04/10/2024

ENO PEÇI – BALERINI DHE KOREOGRAFI NË OPERAN SHTETËRORE TË VIENËS – AUSTRI (PJESA I)

0

Nga Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali

Koncerti i tradicional dhe madhështor në çdo fillimviti i Filarmonisë së Vienës, orkestër e Teatrit të Operas Shtetërore vieneze, i transmetuar nga kanalet televizive austriake ORF2 dhe Ö1, i ndjekur në mondovision nga 90 vende, më 1 janar 2024 përkoi me 151 vjetorin e koncertit të parë në Ekspozitën Universale të Vienës në vitin 1873. Historikisht, koncerti i vitit të ri zhvillohet në Sallën e Madhe, e quajtura Salla e Artë e Musikverein e Vienës. Kjo sallë koncerti e ndërtuar në vitin 1870, konsiderohet një ndër më të bukurat e botës dhe nga më të mirat në aspektin e akustikës. Këtyre vlerave historike dhe arkitekturale i shtohen muzika mahnitëse e interpretuar nga orkestra e famëshme e Filarmonisë Vienna State Opera und Volksoper, si dhe zbukurimet estetike me vargje lulesh shumëngjyrëshe, që plotësojnë bukurinë e këtij mjedisi. Orkestra filarmonike e Vienës, është  në Olimpin e orkestrave më të mira të botës, andaj dhe drejtuesit e orkestrës historikisht kanë qenë dhe janë elita e dirigjentëve më të shquar të botës, duke i filluar nga i pari Johannes Brahms e në vazhdim në shekullin XX nga Herbert von Karajan, Mariss Janson, Rikardo Muti, Daniel Barenboim, deri tek Christian Thielemann, i cili dirigjoi koncertin e vitit 2024.

Me meloditë afashinante të kompozuara nga Johan Shtraus Ati (1825 – 1899), nga pasardhësit e familjes Shtraus, si dhe të kompozitorëve të tjerë të mëvonshëm dhe bashkëkohorë, të gjithë autorë elitar të muzikës europiane dhe botërore, ky koncert festiv madhështor shpall fillimin gazmor, me entusiazëm dhe plot optimizëm të vitit të ri. Valset, polkat, mazurkat, kuadriliet, muzika më vieneze që është kompozuar, ashtu si dhe zhaneret e tjera të muzikës klasike, ekzekutohen në mënyrë të shkëlqyer nga orkestra filarmonike e përbërë nga muzikantë të nivelit më të lartë, ndër ata janë dhe pesë shqiptarë, balerini Eno Peçi, tre instrumentista dhe një korist, që punojnë në Wiener Staatsoper.

Koncerti i vitit të ri, tradicionalisht mbyllet me dy pjesë të famëshme të kompozuara nga Johann Shtraus Ati, valsi Danubi Blu – valsi më i njohur dhe më i shquar në botë dhe me Marshin e Radetzky, marsh triumfi, që implikon të gjithë spektatorët në sallën madhështore, të cilët e shoqërojnë muzikën e marshit me duartrokitje ritmike.

Pjesë të spikatura të koncertit të viti të ri janë intermexot e baletit klasik, me koreografi origjinale të koregografëve më të shquar, të interpretuar nga grupi i balerinëve virtuozë, me kostume estetike shumëngjyrëshe, të realizuara nga stilistët më të njohur të kohës. Pjesët e baletit klasik që shoqërojnë muzikën e koncertit, vallëzohen në vende magjepse, në salla me bukuri mahnitëse të pallateve të stilit barok dhe në sheshet e kopështeve madhështore perandorake të Vjenës.

Prej 24 vitesh, në grupin e vallëtarëve intepretues të baleteve në koncertet e Vjenës, ka spikatur talenti i balerinit virtuoz shqiptar Eno PEÇI, soliti i parë, ylli i baletit vienez, elita e trupës të baletit të Operas Shtetërore të Vienës dhe e baletit të Valleve Popullore të Vienës.

Eno Peçi është shquar jo vetëm si balerin në koncertet e Vienës, por ka interpretuar si balerin i parë në rolet kryesore në 58 balete dhe koncerte koreografike të shfaqura nga Opera e Vienës, ndërsa  duke filluar nga vitit 2009, iu prezantua publikut si koreograf i suksesshëm me mbi 40 krijime të tij, të mirpritura dhe të vlerësuara nga kritika dhe publiku austriak dhe i vendeve të tjera të botës.

Emri i Eno Peçit, është tejet i famshëm dhe i suksesshëm në Austri dhe në botë, ndërsa në Shqipëri dhe në trojet e banuara nga shqiptarët njihet shumë pak. Natyrisht njihet në rrethet artistike, por mediat shqiptare tepër të indoktrinuara nga politika konfuze dhe agresive, kanë treguar verbëri të plotë ndaj fenomenit Eno Peçi dhe shkëlqimit të tij artistik në përmasa botërore. Ndërsa shtypi austriak dhe i shume vendeve europiane është i mbushur me mijëra e mijëra komente, analiza dhe vlerësime për talentin e Eno Peçit, ylli i baletit vienez, në shtypin shqiptar shkrimet dedikuar Enos janë të pakta e të thata. Mbi indiferencën, vanitetin, mediokritetin dhe kotësinë e shtypit shqiptar dhe të televizioneve të shumta shqiptare, ka spikatur gazetarja, poetia dhe shkrimtaria Elida Buçpapaj, e cila në vitin 2014 botoi një intervistë me Eno Peçin, një intervistë profesionale dhe dinjitoze, e ribotuar në vitin 2023, me të cilën Elida evidencoi arritjet brilante të Enos, duke theksuar me krenari se janë arritje edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, që dëshmojnë për gjenialitetin e identitetit shqiptar.

Elida me bashkëshortin Skender Buçpapaj, prej vitesh në Zvicër, drejtojnë portalin e suksesshëm VOAL (Voice of Albania), portal i ndjekur me admirim nga dhjetramijëra bashkëtdhetar, andaj prezantimi i talentit Eno Peçi në faqet e këtij portali është pjesë e zërit të shqiptarëve në botë.

 

Eno Peçi është lindur në Tiranë në një familje intelektuale. Pasi mbaroi shkollën 8 vjeçare, filloi studimet për balet në Liceun Artistik të Tiranës. Në një intervistë me gazetaren austriake Ira Werbowsky, Eno tregon për fillimin e studimeve në Lice: “Komisioni më vlerësoi për konstruktin trupor, tipi i gjatë dhe me zhdërvjelltësi harmonike, andaj më pranuan në klasën e baletit. Dëshira ime ishte të bëhesha breakdencer, dëshiroja të bëja rock dhe rap, por pedagogët duke parë prirjet e mia, më drejtuan në baletin klasik”.

Në moshën 13 vjeç, Eno hyri në botën e baletit, ku me pasion dhe vullnet kompletoi formimin e tij arsimor dhe artistik. Impenjimet në lice e detyruan të braktisi pasionin për futbollin me moshatarët si dhe stërvitjet në cirk, që kishte frekuentuar gjatë një viti. Në lice Eno shquhej si nxënës i rregullt, sistematik, duke i konkretzuar me rezulatate të larta lëndët e programit mësimor.

Në formimin e tij artistik shtoi dhe interpretimet në piano, që e ndihmuan në ritmin muzikal të kërcimit të pjesëve të baletit, ashtu si shoqëronte dhe pjesë nga muzika rock dhe rap. Në mësimet e baletit punoi me ngulm, i bindur se ajo ishte e vetmja rrugë që e drejtonte të arrinte qëllimet e tij, për t’u bërë një balerin i sukseshëm. Pas dy vite ushtrimesh sistematike, u mësua dhe me pantallonat e shkurtra dhe do të shijonte gjithnjë e më shumë mësimet e baletit.

Në rastet kur ndodhen para talenteve si Eno Peçi, gazetarët të nxitur nga kurjoziteti pyesin: Po ideja e kërcimit nga ju lindi? Vini nga një familje artistësh? Kjo ishte dhe një ndër pyetjet e gazetares Elida Buçpapaj që i drejtoi Enos dhe ai buzagaz iu përgjigj: “Une vij nga një familje që tradicionalisht ka nxjerrë ushtarakë. Gjyshat e mi kanë qenë oficer madhorë, babai im ka qenë oficer në Ministrinë e Mbrojtjes, daja im ka qenë oficer, mamaja është mjeke stomatologe dhe motra është mjeke. Pra,nuk vij nga familje artistësh”.

Nga kjo përgjigjie e Enos kuptohet se talent bëhesh kur studion dhe kur impenjohesh intensivisht

në profesionin që ke zgjedhur në jetë. Këto objektiva Eno i arrijti me forcat e veta, me vullnet, me përpjekje intensive duke i konkretizuar me talentin e balerinit. Prindërit e mbështetën në të gjitha përpjekjet e tij për t’u formuar si balerin, pasi shpresonin se një edukim me baza dhe i specializuar, do t’i ofronte djalit perspektivat më të mira për të ardhmen.

Nga familja, Eno Peçi mori vlerat më të mira, që çdo fëmijë dëshiron të trashëgoi nga prindërit. Nga baba Fatmiri mori disiplinën, rregullin dhe serjozitetin, nga nëna Vjollca mori ndjeshmërinë, pasionin, impenjimin shembullor dhe këto vlera familjare të fituara gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës, kontribuan në kompletimin e edukimit, në pjekurinë dhe rritjen e përgjegjësisë në studimet në lice dhe për të ardhmen në rrugët e jetës.

Në vitet kur frekuentonte liceun, Eno filloi të ndiqte koncertet e vitit të ri të Filarmonisë të Operas së Vienës dhe i magjepsur nga valset e Strauss-it dhe interpretimet virtuoze të grupit të balerinëve, filloi të ëndërroi të ishte pjestar i baletit, madje me vehte theksonte: “Sa do të doja ta provoja dhe unë!” Kështu gradualisht nga një dëshirë, Vienna u shndërrua në një objektiv.

Vitet e frekuentimit të Liceut Artistik në Tiranë, Eno i kujton me mall me shoqërinë e sinqertë dhe gazmore të moshatarëve, ashtu shpreh respekte dhe nderim për pedagogët e tij, që kontribuan në edukimin dhe formimin si balerin i suksesshëm, çka e shpreh në intervistën me Elida Buçpapaj, kur ajo e pyeti: “Edukimin si balerin e keni marrë në shkollën shqiptare, si është Liceu ynë Artsistik? Duke e krahasuar më vonë me Shkollën e Baletit të Operas të Vjenës, çfarë mund të thoni për shkollën shqiptare? Emrat e mësuesve tuaj në Lice, të cilët i kujtoni me nderim.”

Eno iu përgjigj me sinqeritet dhe me kompetenca: “Shkolla e baletit shqiptar është trashëguese e shkollës të baletit rus, kurse shkolla e baletit të Vjenës është shkollë europiane e përzier me metodën e shkollës ruse të Vaganovës dhe të metodës franceze. Unë vetë kam pasur fatin të punoj në Shqipëri me profesorë të shquar si Luan Shtino dhe me profesor Agron Aliaj, të cilët më kanë ndihmuar shumë në formimin tim si balerin”.

Vlerësimet për nivelin e lartë të shkollës shqiptare të baletit, Eno i ka shprehur në disa intervista me gazetarë të shumtë austriake, duke theksuar: “Formimi në shkollën e baletit në Tiranë, më ndihmoi të integrohem shpejt në shkollën e famëshme të baletit vienez”.

Vitet e rinisë së brishtë të liceistit Eno Peçi u tronditën nga trazirat e viteve 1997 – 1998, nga ato vite të mbrapshta të marrëzisë së madhe shqiptare. Megjithë tensionet sociale dhe politike, Eno nuk i ndërpreu studimet dhe provat në sallën e baletit me shokët dhe shoqet e klasës. Prindërit të shqetësuar e me ankth prisnin kthimin në shtëpi të Enos. Rrëmujat, tensionet dhe krismat e armëve nuk e trembën Enon, përkundrazi çdo ditë studionte dhe ushtrohej në pjesë baleti, madje duke parë aftësitë e tij, filluan ta aktivojnë dhe në grupe artistike. Në vitin 1998 u organizua një turne në Itali, me një grup artistësh të këngëve dhe valleve popullor, ku bënte pjesë dhe Eno Peçi. Ky turne shembi pasiguritë e Enos, i cili mori një vendim të rëndësishëm dhe në mëdyshjet të kthehej në Tiranë të prindërit, apo të shkonte ne Vienë te motra e tij Elisa Arapi Peçi, me bashkëshortin Taulant Godaj dhe fëmijët.

Ato ditë që ndodhej në Itali, iu telefonoi prindërve për t’i informuar për këtë vendim, si kuptohet u ndodh para lutjeve të nënës Vjollca dhe kërkesave të baba Fatmirit të kthehej në Tiranë pranë familjes. Në zgjidhjen e kësaj dileme të vështirë, duhej një vendim i guximshëm dhe më së fundi me dhimbje iu komunikoi prindërve se do të shkonte në Vienë. Natyrisht ata me zemër të lënduar ia dhanë lejen, të bindur së në Vienë jeta e tij do të ishte e sigurtë dhe me perspektivat profesionale. Atë ditë familja u nda në dy pjesë Eno dhe Elisa në Vienë, mama Vjollca dhe baba Fatmiri në Tiranë, të rënduar nga dhimbja dhe lotët e mallit përvilimtar për fëmijët.

Eno Peçi 16 vjeçar udhëtoi nga Italia në Austri dhe arrijti në Vienë ne fund të gushtit 1998, ku e

pritën motra Elisa e cila asi kohe punonte mjeke në një klinikë private në Styria dhe kunati Taulant

Godaj, i cili kishte përfunduar studimet në Danube Business School – Universtät Krems.

Djaloshi Eno Peçi i gëzohej Vienës së bukur, kryeqytetit të kulturës europiane, por ishte dhe i ndrojtur se nuk e njihte gjuhën gjermane dhe natyrisht nuk njihte jetën vieneze. Menjëherë u regjistrua në kursin e gjuhës gjermane dhe me vullnet admirues, shpejt e përvehtësoi e filloi të flasi rrjedhshëm, si e manifestoi në konkursin për të ndjekur Shkollën Shtetërore të Operas dhe Baletit të Vienës.

Në testin e pranimit anëtarët e komisionit i bënë shumë pyetje dhe Eno me gjakftohtësi iu përgjigj të gjithave saktësisht. Kur doli nga konkursi mendoi se nuk do ta pranonin, andaj u largua menjëherë pa pritur rezultatin. Motra Elisa që e priste, donte të dinte rezultatin, por ai nuk mund t’i thoshte asgjë: kishte bërë më të mirën, por mendoi se kishte dështuar. Me vështirësi, Elisa e bindi të kthehej dhe të pyeste për rezultatin. Ndërkohë, ata të komisionit po e kërkonin, t’i komunikonin vendimin e pranimit në shkollën e baletit të Operas të Vienës. Komisioni e kishin njohur dhe vlerësuar talentin e tij të madh andaj e pranuan në shkollën e famëshme të baletit. Atë ditë, Enos iu realizuar ëndërra, dy vjet do të studionte balet në Vienë!

Në intervistën me Elida Buçpapaj, Eno me sinqeritet djaloshar i konfidon: “Ato dy vitet e para ishin shumë të vështira për mua, sepse më mungonte vendi im dhe më mungonin shumë prindërit. Por ato vite ishin tejet të rëndësishme për moshën dhe për të kurorzuar me sukses studimet. Fillova të mësoja se çfarë ishte përgjegjësia për jetën, se isha vetëm në një qytet të madh, por ndjeja dhe  përgjegjësi profesionale, sepse ishin dy vitet ku unë mund të merrja një formim të fortë në shkollën e baletit të Vjenës, që do të më garantonte të ardhmen time si balerin profesionist”.

Ky sukses i Enos i gëzoi prindërit, që u lumturuan që i vogli i tyre tani do të studionte në Vienë, por nga ana tjetër, kjo ndarje ishte po aq e dhimbëshme, sepse e ndjenin shumë mungesën e tij. Për të ndjekur shkollën e baletit dhe sistemimin ne konviktin në Boerhavegasse, baba Fatmiri dhe nëna Vjollca shitën apartamentin e tyre në Tiranë, për ta mbështetut finaciarisht Enon dhe Ai iu është pafundësisht mirënjohës për këtë sakrificë të rrallë të prindërve. Më nënën dhe babanë, Eno flet shpesh në telefon, madje i fton shpesh në Vienë dhe gëzohen së bashku familjarisht.

Vijon në numërin e ardhshëm …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok