02/05/2024

FISHTA DHE DËSHMORËT

0

(Në 83-vjetorin e vdekjes së At Gjergj Fishtës dhe të Ditës së Veteranit)

Nga Prend BUZHALA

Kush më bukur se At Gjergj Fishta të jetë shprehur apo të ketë kënduar për DËSHMORËT … (duhet të shihet, se kush përpara Fishtës e ka përdorë shqip fjalën DËSHMOR)

O ata t’lumtë, qi dhanë jetën,

o ata t’lumtë, qi shkrinë vehten,

qi për Mbret e vend të Parëve,

qi për erz e nderë t’Shqiptarëve

derdhën gjakun tue luftue,

porsi t’Parët u pa’n punue!

Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,

but u kjofshin moti e stina,

ak’lli, bora e serotina:

e der’ t’ këndojë n’mal ndo’ i Zanë,

e der’ t’ ketë n’ detë ujë e ranë,

der’ sa t’shndërisin diellë e hanë,

ata kurr mos u harrojshin,

n’kangë e n’valle por u këndojshin.

E njaj gjak, qi kanë dikue,

ban, o Zot, qi t’jesë tue velue

për m’ia xe zemrën Shqiptarit,

për kah vendi e gjuha e t’Parit!

Dëshmorët janë ata që kanë dhënë dhuratën më të çmuar, jetën e tyre. Ata janë të zgjedhurit e kombit dhe të zgjedhurit e Hyjit. Urtakët thonë se kjo është lumturia më e përsosur, mu ashtu siç ligjëron Fishta:

O ata t’lumtë, qi dhanë jetën,

o ata t’lumtë, qi shkrinë vehten,

Janë ai soj i rrallë që kalojnë nëpër shumë mundime, që kanë duruar përtej kufijve njerëzorë vuajtjen. Aty ku përfundon jeta e tij në tokë, aty nis një përjetësi e re e emrit të tij. Filozofi i shquar modern, Soren Kierkegaard, do t thoshte: “Vdes tirani dhe sundimi i tij mbaron, martiri vdes dhe sundimi i tij fillon.” Ata janë ndryshues të historisë. janë vula e së vërtetës.  Dhe idetë e  një lëvizjeje për çlirim përfaqësohen më së miri përmes emrit të tyre, sakrificës së tyre. Dhe pjekuria e një kohe arrin pikën e saj më të lartë përmes rënies së tyre të lavdishme. Ata lënë pas dishepujt e tyre. Dhe, në kohë të rënda, pasuesit vuajnë dyfish më shumë. “Është më se e vërtetë të thuhet se dëshmorët krijojnë besim më shumë se besimi dëshmorët” (Miguel de Unamuno). Atdhedashuria, ndjenja më e lartë sublime, identifikohet me emrin e tyre. Fishta i identifikon ata me përjetësinë, me kangën dhe vallen e jo me zinë:

e der’ t’ këndojë n’mal ndo’ i Zanë,

e der’ t’ ketë n’ detë ujë e ranë,

der’ sa t’shndërisin diellë e hanë,

ata kurr mos u harrojshin,

n’kangë e n’valle por u këndojshin.

Shpirti vetëmohues është farë që përhapet tek njerëzit, si edukim etnik. dashuria për vlerat më sublime, është edukim universal njerëzor. Është nderimi i kujtimit për të. Është vlerësimi ynë i Pikës së Gjakut në kohë e nëpër kohë:

qi për erz e nderë t’Shqiptarëve

derdhën gjakun tue luftue,

porsi t’Parët u pa’n punue!

Teksti i Fishtës është këndim epik. Ky këndim është i rëndësishëm, si kryevepër e letrave shqipe, siç është “Lahuta e Malcis”. Tërë kjo kryevepër është një himn epik për të rënët. Tekst i kujtesës së përhershme të epopesë fishtiane. Dhe shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok