14/10/2024

Dorëshkrimet e ish-drejtorit të 5 shkollave për 46 vjet, Mevlud Buci

0

-Kam lëvizur nga Qaf Murr në Selishtë (Dibër) pastaj në Laknas (Tiranë) në gjimnazin “Sandër Prosi” dhe në fund në gjimnazin “Kol Jakova”.

– Si mësues kam dalë në vitin 1969 kur mbarova normalen e Elbasanit kur isha vetëm 18 vjeç.

-Dje nxënësi skuqej përpara mësuesit, sot pi hashash.

-Sot ka rënë interesi i mësimit nga nxënësit, pasi nuk ka disiplinë në shkolla.

-Në 46 vjet drejtor kalova mes 32 mijë nxënësve.

– Në 46 vjet mësova shumë, punuam me idealizëm, por dhe u zhgënjyem.

– Atëherë nuk njihej mitmarrja, sot të befason.

– Nuk mund ta mendoj se si rrinë mësues ata që marrin lekë për provime.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Me Mevludin kam shumë kujtime pasi ishte i pasionuar pas librit. Kam shumë dorëshkrime të tij, madje shumicën kur ai doli në pension. Ai ka disa vjet që është në pension, por kurrë nuk e heq librin nga dora. Jo vetëm krijues, por edhe redaktor dhe mbledhës folklori. Nuk heq kurrë nga muri i shtëpisë një çifteli të vjetër që për të është antistres. Ka disa vjet që është zhvendosur në Dibër dhe tani në Tiranë, dhe pse ka shtëpinë vjen si mysafir. Drejtor Mevludi (pasi kështu i thërrasin të gjithë) ka ndoshta një rekord në mësuesi. Ai ka punuar 46 vjet në arsim, ku nga këto plot 40 vjet ka qenë drejtor shkolle. Nga vitet si mësues, 23 vjet i ka bërë në Dibër dhe 23 në Tiranë. Një mësues model që i ka dhënë shpirtin mësimit me pasionin e tij të madh në mësimdhënie. Ai thotë (për AFP) që sot ka rënë respekti për mësuesin, ashtu sikundër nuk mund ta konceptojë mitmarrjen nga mësuesit. Sot ka kushte të mira për mësimin, por në regjimin komunist kishte më idealizëm dhe dëshirë për mësim. Rruga e tij e mësimdhënies ka lëvizur nga Qaf-Murr në Selishtë (Dibër) pastaj në Laknas (Tiranë) në gjimnazin “Sandër Prosi” dhe në fund në gjimnazin “Kol Jakova” (në Tresh, poshtë Laprakës) po drejtor. Ditën e daljes në pension kolektivi mësues nxënës i bënë një mbrëmje përcjellëse shembullore, ashtu siç është ai vetë në punë dhe në jetë.

Keni vite që keni dalë në pension. Me çfarë merret tani drejtor Mevludi? Si e kujton ditën e daljes në pension?

– Është e vërtetë që kam disa vite që kam dalë në pension, por me thënë të drejtën  sërish jam mes librave. Shkruaj kujtime, redaktoj, lexoj apo rrëmoj në biblioteka. Unë si mësues kam dalë në vitin 1969 kur mbarova normalen e Elbasanit. Isha vetëm 18 vjeç. Pra isha ende nxënës vetë dhe u bëra mësues.

-Si ishte mësimi në shkollën Normale të Elbasanit?

Ajo shkollë mbetet me histori. Një shkollë model, me mësues model. Kudo që të shkoje shikoje vetëm pastërti, nxënës të edukuar dhe mësues shumë të përgatitur. Shkollë që me të vërtetë e kujtoj me nostalgji.

-Ku fillove të japësh mësim në atë kohë?

-Fillova të jap mësim në Qaf-Murrë zonën e Katër Grykëve. Një zonë me tradita të theksuara patriotike, një zonë arsimdashëse midis Matit dhe Dibrës. Një zonë me dhjetëra heronj dhe dëshmorë bazë e luftës për liri dhe pavarësi.

-Sa nxënës kishte ajo shkollë ahere dhe si ishin kushtet e shkollimit?

-Atëherë, pra në vitin 1969, ajo shkollë kishte rreth 1 mijë nxënës dhe ishte një ndër shkollat më të mira të Dibrës. Kushtet nuk ishin si sot, por çdo gjë mirëmbahej dhe shikohej me përgjegjësi nga mësuesit dhe nxënësit. Pra ne kujdeseshim për pastërtinë, për rregullin, për laboratorët, punonim orar pa orar dhe përcillnim dashuri dhe ngrohtësi tek nxënësit. Kishim 20 klasa me tre cikle të ulta dhe një cikël tetëvjeçar. Pra kishte disa klasa paralele. Duhet të dini se deri në vitin 1991 ishte sistemi 8-vjeçar i shkollimit dhe në vitet e më pasme të demokracisë u kalua në sistemin 9-vjeçar.

-Ju personalisht çfarë lënde jepnit dhe a ishin të interesuar nxënësit për të lënën tuaj?

Unë jepja dhe kam dhënë në vijimësi gjuhë-letërsi. Mund të them se nxënësit ishin shumë të interesuar për këtë lëndë pasi unë u bëja prezent të gjitha shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj në botë dhe ato libra që unë blija apo lexoja jua bëja prezent edhe nxënësve, pra i informoja. Nuk ka lëndë të mirë apo të keqe për nxënësit. Të mirë apo të keqe, të lehtë apo të vështirë ua bën mësuesi. Unë qëndrova 2 vjet mësues dhe më pas u emërova drejtor. Pas këtij emërimi deri në daljen në pension kam qenë drejtor në disa shkolla 9-vjeçare dhe të mesme, pasi mbarova Universitetin me korrespodencë shkëlqyeshëm dhe më pas mora titullin doktor i shkencave.

– Si do t’i cilësojë mësuesit e asaj periudhe pra të regjimit komunist?

– Ata mësues ishin heronj. Sakrifikonin pa masë. Mësimin e zhvillonin në mënyrë korrekte. Mësuesit e djeshëm, me ata që janë sot me 4-5 diploma as mund të krahasohen. Ata mësues ishin heronj. Ishin mësues, me sedër, me kulturë, plot dinjitet, të dashuruar me mësimdhënien, të dashuruar me lëndën, që punonin vazhdimisht për ngritjen e tyre. Mund të them se puna e tyre ishte shkencore. Kishte mësues që vinin nga zona të tjerë dhe flinin në klasa apo dhe në dhoma beqarie që u jepte Këshilli i fshatit. Për 46 vjet si arsimtar mund të them se si ata mësues nuk sjell më koha. Ata ishin male për punën e tyre.

– Si veprohej atë kohë për nxënësit që nuk ishin mirë me mësime? Kishte kurse individual nga mësuesit, apo detyrë e mësuesve ti ndihmonin pas mësimit?

– Ne kishim organizuar punën e diferencuar. Pra shikonim cilët nxënës ishin me nota jo të mira dhe me ta organizonim në shtëpi ose në klasë nga vetë mësuesit punë të diferencuar. Njëkohësisht krijonim grupet e ndihmës për mësime. Kjo do të thoshte se ata nxënës, që ishin shumë mirë me mësime i bënin mësimet bashkë me një nxënës të dobët. Pra kjo ishte puna sistematike. Por nga ana tjetër ne bënim dhe aktivitete shumë të mëdha kulturore, artistike, por edhe sportive, si festivale mes shkollave, spartakiada apo dhe konkurse. Shkollat kishin gjallëri. Puna e diferencuar ishte në program shkollor.

-Si silleshin nxënësit atë kohë me mësuesit?

Sjella e nxënësve ishte shembullore. Nuk mund të mendohej që nxënësi të bënte zhurmë në klasë apo të kundërshtonte mësuesin. Nxënësit vinin me përparëse të zeza me jakë të bardhë. Pra kishte uniformë dhe korrektësi. Nuk them që nuk kishte nxënës të padisiplinuar, por për ta kishte masa disiplinore, kishte kolektiv, kishte mbledhje me prindër. Pra të gjitha gjërat zgjidheshin në mënyrë kolegjiale. Duhet të dish se në atë kohë kishte nxënës që vinin nga 5 km larg me këmbë. Kishte mësues që vinin dhe më larg se aq, por kjo s’do të thoshte që mësuesit të mos u përgjigjeshin kërkesave të nxënësve. Sakrifica kishte nga të dy krahët. Nuk punohej për lekë, por për dije. Kishte heroizëm dhe idealizëm ajo kohë paçka se regjimi dhe lufta e klasave ishin ana e errët. Flas për shkollën, për rregullin. Kishte dhe ideologjizma në programet e teksteve shkollore, që nuk duheshin, por ajo nuk ishte pjesa e madhe.

-Po sot sa nxënës kanë shkollat ku keni shërbyer në Dibër?

Ah, sot! Mos e fol! Nga një mijë nxënës kanë nga 200 ose më pak. Fshatrat janë zbrazur. Është fatalitet. Në disa fshatra nuk ka shkolla fare. Për shkollat e mesme nuk bëhet fjalë.

– Nga Qaf- Murri në Selishtë pastaj në Laknas (Tiranë) në gjimnazin “Sandër Prosi” dhe në fund në gjimnazin “Kol Jakova” (në Tresh, poshtë Laprakës) po drejtor. Këtu mbyllet cikli juaj 46 vjeçar në arsim, ku 40 vjet vetëm drejtor.

Si janë shkollat sot krahasuar me regjimin komunist?

– Shkollat sot janë më të bukura. Me kushte më të mira. Nxënësit të veshur më bukur, të ushqyer më mirë. Shumë shkolla kanë laboratorë shumë të mirë madje dhe palestra. Shkolla e fundit ishte me një numër nxënësish prej 2200 veta që zinte vendin e dytë në Republikë. Sot nuk ka përkushtim. Konkurset bëhen formale. Mësuesit nuk respektohen, por dhe vetë mësuesit kanë nxitur deri diku dhe mitmarrjen. Atëherë nuk njihej mitmarrja. Ka pasur raste që nxënësit janë kapur dhe me hashash. Mësuesit janë në thikë pasi ende është dhe ekziston miqësia, hatëret, tarafet dhe jo eksperienca dhe rezultatet, dijet.

-Kush është parimi i mësuesit?

Përkushtim, lexim, mësimdhënie korrekte, respekt dhe dashuri për nxënësit. Pa këto norma mësuesi është i detyruar të dështojë.

-Po vetë nxënësit a kanë respekt për mësuesit sot?

Ka rënë ndjeshëm respekti i nxënësve për mësuesit kjo dhe për faj të prindërve. Mund të them se më shumë se 30% e nxënësve nuk i respektojnë. Mësuesi matet nga puna dhe përkushtimi jo vetëm nga diplomat. Por mund të them se jo çdo përgjegjësi për edukimin e mban mësuesi. Mësuesi është 90% përgjegjës për rezultatet e nxënësve, ndërsa për edukimin 10%. Kur flasim për edukimin familja është baza e edukimit të çdo fëmije, pasi mësuesi plotëson disa boshllëqe profesionale në edukimin e fëmijës, që prindi nuk i jep dot.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok