27/04/2024

Çfarë është për shqiptarët 8 Marsi dhe urimet e kësaj dite?

0

Flasin Elsa Xhai, Margarita Xhepa, Valbona Peraj, Alida Hisku, Myfarete Laze, Lili Cingu, Enrieta Sina

Gratë janë shëmbëlltyra më e mirë e ideve të Zotit në tokë.

– Nëna është fjala më magjike, më e bukur, më shpresëdhënëse. Ajo është gjysma e botës, por dhe drita e botës.

Nga Albert Z. ZHOLI

Sot është 8 Marsi, e njohur nga të gjithë si Dita Ndërkombëtare e Gruas dhe në Shqipëri, si festa e Nënës. Një ditë e rëndësishme kjo, në të cilën kujtohen arritjet e kushteve sociale, politike dhe ekonomike të grave në botë, por edhe dhuna dhe abuzimi, që shumë gra janë ende duke vuajtur. Dita Ndërkombëtare e Gruas (DNG). Fillimisht u shpall nga Internacionalja Socialiste si një festë e grave punonëtore dhe e luftës së tyre për barazi me burrat. Tani festohet më 8 Mars çdo vit. Ajo përkujton lëvizjen për të drejtat e grave. Ndërsa respektimi i parë i Ditës së Gruas u mbajt më 28 shkurt 1909 në. 8 Marsi u sugjerua nga Konferenca Ndërkombëtare e Gruas 1910 për t’u bërë një “Ditë Ndërkombëtare e Gruas”. Pasi gratë morën të drejtën e votës në Rusinë Sovjetike më 1917, më 8 mars u bë një festë kombëtare atje. Dita u mbizotërua kryesisht nga lëvizja socialiste dhe vendet komuniste derisa u miratua në vitin 1975 nga Kombet e Bashkuara. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati 9 dekada. Në përputhje me deklaratën e Partisë Socialiste të Amerikës, dita e parë Nacionale e Gruas, u festua në SHBA më 28 shkurt 1909. Deri në vitin 1913 kjo ditë vazhdoi të festohej të dielën e fundit të shkurtit. Në mbledhjen Socialiste Ndërkombëtare në Kopenhagën më 1910, u vendos që ‘Dita e Gruas’ të festohej në të gjithë botën, për nder të lëvizjes së grave për të drejtat e tyre dhe për t’i mbështetur gratë në njohjen e statusit të tyre në shoqëri. Në këtë konferencë morën pjesë 100 gra, nga 17 vende të botës, midis tyre dhe tre gratë e para të cilat u zgjodhën si pjesëtare në parlamentin e Finlandës. Si rrjedhojë e vendimit të marrë në Kopenhagën, një vit më pas, në 1911, Dita e Gruas u vendos të festohej për herë të parë në 19 mars, në AustriDanimarkëGjermani dhe Zvicër, ku miliona burra dhe gra morën pjesë në organizimet kushtuar kësaj dite. Gratë kërkonin të drejtën e votimit, të qeverisjes, të punës, të edukimit si dhe ndalimin e diskriminimit në punë. Vetëm pak ditë pas këtij vendimi, në 25 mars, një zjarr tragjik në Neë York,vrau mbi 140 vajza gjatë orarit të punës. Kjo ngjarje pati një rëndësi të madhe në vendosjen e ligjeve të reja në lidhje me kushtet e punës. Në 1913 gratë ruse festuan Ditën e Gruas, të dielën e fundit të muajit shkurt si pjesë e manifestimeve për paqe. Ndërsa në pjesë të tjera të Evropës në 1914 kjo ditë filloi të festohej në 8 mars, shoqëruar me mbledhje dhe manifestime kundër Luftës së Parë Botërore. Si rrjedhojë e humbjes së mbi 2 milion ushtarëve rusë gjatë Luftës së Parë Botërore, gratë ruse të dielën e fundit të shkurtit të 1917-ës, u bashkuan në greva urie kushtuar “Bukës dhe Paqes”. Katër ditë pas fillimit të këtyre grevave, Cari u detyrua të jepte dorëheqjen dhe qeveria e përkohshme ju dha grave në Rusi të drejtën e votës. Kjo ngjarje ndodhi në 23 shkurt me kalendarin Julian, i cili përdorej në atë kohë në Rusi. Sipas kalendarit Gregorian, i cili përdorej kudo në botë, kjo datë bie në 8 Mars. Që prej asaj dite “Dita Ndërkombëtare e Gruas” morri dimensione të tjera, dhe filloi të festohej në mbarë Botën. Në këtë ditë reflektohet mbi kurajën dhe veprimet e grave të thjeshta, të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në historinë e të drejtave të grave. Më 8 mars të vitit 1910 në SHBA , Kanada e në vende të tjera të botës u bënë protesta të mëdha për të drejtat e gruas dhe pikërisht atë ditë të drejtat e gruas dhe të burrit janë të njejta. Tradicionalisht për çdo 8 mars fëmijët në shumë vende të botës ju dhurojnë nënave të tyre lule e gjëra të tjera ne shenjë dashurie për nënën.

Po si e komentojnë këtë ditë personalitete të njohura të vendit këtë ditë simbol për gjininë femërore? Cilat janë sot problemet me të cilat femra shqiptare ndeshet sot?

Elsa Xhai, gazetare

Nënat shqiptare, qofshin të lumtura në sfidat e tyre të mëdha, të vështira. Por si gjithmonë ato, nënat tona, dhe ne si nëna, mbetemi të sakrificës, zemërgjera e të paepura për jetën, për familjen, pse jo, edhe për imazhin dhe integrimin e Shqipërisë sonë, që aq shumë e dëshirojmë, sado larg saj të jemi! Gëzuar 8 Marsin, nëna e motra, edhe pse ditë reflektimi e proteste!.

Valbona Perajkëngëtare

Kur flet për nënat fjalët mbeten pezull. Një ditë më shumë, prej sakrificave të tyre të panumërta. Është një temë më vete të flasim për nënat, s’ditkam të bëj urim më të mirë sot. Nënat heroina, të pagjuma, plot mirësi dhe bujari. Nënat që sakrifikojnë çdo gjë për fëmijët e tyre. Tërë të mirat e botës ju uroj, shumë suksese në çdo hap!

Margarita Xhepa “Nderi i Kombit”.

Një festë e bukur, një ditë e veçantë. Vitet ndryshojnë dhe kohërat po ashtu, por 8 Marsi mbetet po ajo ditë. 8 Marsi në Shqipëri gjatë viteve të komunizmit u kremtua si festa e Nënës, teksa në mbarë botën mijëra gra bashkoheshin për të kërkuar të drejtat e tyre. Me hapjen e vendit pas rrëzimit të sistemit diktatorial, 8 Marsi filloi të merrte kuptimin e vërtetë në teori, sepse në praktikë ende sundohet nga lule, dhurata dhe dreka mes grave, duke u shndërruar në një ditë feste dhe jo në ditë apeli për të drejtat e tyre. Për mendimin tim, kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati 9 dekada. Por padyshim, që kjo ditë mbart në vetvete edhe falënderimin dhe nderimin për gjithçka gratë japin në shoqëri, në rolin e nënës, motrës, mikeshës, apo në profesionin e tyre. Në këtë ditë të veçantë, femrat janë në qendër të vëmendjes dhe marrin dhurata, jo vetëm nga partnerët, por edhe nga fëmijët apo të afërmit. Në vend priten aktivitete të ndryshme në nderim të gruas, por këto aktivitete nuk duhet të jenë vetëm një ditë në vit për gruan, jo! Gratë janë shëmbëlltyra më e mirë e ideve të Zotit në tokë, pa të cilat bota s’do shumëfishohej, por përkundrazi, do ishte më e egër dhe më problematike. Nënat, burimi i jetës, mirësisë, ndjeshmërisë, vigjilencës, sakrificës, bujarisë dhe krenarisë. Për të arritur në këtë ditë që është sot, gratë shqiptare për të fituar të drejtat e tyre kanë kaluar nëpër kalvare vuajtjesh dhe sakrificash. Dikur me ferexhe, pa të drejtë vote, me të drejta shumë të kufizuara, sot shohim një grua shqiptare të emancipuar, civilizuar, e shohim zv/kryeministre, kryetare Kuvendi, deputete, ministre, etj. Pra, një grua që përballet bindshëm me burrat në çdo aspekt të jetës shoqërore. Për herë të parë, 8 Marsi në Shqipëri u kremtua në vitin 1942 të shekullit XX në grupe të vogla grash. Në fillimet e shtetit shqiptar, nuk ka ekzistuar e drejta e grave për të zgjedhur e as për t`u zgjedhur. Në ligjin për “Zgjedhjen e deputetëve” i datës 5 dhjetor 1920, në nenin 6, theksohet: “gjithë ata burra që kanë moshën 20 vjeç e përpjetë, paguajnë a s’paguajnë vergji, kanë të drejtë vote në çdo zyrë zgjedhjeje për zgjedhje të dytë”Për herë të parë në Shqipëri, e drejta e votës për gratë është njohur në vitin 1945. Në Statutin e Republikës Popullore të Shqipërisë të vitit 1946, në kapitullin “Të drejtat dhe Detyrat e Shtetasve”, neni 14 theksohet: “Të gjithë shtetasit pa ndryshim seksi, kombësie, race, besimi, shkalle kulturore ose banimi dhe që kanë mbushur moshën 18 vjet, kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në të gjitha organet e pushtetit shtetëror”. Sot kohët kanë ndryshuar. Gëzuar 8 Marsin nëna, motra dhe shoqe kudo në botë!”.

Lili Cingu“Mjeshtre e Madhe”

“Bashkë me mimozat vjen dhe festa e gruas, e nënës. Akoma në shekullin ku jetojmë, ekzistojnë mbetje të mendimeve mesjetare, që ushtrojnë dhune ndaj një qenieje, e cila të ka sjellë në jetë, të ka mëkuar me gjuhën shqipe, me ninulla, Ndihem e trishtuar kur lajmet mbushen me dhunë, çka do të thotë se nxisin dhunë ndaj grave, nënave. Parlamenti transmeton dhunë, emisionet apo rubrikat televizive transmetojnë dhe nxisin dhunë. Mes tyre janë gratë, janë nënat. Dashuria për to duhet promovuar! Njeriu ka virtyte, të cilat kurrë nuk do t’i kuptoni ju, të cilët e shihni dhunën si mjet rrugëdalje, nga dështimet e njëpasnjëshme që merrni nga shoqëria! Nëna është fjala më magjike, më e bukur, më shpresëdhënëse. Ajo është gjysma e botës, por dhe drita e botës!

Alida Hisku, këngëtare

Sot po ju flas nga një aktivitet në Gjermani. Një aktivitet ku përfaqësoj gruan shqiptare me veshje karakteristike të saj. Veshje që po i habisin të pranishmit dhe na bën krenare. Dita e 8 Marsit, duhet të jetë dita kur gratë duhet të mendojnë për veten dhe gratë e tjera, të reflektojnë në atë se pa marrë parasysh se cilës kulturë, nacionalitet, familje i takojmë, jemi gra dhe jemi të njëjta. Unë jetoj prej vitesh në Gjermani dhe po e shoh sesi respektohen dhe çfarë vlerash kanë sot gratë më këtë vend. Gjermaninë prej afro 15 vjetësh e drejtoi një grua, Merkel, një zonjë e madhe, fisnike që ka pasur besimin më të madh në shoqërinë gjermane. Por sot në Gjermani ka dhe shumë si Merkel. Në vendin tonë, ende pozicioni i gruas nuk është aty ku duhet. Kemi jetuar në një shoqëri, ku femra nuk ka qenë, por dhe ende nuk është e barabartë me mashkullin, në të gjitha poret e jetës. Kishim një shoqëri ku femrës i imponohej mënyra e të jetuarit, mënyra e veshjes, daljes, qëndrimit dhe shprehjes së mendimit të lirë. Dikur femra nuk ka gëzuar të drejtën e shkollimit, apo nuk i mundësohej ajo. Kemi pasur një shoqëri, ku femra nuk ishte e përfaqësuar në mënyrë të barabartë në jetën shoqërore. Sot janë marrë hapa konkret në drejtim të barazisë gjinore në Shqipëri, por ende rruga është e gjatë. Këto ditë nëpër rrjete sociale kam parë që kanë filluar të urohen nënat, por në fakt duhet të urohen gratë. Është dita e gruas dhe jo e nënës. Në 8 Mars, duhen uruar nënat, motrat, gjyshet, e dashura, tezja dhe të gjitha gratë. Është dita e tyre! Meqenëse te ne kjo ditë shënohet në mënyrë solemne si në shtëpi, ashtu dhe në shoqëri, duhet një dhuratë, jo domosdoshmërisht e shtrenjtë, duke përcjellë urimin e të gjithë neve për më të dashurat tona. Dhuratat, e kam mësuar nga familja ime, nuk duhet të jenë të shtrenjta, në kuptimin financiar; dhurata duhet të jetë nga zemra, e menduar mirë dhe me përkushtim, sepse kjo e bën më të vlefshme. Gëzuar festën gratë vetëmohuese të Shqipërisë dhe gjithë botës”.

Mfarete Laze, “Mjeshtre e Madhe”

8 Marsi, një ditë e bukur, një ditë që ne si nëna e presim me mall. Kjo ditë më shumë sesa një festë, është një ditë reflektimi, por është edhe një ditë ku ne duhet të ndjehemi të lira, të kërcejmë vals, të gëzojmë, të këndojmë. Të këndojmë këngët për nënat, për sakrificat e tyre, për dhimbjet dhe gëzimet e tyre. Nënat duhen respektuar çdo ditë. Ato meritojnë shumë, pasi bëjnë punë heroike në heshtje.

Enrieta Sinashkrimtare

Trokasim në tryezat tona familjare për një tjetër gëzim të pakrahasueshëm: Festa e 8 Marsit! Gëzuar festën nënë! Edhe në këtë ditë feste rrëfenjat janë të ndryshme. Por, ne bëjmë urimet tona të përzemërta për më tepër lumturi në jetën e tyre. Duket se mimoza është përdorur si lulja simbol e Festës së Gruas nga italianët. Në vitin 1946, Unioni i Grave Italiane përgatitej për 8 Marsin e pasluftës. Kërkohej një lule që të simbolizonte këtë ditë. Ishin vetë gratë ato që zgjodhën lulet e verdha, të buta dhe gjithë aromë të mimozës për festën e tyre. Prandaj dhe mes nesh buqetat e lulet e mimozave për nënat janë të pranishme kurdoherë. Mbeti kjo datë e trashëguar në jetën tonë si dita e Nënës. Dita e asaj pa të cilën bota nuk do të kishte të ardhme. E dimë mirë që ndjenjat dhe zakonet që përbëjnë lumturinë tonë të përgjithshme formohen në familje dhe ne na i ka ushqyer më qumështin e gjirit nëna, e ëmbla, e dhimbsura, e dashura, krenaria e jetës sonë. Nënë! Fjala më e bukur në botë! Gjithçka që bën një nënë nuk ka të krahasuar me asnjë vepër në jetë. “Sillu me prindërit ashtu si do të dëshiroje që fëmijët e t’u të silleshin me ty”. Kupto që në çdo situatë një nënë di ta fal, sepse e tillë është ajo, për këtë ka ardhur në botë, por ti duhet ta duash shumë, sepse sakrifica e saj për fëmijët është sublime. Nëna të rrit dhe nuk lodhet duke kërkuar të mësojë qëllimin e jetës që fëmijët e saj t’i kushtojnë çdo përpjekje e mendim. Nëna të qëndron pranë dhe të mëson të jesh njeri. Të mëson si ambicia nuk pajtohet kurrë me mirësinë, të mëson të duash dhe të mos të urresh, të mos bësh asnjëherë diçka të keqe, sepse e keqja edhe nëse është e fshehtë për të tjerët s’do të jetë e tillë në ndërgjegjen tënde. Ajo bën gjithçka që t’i lumturojë fëmijët, sepse e di mirë se njeriu atje ku jeton, atje mund të bëhet edhe i lumtur. Në çdo moshë, ne kujtojmë ditët e fëmijërisë si ditët më të lumtura, ndofta sepse ato janë ushqyer më vështrimet e ngrohta të nënave tona të mrekullueshme. Nënat janë fisnike në ndjenja, shikoje këtë brenda vetes tënde dhe do të shikosh vetëm emrin “Nënë!”. Nënat mësojnë se si fëmijët e tyre të bëhen të mirë dhe të ndershëm, sepse në këtë mënyrë nuk do të turpërohen kurrë. Vlerësoni dhe uroni zemrat fisnike të nënave, me këtë forcë do të largoni nga vetja çdo pengesë e ligësi. Forca më e madhe qëndron në një zemër të pafajshme dhe kjo është zemra e ngrohtë, e dashur, e palodhur e nënës! Gëzuar pra festat e 7 e 8 Marsit! Gëzuar Festën e mësuesit!  Gëzuar Festën e 8 Marsit nënat e motrat tona të dashura!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok