09/12/2024

Miniera e Leçes në komunën e Medvegjës, miniera më e madhe e arit në Evropë

0
Miniera-Medvegje

Miniera e arit në fshatin Lece, komuna e Medvegjës

Gjurmë të xehetarisë në Malësinë e Galabit, tej kufirit aktual të Kosovës

Nga Dr. Qazim Namani

Për fat të keq, gjatë krizës lindore dhe luftërave, në vitin 1878, Malësia e Galabit, tërësisht u pushtua nga ushtria serbo-ruse, por me marrëveshjen e Kongresit të Berlinit, më shumë se gjysma e territorit të Malësisë së Galabit, mbeti brenda territorit të Serbisë së sotme, e cila u zgjerua shumë, duke i pushtuar tokat shqiptare në Sanxhakun e Nishit.

Mbetja e këtyre territoreve jashtë kufijve administrativ të Kosovës, i ka bërë të pa mundura hulumtimet në terren, për tu njoftuar më saktësisht lidhur me gjurmët e aktiviteteve minerare në zonë, por kemi bërë përpjekje që nga burimet dhe literatura e publikuar deri më tani nga studiues serbë dhe të huaj, por edhe nga qytetarët shqiptar që jetuan në fshatrat e Medvegjës, të mbledhim disa informacione bazë, për ta plotësuar sado pak këtë punim.

Në shkrim e kemi përdorur toponimet e vendbanimeve në gjuhën serbe, që u vendosën pas pushtimit dhe kolonizimit me popullatë sllave. Para vitit 1880, këto vendbanime ishin etnikisht tw banuara vetëm me popullatë shqiptare.

Gjurmë të përpunimit të xeheve në kohët e lashta hasen edhe rreth minierës së Leces, pranë Medvegjës. Miniera e Lecës ka 52 km, distancë me Leskocin, ndërsa me Prishtinën 60 km përmes rrugës së Tullarit. Kjo minierë e njohur gjendet në Malësinë e Galabit, në mes të Lëskocit dhe Prishtinës, përkatësisht edhe në mes të Justiniana Primës dhe Justiniana Secondës. Miniera shtrihet në malet e ulëta me përroska në  fshatin Lece, pranë rrjedhave të ujit në fshatrat Gajtan e Gazdare si degë të Lumit Jabllanica. Gjurmët e kulturës materiale konfirmojnë se zona e minierës ishte e banuar që në kohërat parahistorike.

Në afërsi të minierës, në një hapësirë ​​prej rreth 10 km, gjurmë të jetës parahistorike janë gjetur në disa vende: në fshatrat Drencë, Lecë, Shillovë e poshtme, në malin Rasovaça, Buçumet i epërm (Katuni i Shishince), Medvegja, Petrilja, Lozana, Vujanov e gjetkë.

Rezervat e arit e argjendit në këtë minierë, janë shumë më të larta se në minierat tjera në Evropë. Analizat kimike treguan se në minierën e Leçes ka 160 gram ari në një ton koncentrat plumbi.

Mbetjet arkeologjike të monumenteve, kështjellave, kishave, tullave, qeramikës, veglave minerare, ndër të tjera, romakët ishin marrë me miniera. Gjurmë të eksploatimit të xeheve prej romakëve ka në Lec, Gazdar, Shillovë e Poshtme etj. Në distancë prej rreth 2000 metra larg minierës së Leces janë zbuluar monumente me mbishkrime latine. që dëshmojnë për vendbanime të rëndësishme urbane në atë anë. Nga periudha romake kanë mbetur disa lokalitete me emrat “Cirku Romak”, “Madeni Romak” dhe Mali i Madenit (Madame), të cilat dëshmojnë për punimet e nxjerrjes së xehes dhe shkrirjes. Minjerat e kësaj treve ishin të lidhura me minierat e Artanes dhe minierat e rrethit te Kushumlisë e Kosanicës. Minjera e Leces i kishte edhe njësitë e saj minerare në fshatin Tullarë, Medec, Marocë, Boroc, Gajtan, Siarinë e Varosh, Ivan Kullë e Kosanicë.

Nga periudha e më hershme dhe ajo romake kanë mbetur disa lokalitete me emrat “Cirku Romak”, “Maideni Romak” dhe Mali i Maidenit (Madame), të cilat dëshmojnë për punimet e nxjerrjes së xehes dhe shkrirjes. Minjerat e kësaj treve ishin të lidhura me minierat e Artanes dhe minierat e rrethit te Kushumlisë e kosanicës. Minjera e Leces i kishte edhe njësitë e saj minerare në fshatin Tullarë, Medec, Marocë, Boroc, Gajtan, Siarinë e Varosh, Ivan Kullë e Kosanicë, pothuajse në çdo fshat të kësaj zone ka mbetje arkeologjike të punimeve minerare, ndër të cilat ato që bien në sy janë midis minierës “Lece” dhe “Varoshi i Djallit” (“Đavolje Varosh”), në Gajtanin e Sipërm, në “Hyrjen e Gajtanit” (“Gajtanski Vrata”), “Sokolovo Vis”, Ivankula dhe Kosanica (në disa prej këtyre janë të dukshme gjurmët e punimeve të vjetra minerare).

Gjurmë punimesh të vjetra minerare u gjetën në Radan, Majdan (Malet që e rrethojnë minierën e Leces), të cilat u emërtuan sipas xeheve ose minierave. Në malet e Radanit janë gjetur gjurmë të aktiviteteve minerare të mëhershme si: Në fshatrat Majkovc, Ivanje, Borovc dhe Marovac.

Në zonën gjithnjë e më të ngushtë të “Lecës”, operacionet minerare në të kaluarën tregojnë edhe mbetjet e xeheve të shkrira: Zgjyra (skorie), furra dhe toponime. Kjo konfirmon se punimet minerare kanë zgjatur shumë dhe se minerali është përpunuar në disa vende.

Nga këto burime kuptojmë se lokaliteti arkeologjik, Hisari ne Leskoc, është vendbanim arkeologjik me sipërfaqe prej 130 hektarësh. Gjurmë të qytetërimit në këtë vendbanim i gjejmë që nga epoka neolitike, e deri më sot.

Në këtë lokalitet arkeologjikë, u zbulua edhe qendra më e vjetër e metalurgjisë së zezë në Evropë.

Në të u gjetën objekte të shumta, ndër të cilat më të rëndësishmet janë të epokës së neolitit. mineral hekuri, hekur amorf me peshë disa kilogramë, furra, ventilatorë, gropa ku prodhohej qymyr, sasi të mëdha skorie dhe disa objekte hekuri të prodhuara në këtë lokalitet.

Në vitin 2001 u gjet një vendbanim shumë shtresor i kulturës materiale të Bërnicës afër Prishtinës, një kulturë që u zhvillua nga viti 1300 deri në vitin 1050 para erës sonë, dhe për herë të parë është gjetur në një lokalitet në Kosovë. Kjo kulturë, njihet edhe si kulturë dardane e varrezave me urna. Në Malësinë e Galabit, në bazë të hulumtimeve të gjerë tanishme, kjo kulturë është zbuluar edhe në fshatin Grashticë, Keqekollë, dhe lokalitete tjera.

Në vitin 2002, arkeologu amator Šćepan Turović zbuloi një objekt në formë gjilpëre 64,5 centimetra të gjatë, prej çeliku inox, kështu që objekti u emërua “gjilpëra e Turovicit”.Metalurgjia e sotme nuk njeh teknologjinë që përdoret për të bërë gjilpërën. Gjilpëra është prej hekuri të pastër dhe nuk përmban papastërti të elementëve të tjerë, për këtë arsye tejkalon standardin amerikan për hekurin. Për shkak të vlerës së jashtëzakonshme, objekti mbahet në kasafortën e një institucioni shtetëror. Pas zbulimit të “Gjilpërës së Turovicit”, kërkimet arkeologjike në këtë vend u intensifikuan veçanërisht. Gjatë gërmimeve të mëtejshme, arkeologët zbuluan disa objekte të tjera të ngjashme prej hekuri, të së njëjtës pastërti dhe disa furra të tjera për shkrirjen e xehes dhe për të bërë objekte.

Një ekzemplar i rrallë i kopsës prehistorike prej argjendi u gjet në vitin 2005, në nekropolin e popujve të lashtë ballkanikë të Tribaleve dhe Dardanëve. Ky është edhe një artefakt që dëshmon aftësinë e përpunimit të metaleve fisnike, nga dardanët, të cilët u bënë të njohur në rajon për prodhimin e arit e argjendit.

Sipas historianit rumun Nicolae Denonsusn po ashtu jep të dhëna që, sipas Herodotit, terminologjia e lashtë metalurgjike është me origjinë barbare, Chassiteros, plumb i bardhë, Lat. stannum, cassiterus, Rom Cositoriu. Natyrisht këtu duhet kuptuar se barbarë, konsideroheshin fiset veriore të grekëve, ku hynin edhe dardanët.

Mbetjet arkeologjike të monumenteve, kështjellave, kishave, varrezave, tullave, qeramikës, skorieve, veglave minerare, rrugëve që lidhnin këto vendbanime me Nishin e qytete tjera të rëndësishme të rajonit dhe me Kosovën, tregojnë se dardanët, por më vonë edhe romakët, merreshin me përpunimin e metaleve andaj edhe kishin aktivizuar numër të madh të minierave në këto anë.

Zbulimet arkeologjike dhe numri i madh i vendbanimeve, objekteve te kultit, objekteve monumentale me mbishkrime janë dëshmi se fshatrat e rrethinës së minierës së Lecës, ishin të populluara mjaftë dendur gjatë antikitetit të vonë e deri më sot. Këtë e tregon dendësia e kishave të rrënuara nga ajo epokë, si dhe monedhat e gjetura (ari, argjendi dhe bakri) në disa vende, që datojnë nga shekulli III-VI.

Pranë vendburimit kryesor në fshatin Lece, në anën jugore të Rasovaçës, gjendet vendi i Peçurës, i cili është punuar edhe në të kaluarën e largët. Para Luftës së Dytë botërore, ekspeditat hulumtuese në kërkimin e plumbit, zinkut dhe arit, u gjet mineral nga i cili nxirreshin gurë gjysmë të çmuar (ametisti dhe agat). Pas Luftës së Dytë Botërore, ky zbulim u konfirmua nga inxhinieri i famshëm gjeolog A. Perandori. Ai beson se këtu në Lece, që në kohët e lashta janë gërmuar gurë të çmuar.

Gjatë periudhës bizantine në minierën e Leces punuan edhe saksonët, të cilët në shekujt XIII dhe XIV, kanë ardhur në këto anë.

Në Malësinë e Galabit e më të gjerë në malet e Albanikut, Malin e Zi të Shkupit, e rajone tjera të populluara nga dardanët, dëshmojnë se mbetjet e skorieve, objekte, vegla pune, furra dhe toponime dëshmojnë se në Dardani përpunimi i mineraleve është bërë në shume vendbanime.

Gjurmët më të vjetra të minierave të Leces, datojnë në epokën e hershme të përpunimit të metaleve, asaj dardane dhe më vonë periudhës romake. Në juglindje të minierës së sotme, mbi Lec, në një gjatësi prej 300m ka një numër veprash të ruajtura mjaftë mirë romake, apo edhe dardane (Q.N). Përveç gjurmëve të punimeve sipërfaqësore, është ruajtur një korridor (tunel) romak mbi 80 metra i gjatë me boshte (puset) të ndryshme më të vogla”.

Rreth vitit 1200 të erës së re, saksonët mbërritën në këto anë. Gjurmët e punës së tyre gjenden në korridorin e vjetër, i njohur si “Tuneli Romak”.

Burimet turke për këtë degë ekonomike janë mjaft të pakta. Mirëpo, ruhen të dhëna se në dekadën e tretë dhe të katërt të shekullit të 16-të, në zonën e Lecës punonin dy miniera, njëra prej të cilave quhej “Prlo” dhe me siguri ndodhej midis fshatrave të Lecës. dhe Stubla, në vendin e Vrellës. Emri i minierës së dytë, që ndoshta është vetëm “Lece”, nuk është identifikuar.

Nisur nga kjo, mund të supozohej, me shumë siguri, se puna në minierat e “Lecës” vazhdoi nën sundimin osman. Mungesa e të dhënave për këtë pikë, ka shumë të ngjarë, për një vëllim të vogël të prodhimit minerar.

Miniera e Leçes sot është miniera me përqindje më të lartë, dhe miniera më e madhe e arit në Evropë. Miroslav Bogićević, pronar dhe drejtor i koncesionit Šabac Farmakom MB, tha se analizat kimike të koncentratit të plumbit nga miniera e Leçes treguan se ajo është, në fakt, miniera më e madhe e arit në Evropë.

Sipas Dusan Popoviç, mësues nga Leskovac, një çekiç bakri u gjet pranë një minierë në fshatin Lece të Medvegjës

Në Siarinë edhe sot e kësaj dite ekzistojnë themelet e kalasë së Siarinës, në pikën më të lartë të saj. Banorët vendor, këtë fortifikata e quajnë “Gradina”. Rrëzë Majes së Siarinës, në anën e fshatit Tupallës, ende ndodhen gjurmët e një miniere që është shfrytëzuar në kohën dardane e romake. Gjurmë të galerive të minierave hasen edhe ne fshatin Sfircë, në popull njihen edhe si “Birat e arit”. Po thuaj në të gjitha përroskat e fshatit Sfircë dhe në atë të Tupallës ka mjaftë shumë Samakovë (Skorie), që kanë mbetur pas përpunimit të xehes. Gjurmë të përpunimit të metaleve hasen edhe ne Gjylekreshtë dhe në fshatin Dukat Në fshatin Sfircë, mbi kështjellë është Kodra e Gropave, ku është bërë shkrirja e xeheve.

Gjurmë të shumta të shkrirjes së xeheve ka edhe  te Përroi të Manastirit në fshatin Dukat, Siarinë, Lece, në lagjen e Vllasës të fshatit Gërrbac etj.

Në këtë trevë mungojnë hulumtime të mirëfillta shkencore në fushën e arkeologjisë. Bazuar në hulumtimet arkeologjikë që i ka bërë Instituti arkeologjikë i Beogradit gjatë viteve të oara pas Luftës së Dytë Botërore, kuptojmë se Rajoni i Medvegjës është shumë i pasur me lokalitete arkeologjike. Përnjohjen e parë të terrenit në këtë rajon i ka parë profesori i Institutit të Beogradit Vujadin Ivanišević.

Gjatë përnjohjes së terrenit nga ekipi e hulumtuesve serbë, është identifikuar një kishë e vjetër paleo – kristiane e shekullit VI në fshatin Gazdare. Në këtë lokalitet janë zbuluar edhe një sasi e monedhave, por për llojin e monedhave, nuk kemi njohuri.

Në të majtë të rrugës Sijarinë-Medvegjë, është një kodrinë e vogël, që ka e pjerrtësi në të gjitha drejtimet përveç anës jug-perëndimore që lidhet me kodrinat tjera për rreth. Në këtë kodrinë ka gjurmë, të mure guri të ndërtuara pa llaç.

Në lokalitetin arkeologjik “Bublane”, që ndodhet në fshatin Arbanashka – Petrilje (Guri i Shqiptarëve), janë zbuluar figura dhe stoli prej bronzi e metale tjera. Gjatë livrimit të tokës në këtë lokalitet janë zbuluar një sasi e madhe e bizhuterive prej bronzi: dy rrathë, disa zbukurime pozitive nga të cilat tre fibula dhe një numër më të madh varëse rrethore, të gjitha janë dërguar në Muzeun e Leskocit.

Sipas arkeologeve, në këtë lokalitet janë zbuluar edhe karroca bronzi më të vogla, gjë që e bën gjetjen tejet interesante dhe të rëndësishme në studimin e epokës më të vjetër të hekurit në këtë rajon. Këto gjetje i përkasin periudhës së hekurit shekulli VII para erës sonë.

Në Mërkojë në një lartësi mbidetare prej 1054 m, është Quka e Mërkojës, të cilës edhe sot i vërehen muret rrethuese.

Po ashtu në Mërkojë pranë rrjedhës së ujit, gjatë gërmimeve të thella në lokalitetin Rrafshina (Livadhe), janë zbuluar mure masive të një vendbanimi. Sipas të dhënave që janë marrë nga banorët lokal, thuhet se në këtë livadh është zbuluar edhe një monedhe e arit e cila është dërguar në Muzeun e qytetit të Nishit. Në këtë lokalitet u zbuluan edhe disa gjetje prej hekuri dhe fragmente të qeramikës.

Në bregun e djathtë të Qukës së Dukatit janë zbuluar mbetjet e themeleve të një kishe, dhe pranë kësaj fortifikate gjenden skorie nga shkrirja e metaleve. Në fshatin Tupallë, në pronat e familjes Hajdini, në lokalitetin Fusha e Manastirit janë zbuluar gjetje arkeologjike të rastit, që dëshmojnë për një lokalitet të rëndësishëm arkeologjik, ndërsa përgjatë rrjedhës së ujit vërehen mbetje nga përpunimi i metaleve.

Gjurmë të eksploatimit të xeheve, vërehen edhe në rrethinën e Vrajës dhe në fshatrat e Bujanocit. Në lumenjtë që kalojnë pranë qytetit të Vrajës dhe rreth Kështjellës së Markut e cila ka një distancë me vrajën prej rreth 4,5 km, hasen gjurmë të përpunimit të metaleve.

Në fshatin Tërrnoc të Bujanocit, si lokalitet i rëndësishëm arkeologjik, që lidhet me aktivitetet minerare, vlen të përmendet Gradina. Në Gradinë të xeherorja janë hasur gjurmë të vendbanimit. Në këtë lokalitet është zbuluar edhe një kanal, i cili ka shërbyer për pastrimin e xeheve. Për pranin e saksonëve në minierat e Tërrnocit, dëshmojnë edhe toponimet “Bira e Nemcit”.

Gjurmë të skorieve hasen edhe në shumë fshatra tjera por vlen të veçohet edhe fshati Lluqan, te lokaliteti arkeologjik “Lisi i Hutit”, ku në vitin 1911 u zbuluan 220 monedha dhe dy Pitosa. Në këtë fshat janë evidentuar disa lokalitete arkeologjike, që dëshmojnë gjurmë të qytetërimit që nga koha e neolitit.

Skorie ka edhe në proçkat e fshatrave: Tullarë, Brainë, Vrapcë, Medec, Gubac, Petrile, Maqedonc, Tupallë, Siarinë, Borocë, Gërbac, Byqmet e fshatra tjera, duke shkuar më tej në drejtim të Gërdelicës dhe lumit Moravë. Pranë gradinës së Siarinës, një kështjellë sot quhet “Quka e Dukatit”, që mendojmë se emrin dukat ka të bëjë me (ari) Kjo kështjellë emrin “Dukat” e mori pas pushtimit osman, duke lënë të kuptohet se më parë është quajtur “Quka e Arit”.

Në Siarinë sot ruhen toponiet, Gurra e Dukatit, Përroi i Dukatit, Kodra e Gropave (minierave) dhe Birat e Arushës në Sfircë. Në Tupallë ruhen toponimet: Trojet, Përroi i Samakovës, Gomure, kisha, manastire e fortifikime në këto anë, andaj kemi të bëjmë me një zone e vendbanim të rëndësishëm arkeologjikë. Në vijim ofrojmë dëshmi për rezervat e arit dhe argjendit në Malësinë e Galabit, tej kufirit aktual të Kosovës së sotme, të publikuara në hartat serbe

Rezervat e arit dhe argjendit në Malësinë e Galabit të publikuara në hartat serbe

Fshati Siarinë është lokalitet i njohur arkeologjik dhe vendbanim i lashtësisë që karakterizohet me gejzerin dhe me ujëra shëruese. Gradishta e këtij fshati që nga kohët e antikitetit dëshmon për një vendbanim të lashtë, që e kishte edhe banjën shëruese, prandaj deri më sot në këto anë, janë ruajtur emërtimet e fshatrave ‘’Banja e Vjetër’’ dhe ‘’Romabaja’’. Fshatrat rreth Romabajës, duke i përfshirë edhe fshatrat përreth Siarinës, janë të njohura si vendbanime minerare të antikitetit.

Vërehet se edhe në përshkrimet e Ptolomeut për katër qytete urbane në Dardani Aribantioni është i renditur në relacionin rrugorë mes Naissusit (Nishi i sotëm), dhe Justiniana Secondws (Ulpianës) pranë Prishtinës, çka qytetit Aria i përgjigjet lokalitetit “Quka e Dukatit”, në fshatin Dukat pranë Siarinës, apo edhe ndonjërën nga “Gjytetet” e kësaj malësie.

Mita Rakiqi, në librin e tij “Iz Nove Serbije”, Malësinë e Galabit, nganjëherë e quante edhe Gulab i cili thekson se në bjeshkët e Galabit, duke e pasur parasysh trevën e Jabllanicës, jetonte elementi shqiptarë, ose siç ai e quante elementi arnaut.

Prania e dardanëve në rrethinën e Medvegjës është vërtetuar me gërmimet arkeologjike në tumat e kësaj treve, që në vazhdimësi janë prej kohës së mbarimit të periudhës së bronzit. M. V. Garashanin thotë se rajonin e Lebanit të Leskocit e kanë banuar pa dyshim dardanët.

Në vitin 1858 disa fshatra të “Pustarekës” dhe të “Jabllanicës” i ka vizituar edhe Johann Georg Von Hahn. Hahni duke u bazuar në shënimet e Strabonit, thotë se në viset e Galabit ishte një qytet shumë i rëndësishëm antik, ai Artanën e quajti “E ëma e të gjitha qyteteve”. Hahni në Malësinë e Galabit qëndroi disa ditë, dhe vizitoi shumë fshatra. Në bazë të këtyre të dhënave mundë të pohojmë se Hahni duke u bazuar në shënimet e Strabonit është nisur në kërkim të qytetit Arhaia (Aria) dhe Damastionin.

Kur bëhet fjalë për lulëzimin e qytetërimit, në periudhën e Mbretërisë së Dardane, shekullin IV-III para erës sonë, qytetërim më të zhvilluar se Artana (Novo Brda), dëshmojnë dhjetëra fortifikime dhe lokalitete arkeologjike në rajonin e Galabit. Mendojmë se Kështjella e Novo Bërdës dhe disa kështjella tjera, filluan të zhvillohen pas dyndjeve barbare që ndodhën në antikitetin e vonë, dhe shkatërrimin e qytetërimit në Justiniana Primes, afër Medvegjës, Justiniana Secondës (Ulpianës afër Prishtinës) dhe Vendenisit afër Podujevës së sotme. Bazuar në këto të dhëna mendoj se qytetërimi dardan dhe kultura dardane, vazhdoi të zhvillohet në Artanë dhe kështjellat tjara të kësaj malësie, prej antikitetit të vonë e deri me pushtimin osman.

Siç shihet, bazuar në gjurmët e aktiviteteve minerare në kohëra më të largëta, pasuritë minerare të kësaj malësie janë potencial i madh i zhvillimit të industrisë minerare të vendit tonë, andaj kjo varet nga mundësitë e studimit dhe shfrytëzimit të këtyre resurseve nga një shoqëri me pushtet të fuqishëm, për të mirën e njerëzimit

Fusnotat janë hekur nga autori!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok