27/04/2024

Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet, këngët dhe ballakumet – Flasin Luan Zhegu, Bashkim Alibali, Paro Ziflaj dhe Vitore Stefa Leka

0

-Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet, këngët dhe ballakumet

-Dita e Verës është një festë pagane me origjinë të lashtë

-Festa e rrallë shqiptare ose Festa e harmonisë e të gjithë shqiptarëve, sepse bashkohen pa dallim krahine, feje dhe bindje politike

Nga Albert Z. ZHOLI

Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. “Dita e Verës”, një festë pagane, kremtohet çdo 14 Mars dhe është shndërruar tashmë në një festë mbarë shqiptare, që festohet nga veriu në jug të vendit, por sipas riteve dhe traditës së secilës krahinë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë, që merr jetë në këtë datë. Tashmë kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballakumeve. Sa herë që përmendim festën e Ditës së Verës, instiktivisht mendojmë për qytetin e Elbasanit. Elbasani është qyteti ku festa ndjehet dhe përjetohet më së shumti. Zanafilla e lidhjes së festës me këtë qytet është faltorja e Zanës së Çermenikës, e cila gjendet në një ndër fshatrat e Elbasanit. Sipas legjendës, Zana dilte nga foltorja, vetëm ditën e 14 marsit, që përkonte me nisjen e verës dhe që prej asaj kohe është kthyer në një festë, që identifikon qytetin. Janë të shumtë ata që shkojnë në këtë qytet çdo 14 Mars për ta ndjerë festën e Ditës së Verës edhe më shumë, gjithashtu për të provuar gatimet karakteristike, si ballakumja, revania dhe gjelin e detit me arra.

Dita e fillimit të stinës së pranverës.

Historia e Ditës së Verës, festës më tradicionale në Shqipëri dhe kryesisht në qytetin e Elbasanit, lidhet me kalendarin Julian, që zbatohej në kohën e lashtë në të gjithë Europën Perëndimore. Sipas kalendarit marsi ishte muaji i parë i vitit, i cili fillonte i gëzuar dhe i begatë. Por, sipas kalendarit Gregorian që përdorim edhe në ditët e sotme, 14 Marsi përcaktonte ditën e fillimit të stinës së pranverës, ku njerëzit mezi prisnin të dilnin nga dimri i gjatë dhe të shikonin natyrën tek gjelbëronte. Kjo festë pagane ka ritualin e saj ,të cilët shqiptarët, por jo vetëm, e kanë trashëguar brez pas brezi. Në antikitet festa i dedikohej perëndisë Dianë, ndërsa sot praktikohet për një verë të mbarë. Sipas studiuesve dita e verës është e ndarë në katër faza: Faza e parë është përgatitore, ku të gjithë njerëzit përgatisin të gjitha ushqimet dhe zbukurimet për shtëpinë e tyre dhe për të pritur vizitorët. Faza e dytë është nata e Verës, ku tradita thotë se nëpër shtëpi ose komunitete të vogla duhet të ndizet një zjarr i madh, e më pas konsumohet darka me ushqimet e rezervuara nga dimri, si zahire të ndryshme ose mishi i thatë. Ndërsa faza e tretë është zgjimi në orët e para të mëngjesit, për të larë sytë me ujin e vezëve të ziera një ditë më parë, ndërsa pritja e njerëzve tregon bujari në këtë ditë. Faza e katërt është përgatitja për piknikun e gjatë së bashku me familjarët. Edhe, pse nëse në vende të tjera të rajonit nuk festohet aq shumë, në vendin tonë është aq tradicionale sa festat fetare. Që prej lashtësisë kjo festë është cilësuar si harmonia e të gjithë shqiptarëve, sepse bashkohen për të festuat të gjithë, pa dallim krahine, feje dhe bindje politike.

Tre nga simbolet më kryesore të kësaj dite janë:

Ballakumet

Kjo ëmbëlsirë është një tjetër mjet identifikues për qytetin e Elbasanit. Nëse shkon në këtë qytet, për festën e Ditës së Verës apo jo nuk mund të kalosh pa marrë një ballakume Elbasani. Në të gjithë Shqipërinë bëhet kjo ëmbëlsirë, por receta e saktë qëndron vetëm në këtë qytet.

Verorja

Ky simbol i ditës së Verës prej lashtësisë është byzylyk i përgatitur nga fije peri të kuqe dhe të bardhë, i cili vendoset në dorë ose në portat e shtëpisë, në mënyrë që dallëndyshet t’i marrin dhe njerëzit e shtëpisë të kenë fat.

Lulet e ndryshme që përcaktojnë ardhjen e verës.

Elbasanasit dhe shqiptarët, gjatë ditës së verës respektojnë natyrën dhe luten për një verë të shëndetshme dhe të mbarë. Lulet më karakteristike të qytetit të Elbasanit, por dhe një tjetër simbol i festës janë lulja e jaseminit, karafilit, trëndafilit, zymbylit, karakaftet etj. Të gjitha shtëpitë duhet të kenë mbjellë një nga këto lule për t’i dhuruar gjatë ditës së verës të afërmve.

14 veçoritë e Ditës së Verës

  1. Origjina e Ditës së Verës vjen nga lashtësia. Ajo është festë e trashëguar në veçanti nga qytetarët e VALM‐it Elbasanit (Skampa e lashtësisë) dhe festohet gjithmonë më 14 Mars.

Dita e Verës, e njohur si festa e ripërtëritjes së natyrës dhe e vazhdimësisë së jetës, është sot festë kombëtare dhe festohet kombëtarisht si e tillë.

  1. Mëngjesi i 14 Marsit!–Të gjithë zgjohen me të njëjtën lutje: Inshalláh është kohë e mirë! Rituali vijonte me përgatitjen nga i zoti i shtëpisë të pjatave për të bërë kamë (këmbë) te të afërmit etj. Këtu hynin pilafi me gjel, ballakume ose revani, vezë të ziera, arra, palë dhe 2-3 bisqe me lule, zakonisht lule misiri, që në Elbasan çelin herët.
  2. Kulti i kësaj dite të shenjtë “tempullin” e vet e ka pasur qëmoti në trevat e Elbasanit, pasi në këto anë ndodhej faltorja e Zanës së Çermenikës (Diana Candaviensis). Në kohët e lashta perëndesha Diana mbahej si hyjnesha e gjuetisë, pyjeve dhe e gjithë natyrës. Ajo adhurohej jo veç në hapësirat ilire, por në mbarë brigjet mesdhetare. Statuja të saj janë gjetur jo veç në Apolloni, por dhe në brigjet e Afrikës Veriore e në Azi të Vogël.
  3. Fakti që një festë mistike e natyrës, u ruajt në qytetin e Elbasanit dhe u përcoll “e pastër” deri më sot, pavarësisht tallazeve historike, ideologjike e fetare, përbën një krenari dhe pasuri gjithkombëtare.
  4. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballakumeve. Ndërsa në Lezhë Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse.
  5. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 Mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan, po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.
  6. Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 Mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, 14 Mars).
  7. Populli iranian (themeluesit e kësaj feste) e festojnë më 21 mars, sepse pikërisht në këtë datë fillon stina e parë e pranverës, pikërisht në këtë datë fillon shenja e parë astrologjike, Dashi, që është shenjë zjarri, prandaj simbol i kësaj feste është zjarri.
  8. Edhe pse kjo festë ndodh në pranverë, në kohët e lashta njiheshin vetëm dy stinë: Vera, e cila niste në mars dhe mbaronte në shtator, dhe dimri që niste nga shtatori në shkurt. Pra, nga ana shkencore kjo festë duhet të festohet më datën 21 mars, sepse në atë kohë dita dhe nata janë barazim.
  9. Shumë vite më parë, në Elbasan festa kishte përmasa të mëdha. Një muaj më parë, por dhe më herët, sigurohej gjeli i detit, i cili së bashku me ballakumen dhe revaninë përbëjnë nishanet më përfaqësuese të festës. Gjeli i detit ka qenë tradicionalisht pjesë e Ditës së Verës. Gjeli ushqehej me shuka që të ishte i madh, i majmë, me pendë të shkëlqyeshme dhe “i fortë”.
  10. Pas kësaj date hynte mbretëria e Diellit (zotit të lashtë pagan), dita fillonte të zgjatej dhe Dielli dukej përherë e më shumë.
  11. Shumë kohë me përpara kjo festë festohej edhe më 1 mars, sepse marsi ishte muaji i parë. Sot ne të gjithë përdorim kalendarin gregorian, i vendosur nga papa Gregori, ky është kalendar i bazuar te Dielli.
  12. Mëngjesin e Ditës së Verës kryhej dhe një rit tjetër disi i pazakontë. Djem të vegjël dilnin herët në mëngjes dhe i binin çekiçit të derës (familjeve jo farefis). Në qoftë se nga brenda dëgjohej thirrja: – Kush asht? – atëherë djali niste vargjet: Marrsh morrat e pleshtat, Gjumin e sabahut, Ethet e verës, Me çekiça derës. Simbolika e këtij riti ishte që i huaji të largonte të ligat nga dera e tij, për t’ia lënë derës tjetër.

Ballakumja e rrallë

Ballakumja është një nga ëmbëlsirat autentike shqiptare, traditë e qytetit të Elbasanit dhe simbol i Ditës së Verës gjithashtu. Pavarësisht se tradita e përgatitjes së saj është me rastin e Ditës së Verës ajo përgatitet edhe si ëmbëlsirë në çdo rast e kohë. Kjo recetë kërkon durim dhe kujdes duke nisur nga përzgjedhja e përbërësve dhe deri tek përpunimi i tyre, e mandej procesi i fundit i pjekjes. Receta autentike e përgatitjes së ballakumes, të cilën AgroWeb.org e sjell më poshtë, ka disa elementë specifikë, të cilët bëjnë diferencën në shijen perfekte të saj. Një nga përbërësit unik të ballakumes është finja. Ajo përgatitet nga hiri i zjarrit, e madje nënat e gjyshet e vjetra elbasanase kujdesen që të marrin hi nga zjarri me dru ahu. Finja i jep ballakumes shkriftësinë tipike.

Ndezja e zjarrit

Ndërsa në disa zona të Shqipërisë ndizen edhe zjarre në natyrë. këto zjarre më pas kapërcehen me idenë e çlirimit nga meraket dhe trishtimi i dimrit.

Degët e pemëve

Në disa krahina, fëmijët e vegjël mbledhin degë pemësh, kryesisht dafinash, dhe shkojnë derë më derë duke bërë “ciu, ciu” për t’i uruar fqinjët apo të afërmit një stinë të mbarë. Ata gostiten me ëmbëlsira dhe dhurata të vogla. Familjet i kushtojnë rëndësi personit të parë që hyn në shtëpi dhe nëse është një djalë i ri, thonë se sjell mbarësi.

Kulaçi me lek

Gjatë drekës së 14 Marsit, ndahet edhe kulaçi mes pjestarëve të familjes për të parë se kujt do t’i qëllojë leku që është vendosur brenda tij. Leku simbolizon mirëqenie dhe mbarësi.

Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet dhe këngët.

Prej kohësh elbasanaset njihen si kopshtare me nam dhe këngëtare të shpirtit. Lulet më karakteristike në Elbasan janë jasemini, karafili, trëndafili, zymbyli, karakaftet etj. Kultivuesit kujdesen për lulet në mënyrë që ato të shpërthejnë Ditën e Verës. Vitet e fundit ansambli i luleve është pasuruar me trëndafila dhe karafila te ardhur nga disa vende të botës, nga Egjipti deri në Holandë. Gjatë natës dhe Ditën e Verës këndohen me pasion të veçantë këngët e mjeshtrit të muzikës popullore qytetare, Isuf Myzyrit. Këngë të tilla si; “Një lulishte me trëndafila”, “Ç’u dëshruesh me të pa”, “Ma mirë n’pyll se sa n’qytet, “Si bilbili në pranverë” etj, këndohen jo vetëm nga elbasanasit, por në mbarë trojet shqiptare.

Arbëreshët: Edhe një vit tjetër larg atdheut

Duke qënë një festë pagane, Dita e Verës, sipas studiuesve, i gjen gjurmët e para tek arbëreshët e Italisë. Në 14 Mars, bimësia zgjohet nga gjumi dimëror dhe nis të thithë nga toka lëngjet që i nevojiten për t’u rritur. Në këtë ditë, arbëreshët përtej detit shkulnin një tufë bari, së bashku me rrënjën, për të kujtuar vendlindjen. Ky akt simbolizonte “edhe një vit tjetër larg atdheut”. Kjo ditë është kthyer në traditë të festuari në qytetin e Elbasanit, ku festa ka vite që ka marrë përmasa masive. Por, nga ky festim nuk përjashtohen edhe zonat përreth, të cilat ndonëse pa shumë bujë, gjithsesi festojnë. Të parët tregojnë se një natë para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpesh në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit epilogun e kësaj feste.

Ja si shprehet Faik Konica për ditën e verës

Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare “Verore”, u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S’e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po në mos e festuam me trup, do ta festojmë me zemër. Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjeter, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticellit, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndiejnë një detyrë t’u falen perëndive, që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës.

Bashkim Alibali

Kjo është dita e verës, por dhe dita e këngës.

Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet, por dhe pa këngët. Prej kohësh elbasanasit njihen si kopshtarë me nam dhe këngëtarë të shpirtit. Lulet më karakteristike në Elbasan janë jasemini, karafili, trëndafili, zymbyli, karakaftet etj. Kultivuesit kujdesen për lulet në mënyrë që ato të shpërthejnë Ditën e Verës. Dita e verës është një kohë për të krijuar kujtime të reja dhe për të përjetuar momente të veçanta me ata që i keni në jetën tuaj. Shijoni ditët e verës me gjithçka që ato kanë për t’u ofruar dhe mos harroni të bëni kujtime të paharrueshme.

Luan Zhegu

Lulet e Ditës së Verës janë zgjjimi i këngëve të reja

Gëzoni çdo ditë të verës me një buzëqeshje dhe një shpirt të hapur. Në këtë kohë të vitit, natyra jep një pamje të mrekullueshme dhe frymëzuese, duke na dhënë shumë arsye për të qenë të lumtur dhe për të ndarë këtë lumturi me të tjerët. Urimet për ditën e verës janë mënyra perfekte për të shprehur këtë ndjenjë të gëzimit dhe kënaqësisë së momentit, dhe për të kujtuar njerëzit se sa e rëndësishme është të shijosh momentet e bukura të jetës. Të keni një sezon të mbushur me ditë të bukura dhe kujtime të mrekullueshme.

Paro Ziflaj

Kjo ditë është si një këngë e bukur

Dita e Verës është quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit apo dita e luleve. Shijoni qiellin e kaltër, Një ditë e verës të mbushur me qetësi dhe relaksim, për të kthyer energjinë dhe dashurinë për jetën. Le të shijojmë sezonin e verës së bukur, me miqtë dhe të dashurit tuaj.Kjo ditë është një mundësi e shkëlqyeshme për të ndjekur ëndrrat dhe për të arritur qëllimet tona. Një ditë e verës duhet mbajtur mend përgjithmonë. Shijoni çdo gjë që verës i vjen natyrshëm. Verës i bëhet mirë në krah të miqve dhe të dashurve. Një sezon për të bërë kujtime që do të zgjasin gjatë gjithë jetës. Kjo ditë është si një këngë e bukur.

Vitore Stefa. Leka

Erdha në Shqipëri nga Italia për 4 arsye. Së pari se më mori malli. Së dyti mora pjesë tek “Miss Mama-2” në Elbasan. Së treti promovova librin tim me Shoqatën “Jehona shqiptare me autore Kozeta Zavalani “Gjurmë perlash mbi shkëmb”. Dhe së katërti për të festuar Ditën e Verës në Elbasan. “Miss Mama 2023” është kompeticioni, i cili filloi për herë të parë  më 8 mars 2023, në Elbasan dhe do të vazhdojë për çdo vit. Këtë vit, 2024, ishte viti i dytë i organizimit. Xhilda Toska, është organizatore e eventit e cila mori një nismë me shumë përgjegjësi. Nisma e këtij projekti ishte një mision për t’i dhënë gruas shqiptare vëmendje. Në këtë event marrin pjesë gra shqiptare që janë kudo në botë mbi 45-vjeç dhe pa kufizim më lart.”Miss Mama” sigurisht ka kriteret e saj. Së pari duhet të jesh nënë, të kesh bukuri fizike dhe shpirtërore, të jesh një grua me integritet dhe e formuar. Ky tashmë është një event prestigjioz që organizohet ditën e Festës së Gruas. Në kompeticionin e parë fituese e “Miss Mama” ishte Mardena Xhahaj nga Elbasani, e cila jeton në Itali. Kurorën e fitores ja vendosa unë. Ishte një ditë e veçantë. Mama Mardena Xhahajiss. Eventi i parë kishte shumë paragjykime, i dyti ka qenë më i lehtë. Ndërkohë, fituesja e këtij eventi të dytë, ishte Arsa Sopi, 60 vjeçe. Ajo ka treguar se ka pasur shumë paragjykime për pjesëmarrjen e saj, por siç shtoi ajo, fëmijët e saj e kanë përkrahur. Kjo nismë tashmë ka marrë rrugë dhe do të vazhdoj. Nesër do jem sërish në Elbasan për të festuar Ditën e Verës. Ditën më të bukur të vitit. Ditën që sjell bukuri shpirtërore. Uroj që moti të na kënaqë dhe të sjellë shumë ditë të ndritshme, të ngrohta, me diell. Kështu që ajo butësi dhe humor i shkëlqyer shërbejnë si një rast për shumë ngjarje dhe gëzime interesante. Shijoni ngrohtësinë, thithni energjinë diellore dhe rrezatoni pozitive!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok