19/04/2024

REVOLUCIONI I LULEVE

0

(Lojë për teatër të kukullave)

NGA KALOSH ҪELIKU

 

Vetat:

 

  1. XHAXHI SHKRIMTR
  2. FLUTUR LIVADHI
  3. VJOLLCË BARI

4 LULE KOPËSHTI

  1. TRËNDAFIL DEGA
  2. MIMOZË FAQEKUQJA
  3. BLETË PUNËTORJA
  4. SHELG LUMI
  5. UJK DHËMBËMADHI
  6. CUCË PALMA
  7. VOCRRAK SHIGJETA
  8. IRIQ FERRA
  9. BRETKOSË KËNETA
  10. GRERZ GJYQTARI

 

PAMJA E PARË

SKENA: Nëpër dhomë është hudhur bar dhe disa lule, ku shihet një xhaxha i ulur pranë tavolinës. Ai përpara e ka makinën e shkrimit, disa fletë letre dhe dy-tre libra.

 

XHAXHI SHKRIMTAR

Fluturo! Fluturo, oj Flutur me krahë të shkruar nëpër livadhin e gjerë e me lule! Shiko barin e njomë, deri në gju, sesi valvitet nga era herë këndej herë andej! Shiko gjethet e lumtura sesi bien përtueshëm në tokë! Shëtit mbi pëlhurën e blerimit! Gëzoi fëmijët e palumtur!…

 

FLUTUR LIVADHI

(Ngrihet dhe bën sikur fluturon me duar. Afrohet pranë dritares): Tak-tak… Tak-tak… Tak-taak…

 

VJOLLCË BARI

Kush është?

 

FLUTUR LIVADHI

Unë, Flutur Livadhi. Hape derën!

 

VJOLLCË BARI

Urdhëroni! O, ju qenkëshit, Flutur! Mirë se erdhët! Uluni në këtë kolltuk pranë dritares!

 

FLUTUR LIVADHI

Sa gëzueshëm këtu u përthyekan rrezet e diellit nëpër xhamin e mëndafshtë!

 

VJOLLCË BARI

Edhe ylberi shpeshëherë vizatohet ngjyra – ngjyra… Rrezet e diellit si ar kalojnë nga një kodër në tjetrën.

 

FLUTUR LIVADHI

Po hëna, a vjen natën me trastën e ëndrrave?

 

VJOLLCË BARI

Po. Ajo vjen për çdo natë dhe e lë trastën në shtëpinë time. Unë e marr dhe ua hudhë fëmijëve nga një ëndërr në çdo dritare.

 

FLUTUR LIVADHI

A ndodh ndonjëherë ta harrosh ndonjë fëmijë pa ëndrrën e bukur?

 

VJOLLCË BARI

Kurrë! Një gabim i tillë do t’i zemëronte fëmijët. Do t’u rridhnin faqeve lot pikëllimi. Nuk do të pinin qumështin…

 

FLUTUR LIVADHI

E, a e di, moj motër, pse të kam trokitur në derë?

 

VJOLLCË BARI

Jo. Pasha këto faqe të bukura, nuk e di!

 

FLUTUR LIVADHI

Oh, oj motër! Sot lexova një artikull të prekshëm në gazetën “Fleta e Gjethit”.

 

VJOLLCË BARI

Hë. E çka shkruante?

 

FLUTUR LIVADHI

Çka shkruante? Më mirë mos pyet fare. Qenka dikund një vend ku nuk ka lule.

 

VJOLLCË BARI

Mos e ka fjalën për Saharën? Atje fëmijët nuk shkojnë të jetojnë kurrë.

 

FLUTUR LIVADHI

Jo. Jo, ai vend nuk është shkretirë. Po ç’dobi, nuk ka lule. Dikur ka pasur, por nga qielli dikush ka lëshuar një armë të ftohtë eksploduese dhe e ka djegur barin, lulet…

 

VJOLLCË BARI

E pas disa vjetësh, nuk paskan dalë prapë lulet në livadh?

 

FLUTUR LIVADHI

Nuk kanë dalë, se ua kan djegur edhe rrënjët. Atje, fëmijët i vizatojnë lulet në pluhur, me krënde. Por, ato lule, moj motër e dashur, nuk kanë erë, as bukuri… Diellin shkruante aty, shpeshëherë e zënë mjegullat. Hëna asnjë fëmije nuk  i troket në dritare, ta vërë në gjumë me përralla. Edhe ëndrrat atje nuk qenkan të bukura.

 

VJOLLCË BARI

Sa keq! E si t’i gëzojmë ato fëmijë në atë vend të errët të botës? Cila dhuratë për ta do të ishte më e bukur?

 

FLUTUR LIVADHI

Fare lehtë. Unë mu për këtë dhe erdha, oj mike. Do t’i dërgojmë atje sa lule.

 

VJOLLCË BARI

Më shkruaj mua të parën në listë. Unë jam vullnetare për të shkuar te fëmijët e palumtur. Le të gëzohen edhe ato si të gjithë fëmijët e tjerë të botës.

 

TRËNDAFIL DEGA

(Afrohet edhe ai, duke marrë frymë thellë): Bisedën tuaj e dëgjuam edhe ne fqinjët. Më shkruaj edhe mua në listë!

 

MIMOZË FAQEKUQJA

(Mësyn nga Flutur Livadhi): Edhe mua, edhe mua!…

 

LULE KOPËSHTI

(Vrapon edhe ajo): Edhe mua!

 

FLUTUR LIVADHI

Mirë, bukur. Bëjuni gati!  Vishni rrobat e reja! Krehni flokët! Shtini nëpër xhepa fletoret, lapsat, librat!… Edhe gomat… Merrni edhe pak bukë me vete udhës!…

(Errësira lëshohet në skenë).

 

 

PAMJA E DYTË

 

SKENA: Në dhomë lulet vallëzojnë nga gëzimi. Janë krehur, janë zbukuruar, janë rregulluar për Dasmën e Madhe… Dikur ia marrin një kënge, të cilën e ka shkruar xhaxhi Mehmedali Hoxha:

 

Në valët e këngës sime

Hapin tonë dëgjoj,

Në bankat e shkollës trime

Dritën e bardhë adhuroj.

 

Dhe bindur piqet qëllimi

Në ditët kur shtrohet drita,

Si shqipja kur shkon përpjetë

Nëpër re e bubullima.

 

Jam dorë e djathtë, o shokë,

Besnik i arës me grurë,

Kjo rrugë na qoftë e mbarë,

Se unë nuk bëhem urë.

 

Mbi ura, lumenj të bardhë,

Digat rriten edhe mbi gurë.

Është shpatull e fortë kjo, vëlla,

Dhe s’do të thyhet kurrë.

 

VJOLLCË BARI

(Kur përfundon kënga, ndahet nga vallja dhe i afrohet Fluturës): Gati jemi zonjë.

 

FLUTUR LIVADHI

Atëherë, hyni ngadalë në trastë, t’ju qes në krahë dhe të nisemi vrik, teposhtë livadhit!

 

VJOLLCË BARI

Me këtë trastë më duket se do të udhëtojmë si Liza në botën e çudirave.

 

LULE KOPËSHTI

Ashtu edhe mua më duket, shoqe. A ta qes pak kryet, të shoh diellin?

 

VJOLLCË BARI

Qite, qite! Por, shiko të mos biesh poshtë, të thyesh ndonjë këmbë. Jemi me qindra metra larg nga livadhet. Ki kujdes!

 

LULE KOPËSHTI

O sa thellë i paskemi hyrë qiellit në gji! Shoh shtëpitë, lisat, si pika të vogëla në fletore. Vjollcë, shiko, e preka pak mjegullën me gishta!…

 

VJOLLCË BARI

Fute kokën brenda, se do të të kapë ndonjë mjegull me dorë për flokësh. T’i mbyllë sytë pastaj…

 

LULE KOPËSHTI

Au, vërtet. Mua s’më ka shkuar ndërmend se edhe mund të më godasë me ndonjë kokërr breshri. Shoqe, më bëni pak vend të fshihem në trastë!…

 

BLETË PUNËTORJA

(E vë dorën në ballë, t’i shoh më mirë udhëtarët): Opaaa, shiko, shiko njëherë këtë nuse me fustan pika-pika! Po nga ngutesh kështu, moj mike?

 

FLUTUR LIVADHI

Heee!  Larg, larg. Në vendin e fëmijëve të palumtur.

 

BLETË PUNËTORJA

Po këto lule, nga i mundon kështu?

 

FLUTUR LIVADHI

I dërgoj atje.

 

BLETË PUNËTORJA

Ua sa budallaqe je. Ti atje nuk do të mund të arrish vetë, e jo me gjithë këto lule.

 

FLUTUR LIVADHI

Do të mbërrij, do të mbërrij! Duhet të mbërrij gjithsesi!

 

BLETË PUNËTORJA

Mirë, pra. Pasi paske vendosur, na, merre edhe pak mjaltë me vete! Ua dërgo atyre fëmijëve të palumtur! Me siguri do të gëzohen.

 

VJOLLCË BARI

Zonjë, në mesin e banorëve të livadhit paska ende të mirë!

 

FLUTUR LIVADHI

Shoqe, qielli po errësohet dalngadalë dhe terri m’i lidh sytë me shami. Mbahuni mirë të mos rrëzoheni, se do të zbresim tashti në livadhe.

 

VJOLLCË BARI

Lëshoju, zonjë ngadalë! Lëshoju pa frikë!

 

FLUTUR LIVADHI

Këtu, nën këtë lis, do të kalojmë sonte natën. Mbulojuni mirë, të mos ftoheni natën! Nesër me forca të reja do ta vazhdojmë udhën. Natën e mirë dhe gjumin e ëmbël, shoqe!

 

VJOLLCË BARI

Natën e mirë, zonjë!

 

(Errësira lëshohet në skenë).

 

 

PAMJA E TRETË

 

SKENA: Nën një lis mbi bar, shihen duke fjetur në një gjumë të thellë. Më tutje edhe xhaxhi Shkrimtar me fletore e laps në dorë.

 

XHAXHI SHKRIMTAR

Shelg, o Shelg! Shtrije dorën dhe zgjoi udhëtarët nga gjumi.

 

SHELG LUMI

Heej, udhëtarë! Zgjohuni nga gjumi! Ju presin fëmijët e palumtur. Zgjohuni ore, se do t’ua shkul veshët!

 

XHAXHI SHKRIMTAR

Shkundi më fortë me dorë! Me siguri janë harruar në ndonjë ëndërr të gjatë e të bukur.

 

SHELG LUMI

Zgjohuni më, o udhëtarë! Ore, a keni ju sot mendjen të udhëtoni, apo të fleni? Shikojeni diellin, është ngritur dy shkopinj mbi male!

 

LULE KOPËSHTI

Ehaaa! Ç’gjumë të mirë paskam bërë! Moj, qyqja, qyqja unë! Ç’është kjo dorë kaq e gjatë që më shkund?! Oho-hooo, kush qenka! Heeej, lermë të fle, ore rrugaç lumi!

 

SHELG LUMI

O gjumashë! Ose zgjohuni, ose ua shkunda lisin me lena. E nëse e keni kokën dhe shpinën e fortë, flini si arusha në dimër!…

 

LULE KOPËSHTI

O, mosni zotëri! Unë, ja u zgjova, do t’i zgjoj edhe shoqet. Zonjë, zonjë moj! Zgjohuni më, se do të na zërë mbrëmja prapë në të njëjtin vend! Pastaj ky lisi e ka mendjen të na bombardojë me lena.

 

FLUTUR LIVADHI

Ehaaa! Au, qenkemi vonuar shumë nën këtë lis! Shoqe, bëhuni gati vrik e vrik për rrugë! Po, ty Lulja e Kopështit, kush të zgjoi?

 

LULE KOPËSHTI

Ai shelg, atje në breg të lumit.

 

FLUTUR LIVADHI

Atëherë, para se të nisemi, të shkojmë ta falenderojmë atë portierin e hotelit “Qielli i hapur”.

 

LULE KOPËSHTI

Të shkojmë, të shkojmë…

 

FLUTUR LIVADHI

Xhaxhi Shelg, faleminderit që na zgjuat me dy shkopinj dielli. Se, ashtu si ia kishim nisur gjumit, do të flenim deri nesër. Do të prisnin kot fëmijët e palumtur.

 

SHELG LUMI

Oh, shoqe! Mua më tha xhaxhi Shkrimtar t’ju zgjoj nga gjumi. Atij duhet t’i felenderoheni.

 

FLUTUR LIVADHI

Xhaxhi Shkrimtar?!

 

SHELG LUMI

Po, po, xhaxhi Shkrimtar.

 

FLUTUR LIVADHI

E sa duhet t’ua paguaj sonte dhomën?

 

SHELG LUMI

E ka paguar xhxhi Shkrimtar.

 

FLUTUR LIVADHI

Ai edhe ka paguar?!

 

SHELG LUMI

Po, zonjë.

 

FLUTUR LIVADHI

A është i thellë ky lumë?

 

SHELG LUMI

I thellë është, i thellë…

 

LULE KOPËSHTI

Ujku po vjen, ikni se ujku!

 

UJK DHËMBËMADHI

(I shikon nga poshtë): Ikët, ë? Kështu nuk e kanë trimat.

 

FLUTUR LIVADHI

Trimëri e shkuar trimërisë është nganjëherë edhe të ikësh. Ikja në shumë raste sjell edhe fitoren.

 

UJK DHËMBËMADHI

Mençuria do edhe fuqi, ç’dobi ke që ti je e mençur, kur nuk ke guxim të më dalësh përballë, sy më sy, në dyluftim.

 

FLUTUR LIVADHI

Unë nuk jam egërsirë. Unë kudo që fluturoj mbjell bukuri, liri e paqe mbi këtë tokë. Ndërsa ti – urrejtje, dhunë e luftë…

 

UJK DHËMBËMADHI

Jam trim mbi trima. Dua të ma keni frikën dhe t’ju bindeni urdhërave të mia…

 

FLUTUR LIVADHI

Trimave të vërtetë, po. Por, të marrëve e katilëve si ti, kurrë!

 

UJK DHËMBËMADHI

Mos do të thuash me këtë se një ditë do të më hash?

 

FLUTUR LIVADHI

Unë, jo, por krimbat…

 

UJK DHËMBËMADHI

Ha-haa-haaa… Do të më hanë krimbat! Sa budallaqe qenke! Ku ke parë, moj ti, të hanë krimbat një burrë kaq të madh sa unë?!

 

FLUTUR LIVADHI

Një ditë, një ditë do të të hanë… Tashti, lamtumirë, o shpirtlig! Me kësi egërsirash si ti më vjen ndohtë të bisedoj më gjatë.

 

SHELG LUMI

Zonjë, pritni se do ta shtrij unë dorën dhe do t’ju qes matanë lumit.

 

FLUTUR LIVADHI

(Pasi kalon lumin): Felemnderit, xhaxhi.

 

SHELG LUMI

Na merre edhe pak liri! Ua dërgo fëmijëve të palumtur!

 

FLUTUR LIVADHI

Felmenderit, xhaxhi. Ata me siguri do të gëzohen shumë…

 

(Errësira lëshohet në skenë).

 

 

PAMJA E KATËRT

SKENA: Xhaxhi Shkrimtar me fletore e laps në dorë i jep zemër Fluturës.

 

XHAXHI SHKRIMTAR

Fluturo, oj Flutur! Fluturo! Sot i mbushe tri javë e katër ditë udhë deri në këtë vend pa lule. Shiko fëmijët, të gëzuar të dalin para me këngë e valle. Afrojau faqen të të puthin si puthin fëmijët më!

 

CUCË PALMA

Zonjë, ma jep mua një lule!

 

VOCRRAK SHIGJETA

Jo, mua, mua…

 

FLUTUR LIVADHI

Jo. Këto lule do t’i mbjellim në vendin tuaj. Këto do të lindin fëmijë. Fëmijët e tyre fëmijë… Një ditë vendi juaj do të mbushet plot lule. Atëherë do të keni lule sa të doni. Në kopësht, në livadhe… Kudo…

 

CUCË PALMA

Zonjë, afroju të të puth edhe njëherë në faqe! (E puth në të dyja faqet).

 

VOCRRAK SHIGJETA

Edhe unë, edhe unë… (Fillojnë ta puthin të gjithë me rend).

 

FLUTUR LIVADHI

Mjaftë më, o fëmijë të mirë! Oh, sa shumë puthje m’u bënë! Një mijë, dy mijë, tre mijë…

 

CUCË PALMA

Zonjë, mos na solle edhe pak liri?

 

FLUTUR LIVADHI

Vetëm pak liri që ma dha Shelg Lumi. Tjetrën, tha: le ta kujtojnë të madhin Skënderbe se çka u tha trimave shqiptarë: “Lirinë nuk ua solla unë. Atë e gjeta në mesin tuaj, në zemrat tuaja…”

 

VOCRRAK SHIGJETA

Sa bukur u paska thënë trimave! Po, tjetër?

 

FLUTUR LIVADHI

Edhe pak mjaltë Bletë Punëtorja, ta keni për ditë të vështira.

 

VOCRRAK SHIGJETA

Ju falemnnderit, zonjë, për të gjitha. Më tej do të kujdesemi të ecim vetë ballëhapur drejt ditëve të lumtura.

 

FLUTUR LIVADHI

Sukses, fëmijë, dhe vetëm suksese në përparimin dhe lulëzimin e atdheut!

 

VOCRRAK SHIGJETA

Përshëndeteni në emrin tonë Xhaxhin Shkrimtar për tregimin që shkroi në gazetë.

 

CUCË PALMA

Të fala edhe fëmijëve!

 

FLUTUR LIVADHI

Mirupafshim!

 

VOCRRAK SHIGJETA

Udhambarë! (Bën me dorë).

(Errësira lëshohet në skenë).

 

 

PAMJA E PESTË

 

SKENA: Pamje tokësore dhe qiellore: me fusha e male, lisa e livadhe

 

FLUTUR LIVADHI

(Vetëmevete): Edhe pak, edhe pak, edhe pak… Hë e hë e hë… Më në fund, ja. mezi arrita në livadhin me lule.

 

IRIQ FERRA

(Në befasi): Duart lart! Bretkosë, lidhja duart!

 

FLUTUR LIVADHI

Heeej, o të marrë! Nga më çoni kështu? Unë nuk kam prishur asnjë rregull në mbretërinë tuaj!

 

IRIQ FERRA

Në burg, tradhtaren!

 

BRETKOSË KËNETA

Në burg!… Në burg!… Në burg!…

 

FLUTUR LIVADHI

Oh, oh… Mos ma shtrëngo dorën, se ma theve!

 

IRIQ FERRA

Ti ke vjedhur lule pa e pyetur Mbretin e livadheve.

 

FLUTUR LIVADHI

Oh, jo! Jooo… Kush ju ka thënë juve?

 

BRETKOSË KËNETA

Dy bretkosa në rrugën “Rrënja e Lisit” nr. 13.

 

FLUTUR LIVADHI

Ato e kanë bërë këtë për para…

 

IRIQ FERRA

Ato në aktpadi të akuzojnë edhe si revolucionare.

 

FLUTUR LIVADHI

Unë nuk lakohem! Këtë dua ta dini! Nuk bëhem urë… Kurrë!…

 

BRETKOSË KËNETA

Pusho, revolucionare! Hyrë në këtë dhomë! (Flutura hun dhe ulet në bankën e zezë).

 

GRERZ GJYQTARI

Dang, dang, daaang! Qetësi! Flutur Livadhi, për veprimtari armiqësore kundër shtetit tonë të “përbashkët”, dënohet me njëzetë vjet burg të rëndë!

 

BLETË PUNËTORJA

Jooo!

 

GRERZ GJYQTARI

Dang, dang, daaang! Qetësi! A do të shtoj  edhe diçka e paditura?

 

FLUTUR LIVADHI

Liri dhe lumturi fëmijëve të palumtur!…

 

BLETË PUNËTORJA

Flutur Livadhi kërkojmë të mbetet e lirë!

 

MIMOZË FAQEKUQJA

Urraaa!… Shoqe e shokë! Mos lejoni një padrejtësi të tillë ndaj Flutur Livadhit! Kërceni mbi karrige e tryeza! Flutur Livadhi duhet të mbesë në liri! (Bëhet tollovi e shamatë. Rrëzohen karrige e tryeza).

 

IRIQ FERRA

Ikni, shokë, se na zunë të gjallë!  Bretkosë Kënetën e vranë. Mosni, kini mëshirë!

 

MIMOZË FAQEKUQJA

Bletë, zgjidhja duart Flutur Livadhit!

 

IRIQ FERRA

Au, ma thyen këmbën!

 

MIMOZË FAQEKUQJA

Do të ta thyejmë edhe kokën, qen!

 

XHAXHI SHKRIMTAR

Përpara, o trima! Kështu fitohet liria! Kështu bëhet Revolucioni i madh i luleve. Ky revolucion nuk është shkruar në asnjë libër të historisë. Unë e gjeta rastësisht në një fletë lakre, në kopësht të lepurit…

(Errësira lëshohet në skenë).

Fund

Prishtinë, 1980

 

  1. S.

 

Pjesa teatrore “Revolucioni i luleve” u ble për botim në konkursin anonim të shpallur nga revista e fëmijëve “Pionieri) (1980). E cila pas vërtetimit të autorësisë me kopjen e tretë, sipas një bisede miqësore me redaktorin e revistës në redaksi, z. Vehbi Kikaj ndillte rrezik të botohej në “Pionieri”. Shkaku, se: i kishte paraparë demonstratat e studentëve në Prishtinë (1981).

Nuk ka problem, iu përgjigja. E lë nga ana ime në përgjegjësinë dhe duart tua si kryeredaktor reviste, anëtar jurie dhe shkrimtar i respektuar me përvojë për fëmijë. I keni duart e lira për fatin e kësaj pjese teatrore ta shoh dritën.

Megjithatë, poeti i madh për fëmijë Vehbi Kikaj e botoi pjesën teatrore “Revolucioni i luleve” po atë vit, pas demonstratave të studentëve (1981), në Prishtinë.

Vërtetë, guxim i madh për një shkrimtar shqiptar asaj kohe, kur intelektualët shqiptar ndiqeshin me burg këmba-këmbës duke i “djegur” si shtrigat e Mesjetës në turrën e druve, si armiq të Partisë Komuniste dhe Shtetit “përbashkët” në mes të Prishtinës…

 

(Nga libri me pjesë tetarore: Sorraku i Qytetit (1994), dhe Shtriga doli nga përralla (2019).

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok