Flet Skulptori i Popullit Mumtaz Dhrami: “Në qiell është parajsa kurse në tokë është Hangzhou”
Ministria e Kulturës nuk bashkëpunon me artistët për të ideuar Tiranën mbi veprat e artit
-Nuk harrohen Odhise Paskalin, Andrea Mano, Janaq Paço, Kristaq Rama, Shaban Hadëri
-Shqipëria ka pasur skulptorë që janë respektuar në botë dhe sot janë lënë në heshtje
-Gjirokastrës i duhet një monument madhështor i Ismail Kadaresë.
-Sheshet e Tiranës duhet të mbushen me vepra arti, ato duken bosh.
Si u takova me mikun tim kinez Dun Zu Ji pas shtatë vitesh ndarje
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Në datën 27 shtator në Galerinë “FAB”, u hap ekspozita vetjake “Kujtime nga Kina 1967” e Skulptorit të Popullit Mumtaz Dhrami. Thuajse për 25 vitet e fundit kam marrë pjesë në çdo ekspozitë të këtij skulptori që ka lënë gjurmë në artin shqiptar. Në këtë ekspozitë e veçantë ishte ardhja e kryediplomatit kinez në përurimin e ekspozitës ishte një surprizë befasuese për artistët e tjerë të pranishëm, por jo për vetë skulptorin Dhrami. Ata ishin takuar një ditë më parë, me rastin e Pritjes së dhënë nga Ambasada e Kinës me rastin e 74-vjetorit të Themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe Uang Dexin ja dha këtë kënaqësi. Hapja e ekspozitës “Kujtime nga Kina 1967” përkoi edhe me Javën Kulturore Kineze, në Kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, që zhvillohen nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës, me moton “Shqipëria mikpret botën”. Java Kulturore Kineze zhvillohet nga 25 shtator deri më 1 tetor. Në përurimin e ekspozitës morën pjesë shumë nga emrat më të rëndësishëm të arteve figurative shqiptare, midis tyre dekani i Fakultetit të Arteve të Bukura në Akademisë së Arteve, Artan Peqini, skulptori Maksim Bushi, piktorët Gazmend Leka, Mikel Temo, Adrian Devolli, Vasil Diamanti, Myftar Cubi, dhe shumë artistë të tjerë; studiues arti, si Agim Janina, përfaqësues të medias së shkruar dhe televizive, apo miq të Mumtas Dhramit si inxhinieri Ibrahim Emiri, etj…
Kjo ekspozitë realizohet pas 56 vjetësh kur ju vizituat Kinën në vitin 1967. Pra ju 56 vjet më parë, asokohe 31-vjeçar, ishit pjesëtar i delegacionit të Lidhjes së Artistëve, dhe së bashku me shkrimtarin Ismail Kadare dhe Resul Bedon (që ishte kryetar delegacioni) dhe Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore vizitoi Kinën. Si i kujton “Skulptori i Popullit” ato ditë dhe kush ishte shtysë për këtë ekspozitë?:
– Për Kinën ruaj shumë kujtime. Madje kisha dëgjuar që në vegjëlinë time. Në shtëpinë tonë të vjetër, në lagjen Palorto të Gjirokastrës, vite të shkuara, në odën e madhe, mbi një raft, që ne e quanim sergjen, mbanim një servis të bukur çaji prej porcelani kinez. Prindërve të mi ia kishin prurë si dhuratë në ditën e martesës së tyre. E ruanim me shumë kujdes mos thyhej…
Isha fëmijë atëherë, por atë admirim dhe dashuri që pata për bukurinë e atij objekti të vogël nuk m’u shlye për vite të tëra. Nuk dija ku binte Kina, vendi nga kishte ardhur ajo bukuri, që unë si fëmijë e admiroja. Prindërit, sa herë i pyesja më thoshin se Kina është larg, shumë larg. Pastaj kemi pasur dy mësuese në shkollë, që më kishin folur diçka për Kinën. Më vonë në Liceun Artistik më plotësoi me njohuri Odise Paskali. Nga të gjitha këto që kisha dëgjuar kisha një ëndërr që të prekja nga afër mrekullinë kineze dhe artin e veçantë të saj. Në vitin 1967 kjo ëndërr m’u realizua. Pra kur isha vetëm 31-vjeç, isha pjesëtar i delegacionit të Lidhjes së Artistëve, dhe së bashku me shkrimtarin Ismail Kadare dhe Resul Bedon (që ishte kryetar delegacioni) dhe Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Të gjithë shkuam për një vizitë miqësore në Kinë. Gjithçka ishte mjaft mbresëlënëse, dhe mbi çdo gjë më prekte dashuria e mikëpritja, kudo ku shkuam. Në Kinë pashë dhe punova me mjaft punëtorë, fshatarë, intelektualë, studentë, ushtarë e artistë të operas kineze. Pashë mjaft qytete, fabrika, uzina e kantjere pune. Kina ishte një continent më vete. Kur e krahasoja me Shqipërinë time të vogël qeshja me vete.
-Çfarë impresionesh ndjeve kur shkove në Kinë sidomos me veprat e artit?
Impresionet ishin të mëdha në çdo drejtim. E dija që kishte një art të madh, pastaj kur takohesh drejtëpërdrejtë me vlerat e tij befasohesh. Tashmë dihen se aty ndodhen kryevepra botërore të artit që të befasojnë me madhështinë dhe elegancën e ndërtimit. Muri i Madh kinez të befason, varret perandorake që janë të mbuluara të gjitha, tempujt me atë elegancë të madhe, Hangzhou mahnitës që ka një proverbë kineze, ku thotë “në qiell është parajsa dhe në tokë është Hangzhou” që është qyteti i bukur. Hangzhou gjendet në juglindje të Kinës dhe është qyteti i famshëm turistik dhe kulturor. Hangzhou është i famshëm në botë për shkak të liqenit të bukur Xihu. Para mbi 700 vjetëve, turisti i famshëm italian Marko Polo e quajti Hangzhoun “qyteti më i bukur dhe më luksoz në botë”. Prej shumë vitesh, “parajsa në tokë” vazhdon të jetë emri tjetër i këtij qyteti. Hangzhou mbart histori të gjatë dhe kulturë të lashtë. Prej më tepër se 2200 vjetëve, ky qytet ka pranuar shumë qytetërime nga jashtë duke krijuar kulturën e vet. Në Hangzhou gjenden shumë faktorë të kulturës tradicionale kineze, si për shembull në Hangzhou prodhohet çaji më i famshëm kinez – çaji Longjin; gjithashtu në Hangzhou është muzeu i mëndafshit të Kinës. Unë admirova peizazhet e bukura të Kinës, admirova arkitekturën e pagodave me çatitë elegante, me unitetin stilistik të çdo orendie e zbukurim të interierëve. Por për Hangzhoun thjesht për këtë qytet do shprehem si dëgjova në vitin 1977: “Në një park të bukur të qytetit Hangzhou më thanë një frazë të vjetër kineze që e lartësonte bukurinë e atij qyteti: “Në qiell është parajsa kurse në tokë është Hangzhou”. Koha ka kaluar. Pra jemi 56 vjet më vonë…Po tani që shikoj këto skicat e mia, bocetet, por dhe kronikat që jepen për të shikoj se është tjetër Kinë tani. Është ndryshim kolosal.
-Po skluptura patë kur shkuat dhe si ndiheshit para tyre?
Me sklupturat ishte e profilizuar, se ishte koha e revolucionit kultural që kishin një lloj deklamacioni në sklupturë, tani arti kinez ka çarë shtigje të tjera. Sigurisht skulpturat ishin kudo me stilin e tyre. Në këtë drejtim Kina ka pasur dhe ka disa artistë me famë botërore. Sot kur shoh në television apo dhe në filma apo në vizitat në ambasadën Kineze them se Kina nuk është më ajo që unë pashë në vitin 1967. Tani Kina është krejt tjetër; një vend kolosal me një zhvillim mahnitës ku dhe arti, kultura dhe skulptura si pjesë e tyre ka marrë një zhvillim të paparë.
-Ju këto ditë keni bërë një bocet për Ismail Kadarenë? Keni ndonjë detyrim ndaj tij?
Jo se kam detyrim personal, por detyrim intelektual, atdhetar. Së pari Kadarenë e madh e kam pasur shok klase dhe kemi qenë në gjimnaz bashkë, por edhe më vonë. Jemi të dy gjirokastritë dhe mendoj se patjetër e do Gjirokastra një monument të Ismailit. Pra unë kam hedhur një ide, një mendim që është pak për Ismailin. Por për këtë duhet të prokupohet Ministria, Bashkia dhe për t’i gjetur vendin. Patjetër në Gjirokastër duhet një monument i tij, një monument madhështor pasi ai e ka lartësuar Gjirokastrën, por mbi të gjitha ka lartësuar Shqipërinë kudo në botë. Emri i tij njihet kudo dhe çdo shqiptar emigrant ku është mburret me emrin e tij.
-Ku mendoni ju se mund të jetë kjo përmendore?
-Unë mendoj në hyrje për të krijuar një shesh në hyrje të qytetit të Gjirokastrës. Aty duket sikur do t’i urojë mirseardhjen çdo qytetari që vjen në qytetin e gurtë. Një përmendore i duhet Gjirokastrës pasi emri i tij lidhet shumë me këtë qytet të shenjtë.
-Po në Tiranë mendon se duhet të jetë një përmendore e Kadaresë??
Unë mendoj se së pari duhet në Gjirokastër. Gjirokastra është qyteti i lindjes, qyteti që i dha frymëzimet e para, qyteti që la gjurmë në jetën e tij. Pastaj mund të bëhet edhe në Tiranë. Por në Tiranë nuk kemi Naimin, Fishtën, Migjenin. Në Tiranë nuk mund të vijë vetëm një personalitet i tillë. Janë shumë figura kombëtare që duhen të mushin sheshet e Tiranës. Sot Tirana ka shumë sheshe dhe ata që e kanë larëtësuar emrin e Shqiëprisë patjetër që duhet të kenë monumente, pasi jo vetëm janë vepra arti, por edhe pjesë e historisë. Sheshet e Tiranës duhet të lartësohen me këta emra gjigandësh. Personalisht kam bërë gati Lasgush Poradecin për tek Liqeni Artificial dhe nuk po kujtohet njeri për të. Edhe skulptorë të tjerë kanë gati bocete personalitetesh, por nuk bashkëpunohet me ta. Ministria nuk i kërkon të ideojnë të ardhmen e Tiranës me vepra arti.
-Përse sot monumente të tilla si Nënë Shqipëria dhe Sheshi i Flamurit nuk bëhen? Mungojnë fondet apo indiferenca e institucioneve…kush pengon?
Do plan. Duhen ide. Duhet bashkëpunim si dikur. Pra çdo vepër, çdo vepër e madhe arti duhet të planizohet. Ministria e Kulturës për këtë punë është, që të ketë një plan perspektiv p.sh që do të ngrihet monumenti i Migjenit në Tiranë dhe të piketohet vendi dhe t’i lejë të lirë artistët që ose do të futen në konkurs ose do të punojnë për qefin e tyre siç punova unë tek Liqeni Artificial, që nuk ishte plan po ishte iniciativë private. Po iniciativë private kishte marrë edhe i ndjeri Agim Rada për Fishtën diku një monument afër parkut Rinia, por ngeci si ide. Nuk e përkrahën.
Nuk ka plan perspektivë për këtë gjë. Nuk e di njeri që do të ngrihet një monument i Migjenit. Migjeni një bust ka, të Andrea Manos në Shkodër. Në ministri sot nuk kanë piketuar sheshe për këto vepra arti. Po të ishte gjallë Odise Paskali nuk do të lejonte që të mernin nga raftet e muzeut Kombëtar figurën e Ismail Qemalit dhe ta vinte atje pranë bunkerëve përballë Kryeminsitrisë. Ajo është një denigrim i veprës së Odisesë dhe i figurës së Ismailit këtu në Tiranë. Ka qenë në pavionin e Pavarësisë ku e morën nga atje dhe e vendosën të fshehur. E kemi thënë bashkë dhe më parë. Ismail Qemalit duhet t’i bëhet një përmendore përballë Skënderbeut në hapësirën mes 15-katshit dhe Muzeut Historik Kombëtar. Ata janë dy kolosat e kombit. Ata kanë projektuar shtetin tonë, i dhanë frymë kombit dhe e bënë të gjallë. Sot shikon disa vepra arti që s’kanë rëndësinë e figurës së Ismail Qemalit. Kështu ka ardhur koha.
Ju mungojnë disa kolegë që kanë shkuar në përjetësi?
I kujtoj me mall. Shqipëria ka pasur skulptorë të talentuar, që i kanë dhënë shumë artit shqiptar. Jo vetëm artit, por edhe historisë. Në botë shumë skulptura janë pjesë e historissë. Ndaj kujtoj çdo ditë Odhise Paskalin, Andrea Mano, Janaq Paço, Kristaq Rama, Shaban Hadëri sikundër vlerësoj Th. Thomai, H. Dule, F. Dushku, A. Mano etj…Skulptorët shqiptarë kanë punuar me shumë energji dhe mendim për të lënë vepra të mëdha..
Miku Dun Zu Ji dhe Mumtaz Dhrami
Skulptori Mumtas Dhrami i shpjegoi me detaje diplomatit edhe për miqësinë me një artist kinez, me të cilin kishte studiuar së bashku në Leningrad. “Dikur, në vitet e studimit 1957-1961 në Akademinë e Arteve (Instituti I.E Rjepin) të Leningradit, sot Shën Peterburg, isha në një klasë me studentin e talentuar kinez, që e quanin Dun Zu Ji. U miqësuam shumë, u bëmë gati si vëllezër, por fatkeqësisht na ndanë, si rezultat i zhvillimeve politike. Larg atyre zhvillimeve ne e kishim ruajtur miqësinë tonë të paprekur. Por ja…Gjatë vizitës sime në Kinë në vitin 1967 pata një nga gëzimet e mëdha që provova kur ne u takuam pas shtatë vitesh ndarje me shokun tim kinez. Asgjë nuk e kish prekur miqësinë tonë. Ashtu si dikur, kur ishim bashkë në ateljetë e skulpturës në Moskë. Duni më qëndroi pranë dhe më dha një ndihmë të çmuar për realizimin e punimeve të mia. Njëkohësisht unë ruaj ende me kujdes dhe mirënjohje vizatimin që më ka bërë Duni. Dhrami kujtoi edhe një fakt të bukur nga vizita në Kinë, të cilin e ka përjetësuar me një vizatim.
Përshëndetja e Uang Dexin
I ngarkuari me Punë i Ambasadës Kineze, Ëang Dexin, gjatë fjalës së tij të shkurtër, vlerësoi ekspozitën e skulptorit Dhrami dhe përcolli mesazhe respekti, duke uruar edhe thellimin e miqësie midis artistëve shqiptarë dhe kinezë dhe midis dy popujve, duke i ftuar ata edhe për një vizitë kortezie në selinë e ambasadës. “Jam shumë i nderuar që të flas para jush, për mua është hera e parë që i drejtohem një grupi kaq të madh artistësh të shquar. Ambasada e Kinës e ka mbështetur në vazhfimësi kulturën shqiptare. Miqësia midis dy popujve tanë është e vjetër dhe unë shpresoj se ajo do të forcohet akoma edhe më shumë. Arti është një urë e bukur miqësie”, -tha kryediplomati kinez. Bisedat janë të hapura dhe tematikat sillen rreth artit kinez dhe atij shqiptar. Kryediplomati kinez e komplimenton skulptorin Dhrami për një pikturë: “Me vetëm pak linja, ky dallohet që është portreti i një fshatari kinez. Të lumtë!”.