20/04/2024

Flet Prof. Prof. As. Dr. Vangjel Kici: Burimet natyrore dhe administrimi i tyre më i keq në Shqipëri

0

– Të goditësh gjeologjinë do të thotë të goditësh ekonominë

Nga Albert Z. ZHOLI

Emigrimi i të rinjve shqiptarë nuk ndalon. Synimi i të rinjve është perëndimi për një rrogë më të lartë. Por njëkohësisht edhe për të ndihmuar familjet, që nuk përballojnë jetësën me të ardhurat e tyre. Edhe në botë ka emigrim por 1 deri 5 apo 6 % e popullsisë dhe jo 40 përqind si tek ne. Emigrimi lidhet me prishjen e fabrikave, uzinave, kombinateve në vitet e demokracisë. Bujqësia është në kolpas dhe prodhimet bujqësore importohen nga jashtë. Por më e keqja është në industrinë minerare. Thuajse të gjitha  minierat janë dhënë me koncesion. Makineritë bujqësore u shkatërruan, kanalizimet janë prishur, tokat çdo vit përmbyten. Futja e makinerive bujqësore nuk mund të bëhet në parcelat e vogla, prandaj toka punohet me kafshë dhe me krahë. Këto janë disa nga probleemet që Profesori përcjell te lexuesi tek kjo intervistë.

-Profesor, punësimi mbetet problem në Shqipëri sidomos për të rinjtë. Cili është mendimi juaj pse emigron rinia shqiptare?

Në fund të janarit 2021, kryeministri Rama vizitoi Korçën. Ndërmjet të tjerave, në një mbledhje me publikun, dikush e pyeti: Çfarë do të bëni Ju për punësimin? Shqiptarët po detyrohen të largohen nga Shqipëria, për shkak të papunësisë dhe varfërisë. Zoti Rama u përgjigj pak a shumë kështu: U hap bunkeri i Enverit. Nuk emigrojnë vetëm shqiptarët. Ne nuk mund t’u sigurojmë shqiptarëve atë, që u siguron Gjermania dhe shtetet e tjera të zhvilluara (domethënë punën dhe mirëqënien-shënimi v. k.). Kush premton se e zgjidh këtë problem, mashtron.

Lidhur me këtë përgjigje duhet sqaruar se, vërtet të gjithë popujt emigrojnë, por rreth 1-3% e popullsisë, dhe jo mbi 40% e popullsisë, si në Shqipëri. Ky nuk është emigrim, por spastrim etnik i Shqipërisë (të largohen shqiptarët, që të vijnë të huajt!). Papunësinë dhe varfërinë e shqiptarëve e shkaktoi vet qeveria “Rama”, dhe qeveritë e mëparshme (pas vitit 1990).

Pse?

Sepse ato e orientuan shkatërrimin e industrisë (uzinave, fabrikave…). Ato shkatërruan naftën dhe minierat. Vendburimet e naftës dhe minierat u privatizuan. Ato u dhanë me koncesione korruptive, dhe po grabiten nga të huajt, në bashkëpunim me qeveritarët tanë. Kërkimet gjeologjike nuk bëhen nga shqiptarët, sepse gjeologjinë qeveritë e njëpasnjëshme e kanë mbyllur plotësisht. Me kërkimet merren vetëm të huajt, që në fakt nuk po bëjnë pothuajse asgjë. E gjithë Shqipëria, nga qeveria “Rama-Meta”, është nxjerrë në ankand tek kompanitë e huaja, për kërkime dhe shfrytëzim nafte dhe gazi. Pra, pasuritë natyrore iu hoqën shqiptarëve, dhe iu dhanë të huajve. Këtu përfshihen edhe pasuritë strategjike kombëtare, siç janë nafta, gazi, kromi etj. Pra, popullit nuk i mbeti asnjë pasuri.

-Si ndihet shteti shqiptar sot?

Shteti shqiptar u shpronësua plotësisht. Ai është krejt i dobët. Prandaj shqiptarët janë pa punë dhe të varfër. Ata janë të detyruar të emigrojnë, duke e braktisur Shqipërinë. Shtetet e tjera të Europës i kanë të dyja format e pronësisë: edhe pronën shtetërore, edhe pronën private, që janë në konkurencë me njëra tjetrën, kurse në Shqipëri u bë privatizim ekstrem, duke e zhdukur plotësisht pronën shtetërore. Qeveritë, pas vitit 1990, shkatërruan edhe bujqësinë. Kooperativat e dikurshme bujqësore, pa u shkatërruar, mund të shkëputeshin nga shteti dhe të bëheshin ferma private të fshatarëve. Kështu i bënë vendet e tjera lindore. Sot në Shqipëri nuk mund të zhvillohet bujqësia, sepse toka është ndarë në parcela të vogla private. Makineritë bujqësore u shkatërruan. Kanalizimet janë prishur. Tokat çdo vit përmbyten. Futja e makinerive bujqësore nuk mund të bëhet në parcelat e vogla, prandaj toka punohet me kafshë dhe me krahë.

-Çka ndodhur me Fakultetin Gjeologji-Miniera në vitet e demokracisë? A u forcua apo u nënveftësua?

Pas vitit 1990, në kuadër të luftës kundër gjeologjisë (kundër pasurive tona natyrore!!), Fakulteti Gjeologji-Miniera u reduktua. U mbyll katedra e naftës. Diploma gjeolog nafte u mbyll më 1995. U mbyll laboratori i gjeokimisë, dhe disa laboratore të tjera. Biblioteka e fakultetit mbeti pa prurje të reja. U mbyllën praktikat në vendburimet e naftës dhe në miniera etj. Pas vitit 1996 u zvogëlua numri i të diplomuarve. Pse? Sepse nuk pranoheshin diplomat e ing. gjeolog nafte, ing. miniere, ing. gjeofizik dhe ing. pasurimi të mineraleve. U ulën edhe pranimet për ing. shpim-shfrytëzimi etj. Pra, specialitetet themelore të Fakultetit Gjeologji-Miniera, dhe kryesoret për industrinë dhe vendin, nuk do të ishin të nevojshme në të ardhshmen!!

Përparësi sot i është dhënë hidrogjeologjisë (studimit të ujrave), mjedisit, gjeoinformatikës dhe në fund burimeve minerale. Në fakt, përparësia i duhet dhënë naftës, gazit dhe burimeve minerale.

Më 5 nëndor 2014 qeveria vendosi ta transferonte Fakultetin Gjeologji-Miniera në një godinë tjetër. Ky do të ishte fillimi i shkatërrimit të plotë të këtij fakulteti. Studentët dhe pedagogët protestuan, por kryeministri Rama i mashtroi. Pas 5 vjetësh, më 22 maj 2019, qeveria “Rama” u detyrua t’a anulonte vendimin e mëparshëm për transferimin e fakultetit, si rezultat i protestave të studentve të universitetit. Sot Fakulteti Gjeologji-Miniera është lënë pas dore. Ai është “anemik”. Ai nuk diplomon me shumicë ing. gjeolog nafte, ing. gjeofizik dhe ing. miniere, sepse qeveria naftën dhe minierat ua ka dhënë të huajve.

Pra, popullit shqiptar iu shkatërrua industria, iu hoq nafta dhe minierat, iu shkatërrua bujqësia… Prandaj shqiptarët janë të varfër dhe po largohen nga Shqipëria. Pse ndodhën këto? Për këtë ka dy shpjegime: 1- Qeveritë, pas vitit 1990, kanë qenë dhe janë të paafta. 2- Qeveritë i kanë bërë këto punë të këqija qëllimisht. Në të dy rastet, qeveria “Rama” duhet të largohet nga pushteti. Është paturpësi e madhe t’i kërkosh popullit prap votën, për një mandat të tretë, për të vazhduar keqqeverisjen e Shqipërisë. Edhe opozita është shumë fajtore. Populli duhet të gjejë se kujt t’ia japë votën.

Pra ju thoni se të gjitha qeveritë postkomuniste janë përgjegjëse për këtë katrahurë ekonomike?

Po! Të gjitha qeveritë, pas vitit 1990, goditën industrinë, naftën dhe minierat, domethënë goditën gjeologjinë dhe bujqësinë. Qeveritë shqiptare, pas vitit 1990, nuk kanë ditur, ose nuk kanë dashur të administrojnë mirë pasuritë e pafundme të Shqiperisë. Bie në sy goditja e gjeologjisë. Pse? Sepse kështu qeveritë kanë goditur gjeologjinë ekonomike. Shpesh qellimi kryesor i studimit të gjeologjisë ekonomike është të gjejë rezerva të reja nafte, gazi dhe depozita të reja xeherore për shfrytëzim. Pra, të goditësh gjeologjinë do të thotë të goditësh ekonomin. Kush i bëri të pasura vendet arabe dhe Norvegjinë? I bëri nafta dhe gazi, si pasuri kombëtare (shtetërore). Kush e fuqizoi Rusinë, pas vitit 1990? E fuqizoi nafta dhe gazi, si pasuri kombëtare (shtetërore). Kush e forcoi ekonominë e Gjermanisë, Francës, Anglisë etj.? Përveç tjerash, e forcuan rezervat e mëdha të hekurit dhe të qymyrit antracit. Por naftën, gazin, hekurin, qymyrin antracit etj. i zbuloi gjeologjia!! Pra, gjeologjia i pasuroi ato vende.

Po Shqipërinë a mund t’a bëjë të pasur gjeologjia?

Sigurisht që PO! Pra, duhet të mbështetemi tek pasuritë natyrore dhe tek bujqësia, pastaj tek turizmi etj, sepse kemi klimë shumë të mirë. Toka shqiptare është shumë e pasur me burime natyrore: Naftë, gaz, krom, bakër, hekur-nikel, boksite, materiale ndërtimi, gurë dekorativë (zbukurimi), ujra të pijshme etj, etj.

Disa nga këto pasuri janë të kalibrit botëror. Këtu përfshihen: Nafta, gazi, kromi, hekur-nikeli dhe boksitet (xeheror i aluminit, Al2O3). I njohin këto pasuri dhe perspektiva qeveritë shqiptare? Jo, aspak, sepse po t’i njihnin nuk do të vepronin siç u përmend më sipër. Në qoftë se i njihnin, atëhere do të rezultonte se i kanë keqadministruar qëllimisht.

Kam bindjen e plotë, se perspektiva e Shqipërisë Lindore, për naftë dhe gaz, është shumë e madhe (e ngjashme me Azerbajxhanin!). Perspektivë të madhe, për naftë dhe gaz, ka edhe Shqipëria Perëndimore dhe Veriore, domethënë e gjithë Shqipëria!

Për kromin Shqipëria renditet e treta-e katërta në botë.

Rezervat e njohura të hekur-nikelit janë mbi 100 milionë tonë, dhe pritet zbulimi i rezervave të tjera të mëdha.

Ju diku keni thënë se për boksitet Shqipëria ka perspektivë të afërt shumë të madhe. Ku konkretisht?

Në zonën e Alpeve Shqiptare Perëndimore (pranë Malit të Zi) pritet të zbulohen rezerva shumë të mëdha të boksiteve të bardha, cilësore sikurse në Mal të Zi (lutem, kërkoni në Google: “Genesis and genetic types of bauxites”. Pozicioni i tyre, në prerjen stratigrafike, dihet shumë mirë, por, me sa duket, boksitet e bardha janë ngatërruar me shkëmbinjtë gëlqerorë, të cilët janë gjithashtu të bardhë. Boksitet e bardha ndodhen në Kretak të poshtëm (në katet Berriasian-Valanzhinian dhe Barremian-Aptian). Boksitet e bardha shoqërohen me fosilet e algeve Charophyta!! Këto alge janë të ujrave të ëmbla (liqenore), prandaj tregojnë diskordanca në depozitimet detare, me të cilat lidhen boksitet. Harofitat tashmë janë të përcaktuara. Depozitimet me harofita kanë trashësi relativisht të madhe dhe përhapje të gjerë, rreth 1000 km2. Pa dyshim, duhen bërë vetëm analizat kimike, që të faktohen boksitet. Pra, lugina e lumit Cem, dhe krahina e Kelmendit (Tamara dhe Malësia e Madhe) pritet të jenë shumë të pasura me alumin. Përveç aluminit, boksitet e Malit të Zi përmbajnë edhe metale të rralla (gallium, skandium etj.).

Çfarë pasurie na mungon ne shqiptarëve?

Asnjë pasuri nuk na mungon. Na mungojnë vetëm qeveritë e afta dhe atdhedashëse. Na mungon vetëm qeverisja e mirë e tyre.

Duhet bërë nacionalizimi (kombëtarizimi, shtetëzimi) i pasurive strategjike kombëtare. Pra, duhet nacionalizuar nafta, gazi, kromi, bakri, hekur-nikeli dhe boksitet. Duhet forcuar shteti, krahas pronës private. Studimet dhe kërkimet gjeologjike duhet t’i bëjnë vet shqiptarët. Duhet forcuar Fakulteti Gjeologji-Miniera.

Fillimisht, investimet kryesore duhen bërë kryesisht në sektorin shtetëror të naftës. Mungesën fillestare të parave, të nevojshme për zhvillimin e sektorit shtetëror të naftës, le t’a zgjidhim duke vënë në punë paratë e popullit (të pasanikëve shqiptarë), dhe të mos ua japim naftën dhe gazin të huajve. Kështu veproi Norvegjia, dhe nuk ua dha naftën dhe gazin të huajve. Të marrim shembull prej saj, ku çdo banor është një milioner, në saje të naftës shtetërore. Po të jetë nevoja, le të marrim edhe kredi nga jashtë. Nafta dhe gazi sigurojnë shlyerjen e kredisë, dhe sjellin të ardhura të mëdha. Populli shqiptar, me një qeverisje të mirë, shumë shpejt mund të arrijë mirëqënien e shteteve më të zhvilluara të Europës.

Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave  ·

Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, është shkolla e parë e lartë në Shqipëri për përgatitjen e specialistëve për të gjitha degët e Shkencave të Tokës, të Industrisë Minerare dhe asaj të Naftës dhe Gazit. Drejtimet e përgatitjes së specialistëve në këto shkenca kanë patur si qëllim zhvillimin e gjeologjisë shqiptare në të gjithë fushat e saj, përgatitjen e specialistëve të minierave për hapjen, përgatitjen dhe shfrytëzimin e vendburimeve të mineraleve të dobishëm si dhe të specialisteve të shpimit dhe prodhimit të vendburimeve të naftës dhe të gazit.

Përgatitja, për herë të parë, e këtyre drejtimeve të reja shkencore në vendin tonë, kërkonte edhe zhvillimin brenda shkollës të disa specialiteteve të ngushta e të veçanta, të cilat u rritën dhe u zhvilluan me shpejtësi krahas zhvillimit dhe rritjes së Fakultetit.

Fillesat e Fakultetit të Gjeologjisë dhe të Minierave, datojnë qysh me krijimin e njërit prej “trinjakëve” të arsimit të lartë shqiptar, Institutit të Lartë Politeknik të Tiranës, krahas Instututit të Lartë Pedagogjik dhe Institutit të Lartë Bujqësor. Instituti i Lartë Politeknik u krijua në vitin 1951 me degët Mekanike, Elektrike dhe Ndërtim, ndërsa në vitin 1952 u hap edhe dega e Gjeologjisë.

Plani Mësimor 5‐vjeçar (1952-1957) i zhvillimit të degës së Gjeologjisë ishte huazuar nga shkollat ruse. Me krijimin e Universitetit të Tiranës, në vitin 1957, dega e Gjeologjisë vazhdoi të ishte pjesë e Fakultetit të Inxhinierisë të këtij Universiteti. Mbi këtë bazë, drejtimi i përgatitjes së studentëve ka qenë dhënia e titullit “Inxhinier”, për të gjitha specialitetet që përgatiteshin. Kjo lidhej me formimin e thellë inxhinierik që mundësonin planet dhe programet mësimore.

– Fakulteti Gjeologji-Miniera u reduktua, u mbyll katedra e naftës, Diploma gjeolog nafte u mbyll më 1995.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok