirtin e tij. Ikja kaq shpejt e Bektashit e bën më të rëndë dhembjen. Më 17 Gusht 2023, ai fluturoi në dritë të paharrimit. Dritëroftë!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok