19/04/2024

Flasin, Paro Ziflaj, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Bashkim Alibali, Myfarate Laze, Ermir Dizdari,  Luftar Paja, Kastriot Tusha

0

Dashuria është një pëlhurë që e thurri Perëndia e që fantazia e njeriut e zbukuroi me qëndisje.

Dashuria e vërtetë është si fantazmat! Të gjithë të flasin për të, por askush nuk e ka parë.

Nga Albert Z. ZHOLI

– Dashuria na shmanget kur e kërkojmë dhe na ndjek kur e shmangim. Lëndojmë ata që na ndjekin, dhe ndjekim ata që na lëndojnë. Të dashuruarit e shohin vetëm veten e tyre e harrojnë se ata i sheh tërë bota. Dashuria është një pëlhurë që e thurri Perëndia e që fantazia e njeriut e zbukuroi me qëndisje. Dhe ja….Jo papritur! Sot është dita e dashurisë! Shën Valentini ka trokitur! Pse festa e Shën Valentinit bie pikërisht më 14 shkurt? (E keni pyetur ndonjëherë veten?…) Është një rastësi apo ka një kuptim të veçantë? Në kalendarin romak, shkurti është konsideruar si muaji në të cilin njerëzit përgatiteshin për mbërritjen e pranverës, stinën e rilindjes. Kështu fillonin ritet e pastrimit: shtëpitë pastroheshin dhe ju hidhej kripë si dhe një farë e veçantë. Por në veçanti, në mes të muajit fillonin festimet në nder të zotërve, që i mbanin ujqërit larg nga fushat e kultivuara. Urdhri i priftërinjve të ngarkuar me këtë kult, i afrohej gropës ku sipas legjendës, ujkonja kishte rritur Romolon dhe Remon dhe ku kryenin sakrificat zbutëse. Gjaku i kafshëve përhapej në vendin përreth rrugëve të qytetit, si shenjë e pjellorisë. Ngjarja e vërtetë për rininë romake të asaj kohe ishte një tip lotarie dashurie. Çdo vajzë e re, në kohë për t’u martuar, vinte emrin e saj në një vazo dhe çdo beqar duhet të kapte një emër pa e parë, se për kë bëhej fjalë. Kështu formoheshin çifte, që shpesh përfundonin në martesë. Të gjithë i duam mendimet, vegimet, idetë, ku patjetër, duam të jemi pjesë e ëndrrës së dashurisë, e atij universi ku askush s’është i fuqishëm të depërtojë, por vetëm të ëndërrojë pafundësisht në kohën mes dy stinëve më të bukura jetësore…Dashuria të shtyn drejt madhështisë, sakrificës, guximit, marrëzisë. Në dashuri jemi si dy pika vese rënë nga petalet e një trëndafili rozë. Populli i ka thurur lavdet e tij kësaj ndjenje kaq të madhërishme duke e ngritur në tempujt e shpirtit dhe në zërin e zemrës. Dashuria është një zë nga brenda vetes, që kërkon të flasë, kërkon të dalë nga errësira, të thotë: Jetoj, për ty jam gjallë! Aty ku Hëna puth perëndimin dhe deti flladit mëngjesin me VALË. Çdo ëndërr dashurie ka një dëshirë, çdo dëshirë ka një realitet, dhe çdo realitet ka një realizim. Dashuria është liri dhe lumturi. Në dashuri pemët, anës rrugës ngelen veçse spektatorë të qeshur të një kohe të bukur… Kështu le të jetë kjo ditë një shkëndijë fjale, për të ndezur vullkanin e madh njerëzor për ndjenjën më fisnike të të gjithë kohërave. ..

“Padroni i të dashuruarve”

Shën Valentini njihet në të gjithë botën si “Padroni i të dashuruarve”. Ky përcaktim lindi nga një sërë legjendash, të cilat janë shtuar me kalimin e kohës. Trëndafili i bashkimit, fëmijët, pëllumbat, dashuria sublime, të gjitha gjërat që e kanë bërë atë një festë model për të dashurit. Që të dashuruarit të duhen për të gjithë jetën, dhe më shumë në këtë ditë, nuk mjafton vetëm dita e “Shën Valentinit”. Janë disa elementë, që na vijnë nga shekujt e kaluar dhe janë shtuar në kohë, që e bëjnë këtë festë kaq të madhe dhe kaq popullore në të gjithë botën. Trëndafili i bashkimit Shën-Valentini ishte duke dëgjuar një ditë, teksa ziheshin dy të rinj të fejuar, të cilët po kalonin përtej kopshtit të tij. Valentini iu doli përpara sakaq, me një trëndafil të bukur në dorë. Me një fytyrë të qetë, e të shndritshme që rrezatonte. Plaku i mirë trëndafilin e mbajtur lart e dhuroi për çiftin. Ky veprim pati fuqinë magjike që të bënte paqe mes dy të rinjve të dashuruar. Kur ai u dhuroi të dyve lulen e purpurt, iu kërkoi të dyve të shtrëngonin bishtin e lules me kujdes për të mos u shpuar dhe shpjegoi lidhjen e dy personave të martuar. Pas kësaj, dashuria e tyre ishte kthyer si më parë. Të dy të rinjtë u kthyen menjëherë tek ai. Me dëshirën e tij dhe vullnetin e të rinjve, ishte pikërisht Shën Valentini, i cili bekoi martesën e tyre të lumtur. Me t’u bërë e njohur kjo gjë, u bë një proces ndaj Valentinos. Emri i Shenjtit përmendet për herë të parë në një dokument zyrtar të Kishës së shekujve V-VI; në një dokument tjetër të shekullit VIII, shënohet data e vdekjes së Shenjtit, përshkruhen torturat që pësoi, prerja e kokës në orët e vona të natës dhe varrosja.

Peshkopi Valentino

Një ditë, peshkopi Valentino dëgjoi përtej gardhit të kopshtit të tij, dy të rinj të fejuar që po ziheshin. Mori atëherë një trëndafil, doli nga kopshti dhe shkoi të takonte ata të dy, duke u ofruar trëndafilin duke u thënë fjalë mbi pajtimin. Kaq mjaftoi për të mbyllur në çast grindjen mes dy të dashuruarve, që ashtu siç u tha shenjti, shtrënguan trëndafilin duke u lutur derisa dashuria e tyre u bë e përjetshme. Pak kohë më vonë, të dy u kthyen tek Valentino për t’i kërkuar t’u celebronte martesën… Martiri kërkohej në raste fatkeqësie dhe epilepsie. Sa për titullin e “padronit të të dashuruarve” duket se i është atribuar në Mesjetë, sepse dyshohej se më 14 shkurt, në ditën e festës së tij, zogjtë fillonin të cicëronin duke ndjekur rizgjimin e natyrës dhe të dashurisë.

Etimologji

Valentin tingëllon si “valorem tenens”,”që mban vlera”, domethënë “që duron në shenjtëri”, ose do të thotë “valens tyro, “ushtar me vlera”, domethënë “ushtar i Krishtit”. Thuhet se një ushtar është me vlera kur nuk prapset kurrë, kur plagos me forcë, mbrohet me rreptësi dhe fiton me pushtet. Në të njëjtën kohë, Valentini nuk u zmbraps kundrejt martirizimit, e goditi duke e shkatërruar idhujtarinë, u mbrojt duke përforcuar besimin.

Lutja e të dashuruarve

Në zemrën time, Zot, është ndezur dashuria për një krijesë që ti e njeh dhe e do. Bëj që unë të mos e humb këtë pasuri që ti më ke futur në zemër. Mësomë se dashuria është një dhuratë dhe nuk mund të përzihet me asnjë egoizëm, që dashuria është e pastër dhe nuk mund të rrijë pranë asnjë poshtërsie; që dashuria është pjellore dhe që duhet, duke filluar nga sot, të prodhojë një mënyrë të re të jetuari tek unë dhe tek ai që më ka zgjedhur. Të lutem Zot, për atë që më pret dhe më mendon, për kë më ka dhënë gjithë besimin e të ardhmes së vet, për kë më ec përkrah në shëtitjet tona, duke i dhënë njëri-tjetrit ndihmë dhe model. Dhe me ndërhyrjen e Shën Valentinit na ndihmon dhe na përgatit për martesën, për madhështinë e saj, për përgjegjësinë që të jep ajo, kështu që duke filluar nga sot, shpirtrat tanë të pushtojnë trupat tanë dhe të mbretërojnë në dashuri.

Ermir Dizdari

Në aritmetikën e dashurisë, një plus një do të thotë gjithçka, dhe dy minus një, asgjë… Dashuria do të thotë trishtim, xhelozi, dhimbje, çmenduri, vetmi, shkatërrim, absurditet, melankoli, dëshpërim, urrejtje, zemërim … kur e humbni. Nëse nuk mund t’i përballoni gjithë këto, mos e provoni. Nga Durrësi duket se valët të çojnë në magjinë e ëndërrimit. Jam këtu ku deti magjepsës dhe të dashuruarve u jep më shumë frymëzim. Jam tek vendi ideal për të dashuruar me gjithë fuqinë e shpirtit. Këtu romantizmi të vjen vetiu dhe të ngulet në zemër. Deti të entuziazmon me madhështinë, sekretet, mistikën e tij. Tani që po flasim po kujtoj Shopenin duke kujtuar dhe Zhorzh Sand. Me ata në pentagram duket sikur fluturoj gëzimeve të tyre me dëshirën për Majorka. Ndihemi sikur jemi bashkë me rininë në këtë ditë feste sipas mënyrës së gjithsecilit. Edhe ne me tingujt e miteve të muzikës përjetojmë momente feste në këtë vend magjik ku deti duket sikur orkestron dhe thotë; Dashurohuni sa më shumë. Dashuria të zbukuron të fisnikëron. Mes detit, valëve, mimozave kjo ditë sikur bëhet më hyjnore…!

Paro Ziflaj

Erdhi sërish 14 shkurti. Sa e bukur kjo ditë, sa magjike! Kujtdo kjo ditë i zgjon secilit kujtime, mendime, ëndrra. Në këto vite kjo është bërë festa më e spikatur, më sinjifikative, më e përbotshmja sidomos tek ne që deri dje nuk mundnin ta festonim. Por një ditë për dashurinë s’është asgjë përpara dashurive të mëdha jetësore mbarënjerëzore. Dashuria është e përjetshme dhe duhet të jetë e përditshme. Por dhe një ditë e përcaktuar është një emër i veçantë një emër që s’mund të tjetërsohet apo zëvendësohet. Kjo ditë është monumenti i Dashurisë. Kjo ditë është 14 Shkurti. Gëzojeni me gjithë fuqinë e shpirtit.

Margarita Xhepa

Festa e të dashuruarve po vjen mes mimozash…Në sistemin monist ne nuk e kemi ditur ç’është Shën Valentini dhe nuk e kemi festuar. Ishte tabu një festë e tillë. Bashkë me demokracinë u bë e njohur dhe festa më popullore, më e bukura në botë, më e komentuara Shën Valentini. Një ditë plot gaz, hare, plot mirësi, dashuri, harmoni. Një ditë që ofron shumë buzëqeshje, gëzim, lule dhurata. Për mua mbetet një festë pa ligje, por e ligjëruar. Një festë shumë e veçantë. Një festë që për mua s’duhet të kufizohet vetëm tek të rinjtë. Në këtë ditë të gjithë duhet të durojmë dhe të marrim urime për dashurinë njerëzore. Çudi se dhe mimozat çelin enkas në këtë ditë të bukur. Dhe mimozat janë simboli më i mirë i dashurisë. Kjo ditë na afron më shumë me njerëzit me të afërmit. Ndihem mirë në këtë ditë, sepse kam recituar shumë vargje të poetëve të shquar të të gjithë botës. Kam përcjell vargje poetësh që të mbërthejnë dhe të çojnë në magjinë e bukur të dashurisë së sinqertë. Poetët i këndojnë më bukur dashurisë dhe unë kur recitoj të tilla vargje më duket sikur u jap njerëzve më shumë atmosferë dashurie të pastër. Do doja që ditë të tilla të kishim sa më shumë. Janë ditë të pastra qiellore që të mrekullojnë.

Luftar Paja

Janë thënë shumë për këtë ditë: Dashuro për të jetuar, jeto për të dashuruar… Duhen tre sekonda për të thënë të dua, tre orë për ta shpjeguar, dhe një jetë të tërë për ta provuar. Një festë e të dashuruarve, e cila ka qëllim të na përkujtojë triumfin e dashurisë. Por ndryshe nga festat e tjera siç janë Krishtlindjet apo Viti i Ri, njerëzit për Shën Valentin kanë tendencën të presin deri në momentin e fundit për të blerë dhuratën për partneren, për të qenë të gëzuar shpirtërisht. Në këtë ditë gjenden fjalët e duhura, lulet, ëmbëlsirat dhe çdo gjë që duhet të mbështjellë me letër të kuqe apo rozë, për ta përcjellë sa më bukur respektin për dashurinë. Dhuratat në këtë ditë janë gjëra që njerëzit i vlerësojnë, por që nuk do t’i blinin asnjëherë për vete në ditë të zakonshme. Sa e bukur kjo ditë që na afron dhe na zbukuron ditën. Gëzojeni!

Myfarate Laze

Dashuria jepet gjithmonë si dhuratë, e lirë, e gatshme, e papritur, ofrohet edhe kur të tjerët nuk e njohin dhe nuk e çmojnë. Ne nuk dashurojmë, sepse kështu duhet, dashurojmë sepse kështu ndjehemi ….Një ditë që dua të dhuroj sa më shumë lule, lule, buzëqeshje. Se gëzuam në rininë tonë. Le ta gëzojnë fëmijët tanë. Është një ditë hyjnore. Unë shumë shkurt do ta përkufizoja dashurinë si dhe të dashuruarit : Të duash dikë s’mjafton 14-15 shkurti ! Një vit ka 365 dit/net s’do bëja dallim kur është puna t’i japësh dashuri dikujt që e don më shumë se veten.

Kastriot Tusha

Atje ku ka shumë dashuri, ka shumë gabime. Atje ku nuk ka dashuri, gjithçka është e gabuar. Shën Valentini është dita më romantike e vitit, ku shumë të rinj e dërgojnë kartolinën e të dashuruarve me anë të zemrës. Por ky 14 shkurt nuk është si më parë. Gëzimi nuk mund të shpërthejë natyrshëm. Shën Valentin do të thotë paqe, dashuri, mirëkuptim, lumturi, gjatë kësaj feste. Në shekullin e 17-të, Puritenët amerikanë, që ishin një shoqëri e krishterë, me arsyetimin (se është dita e të dashuruarve), se është një besim i kotë, u munduan ta ndalonin. Edhe këtë herë dashuria triumfoi, dhe ata nuk ia dolën ta ndalojnë këtë festë. Sa na duhen festa të tilla! Ato janë qetësia shpirtërore në ëndrrat e rinisë pse jo dhe të çdo moshe. Diku për këtë ditë kam lexuar një kartolinë dashurie: Unë ndjehem një botë më vete, një botë plot trëndafila të lulëzuar dhe çdo fjalë që të shkruaj çdo buzëqeshje e syve kur të mendoj më kthehet në një këngë dashurie që e këngëzoj midis buzëve të mia..

Bashkim Alibali

– Dashuria ka frikë nga dyshimi. Megjithatë, ajo rritet me dyshim dhe shpesh humbet në siguri. Sot dua të bëj një këngë për dashurinë. Një këngë shumë shpirtërore. Gëzohem shumë në këtë ditë. Lumturohem. Më duket çdo gjë si një magji. Le të gëzojnë njerëzia aq më shumë rinia. Të duhen. Eh, ne dje s’na e lanë ta gëzonim, dhe pse ka një histori shumë të bukur. Kam lexuar shumë për këtë ditë. Sidomos kur vjen kureshtja më shtyn të lexoj dhe më shumë. Në shekullin e 18-të, shfaqen kartolinat e para për ditën e dashurisë. Ishte zakon që ato kartolina të punoheshin vet nga personi që do i dërgonte. Kartolinat zbukuroheshin me gërma të florinjta dhe dantella. Në to shkruhej poezi dashurie, dhe më pastaj dërgoheshin. Ndërsa disa kartolina zbukuroheshin me zemra dhe brenda i futej qeskë parfumi. Këto kartolina sot ruhen si antikitete të vlefshme nëpër muze. Muzeu më i bukur sot është përqafimi, ndjenja e sinqertë dhe pse dhurata mbetet dhuratë. Shën Valentini mbetet shenjtëria e dashurisë njerëzore. Në sistemin komunist as njihej, as festohej, as se kishim idenë e kësaj dite. Por të jem i sinqertë më pëlqen kjo ditë. Shoh që është dita më e bukur e rinisë, por dhe e gjithë shoqërisë. Shoh të qeshura, lule, dhurata, gëzime. Një ditë e mbushur me atmosferë. Shumë keq që se kemi festuar dhe atëherë. U uroj këtë festë madhështore të gjithë çifteve të dashuruar, të fejuar, të martuarve dhe atyre që akoma janë në kërkim të fatit me shpresë se mos vallë kjo ditë mos po ndikon për ndonjë simpati ndaj ndonjë partneri…

Alida Hisku

Bukuria e dashurisë fsheh brenda saj sakrificën! Dashuria nuk është posesive. Është sakrifikuese. Është një ditë që dua të dhuroj sa më shumë lule, lule, buzëqeshje. Se gëzuam në rininë tonë. Le ta gëzojnë fëmijët tanë. Është një ditë hyjnore. Unë shumë shkurt do ta përkufizoja dashurinë si dhe të dashuruarit:  “ Të duash dike s’mjafton 14-15 shkurti! Një vit ka 365 dit/net s’do bëja dallim kur është puna t’i japësh dashuri dikujt, që e do më shumë se veten. Mos i harroni dhuratat, të çfarëdo natyre qofshin. Gëzoni partneret tuaja në këtë ditë….nëse nuk mundeni apo nuk keni dhurata, falni me gjithë zemër një “buzëqeshje”, sepse edhe buzëqeshja është një dhuratë zemre, ndoshta më e ngrohta…

Mesazhe

Oh, sa herë më ndodh të dehem tek ty dhe çdo shkronjë që të nis është një kupë plot mall e puthje dhe një këngë e thellë! E dehur nata, ëndrra, i dehur çasti, dita, pritja prej trëndafili të kuq, aromë në buzët e tua. (Pjesë nga libri “Një ditë për dashurinë”)

****

Sytë e mi të ylberizuar, vështrimi im i mëndafshtë, që pambarimisht ngazëllehet në trazime malli të kulluara për ty.

***

Të të kisha afër do të bëja të dëgjonit këtë drithërimë bari të duarve të mia në ujërat e zymta të trishtimit ndanë brigjeve të fatit tim, me ndjesinë e një përqafimi të fortë plot mall të dëshiruar.

***

Kam mall në mes fjalësh në një varg. Nuk e di çfarë energjie të bukur, çfarë force të padukshme, m’i çon mendimet tek ty…

****

Nëse të mungoj, vendose dorën në zemër dhe unë jam aty brenda zemrës tënde si një karafil dashurie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok