03/05/2024

Karriera e shkëlqyer pedagogjiko-shkencore e Prof. Dr. Nikoleta Mita

0

Nga Eshref Ymeri

Më 20 shtator, në adresën elektronike, nga Tirana më erdhi letra në vijim:

“I nderuar Prof. Eshrefi,

Unë jam Nikoleta Mita, ish studentja juaj. Uroj të jeni mirë me shëndet!.. Unë po ju shkruaj me ftesën për të marrë pjesë në Takimin e 45-vjetorit të Diplomimit të Kursit të Gjuhëve të Huaja (1974-1978) që është planifikuar të mbahet në 6 tetor 2023, në ora 17.30-19.30 në Tiranë. Ne kemi planifikuar të bëjmë një veprimtari të përbashkët të anglishtes, frëngjishtes dhe rusishtes e të ftojmë edhe pedagogët e shkollës së lartë dhe mësues të Shkollës së mesme të gjuhëve të huaja dhe të ndajmë së bashku kujtimet e atyre viteve, të shprehim mirënjohjen tonë për punën e përkushtuar, të kryer nga ana e pedagogëve dhe e mësuesve. Ne kemi parashikuar edhe lidhjen online për pedagogët dhe të diplomuarit që nuk do të mund të jenë të pranishëm personalisht.

Për ne do të ishte gëzim dhe kënaqësi nëse ju do të mund të ishit pjesë e takimit.

Ne do të japim Çertifikata mirënjohjeje për pedagogët dhe mësuesit dhe do të bëjmë një video homazh për pedagogët dhe të diplomuarit që janë ndarë  nga jeta…

Me dëshirën për t’u takuar,

Nikoleta”.

Për mua kjo letër ishte një befasi tepër e këndshme.Më gëzoi zemra që studentet dhe studentët e mi të viteve akademike 1974-1978 më kujtojnë me respekt dhe më   ftojnë të marrë pjesë në përkujtim të 45-vjetorit të përfundimit të studimeve universitare.

Për mua do të ishte një kënaqësi e  jashtëzakonshme të isha i pranishëm personalisht në atë takim jubilar, të përshëndetesha dhe të përqafohesha me ish-studentet dhe studentët e mi të atyre viteve, të cilët, pas përfundimit të universitetit, i kam konsideruar gjithmonë kolege dhe kolegë mjaft të respektuar.

I ktheva përgjigje Nikoletës, duke e përshëndetur me shumë përzemërsi për nismën që kishte ndërmarrë për organizimin e atij takimi mjaft emocionues. Në të njëjtën kohë, i theksova se do të isha shumë i lumtur të merrja pjesë në festën e 45-vjetorit të diplomimit të tyre, por, për shkak të largësisë shumë të madhe (15 orë udhëtim me avion), e kisha të pëmundur ta ndaja me ta drejtpërdrejt gëzimin dhe kënaqësinë e papërshkruar që të sjellin ngjarje të tilla të paharruara. Po ashtu, Nikoletës ju luta t’u përcillte të gjithë të pranishmëve – ish-studentë, mësues dhe pedagogë veteranë – urimet e mia më të përzemërta.

Letra e Nikoletës më mallëngjeu aq shumë, saqë më bëri të shtegtoj pas në vite dhe të sjell në kujtesë fillimin e vitit akademik 1974-1975, kur Nikoleta ishte studente e kursit të parë të degës së gjuhës dhe letërsisë ruse. E kujtoj si një studente bukuroshe, mendjemprehtë, mjaft të talentuar, buzagaze dhe tepër të edukuar. Dallohej për një kujtesë fenomenale, sidomos në orët e lëndës së leximit analitik. Mbaj mend kur analizonim në rusisht fragmente nga romani në vargje “Evgjeni Onjegin” të Pushkinit, Nikoleta recitonte përmendësh vargje të tëra, si fjala vjen:

“Kujtoj një det para stuhisë,

Zilije valësh i pushtuar,

Me vrap tek rendnin krejt hazdisë,

Ndër këmb’t e saja për t’u shtruar”.

Ose një tjetër fragment po nga romani “Evgjeni Onjegin”, të cilin studentëve të grupit të saj, në orën e seminarëve të letërsisë ruse, ua kishte recituar lektorja e shquar e asaj lënde, Profesoresha ime e dashur, Docente Vitore Ballvora, Nikoleta e kishte mësuar përmendsh shumë shpejt:

Vall’ heshti zëri i magjisë,

Semjónova, kjo muz’ çudare,

Dhe ne na la mes arratisë,

Me Febin mos u nda për fare

Dhe zulma ruse u molis?

S’besoj! Se prapë ajo do ngjitet,

Për të do ndizen zemrat horë –

Në sytë tanë nuk do venitet

Lavdi e saj me kurorë.

Pas analizës gjuhësore të një fragmenti nga romani“Frymë të vdekura” të Gogolit, po komentonim në auditor poezinë e Lermontovit “Tumir, Rusi, moj palarane” dhe Nikoleta shpërthente me kujtesën e saj befasuese:

“Tumir, Rusi, moj palarane,

Vend veç me skllevër, agallarë,

Ju, uniforma kaltërane,

Dhe popull, ti, q’u hiqesh zvarrë”.

Një ditë, kur u ktheva në shtëpi, pas përfundimit të orëve të mësimit, shoqes së jetës sime, Havasë, i thashë:

“Në grupin që jap mësim, kam një studente shumë të talentuar. Kam bindjen që ajo do të bëhet dikush”. Havaja ma ktheu: “Hyjnia e ndihmoftë!”.

Kaluan vitet. Jeta vërtetoi se, falë talentit dhe vullnetit të papërkulur të Nikoletës, parashikimi im dhe urimi i Havasë kanë vite që janë bërë realitet. Talenti i Nikoletës, si studente shembullore, pati shkëlqyer në të gjitha lëndët në gjuhës ruse dhe në gjuhën shqipe. Por pasioni i saj binte në sy edhe për lëndën e pedagogjisë dhe të psikologjisë, të cilën e jepnin, respektivisht, Profesor Qemal Mandia dhe Profesor Aleko Qendro. Prandaj, gjashtë vjet pas përfundimit të Fakultetit, Nikoleta kaloi me punë në Katedrën e Pedagogjisë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, pasi bëri specializimin në pedagogji-psikologji. Katedra ishte po në atë fakultet deri në vitin 1992 dhe më pas u zhvendos në Fakultetin e shkencave sociale. Nikoleta atje ka punuar gjithë kohën, përveç dy viteve 2018-2020 kur ishte rektore në një kolegj universitar privat. Fusha e kërkimit dhe e mësimdhënies ka qenë vlerësimi në arsim dhe në psikologji, një fushë e palëvruar në Shqipëri. Kjo ishte fusha që Nikoletës i përshtatej mirë. Ajo mbrojti doktoratën në vitin 1990, fitoi titullin akademik “Profesor i asociuar” në vitin 1994 dhe titullin akademik “Profesor” në vitin 2002. Ka dhënë mësim në Kosovë dhe Maqedoni dhe ka bashkëpunuar si adjunct professor me Clemson University (SHBA). Në kuadrin e projekteve të shumta ndërkombëtare, Nikoleta ka vizituar rreth 40 shtete në botë dhe ka qenë deri në Australi. Bashkëpunimi me të huajt ka qenë pjesa më e bukur e karrierës së saj akademike edhe përkundrejt përvojës, edhe përkundrejt vlerësimit. Në SHBA ajo ka qenë 12 javë në katër udhëtime. Në vitin 1992 ka qëndruar 5 javë. Ishte në California (Los Angeles dhe Malibu), në Ohio (Columbus), në Indiana (Indianapolis, Bloomington), Virginia, në Washington DC. Në vitin 1999 ka qëndruar në New York (Manhattan) për 5 javë se ndoqi një postmaster për politika dhe drejtim në arsim në Pace University. Me atë rast, vizitoi edhe shtetin New Jersey. Në vitin 2007 ishte në South Caroline se vizitoi Clemson University. Ishte dhe në Georgia (Atlanta). Në vitin 2010 ishte në Pennsylvania, në Shippensburg University dhe në Florida (South Florida University).

Po cila është më konkretisht karriera pedagogjiko-shkencore 45-vjeçare e Prof.dr. Nikoleta Mita?

Tani është Profesore në Departamentin e pedagogjisë dhe të psikologjisë të Fakultetit të shkencave sociale të Universitetit të Tiranës, si dhe bashkëpunëtore e jashtme e Universitetit Clemson (SHBA). Ka zhvilluar veprimtarinë mësimdhënëse dhe kërkimore në fushën e gjuhësisë, të pedagogjisë, psikologjisë dhe të shkencave sociale. Ka kryer specializime dhe ka fituar përvojë në fushën e pedagogjisë, të psikologjisë, të drejtimit dhe administrimit të arsimit, të vlerësimit arsimor, të vlerësimit psikologjik dhe të edukimit qytetar në disa vende të botës, si: SHBA, Britani e Madhe, Belgjikë, Francë, Itali, Greqi, Danimarkë, Suedi, Gjermani, Irlandë, Hollandë, Zvicër, Austri, Australi, Izrael, Slloveni, Spanjë, Portugali, Poloni, Hungari, Bullgari, Rumani, Lituani, etj. Ka një përvojë 45-vjeçare në fushën e mësimdhënies dhe të kërkimit në fushën e shkencave të edukimit dhe të psikologjisë. Aktualisht zhvillon mësim në programet e studimit Master i shkencave në psikologji shkollore, Master i shkencave në politika dhe drejtim arsimi, Master i shkencave në mësuesi për shkencat sociale. Ka dhënë mësim në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Evropës Juglindore, Maqedoni e Veriut. Bashkëpunon me Clemson University (SHBA) për programin e doktoratës “Studime ndërkombëtare për familjen dhe komunitetin”. Ka përvojë të gjatë në udhëheqjen e tezave të kërkimit për diplomën bachelor, master dhe gradën shkencore “doktor”. Ka një përvojë të pasur në planifikimin, organizimin dhe drejtimin e projekteve të kërkimit në fushën e edukimit dhe të shkencave sociale. Ka mbajtur pozicione drejtuese, si: rektore e Kolegjit Universitar “LOGOS” (2018-2020), drejtore e Shkollës pasuniversitare të studimeve evropiane të Universitetit të Tiranës (2003-2009), ka ushtruar detyrën e dekanit të Fakultetit të shkencave sociale të Universitetit të Tiranës për një periudhë 6-mujore në vitin 1996 dhe ka drejtuar Seksionin e pedagogjisë të Katedrës së pedagogjisë dhe të psikologjisë të Fakultetit të historisë dhe të filologjisë të Universitetit të Tiranës (1992-1993). Ka qenë anëtare e disa organeve drejtuese të IAL-ve, ku ka punuar, si: anëtare e Senatit akademik, e Këshillit të fakultetit, e Këshillit të profesorëve. Ka një kontribut aktiv në zhvillimin e reformave arsimore të të gjitha niveleve në Shqipëri dhe në Kosovë. Ka një përvojë të pasur në bashkëpunimet ndërkombëtare në fushën e arsimit dhe të psikologjisë. Ka drejtuar, koordinuar dhe ka marrë pjesë në disa programe dhe projekte ndërkombëtare të fushës së arsimit. Ka referuar rezultate të studimeve në konferenca shkencore, të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit. Ka qenë drejtuese kombëtare e PISA-s (1999-2003). Është anëtare e disa shoqatave profesioniste ndërkombëtare të fushës së edukimit, e bordeve të tyre dhe e bordeve të botimit të revistave vendore dhe të huaja. Ka botime të shumta në fushën e arsimit dhe të pedagogjisë, si autore dhe bashkautore. Në Bibliotekën kombëtare të Shqipërisë ka 105 tituj. Ka botuar artikuj në revista të huaja dhe kapituj në libra të botuara jashtë vendit. Prof. Hajrullah Koliqi e ka prezantuar veprimtarinë e Prof. dr. Nikoleta Mita në dy botime të tij: “Gruaja ndër shekuj/Arsimimi dhe emancipimi i saj, 2009” dhe “Fjalor enciklopedik i edukimit, 2022”.

Pas takimit të 6 tetorit në mjediset e Fakulteti të gjuhëve të huaja, Profesore Nikoleta, më 8 tetor, më njoftonte si më poshtë:

“Shumë i nderuar dhe i dashur profesor Eshrefi,

Festa ishte e mrekullueshme. Pati shumë mallëngjim, emocion, gëzim. Profesorët dhe mësuesit u lumturuan dhe ne u kënaqëm. Ju falënderoj që u bëtë pjesë e festës në disa mënyra.

Unë bëra një përmbledhje të përshëndetjes suaj gjatë festës dhe përzgjodha mesazhet për të gjithë, për ish- studentët dhe për kolegët tuaj. Keni shumë falënderime për përshëndetjen. Do të donim të ishit prezent, por keni mirëkuptimin e të gjithëve. Keni të fala nga gjithë të diplomuarit dhe pedagogët që morën pjesë në festë… Unë po ju dërgoj Çertifikatën elektronike të mirënjohjes për ju, një falënderim nga unë për të gjithë dhe disa foto nga festa….

Me shumë mirënjohje për gjithçka

Nikoleta”.

Fotot që më dërgoi Profesore Nikoleta më ngjallën shumë mall dhe nostalgji për vitet e mia studentore (1962-1966), për studentet, studentët dhe profesorët e mi, për kolegët-pedagogë. Më ka bërë përshtypje të thellë diçka: një personalitet shkencor, si Prof.dr. Nikoleta Mita, me një karrierë aq të shkëlqyer në fushën e pedagogji-psikologjisë dhe të bashkëpunimit me shumë universitete të njohura të vendeve të tjera, mund të qe larguar nga atdheu për t’u punësuar në një mjedis akademik të atyre vendeve. Por ajo e ka dhënë dhe vazhdon ta japë kontributin e vet të shquar në atdheun amë. Mendoj se shteti ynë duhet të ketë një këndvështrim të veçantë për pensionimin e Profesorëve të formatit të Prof.dr. Nikoleta Mita: Profesorë të tillë duhet të dalin në pension vetëm sipas dëshirës së tyre, siç veprohet në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Prandaj nuk duhen lejuar punonjësit e kuadrit të tregojnë zellin e tyre, duke pritur në përgjim të datës, kur Profesorët mbushin moshën, për t’i njoftuar të largohen për në pension. Është e turpshme të veprohet kësisoj me Profesorët e nderuar që kanë lënë emër në fushat e dijes.

Meqë e solla fjalën te pensionimi i profesorëve, lexuesve të nderuar po u rrëfej diçka:

Profesori i talentuar Vasil Kristo, pedagog veteran i gjeografisë fizike, me të cilin kam qenë koleg në Fakultetin e historisë dhe të filologjisë, në vitet ’50, studimet  universitare i pati përfunduar në Poloni. Ishte tetori i vitit 2003. Një pasdite, kur po shëtisnim bashkë në Parkun e Madh të Tiranës, më rrëfeu diçka nga vizita që kishte bërë në Poloni në vitin 1993. Ja rrëfimi i tij në vijim:

“Kishin kaluar gati 40 vjet që nga koha kur kisha përfunduar universitetin në Poloni. Të them të vërtetën, më kishte marrë malli për t’u kthyer edhe një herë në ato mjedise ku pata kaluar vitet studentore. Dy vjet pas ndërrimit të sistemit, pikërisht në vitin 1993, i dhashë karar dhe u nisa për në Polon. Shkova në universitet dhe u ngjita në katin ku ndodhej katedra e gjeografisë fizike. Kur u afrova te dera, m’u shtuan  emocionet. Trokita. Ma hapi derën një zotëri elegant, me pamje fisnike dhe më ftoi brenda. Iu prezantova si ish-student shqiptar i viteve ’50 i degës së gjeografisë fizike. U prek tej mase, m’u prezantua si shef i katedrës dhe ma shtrëngoi dorën fort, duke më uruar mirëseardhjen. Ndërkohë që po ma bënte me shenjë të ulesha në kolltukun përballë tryezës, vetëtimthi, më shkuan sytë te një shkresë që ndodhej mbi tryezë. Ishte një shkresë-porosi e dekanit të fakultetit. Ajo shkresë u drejtohej të gjitha katedrave të fakultetit. Në të thuhej:

“Janë të lutur të gjithë profesorët që kanë mbushur moshën e pensionit që të mos largohen për në pension”.

Ajo shkresë më bëri përshtypje të jashtëzakonshme se më kujtoi mënyrën aspak etike se si më larguan për në pension që ditën  që mbusha moshën. Tani, i dashur Eshref, bëje vetë krahasimin se ku jemi ne, si shtet, në qëndrimin ndaj pensionimit të profesorëve, dhe ku është Polonia”.

Si shqiptar dhe si pedagog i dikurshëm në Fakultetin e gjuhëve të huaja, e ndiej veten shumë krenar për personalitetin e shquar shkencor të Prof.dr. Nikoleta Mita.

Kaliforni, 14 tetor 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok