22/12/2024

“FJALORI I TERMAVE BAZË TEKNIKË”

0
Gani-Pllana-Fjalori

Shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip (me numërtim), hartuar nga Dr. Gani S. Pllana

Nga Prof. Dr. Agron Duro, Tiranë

Fjalori në fjalë, hartuar nga Dr. Gani S. Pllana, është një kontribut me vlera të veçanta terminologjike, fryt i një përvoje shumëvjeçare e autorit në fushën e terminologjisë. Fjalori është përftuar si vepër nga studimet e veçanta të kryera nga autori në fushën e terminologjisë.

Duhet nënvizuar qysh në fillim, se në Fjalor është pasqyruar në mënyrë të veçantë gjithë puna e kryer për fjalorët e serisë terminologjike të fushave teknike, si: fusha e ndërtimit, e elektricitetit, e mekanikës etj., prej të cilave janë nxjerrë pothuajse të gjithë termat e shqipëruar dhe termat shqip në përgjithësi me barasvlerësit e huaj, të cilët janë vlerësuar, rivlerësuar dhe vështruar nga ana teknike, por gjithsesi, pa i ndryshuar ata. Kështu, ata janë paraqitur në Fjalor në bllok sinonimik, ku si terma parësorë janë dhënë termat shqip, si: hallkë e ngarë (hallkë e udhëzuar) Abtriebsglied, hallkë e udhëzuar (hallkë e ngarë) Abtriebsglied, hallkë ngarëse (hallkë udhëzuese) Antriebsglied etj.

Vlera më parësore e Fjalorit, mendoj, se është pikërisht paraqitja në të e termave bazë  teknikë, jo vetëm, e atyre që qarkullojnë në përdorim (kryesisht në tekste, në fjalorë), por edhe i atyre që, ndonëse janë shqipëruar, nuk kanë gjetur realisht përdorim, për fat të keq, nga mosnjohja e tyre nga specialistët, nga hartuesit e teksteve etj., dhe që këtu janë përzgjedhur me kujdes të veçantë nga autori; si të tillë ata duhen futur në përdorim si terma  “potencialë”. Kështu, ata do t’i bëjnë një shërbim të madh terminologjisë teknike me futjen në qarkullim të tyre, për t’i forcuar asaj fizionominë shqipe dhe kryesisht për t’i rritur motivueshmërinë, qartësinë e koncepteve, si: kapëz (për borno), përthithës (për absorbues-e), mjedis (për ambient), pështjellje (për avolxhim), gazqitës-i (për skapamento), miush (për mi, maus), kujtesë (për memorie) etj.

Fjalori, si fjalor bazë, do të shërbejë si model për hartimin e fjalorëve të veçantë terminolologjikë teknikë, në të cilët, sidomos termat e shqipëruar, të papërdorur, të panjohur, do të përfshihen në ta në të ardhmen. Nga ana tjetër, paraqitja e tyre në vargje sinonimike do të shërbejë si bazë e studimesh për hulumtimin e evidentimit të gjendjes së terminologjisë teknike, të vlerësimit të mëtejshëm të saj. Prandaj, për këtë arsye ai mund të quhet edhe Fjalor terminologjik me orientim studimor, por që ka vlera të mëdha praktike, për përzgjedhjen e termave të përshtatshëm në çiftet sinonimike, si: përmasë (për dimension), trysni (për presion), fjalëkalim (për pasuerd) etj.

Vështruar nga pikëpamja e mësipërme, Fjalori mëton të hedhë dritë edhe për zgjidhjen e disa problemeve teorike-praktike dhe të zbatimeve të parimeve e të kritereve në fushën e terminografisë. Ideja e zgjidhjes së disa problemeve themelore të terminologjisë është vënë në bazë të konceptimit të Fjalorit si vepër, çka del edhe nga mikrostruktura dhe makrostruktura e tij.

Kështu, në Fjalor përfshihen gjithë çiftet e vargjet sinonimike, të cilat në terminologji njihen si sinonime absolute ose dysorë (dublete), meqë shënojnë gjithnjë një koncept si kolodok/bosht motorik/bosht bërrylor, dhe, që në të termi i pranueshëm (që plotëson kushtet për t’u përdorur si standard, si p.sh.: bosht bërrylor ose bërrylor jepet si parësor. Gjithë kjo probematikë lidhet me pranimin e sinonimeve në terminologji si dukuri e dëmshme, por gjithsesi e pranishme, prandaj parimi i përzgjedhjes së tyre merr rëndësi parësore në praktikën terminologjike, sidomos për hartimin e fjalorëve terminologjikë, në mënyrë të veçantë të atyre teknikë.

Përveç kësaj, Fjalori në fjalë mëton të zgjidhë edhe probleme të polisemi-homonimisë, sidomos kur një termi në shqip i përgjigjen dy barasvlerësve në gjermanishte. Vështruar nga kjo pikëpamje, duhet vërejtur se ballafaqimi i shqipes me gjermanishten në fushën e terminologjisë teknike lehtëson punën edhe për trajtimin të çdo problemi teorik të terminologjisë, meqë terminologjia e gjuhës shqipe krahasohet me një gjuhë që shërben si model standardizimi ndërkomëtar për terminologjinë teknike (krahas anglishtes si e parë, frëngjishtes e rusishtes). Prandaj, krahasimi me gjermanishten ndihmon edhe për të vështruar teorikisht, por edhe për të dhënë zgjidhje praktike për probleme të sinonimisë absolute dhe të homonimisë si çështje të zgjidhura në terminologjinë teknike gjermane. Kështu, duke u mbështetur në Fjalor, mund të jepen zgjidhje me të drejta në standardizimin e terminologjisë teknike shqipe për përcaktimin më drejtë të termit standard shqip, duke u bazuar në mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi në gjermanishte.

Duke u nisur nga sa parashtruam më sipër, mendojmë, se Fjalori i mësipërm, siç e kemi theksuar më lart, duhet konsideruar si një vepër terminologjike e veçantë, me orientim studimor, me vlera praktike zbatimore, prandaj vepra mund të pranohet edhe si prurje origjinale e autorit. Paraqitja e termave në Fjalor (rreth 3000 terma), ndonëse e kufizuar, përplotësohet me vlerat cilësore të tij. Me paraqitjen modelore të tij, ai do të jetë si bazë për hartimin e fjalorëve të tjerë. Po kështu, ai do të shërbejë si model i përzgjedhjes së termit standard, duke u mbështetur në një gjuhë standarde në fushën e terminologjisë, siç është gjermanishtja, çka ka vlerë të veçantë të nënvizohet, sepse kjo gjuhë, është pasqyruar në mënyrë shumë të mangët, për të mos thënë aspak, në Fjalorët terminolologjikë të shqipes, qoftë teknikë, qoftë edhe në ata joteknikë. Këtë fakt e nënvizojmë, sepse ballafaqimi me gjermanishten dhe kryerja e kësaj pune me profesionalizëm në këtë vepër terminografike nga autori (si njohës shumë i mirë i terminologjisë teknike, si të anës gjuhësore, ashtu edhe të asaj konceptore), përbën një kontribut të veçantë. Kjo ia rrit vlerën Fjalorit dhe e bën shumë të domosdoshëm botimin e tij. Ai do t’u shërbejë studiuesve të terminologjisë, studentëve pasuniversitarë në studim për terminologji specifike, hartuesve të teksteve mësimore teknike e të fjalorëve, jo vetëm terminologjikë, por edhe joterminologjikë, ku, në këta të fundit, termat zënë vendin e tyre dytësor.

Si përfundim, e ritheksojmë, që Fjalori është i vlefshëm për botim.

Recensuesi

Prof. dr. Agron Duro

Tiranë, më 10.10. 2017

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok