Dashuria për muzikën dhe adhurimi absolut për Shkodrën, për Prenkë Jakovën ishte një fat i paracaktuar
Nga Albert Vataj
Shkodra, ajo që ai e adhuroi, muzika, së cilës ai i blatoi çdo çast dhe shpirtje, mbeten për Prenkë Jakovën yjësi në galaksinë e shpërthimtë të dritës, kah ai erdhi për të mbetur gjithmonshmëri përkatësie dhe krenimi.
Sot, më 27 qershor 2026, kur drita e kësaj dite shënon 109-vjetorin e lindjes së Prenkë Jakovës, Shqipëria dhe Shkodra nuk kujtojnë thjesht një emër në panteonin e muzikës, etërit e artit apo arkivat e historisë, por një stacion të etern të vetëdijes sonë kulturore. Ka krijues që shkruajnë muzikë dhe ka të tjerë, si Prenkë Jakova, që vetë qenien e tyre e shndërrojnë në një partiturë, ku përplasen dallgët e historisë, dritat e gjenisë dhe hijet e një epoke që u përpoq t’i merrte gjithçka, por pa mundur t’i prekte dot pavdekësinë.
Të flasësh për Prenkë Jakovën do të thotë të hysh në një tempull ku dy pasione të mëdha, dashuria për muzikën dhe adhurimi absolut për Shkodrën, nuk ishin thjesht prirje, por një fat i paracaktuar. Ai nuk e ndau kurrë pragun e shtëpisë nga horizonti i universit. Për të, Shkodra e jareve nostalgjike, e këngëve të shregullave dhe e humorit të hollë, ishte një fillim dhe një mbarim, një tokë që duhej mbjellë me rregullin dhe arkitekturën e muzikës së kultivuar. Ai nuk u bë lokalist për t’u mbyllur në provincë, por u bë shkodran për të rrezatuar magjishëm tek atdheu e mbarë kombi.
Por pas madhështisë së operës së parë shqiptare “Mrika” dhe përmasave epike të “Skënderbeut”, fshihet njeriu që kreu udhëtimin më të vështirë të mundshëm: atë nëpër detin e trazuar të natës dhe nëpër hijet e një sistemi që e persekutoi, e burgosi dhe e mbajti nën trysni të vazhdueshme ideologjike. Ky kalvar tragjik, ku dhimbja personale u mbyt nën tingujt e orkestrave dhe marsheve frymore, nuk e gjunjëzoi artin e tij. Përkundrazi, e ktheu atë në një dëshmi të pastër të triumfit të shpirtit njerëzor mbi harresën. Ai ra si një dëshmor i heshtur i dritës dhe sot, kjo dritë vjen e plotë, e pasur dhe shteruese, për të na kujtuar se vlerat universale lindin gjithmonë nga ata që guxuan të donin pa kushte vendlindjen dhe artin e tyre.
Prenkë Jakova ëndërronte t’i jepte Shqipërisë atë që i mungonte, atë që do ta rendiste atë në radhën e vendeve të qytetëruara, traditën e madhe operistike e simfonike. Që në moshën 20-vjeçare, me një vizion prej iluministi, ai ngriti bandën muzikore të të rinjve të qytetit. Ëndrra e tij ishte të krijonte në Shkodër breza të tërë muzikantësh. Punoi me orkestrën frymore duke kompozuar marshe që mbeten edhe sot monumente të kësaj gjinie.
Por apogjeu i gjeniut të tij do të vinte me thellimin në muzikën lirike dhe atë skenike. Ai e bëri Shkodrën djepin e operës së parë shqiptare. Me kompozimin e operës “Mrika”, të vënë në skenë me sakrifica të mëdha në teatrin e ri “Migjeni” (1958) me këngëtarë e orkestrantë kryesisht amatorë, Jakova vendosi gurin e themelit të artit operistik kombëtar. Ai vijoi me një seriozitet kapilar t’i jepte jetë veprave të përmasave epike, si melodrama “Juda Makabe”, “Dasma shkodrane” dhe kryevepra “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, e cila u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë.
Më pas, ai formoi edhe orkestrën e parë simfonike të qytetit me instrumentistë gjysmë-profesionistë, duke e kthyer Shkodrën në epiqendër të veprimtarive kombëtare, siç është Festivali Kombëtar i Këngës për Fëmijë. Ai kompozoi gjithçka, nga romanca e lehtë te kantata, suita dhe opera e plotë, dhe në çdo notë, mbeti thellësisht shkodran dhe shqiptar.
Prezantimi i kësaj figure të jashtëzakonshme nuk mund të jetë i plotë pa ndriçuar “hijet” dhe kalvarin tragjik të jetës së tij nën regjimin totalitar. Pas buzëqeshjes së dirigjentit dhe madhështisë së veprave, fshihej një shpirt i torturuar. Familja e tij u përndoq ashpër; vëllai i tij u vra nga komunistët, dhe vetë Prenka provoi qelitë e ftohta të burgut në fund të vitit 1947.
Edhe appease u lirua dhe u detyrua të bënte kompromise për të mbijetuar e për të krijuar art (duke i thurur lavde sistemit përmes disa veprave me porosi), presioni mbi të nuk u ndal kurrë. Puna për operën “Skënderbeu” u kthye në një torturë psikologjike nga burokracia e kohës dhe komitetet e partisë që kërkonin vazhdimisht rishikime ideologjike. Kjo trysni e vazhdueshme, dhimbja e fshehur dhe stresi i pamatë e shtynë këtë gjeni drejt një akti ekstrem fatal, duke i dhënë fund jetës së tij më 16 shtator 1969. Ai ra si një dëshmor i heshtur i artit, duke lënë pas një pasuri që mbijetoi shumë më gjatë se persekutorët e tij.
Para se të bëhej themeluesi i operës shqiptare, Prenkë Jakova ishte një djalosh shkodran që mësoi ta dëgjonte botën përmes muzikës. Jeta e tij nuk ishte një ngjitje e qetë drejt lavdisë, por një udhëtim i mbushur me përkushtim, sakrifica, përplasje me kohën dhe një besim të palëkundur se arti mund të bëhej gjuha më e lartë e shpirtit.
Më 27 qershor 1917, në qytetin e Shkodrës, lindi ai që do të ndryshonte përgjithmonë historinë e muzikës shqiptare. Qyteti, me traditën e tij të pasur kulturore dhe frymën europiane, u bë djepi ku nisi të formohej ndjeshmëria artistike e një krijuesi të rrallë. Fëmijëria dhe rinia e tij u ushqyen në gjimnazin françeskan “Illyricum”, institucion i themeluar nga At Gjergj Fishta, ku edukimi nuk ishte vetëm përvetësim dijesh, por edhe kultivim i karakterit dhe i shpirtit.
Pikërisht aty muzika u bë thirrja e jetës së tij. Nën drejtimin e kompozitorit At Martin Gjoka, ai hodhi hapat e parë si klarinetist në bandën e shkollës, duke zbuluar se tingulli kishte fuqinë të shprehte atë që fjalët nuk mund ta thoshin. Ato vite ishin gurthemeli mbi të cilin do të ndërtohej gjithë universi i tij krijues.
Kur ende ishte shumë i ri, zgjodhi t’i shërbente dijes dhe artit si mësues. Nga viti 1936 deri më 1940, ai udhëtoi nëpër Bërdicë, Orosh, Shkodër, Katërkollë të Ulqinit dhe Ostros të Krajës, duke dhënë mësim në gjuhë dhe muzikë. Në ato shkolla të vogla, larg skenave të mëdha, ai nuk edukonte vetëm nxënësit, por ndërtonte ngadalë edhe identitetin e vet artistik. Pikërisht në këtë periudhë lindën kompozimet e para korale dhe harmonizimet e këngëve popullore, ku tradita shqiptare filloi të merrte trajtë akademike pa humbur freskinë e saj burimore.
Etja për dije e çoi në Romë. Midis viteve 1942 dhe 1943, ai u specializua në Konservatorin e njohur “Santa Cecilia”, ku studioi klarinetë, piano, solfezh dhe koral. Kontakti me një nga qendrat më prestigjioze të muzikës europiane nuk e largoi nga rrënjët e tij; përkundrazi, e bindi se muzika shqiptare meritonte të fliste me gjuhën e madhe të artit botëror.
Kur u kthye në Shkodër, solli me vete jo vetëm dije, por edhe një vizion të ri. Në vitin 1943 organizoi një koncert festiv ku u interpretuan edhe veprat polifonike fetare “Tantum ergo” dhe “Ave Maria”. Ishte një dëshmi se krijimtaria e tij ushqehej nga një ndjeshmëri e thellë shpirtërore, ku arti dhe besimi bashkëjetonin natyrshëm.
Në vitin 1945, ai u shfaq tashmë si kompozitor dhe dirigjent i formuar me melodramën “Juda Makabe”, mbi tekstin e Gjergj Fishtës. Ishte një takim simbolik midis dy emrave që i përkisnin së njëjtës traditë kulturore shkodrane: poeti që kishte lartësuar fjalën dhe kompozitori që do t’i jepte asaj tingull.
Dy vjet më vonë, në 1947, publiku njohu “Dasmën shkodrane”, një vepër që solli për herë të parë një kor me tre zëra dhe dëshmoi kërkimet e tij të guximshme artistike. Por po ai vit do të sillte edhe plagën më të rëndë të jetës së tij. Regjimi komunist e burgosi padrejtësisht, duke e dënuar me një vit qelie. Ishte një goditje e rëndë për njeriun dhe artistin, por jo për shpirtin krijues, i cili nuk pranoi të mposhtej.
Pas lirimit, ai iu rikthye menjëherë misionit të tij. Fillimisht si mësues në shkollën “11 Janari”, më pas si drejtues i sektorit të muzikës në Shtëpinë e Kulturës dhe Krijimtarisë Popullore të Shkodrës, ai u bë zemra e jetës muzikore të qytetit. Në vitin 1952 u pranua në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, një njohje institucionale e autoritetit që kishte fituar me punën dhe talentin e tij.
Pastaj erdhi dita që do të ndryshonte historinë e muzikës shqiptare. “Më 1 dhjetor 1958”, në skenë u ngjit “Mrika”, me libret të Llazar Siliqit. Nuk ishte thjesht premiera e një opere; ishte lindja e operës shqiptare. Për herë të parë, zëri, orkestra dhe drama shqiptare u bashkuan në një gjuhë artistike të plotë, duke i dhënë kulturës sonë një dimension që deri atëherë kishte qenë vetëm një aspiratë.
Vitet 1960–1962 përfaqësojnë një shpërthim krijues. Prenkë Jakova kompozoi marshe, kantata, suita dhe muzikë për filmat dokumentarë “Dritë mbi Shqipni” dhe “Ringjallje”, ndërsa në vitin 1962 drejtoi Festivalin e Parë të Këngës në Shkodër, duke dëshmuar se ndikimi i tij shtrihej shumë përtej operës.
Horizonti i tij artistik kaloi edhe kufijtë e Shqipërisë. Midis 1964 dhe 1968, ai bashkëpunoi me Orkestrën Simfonike të Pekinit dhe krijoi muzikën për dokumentarin “Krah për krah”, duke treguar se gjuha e muzikës nuk njeh kufij politikë apo gjeografikë.
Kulmi i këtij rrugëtimi erdhi më 17 janar 1968, kur në Tiranë u shfaq opera monumentale “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ishte fryti i një pune rraskapitëse, i kryer nën trysni të vazhdueshme, por edhe një dëshmi se talenti i vërtetë di të triumfojë mbi çdo pengesë. Me këtë vepër, Prenkë Jakova nuk i dha vetëm muzikës shqiptare një tjetër kryevepër; ai i dha historisë kombëtare një dimension të ri artistik.
Por jeta e tij do të mbyllej shumë herët. Më 16 shtator 1969, në qytetin e lindjes, zemra e kompozitorit pushoi së rrahuri. Ai u largua fizikisht vetëm 52 vjeç, në kulmin e pjekurisë krijuese, duke lënë pas një ndjesi të thellë humbjeje dhe një pyetje të pashmangshme: çfarë tjetër do t’i kishte dhënë muzikës shqiptare po të kishte jetuar më gjatë?
Megjithatë, ka jetë që nuk maten me numrin e viteve, por me gjurmën që lënë. Prenkë Jakova jetoi aq sa t’i jepte Shqipërisë operën e saj të parë, t’i ndërtonte një identitet të ri muzikor dhe t’i linte kulturës kombëtare një trashëgimi që vazhdon të jehojë në çdo skenë ku tingëllojnë partiturat e tij. Në këtë kuptim, fundi i jetës së tij nuk ishte një mbyllje, por fillimi i pavdekësisë artistike.
Ka artistë që marrin nderime në kohën kur jetojnë dhe ka të tjerë që koha vazhdon t’i dekorojë edhe pasi janë larguar. Prenkë Jakova i përket kësaj kategorie të dytë, atyre krijuesve që nuk mbeten të lidhur me një epokë, por bëhen pjesë e ndërgjegjes kulturore të një kombi. Çdo titull, çdo dekoratë, çdo studim, çdo rivënie në skenë e veprës së tij nuk është thjesht një akt ceremonial, por një dëshmi se arti i tij ka ditur t’i mbijetojë kohës dhe të vazhdojë të flasë me të njëjtën fuqi.
Vlerësimet që iu dhanë gjatë jetës ishin njohja e menjëhershme e një talenti që po hapte shtigje të panjohura për muzikën shqiptare. Më 22 dhjetor 1958, pas triumfit të operës “Mrika”, ai u dekorua me “Urdhrin e Punës të Klasit të Parë”, një mirënjohje shtetërore për krijimin që kishte shënuar lindjen e operës kombëtare shqiptare. Ishte një moment kur shteti pranoi se arti mund të ishte një akt themelues i identitetit kulturor.
Pak muaj më vonë, më 12 maj 1959, iu akordua “Çmimi i Republikës”, duke vulosur rëndësinë historike të kontributit të tij në muzikën skenike shqiptare. Ky nuk ishte vetëm një çmim për një vepër të suksesshme, por për një horizont të ri që ai kishte hapur për kompozitorët e ardhshëm.
Më 6 shkurt 1961, Prenkë Jakova u nderua me titullin “Artist i Merituar”, një vlerësim që përfshinte jo vetëm krijimtarinë e tij, por edhe rolin e pazëvendësueshëm si pedagog, dirigjent dhe kultivues i brezave të rinj. Ai nuk shkroi vetëm partitura; ai formoi njerëz, ndërtoi institucione dhe krijoi një kulturë muzikore që do të mbijetonte përtej tij.
Por ndonjëherë historia ka nevojë për kohë që të kuptojë plotësisht madhështinë e një krijuesi. Në vitin 1979, shumë vite pas ndarjes së tij nga jeta, shteti shqiptar i akordoi titullin “Artist i Popullit”. Ishte një nderim pas vdekjes, por njëkohësisht një pranim se trashëgimia e tij kishte fituar përmasa që nuk mund të mateshin më vetëm me suksesin e veprave, por me ndikimin e tyre në vetë identitetin muzikor të Shqipërisë.
Kur vendi hyri në një epokë të re, kujtesa për Prenkë Jakovën jo vetëm nuk u zbeh, por u bë edhe më e ndritur. Më 27 qershor 2000, ai u dekorua me titullin “Nderi i Kombit”, dekorata më e lartë e Republikës së Shqipërisë. Ky ishte kulmi simbolik i një rrugëtimi të gjatë vlerësimesh, një shpallje solemne se krijimtaria e tij i përkiste tashmë jo vetëm historisë së muzikës, por vetë trashëgimisë shpirtërore të kombit.
Megjithatë, nderimet më të qëndrueshme nuk janë gjithmonë medaljet. Ato janë mënyrat se si një emër vazhdon të jetojë në përditshmëri. Shkolla e Mesme Artistike në Shkodër, si edhe institucione të tjera muzikore, mbajnë emrin e Prenkë Jakovës, duke e kthyer atë në një prani të përhershme në jetën e brezave të rinj që zgjedhin artin si thirrje.
Kujtesa shkencore nuk mbeti pas. Në vitin 2006, muzikologu Spiro Kalemi botoi një monografi të plotë kushtuar analizës së veprës së kompozitorit, duke e vendosur krijimtarinë e tij në një perspektivë të re studimore dhe duke dëshmuar se muzika e Prenkë Jakovës është një univers që vazhdon të sfidojë kërkimin muzikologjik.
Në 100-vjetorin e lindjes, gjatë vitit 2017, ekspozimi i dorëshkrimeve origjinale të operave “Mrika” dhe “Skënderbeu” riktheu në vëmendje jo vetëm rezultatin artistik, por edhe procesin krijues të maestros. Partiturat e shkruara me dorën e tij u shndërruan në relike të kulturës shqiptare, dëshmi të një pune titanike që kishte lindur nga pasioni, disiplina dhe besimi se muzika mund të ndërtojë identitet.
Edhe filatelia shqiptare i ka kushtuar emisione përkujtimore me portretin e tij, duke e bërë figurën e Prenkë Jakovës të udhëtojë nëpër kohë e hapësirë, si një ambasador i kulturës sonë.
Por ndoshta nderimi më i bukur mbetet ai që nuk shkruhet në diploma e dekorata. Ai ndodh sa herë që perdet e teatrit hapen dhe tingujt e “Mrikës” apo të “Skënderbeut” mbushin sallën, sa herë që orkestrat dhe këngëtarët u japin frymë partiturave të tij; sa herë që publiku ngrihet në këmbë për të duartrokitur një vepër që nuk ka humbur as freskinë, as madhështinë.
Sepse monumenti më i qëndrueshëm për një kompozitor nuk është bronzi, as mermeri, por tingulli. Dhe tingulli i Prenkë Jakovës vazhdon të kumbojë në kujtesën kulturore shqiptare si një melodi që nuk njeh heshtje, duke dëshmuar se arti i vërtetë nuk përfundon me jetën e krijuesit, por fillon pikërisht aty ku koha e shndërron në pavdekësi.
Sot, në 109-vjetorin e lindjes së Prenkë Jakovës, nuk kemi ardhur vetëm të përkujtojmë një kompozitor, as vetëm themeluesin e operës shqiptare. Kemi ardhur të falënderojmë një njeri që e deshi këtë vend deri në vetëmohim, që e shndërroi dhimbjen në muzikë, heshtjen në melodi dhe ëndrrën në trashëgimi.
Ka ditëlindje që nuk numërojnë vitet, por matin dritën që një jetë ka lënë pas. E tillë është kjo e sotmja. Sepse Prenkë Jakova nuk jeton më në kalendarin e kohës, por në kohën e artit. Ai është aty ku një orkestër merr frymë para se të nisë interpretimin, aty ku një soprano ngjitet në notën e parë të Mrikës, aty ku një dirigjent ngre shkopin dhe i jep jetë tingujve që ai shkroi me aq mundim, dashuri e sakrificë.
Shkodra e tij vazhdon ta njohë në tingullin e kambanave, në frymën e erës që kalon mbi Bunë e Rozafë, në zërat e fëmijëve që mësojnë notat e para në shkollën që mban emrin e tij. Shqipëria vazhdon ta njohë në çdo faqe të historisë së muzikës së saj, sepse aty ku fillon opera shqiptare, fillon edhe emri i Prenkë Jakovës.
Sot nuk ndezim vetëm një qiri kujtese për të. Ndezim një dritë mirënjohjeje për gjithçka na la. Sepse njerëzit e zakonshëm ikin me kohën, ndërsa ata që krijojnë bukurinë mbeten në përjetësi. Ata vazhdojnë të flasin, jo me zërin e tyre, por me veprën që nuk pushon kurrë së jetuari.
