FAMILJE NË POEZI…
Nga Visar Zhiti
E shtunë me borën e janarit në rrethinat e Çikagos. Ndjenim ndërkaq dhe një bardhësi tjetër, që s’dihej nga vinte. Do të takoheshim me vajzen e poetit Zef Zorba, Luçien, dhe familjen e saj në “Dino’s Cafe”. Mbase s’ishte thjesht rastësi lokali italian, por një dëshirë, se poeti Zef Zorba ishte i mbrujtur me poezinë italiane, përkthyes i shkëlqyer i hermetikëve të saj të mëdhenj, me kulturë të gjerë europiane. Por Zef Zorba mbetet dhe poeti i shkëlqyer i hermetizmit shqiptar, i krijuar në vetminë e tij të shenjtë, kur në vendin tonë sundonte Realizmi Socialist dhe ai porsa kishte dalë nga burgu politik. Fitimtarët, me të marrë pushtet, e burgosën me të parët Zef Zorbën dhe tê dashurën e tij, Terezinën. Merreshin me teatër në qytetin e tyre në Shkodër, kishin venë në skenë dramat “Juda Makabè” të At’ Gjergj Fishtês, “Armiku i popullit” të Ibsenit, vepra të rrezikshme për regjimin e ri. Mbas burgut Zefi dhe Terezina, që kishin pritur me përdëllim njëri-tjetrin, martohen, do të lindnin dhe dy vajza-yje dhe do të bënin jetën e vështirë të familjeve të perndjekura, por me dashurinë e madhe midis tyre. Zefi shkruante fshehurazi, mbushte fletoret, pa e shpresuar dhe pa e dashur botimin e tyre.
Por vajzat, ah, vajzat, pasi ra perandoria komuniste dhe në Shqipëri ndërroi sistemi, botuan postume librin e atit. Dhe Luçia na dhuron botimin e tretë të poezive, gjithmonë të plotësuara.
E shfletojmë aty, nuk durojmë. “Princi” kishte punuar mrekullisht. Poezitë, edhe variantet e tyre në dy diakektet, edhe në italisht, përkthyer nga vetë Zorba, po edhe hermetikët italianë, Ungaretti, Quasimodo, Montale… nobelistë dy të fundit e poetë të tjerë. Foto bardhë-e-zi si fati.
Është mallengjyes çasti kur Luçia fillon të na thotë përmendësh vargje të të atit, i shoqi i saj, z. Kalaj tregon ndonjë episod nga jeta, djali i tyre më me pasion kujton gjyshin. Edhe Eda ime tregon për gjyshin e saj, që ka qenë i burgosur bashkë me Zef Zorbën në kënetën e vdekjes, atë të Maliqit.
Shfletoj librin. Shoh parathenien e studiuesit, Prof. Ardian Ndreca, esenë e Kadaresë, studimin e Sabri Hamitit, shkrimin emocional të Stefan Çapalikut, që e ka njohur autorin, ka një foto me të dhe ai na e paraqiti së pari këtë poet “Me buzë të ngrira në gaz”. Bashkohem dhe unë si lexues me vlerësimet e tyre me mënçuri dhe ndjenjë.
Diçka kam thënë në librin “Kartela të Realizmit të Dënuar”, pak, shumë pak, aq sa ç’kisha informacion.
Zef Zorba është poet i veçantë, ai diti të shkruajë heshtjen folëse në kohën e zhurmave të mëdha, të padurueshme e shpesh të tmerrshme, ai sfidoi me poezinë e thellë brenda krahërorit hermetik të tij, kur jashtë të gjithë librat dhe gazetat ishin me poezi për Partinë dhe rendin dhunues që kishte vendosur ajo. Metafora e Zorbës është dhimbje e thellë që kërkon dritë. Poezitë e tij janë brilantë që ndriçojnë më mirë në errësirë…
Kur dolëm, edhe pse larg, ne e ndjemë, ishim me poetin tonë Zef Zorba…