04/12/2024

POETI QË MBOLLI DIJE E KULTURË

0
Rakip-Lasku

Nga Hamdi Hysuka

Më datë 7 tetor 2023, në bashkëpunim me Bibliotekën “Pjetër Budi” të Bashkisë Mat, Klubi Letrar “Pjetër Budi” organizoi në mjediset e Bibliotekës veprimtarinë “Poeti që mbolli dije e kulturë”, kushtuar poetit matjan, Rakip Lasku.

Me dhimbje të thellë mësuam lajmin e hidhur, se më 12 shtator 2023, në moshën 77-vjeçare, kolegu ynë, mësuesi, poeti dhe publicisti Rakip Lasku, e la këtë botë dhe udhëtoi në pakthim për në botën tjetër. Edhe një herë, familjarëve, shokëve, miqëve të tij të ngushtë, në emër të Klubit Letrar “Pjetër Budi”, u drejtojmë ngushullimet e thella dhe të sinqerta.

Rakip Lasku u lind më 20 shtator 1946 në Gur të Bardhë të Matit. Pas arsimit fillor e 7-vjeçar në vendlindje, studimet e larta i mbaroi në Universitetin e Tiranës, dega Histori-Gjeografi. Që në moshë të re është marrë me krijimtari letrare. Në vitin 1969 botoi vëllimin e parë me poezi “Ditari i alpeve”, i mirëpritur nga ne pasardhësit e tij. Është autor dhe i disa librave me poezi për fëmijë, ku shquhen “Jam borizan”, “Trim si ju do jem dhe vetë”, “Matematika zbavitëse” dhe “Çerdhja e lejlekut”. Ka botuar monografinë “Shkurte Skura” dhe dosierin “Hysen Laçi, një jetë për arsimin”. Në vitin 2012 botoi vëllimin me lirika, titulluar “Trëndafila me gjemba”. Për fëmijët e moshës së mesme shkollore ka botuar librin me poema “Guri i Zoicës” dhe revistën periodike shkencore argëtuese, “Zenit”.

Gjatë gjithë jetës së tij Rakipi u përball me sfida. Punoi mësues në fshatin Peshk të Martaneshit dhe pastaj në vendlindje, në shkollën e Gurit të Bardhë. Atje lidhi jetën bashkëshortore me mësuesen Rabie Xira, me të cilën lindën, rritën dhe edukuan djalin Florian dhe vajzën Mirena. Njëkohësisht, në rininë e tij, filloi të shijojë jetën e mësimdhënësit dhe të poetit të preferuar nga lexuesit.

Kaloi muaji që i miri Rakip bëri hapat e fundit të jetesës dhe nuk vrapon më. Por ka ngelur në kujtimet tona njeri i dashur, poet i ditur, mësues i mirë dhe prind shembullor. I qoftë toka e lehtë! Poezia e Rakip Laskut është testamenti i jetës, i miqësisë dhe i dashurisë, sepse përmes shpirtit të tij poetik jetën e kuptojmë më mirë. Vëllimet poetike “Ditari i Alpeve” dhe “Trëndafila me gjemba” janë ura miqësie mes lexuesve pa dallime moshe.

Që para viteve ’90 profilin e tij letrar, të dallueshëm dhe kuptimplotë, e krijoi me vlera të larta lirike, kur ishte mësues e poet, kur shkruante dhe botonte poezi frymëzuese për jetën, për dashurinë, për ngjarje historike dhe personazhe realë. Vargjet e Rakipit kërkuan personalitete të larta, të cilët i ndjeu, i adhuroi… Për kthimin e Skënderbeut në Krujë, ka shkruar:

Turma e kalorësve ngrinte ré nga dheu,

në trollin e mëmës erdhi Skënderbeu,

korbat lanë bedenat, ikën në një shpellë

gjysmëhën’ e mplakur dridhej mbi kështjellë.


Çallmëbardhët heshtën, heshtën si kufoma

shqipet ngritën grushtet: -Toka është jona!

Retë u arratisën, toka thithte diell

shqipja arbërore ndriste mbi kështjellë.

 

Me studiuesin e njohur matjan, Dilaver Kurti, bashkëpunoi në ekspedita të shumta etnografike. Dëshmitare janë vargjet e poezisë “Arkeologu”:

Diku një shpatë, diku një heshtë, një vendbanim a varr pirusti

si sizmograf që kap tërmetet, ato i prek Dilaver Kurti

ai s’e njohu kurrë Shlimanin dhe nuk ka qenë kurrë në Trojë,

megjithatë ai rroku kazmën, drejt thellësive të gërmojë.

 

Rrugën e tij s’e bën gjithkush, të fismen punë kushdo s’ia njeh

sido që imazhet e pirustëve ti mund t’i shohësh në muze,

dhe balli i tij është rrudhur, dhe ai është nxehur sigurisht

kur një kalá, apo një tumë, ia kanë dëmtuar rastësisht.

 

A ka ndonjë forcë tjetër më magjike se forca e dashurisë? Vargjet e Rakipit janë si uji, si dielli, si vetë pranvera. Gjithmonë i etur për dashuri, sepse në poezinë “S’desha tjetër mbretëri”, shprehet:

Porsi sot e njëmijë vjet s’desha që të isha fare mbret,

duke të patur ty në gji, s’desha tjetër mbretëri

njerën dorë e njerin sy, padyshim i jap për ty

mjaft me ty jam patjetër, porsi Zot përmbi mbretër

po ta kisha mbretërinë, krejt e jap për dashurinë.

 

Ndërsa, po për dashurinë, te poezia “Pranvera”, lexojmë:

Fryn era… trëndafili sot gonxhet i çel vetë,

ndërsa të lind dashuria, të kesh sot njëqind jetë

sot lulet, bari, gjethet, puthen gushë më gushë

e mishi lakmon mishin dhe buza kërkon buzë.

 

Se zemra kërkon zemra edhe sytë kërkojnë sy,

ndërsa ti kërkon mua edhe unë të kërkoj ty,

dhe shpirti sot vërtet s’u ngopka duke dashur,

s’më mjafton një zemër, por dy të kisha pasur…

 

Rakip Lasku ka një stil të veçantë të shkruari, është i drejtpërdrejtë, pa u fshehur pas fjalëve, i guximshëm, pa paragjykime, një Esenin i ri përmes poezisë “Kthimi”:

Me një boçe nën sqetull, ja u ktheve më në fund

lëkund era duke qeshur dete gruri në katund.


Ku je, nëna leshrathinjur, sot yt bir po vjen nga larg

sulet malli i pabindur në vendlindje, në çdo cak.


M’është nxirë ca lëkura, ndodh që dikush nuk më njeh

më përqafin gra e burra, i gëzuar qeni leh…

 

A ka gjë më të bukur se të jesh zëdhënës i buzëqeshjes dhe ëndrrave të zemrave të fëmijëve? Mjafton të shfletosh vëllimet “Jam borizan”, “Trim si ju do jem dhe vetë”, “Çerdhja e lejlekut”, librin me poema “Guri i Zoicës”, “Matematika zbavitëse” dhe arkivin e revistës periodike shkencore e argëtuese “Zenit”.

 

Në vitin 2012 Rakip Lasku doli para lexuesve me tri libra të reja: “Hysen Laçi, një jetë për arsimin”, kushtuar shokut të tij të ngushtë; “Trëndafila me gjemba”, përmbledhje lirikash me frymë erotike; “Guri i Zoicës”, me motive të hershme legjendare, kushtuar fëmijëve të moshës së ulët e të mesme shkollore. Në vitin 2007 është ndër kryesorët e themelimit të revistës periodike “Emathia”, në të cilën botoi shkrime të spikatura për personazhe historikë dhe fenomene të ndryshme shoqërore.

Poezitë e Rakip Laskut janë befasuese, me vlera intelektuale, me fragmente ideshë, të artikuluara mirë, me kuptim poetik, si kjo me titull “Karrigia”:

Kanë ndryshuar gjërat me shpejtësi kozmike,

veç karrigia siç ka qënë ka mbetur prapë karrige,

po gjahtarë karrigesh në çdo kohë ka pasur,

se dhe sot e kësaj dite lufta mbetet e hapur.

 

Dhe grinden politikanët për të thjeshtën, karrigen

si për një gjah të majmë ujqërit në mal grinden,

se karrigia, posi kurva, është futur në politikë

që, siç ikën me njërin dhe me tjetrin mund të ikë.

 

Poezia e tij bashkon të shkuarën me të ardhmen, ditën me natën, tokën me qiellin, shpirtin me trupin. Pa drojë e them, se Rakip Lasku është një shpirt nga shpirti i kombit. Me origjinalitet, identitet, thjeshtësi dhe sinqeritet, ky poet shkruan për Ferrin dhe Parajsën.

Nëpër Ferrin e jetës hyra, por edhe në Parajsën e saj

po ty askund nuk të gjeta, dhe ndërkaq zura të qaj

sepse ti ishe porsi llampa, që na duhet natën në terr

aq sa, pa ty, edhe Parajsa më duket më tepër se Ferr

e pa ty miop kam mbetur, dhe zemrën sot bosh e kam

se, as në Parajsën e jetës, as në Ferrin e saj nuk jam.

 

Për vlerën e poezive lirike të Rakip Laskut mund të them me plot gojën se ato janë të frymëzuara, të denja për lexim dhe rilexim. Duke përdorur mjetet e duhura stilistike, poeti depërton me sukses në botën magjike të fjalëve:

Tymi është i biri i zjarrit, po përse s’i ngjan të atit

nga zjarri rrjedh edhe hiri, kësisoj dhe ky është i biri

por edhe ky, ashtu si i pari, s’paska fare tiparet e zjarrit

dhe kjo për zjarrin, për çudi, nuk paska gjithësesi rëndësi

por nga im bir, përse unë dua, të më ngjasë patjetër mua?!

 

Poezia është ajo që ne duam dhe kërkojmë për lexuesin, diçka ndriçuese që ndiejmë dhe marrim frymë. Poezia na qetëson, na harmonizon, na frymëzon. Për vlerën e poezive të kolegut Rakip Lasku s’mjafton ky takim i sotëm, se siç thotë vetë:

Qetësi dhe vetëm qetësi ka gjithmonë mbi varre,

sepse të gjallët, për çudi, vijnë rrallë, rrallë fare

po dhe ashtu në të rrallë, sa herë kur në varre vijnë

njëlloj si gurët e varreve, përherë të heshtur rrijnë.


E them, pa ty sikur të isha në perandorinë e varreve

veç një akuzë të gjithëve, do t’ua bëja të gjallëve

edhe do t’ua përplasja posi bombë përpara syve,

për atë zhurmën e madhe, që bëhet sot midis tyre…

 

Studiuesi i mirënjohur, Behar Gjoka, në ngushëllimin e tij për kolegun Rakip Lasku, është shprehur:

-Njeriu që foli me fjalën e mençur si poet, prozator, si mentar i fjalës, në gjurmim të historisë dhe qytetërimit shqiptar, njeriu i cili ka vite që ka folur me heshtjen e tij, përballë shurdhmemecërisë së kësaj kohe…

-Në bisedat e lira, -theksoi më tej, -kam zbuluar diçka nga enigma që barti dhe e mori me vete, në amshim. Njeriu që dinte të fliste kaq bukur, me një thellësi analize dhe arguemnti e po me atë venerim dinte me dëgjuar. Një pasues më i afërt shpirtëror i Budit të Gurit të Bardhë, i fjalës poetike dhe diturake.

 

Në lëvrimin e poezisë së sotme me autorë matjanë japin ndihmesë poetët Basir Bushkashi, Kujtim Stana, Fatmir Gjestila, Lindita Doda, Qemal Cenaj, Bajram Canameti, Haqif Heta, Fatmir Neli, Fato Male, Adivie Hoxha, Xhavit Gasa, Ermal Lala, Lulzim Cuka, Rubjana Nika, Elona Basha… dhe të tjerë. Me botime të reja artistike ky grup poetësh bashkëkohorë forcojnë ndërtesën e modernitetit poetik matjan.

Koha që kalon nuk do ta shuajnë dhimbjen, kujtimin, dashurinë dhe respektin që ruajmë për Ty, i paharruari ynë Rakip Lasku! Mungesa jote është zbrazëti që nuk plotësohet kurrë. Tani e tutje mërzi e mall për ty. Sado që vitet kalojnë, ti je pjesë e jetës sonë letraro-artistike. Je dhembja e pashëruar e zemrave tona.

Hamdi Hysuka

Klubi Letrar “Pjetër Budi”, Mat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok