04/10/2024

Nga Edison Ypi

Many tears ago, kur gjatë një muzgu të trishtë po sorollatesha tek Sheshi Skënderbej, mua që s’kisha qënë kurrë në asnjë koncert, kinema apo teatër të Diktaturës, këmbët më shpunë brenda Pallatit të Kulturës.

Këndohej për partinë, puntorët, fitoret, furrat, uzinat, traktorët, kallot e duarve, djersën e kooperativës.

Befas nisi të këndojë një femër.

U ndodha fare afër saj. Që në çastin e parë, tingullin e parë, fjalën e parë, u kuptua se ishte ndryshe, krejt ndryshe. Tepër larg partisë, puntorëve, fabrikave, kallove, fitoreve.

Kishte tjetër energji, tjetër rrezatim, tjetër tonus, tjetër shije, tjetër vibracion.

E kënduara e saj ishte një miks drithërues i talentit, seriozitetit, ndjeshmërisë, butësisë, ëmbëlsisë njerëzore.

Zëri i Saj përcillte një nervozizëm të dukshëm, një shqetsim të brendshëm, një revoltë të papërmbajtur.

Ishta diçka e pa provuar kurrë më parë. Diçka jo e atyshme, e këtushme. Diçka e përtejme, njëkohësisht e largët dhe e afërt, diçka prej Udstoku.

Nuk më kujtohet kënga që këndoi.

Më kujtohet diçka tjetër. Diçka që më mbeti përgjithmonë në kujtesë.

Në atë kohë,  mirkuptimi i këngëtarëve me publikun ishte i panatyrshëm, i shtirur, i stisur.

Ajo që nisi të këndojë e bëri menjëherë zero distancën mes vetes dhe publikut. Realizoi në çast një mirkuptim të plotë me publikun. I elektrizoi menjëherë të gjithë. Bëri për vete atë për të cilin kisha qënë i bindur se një gjë e tillë nuk mund t’i ndodhte kurrë, mua.

Kaluan çastet e para, minuta e parë, e dytë. Këngëtarja po bënte diçka të pabesueshme, diçka të papërfytyrueshme, diçka të palejueshme. Po konsumonte herezinë më të rrezikshme kundër diktatorit dhe partisë, tradhëtinë më të pafalshme ndaj proletarëve, traktorave, arave, fabrikave, dhe sidomos, duke sfiduar syçelësinë e tij; pabesinë më të përbindëshme ndaj Sigurimit; Duke kënduar po lëvizte. Po lëvizte gjymtyrët, por po lëvizte edhe atë që ishte i dënuar me ngrirje të përjetëshme, belin !

Mes bukurisë së zërit, ritmit, lëvizjeve të saj, çfarë ndodhi më pas, lus lexusin që ka dëshirë ta dijë, nëse ka probleme me zemrën, leximin e këtij shkrimi ta ndali këtë çast. Të tjerët, më pak të rrezikuar nga arresti kardiak, marramendja, apo damllaja, mund ta vazhdojnë leximin, por patjetër të kapur pas ndonjë sendi për të mos u rrëzuar. Një gotë me ujë pranë për çdo eventualitet, është gjithashtu e këshillueshme.

Kur s’kishin kaluar as tre minuta, dikush me pamje të merakosur, ja behu nga turma drejt këngëtares.

Pashë dhe dëgjova gjithçka.

I frikshëm dhe kërcënues, njeriu i ardhur befas, duke i treguar gjymtyrët dhe belin, i tha; “Kujdes-kujdes. Jo-jo kështu. Mos lëviz !”.

Ajo ngriu.

Në fytyrën e Saj pashë një llahtarë që s’e kam parë në asnjë film horrori.

Dola menjëherë jashtë duke mu marrë mentë. Volla mbështetur rrëzë njërës prej kolonave.

Ika.

Lashë koncertet e tyre. Vajta tek qetësitë e mia; librat, leximet, RAI, Jash Gavronski, Paolo Testa, Roberto Gervaso, Vittorio Gassman, Maria Laura Giulietti.

Nuk u interesova të di çfarë ndodhi më pas me këngëtaren që ja therën këngën sepse sfidoi ngrirjen.

Prej atëhere nuk i lashë më kurrë këmbët të më çonin në asnjë koncert.

Shumë më vonë, pasi e kishin degdisur s’di se ku, mësova se këngëtarja e talentit të madh, e zërit kumbues, energjisë, refuzimit, përbuzjes, revoltës, gjymtyrëve lëvizëse, quhej Justina Aliaj.

Vrasja dhe mosgroposja e bënë Justinën të pavdekshme.

Thuhej se Justina Aliaj ishte si Ornella Vanoni ndërsa Vaçe Zela si Mina. Por s’do ment se dy tonat që këndonin ku të vrisnin e s’të groposnin, ishin më të mira se dy italianet që mund të bënin ç’të donin.

Më mbeti në mendje njeriu që u shkëput nga turma për ta urdhëruar Justinën të mos lëvizte.

Kush të kish’ qënë vallë ?!

Ndonjë sigurimist për ta bërë të vuante sa më tepër, ishte më se e besueshme. Por ishte gjithaq e besueshme të kishte qënë ndonjë dashamir, i cili, përmes një gjesti gjoja prej vigjilenti, Justinën vërtet e vrau, por e shpëtoi nga groposja. Kur shqiptarët gdhiheshin e ngryseshin jetevdekjepërqafuar mund të ishte edhe njëri edhe tjetri.

S’ka problem se tundin portretin e diktatorit, lidhin shallin e kuq, Historinë e shkruajnë si duan. Qielli i kaltër do mbetet. Toka do vazhdojë të rrotullohet. Stinët do ndërrohen. Dielli do lindi e do ngrohi. Shiu do bjeri e do lagi. Era do fryjë. Gjethet do rrëzohen. Justina këndoi, këndon, e do këndojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok