08/05/2024

Mirë se vjen o Shaban Polluzha!

0

Nga Prof. Blerim Latifi:

Në mëngjesin e 24 shkurtit të dy viteve më parë ushtria ruse nisi pushtimin e Ukrainës. Putini tha atë ditë se se fjala ishte thjesht për një “Operacion special”. Vetë termi linte të kuptohej se ishte një imitim i hapur taktik i Blitzkrieg-ut nazist. Dhe sikurse Polonia që kishte kolapsuar para këtij të fundit brenda dhjetë ditësh, edhe Ukraina, në imagjinatën diktatoriale të Putinit, do të thyhej brenda dhjetë ditësh nga Operacioni Special i tij.

Analogjia vazhdon : njësoj si Blitzkrieg-u nazist në Poloni që i kishte dhënë fund Rendit Ndërkombëtar të Versajës, Putini mendonte se Operacioni Special i tij në Ukrainë do t’i jipte fund rendit ndërkombëtar të pas rënies së Murit të Berlinit.

Hitleri e kishte filluar aventurën e tij të çmendur në momentin kur ishte bindur se fuqitë perëndimore ishin të dobëta dhe, për rrjedhojë, të paafta ta ndalnin në planet e tij për krijimin një rendi nazist në botë.

Të njëjtën llogari e kishte bërë Putini para dy viteve : Europa e varur nga gazi tij, Bashkimi Europian në recesion ekonomik e politik, Amerika e lodhur nga misionet e dështuara të shtetformimit në Irak dhe Afganistan- të gjithë këta tregues i jepnin të kuptojë se ora e tij kishte ardhur.

Me pak fjalë : Perëndimi ishte në rënie dhe krejt çfarë ai duhej të bënte ishte t’i jepte një të shtyrë vendimtare kësaj rënieje.

Dy vjet më pas rezultati është krejt ndryshe : Operacioni Special ka dështuar të arrijë qëllimin e tij ushtarak, pushtimin e Ukrainës. Edhe qëllimi gjeopolitik për ta destabilizuar Europën dhe Perëndimin, ka dështuar. Kanë dështuar edhe planet për ta ndezuar zjarrin e moçëm ballkanik përmes mashave ruse në Serbi.

Tani diktatorit rus i kanë mbetur edhe tri shpresa për të dalë me fytyrë nga balta e gjakosur e Ukrainës ku ka ngecur makineria e tij e luftës.

E para është ushtarake, e dyta psikologjike dhe e treta politike.

Shpresa ushtarake është krijimi i një gjendje të pat- pozicionit në frontin e luftës, e cila një ditë do të shpie natyrshëm në proces të negociimit të paqes.

Shpresa psikologjike e Putinit është se zgjatja e luftës në Ukrainë do të shkaktoj lodhje të Perëndimit nga përkrahja ushtarake dhe financiare e Ukrainës dhe kjo lodhje mund të shpie në braktisjen e saj nga Perëndimi.

Shpresa politike e Putinit varet nga pritja se në vjeshtë në Washington do të kthehet Trumpi, i cili mund të ndjek një qasje të re ndaj luftës në Ukrainë, krejtësisht të ndryshme prej qasjes së presidentit Biden dhe mbase favorizuese për Rusinë.

Ky vit do të jetë vit i manovrave me këto tri shpresa. Por edhe një vit gjatë të cilit Ukrainës do t’i duhet të bëj sakrifica të tjera shumë të mëdha. Për veten dhe botën e lirë.

___________

Sapo kishte zbardhur dita e 21 shkurtit 1945. Një ditë e ftohtë dhe me shumë mjegull. Hasan Syla kishte dalë në oborrin e kullës së tij të moçme dhe po mundohej të shquante mes mjegullës tymin e shtëpive që po vazhdonin të digjeshin që nga nata e kaluar. Papritur nga pylli sipër kullës pa të dilte një rresht burrash të armatosur. Nuk ishin më shumë se tridhjetë vetë. Ata po vinin drejt tij. Kur po afroheshin, ai e kuptoi se kush ishin. Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica vinin në krye të asaj çete. U doli përpara dhe derisa po bëhej gati t’u jepte mikpritjen, u dëgjua zani i Shabanit: – A don miq, o Hasan Syla? – Mirë se vjen o  Shaban Polluzha!- ia ktheu Hasani. Shabani vazhdoi: – Qysh e sheh kem’ mbetë veç kta burra, jemi t’ rrethuem prej tana anve dhe t’kem ra n’ derë me ba dekën e mos me iu dorëzu për t’gjallë shkaut! -Nderë ma t’madh ksaj kulle s’ka mujt me i ba kush o Shaban Polluzha, ia ktheu Hasani. Pastaj vërshuan rradhët e tri brigadave partizane, filluan bataret e pushkëve që s’pushuan gjithë ditën dhe pa ra nata gjylet e topave rrafshuan kullat e Hasan Sylës. Kështu mbaroi jeta e njërit prej tribunëve më të mëdhenj të kësaj toke.

___________

Në një kohë kur regjimi i Kralit vriste famullitarë si Shtjefën Gjeçovi dhe përndiqte për t’i vrarë famullitarët Don Gjon Bisakun nga Beci i Gjakovës, Don Shtjefën Kurtin nga Novosella e Gjakovës dhe Don Luigj Gashin nga Smaçi i Gjakovës, sepse kishin marrë guxim t’i shkruanin Lidhjes së Kombeve për terrorin që po bëhej mbi shqiptarët e Kosovës, përfaqësues të Xhemijetit( partisë islamike që ishte në koalicion me partinë radikale të shqiptarvrasësit Nikolla Pashičit) i bënin këso pritje patriarkut serb në stacionin e trenit në Vushtrri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok