04/12/2024

Dashuria si dëshirim epshi…

0
Albert-Vataj

Nga Albert Vataj

Sikur nesër një grua t’ia kushtojë dashurinë e saj vetëm një burri të ndershëm dhe punëtor, sikur të ishte e mundur që burri të dashuronte vetëm gruan e dëlirë, ne do të shihnim me plot ngazëllim kopulime të fuqishme shprese dhe mrekullimi, teksa përtërihet familja njerëzore gjatë një brezi, do të shihnim burra të edukuar nëpërmjet epshit dhe gra të kurajshme që kacafyten në betejat e devocionit.

Çfarë ishte ai dëshirim harbimi tradhtar i besnikërisë së përbetuar rrejshëm i një zemre, të cilën refuzoi t’ia jepte ëndrra e thurur nën dalldi dashurish të themelta martesore?

A i’a vlen çmimi i ferrit dhe pendimit, me të cilën një grua duhet të blejë “parajsën” e përkohshme, atë ëndje, që në pamundësi për ta mbajtur gjithnjë me pekule e lajka, zgjedh poshtërimin dhe zemërthyerjen që ta flak si një send të pavlerë?

Çfarë e cyt atë kurm të dlirë të sakrifikohet në darkime vulgare e epjesh shitane, që u kalitën ndër orgji të pështira e jargitje të ndyta?

A mundët vallë që virtyti ta mbajë përherë të ngrohtë zjarrin e dëshirimeve dhe të pacënuar altarin e martesës?

A duhet besuar se fjalët mund të mbajnë nën fre mëzin e harbuar të pasionit, apo duhet të shfajësohemi kokëulur tek gjaku i prishur?

Do të shihnim se burgu që tremb dhe ferri që kërcënon, do të zëvendësoheshin me përkëdheljet e një gruaje dhe me puthjet e një burri, si forcë edukuese, si energji e epshme e dashurisë së përjetshme.

A do të jetë kjo përjetësisht një ëndërr? Pyet Paolo Mantegazza.

A duhet t’i kërcënojmë dhe mposhtim burrat për t’i bërë ata të jenë më të mirë?

Vërtetë civilizimi nuk do të ketë një ilaç tjetër më mizor, se sa dhimbja dhe pendimi, për të shëruar njerëzit nga vesi dhe mëkatimi?

E megjithatë, dashuria si dëshirim epshi dhe jo si hyjni forcash përjetuese, ka kurajën të gabojë dhe të ndihet e shfajësuar, nëse nën këmbët e saj, përulësia jonë gjunjëzohet aq sa çdo altar do të ndihej i thërmuar, nën këtë pendim dhe përgjërim faljeje, aq sa çdo nerv dhe ind, çdo shkulm gjaku e dalldi epshi, do ta thyhen në ndeshjen epike të gjëmimit të një shpirti që rënkon, e kujës së copave të zemrës së thyer që mpaket.

Është ajo, ajo dashuri që kërkon shenjtorë në çdo faltore dhe demonë në çdo terratisje shpagimi, dhe ashtu me krenarinë e vet që ther strehëve të fshehtësisë e kureshtisë pendestare të hënës, ikën duke kërkuar ta pranojnë edhe pse petkat e saj janë të përlyera nga nata e ndotura nga faji.

Ajo është çfarë skllavëria e mishit ka vënë atë nën zgjedhë, është e përdalë dhe zjarmëtare, është vulgare dhe përplot shpengim e lojë, sepse është një zë mishi që e thërret atë në takimin me vetveten e shprehur në mijëra përfytyrime dhe e zbrazur në dhjetëra e dhjetëra eksplodime zjarri.

Ata duan të duhen edhe nëse nuk munden ta fitojnë të drejtën për t’u pranuar në Olimpin e madhështive që ndjenja krekos, në një pafundësi vezullimesh që i përshkon zemrat si kurmet, vështimet si kopulimet.

Sepse ata i kanë pleksur rrënjët e pemës së tyre të pasionit mbi shkëmbinjtë vullkanik, si dëshmi e krijimit mbi asgjënë asgjësuese të çastit shpërthyes. Krijimi merr nga limfa e llavës, zjarrin dhe ndez diej, u vë flakën momenteve të fashitura nën përkujdesje dhe dëshirim, e ashtu plot dritë e shndërrim, ngrohtësi dhe përtëritje, troket në portat e stinës me sythin e vet… dhe vdes në mugëtim për t’u shndërruar në trajtat që e përjetëson në zjarr që cek mbi buzën e beftë të dallgës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok