27/04/2024

Flet piktori Aleksandër Dragoti

0

– Asnjë piktor shqiptar nuk është vlerësuar në demokraci.

– Varfëria është e padukshme që vret në heshtje.

-Në fondin tim kam 600 piktura ku mbizotëron peisazhi.

Nga Albert Z. ZHOLI

Me Aleksandrin kam rreth 28 vjet miqësi. Aleksandri ka lindur në Tiranë më 18 shtator të vitit 1956 në Tiranë. Me origjinë është nga Tepelena, ku babai i tij Asaf Dragoti ka qenë Komandant i Brigadës së 8-të, Sulmuese. Studioi në Liceun Artistik për piktor dhe më pas vazhdoi studimet e larta në Akademinë e Arteve, Pas përfundimit të studimeve në këtë Akademi u emërua në Ndërmarrjen Artistike Migjeni. Pas disa vitesh transferohet në Kombinatin Josif Pashko si piktor dhe përgjegjës pikture në këtë Ndërmarrje të madhe. Në këtë Ndërmarrje merrej me organizimin e koncerteve të majit si dhe propagandën piktoristike. Njëkohësisht ishte piktor dhe ilustrator i revistës “Fatosi” “Pionieri”, dhe “Yllkat”. Gjatë gjithë kësaj periudhe merrte pjesë në Ekspozitat e Nëntorit ku merrnin pjesë të gjithë piktorët e Shqipërisë të cilët kishin bërë emër. Gjatë gjithë periudhës së punës së tij si piktor (në periudhën e komunizmit) ka hapur mbi pesë ekspozita personale me piktura të gjinive të ndryshme. Në vitin 1993, tre vjet pas ardhjes së demokracisë ishte i pari që hapi ekspozitën personale në Muzeun Kombëtar dhe Piramida (ish-Muzeumi i diktatorit Hoxha) ku pati një sukses të jashtzakonshëm. Në këtë ekspozitë mori pjesë dhe e famshmja Anri Zhirardo, aktorja franceze, e cila mbajti fjalën e rastit duke e vlerësuar për anën artistike dhe estetike këtë ekspozitë befasuese për kohën dhe vendin. Në këtë ekspozitë ku kishte shumë piktorë, skulptorë dhe artistë aktorja e famshme dha dhe një intervistë të gjerë për artin shqiptar dhe artistët shqiptarë për TVSH. Kjo ekspozitë u ideua nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë në lidhje me Ministrinë e Kulturës së Italisë. Fill pas kësaj ekspozite Aleksandri shkon në Itali (Romë) duke hapur të njëjtën ekspozitë, e cila pati një sukses më të madh se në Tiranë. Televizionet prestigjioz “Rai Uno” dhe “Rai Due” dhanë kronikë speciale për këtë ekspozitë. Gjithë këtë ndërmarrje e investoi Fondacioni “Soros” i cili e përshëndeti hapjen e kësaj ekspozite të veçantë postkomuniste, që sillte një këndvështrim të ri të pikturës shqiptare. Pas dy katër vjetësh pas hapjes së kësaj ekspozite, Aleksandër Dragoti emigroi në Greqi, për t’i dhënë një frymë dhe mendim të ri pikturës së tij. Lëvizja është bota e brendshme e çdo piktori, ku në shëtitjen e vendeve të ndryshme, bota e tyre krijuese merr dimension dhe impuls të ri. Për vetë teknikën moderne të pikturës së tij, për botën boheme shpirtërore të tij, u interesuan shumë galeri dhe kisha greke për të bërë pikturimin, freskimin e afreskeve murale dhe të pikturave të ndryshme kishtare. Jashtë kohës së punës ai pikturonte kudo që mundte në Galeri prestigjioze, ku për pikturat e tij shfaqën interes personalitetet politike greke si Simitis, Papandreu, Venizelos, ku disa piktura të tij u bënë pjesë e zbukurimeve murale të shtëpive të këtyre personaliteteve. Peneli i tij u bë pjesë e diskutimeve të kritikëve më të mirë grekë të pikturës. Falë këtyre aftësive, përkushtimit, studimit selektiv, kujdesit ndaj zhvillimeve në fushën e pikturës konteporane, pikturat e Aleksandrit u bënë pjesë e galerive më të zëshme në Athinë dhe në tërë Greqinë. Aktualisht në Galerinë Ndërkombëtare të Athinës, ai ka tetë piktura nudo ku mori vlerësimet më të mira të kritikës europiane, ballkanase dhe greke. Piktura e Dragotit, është një labirint ndjenjash dhe figurash enigmatike, erotike, jetësore, ku ai kurrë nuk përsërit vetveten, por të fut në një botë zhbiruese që duhet përqendrim, njohuri dhe filozofi në njohjen e abstraksionit e kombinuar me realen. Piktura e tij është një ngasje drejt modernes, për të njohur antiken, është një mistikë që tundon realen. Aleksandër Dragoti është një ndër piktorët shqiptarë, që tashmë njihet jo vetëm për pikturat e tij cilësore, por edhe për shembullin intelektual ku shpesh herë guxon që me penel të kritikojë problemet e ndryshme politiko-sociale në Shqipëri. Ai tashmë numëron në prodhimtarinë e tij rreth 600 piktura si kompozime, peizazhe, portrete, natyra të qeta, por ku mbizotëron piktura abstraksioniste, modern, e cila është pëlqyer shumë në Greqi. Aktualisht, Dragoti është ndër piktorët e pakët Ballkanik, por edhe ata grek që ka në Muzeun Kombëtar të Athinës 8 piktura. Dhe këto piktura janë pranuar nga një komision special duke e lartësuar dhe vlerësuar maksimalisht pikturën e Dragotit. Në këtë muze janë 8 piktura të titulluara “Athinaja nudo” në stilin modern, abstraksionist, ku Athinaja e famshme greke shfaqet në pozicione të ndryshme nudo duke fshehur pjesët intime, ku dalin në pah bukuria, fisnikëria, por dhe mendimi i saj filozofik si një ndër femrat më të ditura në botë. Këto 8 piktura mbeten ndër më të komentuarat në Muzeun e Athinës. Ndërsa në dy pikturat e reja Aleksandër Dragoti shpalos disa ide dhe mendime tepër filozofike, që përbëjnë një risi në pikturën e tij moderne.

-Ju e keni lidhur jetën vetëm me pikturën. Tashmë në fondin tuaj numërohen rreth 600 piktura. Si e sheh veten sot Aleksandri si piktor? A sjell frymëzim për ju Tirana?

-Bashkë kemi folur shumë herë dhe e keni vizituar studion time. Unë vetëm punoj me penel ditë -natë. Piktura është jeta ime, frymëzimi im, ngushëllimi im. Tashmë i kam kaluar 600 piktura në fondin tim dhe  më duken pak, sepse kam kaq shumë ëndrra, kaq shumë dëshira. Më shumë në pikturën time mbizotëron peisazhi, pastaj portreti, natyra e qetë, kompozimi, por edhe piktura moderne, konteporane. Në Shqipëri apo në Tiranë në çdo hap të hedhësh të lind një ide për të bërë një pikturë. Tirana sot është e kontrasteve të mëdha. Në një moment shikon një gradaçielë dhe poshtë saj në trotuar një lypës. Ecën dhe shikon një lokal luksoz dhe pranë të afrohet një i moshuar dhe të kërkon lëmoshë. Shikon pallate të reja, të bukura ,por edhe shtëpi të rrënuara prej qerpiçi. Shikon rrugë të bukura, por edhe rrugë me baltë që të bëjnë kontrast. Pra Tirana për piktorin është çdo moment objekt dhe subjekt. Në Tiranë shef makinat më të bukura që prodhon bota, por sheh dhe  njerëz që në darkë nuk kanë bukë të hanë. Tirana është shumë e zhurmshme, por është dhe plot ngjarje makabre. Në Tiranë i gjen të gjitha ndaj them se është ngasje për çdo piktor.  Tirana është e zhurmshme ditë e natë. Është në lëvizje, por edhe të sjell stress. Makinat me shpejtësi skëterrë të turbullojnë. Por edhe varfëria është e padukshme që vret në heshtje.

A ke marrë vlerësimet e duhura? Po me politikë a është marrë Sandri dhe si do ta përkufizoni realitetin e sotëm në Shqipëri?

Përsa i përket vlerësimit nuk dua të ndalem. Asnjë piktor shqiptar nuk është vlerësuar në demokraci. Piktorët në Shqipëri mundohen të mbijetojnë dhe pse janë shumë të talentuar. Edhe pse janë shumë piktorë sërish them që duhet të kenë një vlerësim më shumë nga shteti. Artistët ndihen si të braktisur sot. Vetëm hapja e një ekspozite vetiake ka kosto. Plus ne mundohemi t’i bëjmë vetë reklamë të gjithë punës. Njëkohësisht mund të them se nuk është ambient i duhur sot në Shqipëri për ne. Piktura reale, piktura bio nuk kuptohet, nuk blihet. Ende nuk është bërë kulturë blerja e një pikture origjinale nga familjet shqiptare. Janë të pakët ata që e njohin mirë rëndësinë e pikturës origjinale. Sot blihen vetëm pikturat e fabrikuara, pikturat e prodhimit në linjë. Ndërsa nëse do flas për politikën kam shumë për të thënë, por nuk dua të ndalem gjatë. Ju e dini që kam qenë një ndër të parët që përkraha lëvizjen demokratike në Shqipëri. Sigurisht që duhej ai ndryshim. Por gjatë këtyre 33 vjetëve kam parë se në politikë nuk u futën njerezit e duhur, të mençurit dhe patriotët, por ata, që nuk mundën të bëjnë emër në sistemin monist dhe ata që ishin servilë apo të paaftë. Nuk po shoh një klasë poltike të re, të emancipuar. Klasa politike e vjetër ende do të qëndrojë në pushtet dhe nuk po merr nisma që të ofrojë brezin e ri. Klasa e vjetër politike nuk ka qenë e arsimuar për të drejtuar politikat e një shteti të ri demokratik, por ende drejtojnë me mendësitë e vjetra. Duke parë këtë situatë nuk kam qenë pjesë e asnjë formacioni politik. Politika për mua tashmë është që me penel të lartësojë bukuritë e vendit tim, por edhe të sjellë realitete sociale që të fshikëllojnë se në çfarë situate jemi. Për mua politika shqiptare e 33 vjetëve është e dështuar, e kompromentuar, e korruptuar dhe aspak patriotike.

-Cilat janë pikturat e tua të fundit?

Janë shumë shumë. Unë punoj çdo moment dhe sa shikoj diçka të re në fillim e skicoj në letër pastaj e hedh në telajo. Shiko kam portetet e lypësit, peisazhe të ambienteve të ndryshme të Tiranës, të rrugëve, të lokaleve, të tregut të fruta-zarzavateve, të sheshit qendror, të pemëve në rrugë, etj…të gjitha janë në vaj, por edhe në akuarel. Në këto dy teknika punoj.

Por të ndalemi te një moment, në sistemin monist. Si pikturoheshin portretet e ish-udhëheqësve të asaj kohe? Portretet e udhëheqësve ishin të përcaktuara, ju a kishit leje për të pikturuar Enver Hoxhën?

Për portretet e Enverit në zyrat shtetërore piktorët ishin të përcaktuar, por në portretet e mëdha që mbaheshin në supe nga klasa punëtore gjatë manifestimeve kisha leje. Në atë kohë kam bërë portrete shumë të shokut Enver dhe portret me shumë kualitet dhe figura të shumë anëtarëve të Byrosë Politike dhe këto vendoseshin në ballë të ndërmarrjes “Josif Pashko” që ishte një nga ndërmarrjet më të mira në rang republike. Vinin direktiva nga Komiteti i Partisë që autorizoheshin persona të veçantë piktorë për ta ushtruar dhe për t’i bërë këto portrete. Në atë ndërmarrje ka qenë drejtori i Josif Pashkos që nuk jeton më; Koço Konomi. Ishte një njeri punëtor, mjaft autoritar, pasi në ndërmarrjen tonë bëheshin pritje ministrash. P.sh në atë kohë vinin si ministri i asaj kohe Fareudin Hoxha, ku shënoheshin planet e realizuara dhe njëkohësisht përcilleshin direktivat e reja të Partisë ku ne shpeshherë merrnim falënderime. Në ndërmarrjen tonë dhe në Shtëpinë e Kulturës që ishte një nga modelet e mira që e kishte projektuar Gazmend Tepelena. Ne merrnim përsipër që të bënim edhe koncertet e Majit dhe aty kanë dalë emra shumë të njohur siç ka qenë: Alqi Boshnjaku (që sot nuk jeton më), Alfred Kaçinari, Elida Buçpapaj. Jam njohur edhe me Çesk Zadenë, sepse Josif Pashko kishte një vend nderi në koncertet e majit, mbante vendin e parë në lidhje me valltarët e shquar e asaj kohe. Aty ka qenë edhe Dashnor Diko, Aleksandër Gjoka, Alida Hisku, Rexhep Çeliku.

Në atë sistem kishte shumë talente, kë do të veçosh nga piktorët që ke njohur?

Ai sistem ka nxjerrë shumë piktorë të talentuar, po shumë. Kjo pasi kishte kërkesë llogarie në shkolla. Në atë kohë studiot e piktorëve kanë qenë në stabilimentin “Mihal Duri”, që nga Sali Shijaku, Myrteza Fushekati, Perikli Çuli, skulptori Janaq Paço, Shaban Hadëri, Mumtaz Dhrami u rritëm në ato studio. Qysh në fëmini në këto studio vinte dhe Edi Rama. Unë do të veçoj piktorin e mirënjohur Edi Hila, një piktor i talentuar, një piktor me vizion.

Piktura e parë e tiulluar “Revolucion”

Kjo pikturë denoncon problemet e shumta sociale të kohës që jetojmë në atdheun tonë.  Nëpërmjet vijëzimeve, formave abstrakte autori denoncon shkatërrimin e materies, të normalitetit, pasi sërish ka filluar të instalohet hakmarrja që është humbja e koshiencës. Mes mugëtirës së problemeve të shumta këta njerëz hakmarrës ecin në përditshmëri mbi një bazament të thyer. Autori diku në qendër të pikturës ka vendosur pionierin e ri, atë pionier të njeriut real të jetës, i cili duhet të dominojë, të bëjë kthesën. Ky njeri është i rrethuar nga mediokriteti. Pamja e tij, dora e shtrirë për largim, tregon dhe tenton të përcjellë dëshirën e njeriut korrekt për ta zmbrapsur këtë mediokritet. Në shumë poste, në shumë organizata këta mediokër me brutalitetin, nënvleftësimin, përbuzjen që i karakterizon nga mosformimi i duhur përbëjnë një shëmti të shoqërisë. Ata janë kthyer në bastardë që vetëm mendojnë fitimin e pandershëm. Ata e keqkuptojnë demokracinë. Demokracia nuk do të thotë humbje virtytesh apo humbje morale. Jo! Duhet të jetë e kundërta. Ndaj të mësuar me këtë ideologji përfitimi, autori do të tregojë se aktualisht sëmundja më e keqe e shoqërisë është ideologjia e gabuar dhe jo kanceri. Pikasso shpiku kubizmin me anë të së cilës donte të përcillte formën e një shprese të re të jetës. Atë të jetës me rregulla, norma bazuar mbi aftësitë, nivelin dhe punën e ndershme. Ndaj politika shqiptare ecën kundër rrymës, kërkesave të popullit pasi ndërtesën e demokracisë nuk e sheh në këtë prizëm, në këtë këndvështrim. Përkundrazi, ndërtesa e demokracisë së brishtë shqiptare në këto 30 vjet ka filluar nga kati i 30 pa çati dhe që kjo çati në gjuhën e piktorit quhet absurditet. Nëpërmjet simbolikave të vijave dhe formave të ndryshme autori formëzon disa thika imagjinare që janë pjesë e problemeve botërore. Këto thika nuk janë pambuk, por metali që presin dhe tregojnë atë pjesë të realitetit botëror si varfëria, skamja, luftërat lokale, që ndikojnë dhe në problemet e shoqërisë shqiptare. Portreti tjetër i sfumuar në qendër të pikturës qartëson një klloun gjysmë njeri që luan me njerëzit dhe nuk po kupton fatin e tij. Vjen momenti që këta njerëz po ndërgjegjësohen për realitetin që jetojnë dhe po reagojnë. Kjo pikturë në vaj me përmasa 3,5 X 1.5 metër përbën një evolucion në krijimtarinë e Dragotit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok