Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Pse ka mes shqiptarëve kaq shumë debate për tradhti ndaj atdheut?

Pse ka kaq shumë mosbesim?

Këto pyetje e dilema, nuk janë retorike, nuk janë çështje sipërfaqësore, por thelbi i një çoroditje, që nuk i ka tiparet e një krize, ose, krizës me të cilën po sfidohemi sot.

Kemi të bëjmë me një sëmundje shoqërore. Sepse, kriza në vetvete nënkupton njëlloj vetëdije për një gjendje shoqërore, të keqësuar apo që ka shenja përkeqësimi. Druaj se mes nesh, mungon vetëdija për këtë realitet, prandaj, thënë me një gjuhë pak më të figurshme, jemi të sëmurë rëndë, por shtiremi si të shëndosh – ndoshta derisa t’na mbajnë këmbët e të mos pësojmë kolaps.

Qartësisht, mes nesh ka triumfuar lufta e secilit kundër secilit, një luftë që  po e gërryen shtetin tonë, Kosovën, por edhe kombin tonë.

Dhe përballë këtyre sfidave shqiptaret janë të hutuar, të trullosur, kurse plot që kanë përgjegjësi e nxisin këtë luftë.

Të kthemi te pyetja e parë: pse ka mes shqiptarëve kaq shumë debate për tradhti ndaj atdheut? Ose, që ta saktësojmë problemin: pse me kaq zell shqiptarët e tradhtojnë atdheun? Tradhti është edhe moszhvillimi i vendit.

Pse ka kaq shumë dyshime, tema për tradhti e kaq pak ide për vëllazërinë e përbashkët?

Të jemi të qartë: asnjë popull nuk është krejt i imun përballë këtyre sfidave, por, askund në mesin e popujve europianë, nuk di të ketë një popull të dytë, ku ka kaq shumë ndarje, përçarje e debate për tradhti e heronj sa mes shqiptarëve.

Dhe arsyet kurrsesi nuk mund të jenë veç politikë. Ato janë esencialisht kulturore dhe lidhen me mentalitetin e trashëgiminë.

Shkrimtari Ernest Koliqi, për mua një prej mendjeve ma të bukura e një prej punëtorëve më të zellshëm të kulturës shqiptare, e ka shpjeguar këtë çështje përmes kësaj fjalie: “pesë shekuj të një dominimi të errët dhe përçarës kishin mbjellun në shpirtin e kombit shqiptar farën tradhtisë që e brente dhe e shkatërronte ndjenjën mbi origjinën e përbashkët, përkatësisht vëllazënimin.”

Në fakt, këtë problematikë kombëtare, në variante të ndryshme e kanë trajtuar edhe shumë rilindës iluministë, duke kërkuar, që në agun e lirisë, kur shqiptarët dilnin prej ferrit otoman në rrezet e lirisë, që, krahas çlirimit prej sundimit të huaj, të çliroheshin edhe prej zinxhirëve të robërisë së mendjes (Faik Konica).

Këta zinxhirë të robërisë së mendjes, që shkaktojnë paragjykime, ndarje e kaq shumë keqdashësi mes nesh, deri me sot nuk i kemi hequr. Dhe ata nuk ka kush t’i heqë, se pesha e tyre është shumë e rëndë, nëse mes nesh nuk ka vullnet e dëshirë për një veprim të tillë.

Deri me tani nuk ka as vullnet as dëshirë.

Këta zinxhirë, mund të hiqen vetëm përmes shkollave, edukimit e instrumenteve qytetëruese, që janë arti e kultura.

Po, flamuri ynë për ta mposhtur këtë plogështi, duhet të jetë qëndisur me kulturë, në kuptimin e gjithmbarshëm të fjalës, se dihet, kultura është arma më fuqishme që ia ndal hovin së keqes, nxit emancipim e humanizëm.

Kurse ne, raportin me artin dhe kulturën e kemi të zbehtë, një raport që sa nuk ka dhënë shpirt. Ose, në shumë raste e kemi krejt negativ. Tryeza jonë publike, ajo që quhet hapësirë publike, si e tërë, dominohet prej debateve të cekëta, që lidhje nuk kanë me kulturë e art, pra me emancipim  e humanizëm, prandaj, mes nesh, ka kaq shumë anomali e çoroditje. Dhe për pasojë, çoroditje, stagnim, bjerrje.

Kërkojmë prej perëndimit, ndonjëherë si të çmendur, me do parulla primitive në mendje e duar, që t’na ndihmojë, kurse mes nesh, nxitja për ta ndihmuar njëri- tjetrin nuk ekziston fare, ose, kjo temë shoqërisë sonë nuk i përket, prandaj ngjan në një kontinent të pashkelur.

Ismail Kadare këtë problematikë e ka trajtuar në shumë vepra, por me një mprehtësi të jashtëzakonshme, edhe te novela “Raporti i fshehtë”, ku flet për një ekspeditë turke të udhëhequr nga Tuz efendiu, që kërkon varrin e Kastriotit, diku në Shqipërinë e veriut, pra “ishte fjala për një varr tepër të rëndësishëm, atë të Kastrioti.” Tuz efendiu duke lexuar “Merhum Defteri”, gjatë udhëtimit e hulumtimit e kupton gjithashtu se ekziston  një varr tjetër, i gjeneralit Ballaban, jeniçer shqiptar, që kishte ngulë flamurin turk në murin e Kostandinopolit. Dhe kështu, lexuesi ndodhet përpara një shemrim varresh, ndërkohë që, personazhi i Kadaresë e kupton se në jetën shqiptare bëhej fjala për “dyvarri”, dhe pikërisht nga kjo enigmë varej gjithçka, meqë, “këndej e tutje historia shqiptare do të përcaktohej, më sa dukej, nga ndeshja midis dy varreve, të zbrazëtit dhe të plotit”, pra të heroit e të tradhtarit.

Shumë shekuj e dekada kanë kaluar e shqiptarët enden nëpër këtë hapësirë, mes këtyre dy varreve, të hutuar, shpesh nuk e njohin njëri-tjetrin, e përbuzin deri në keqdashësi barbare, dhe, ndodh ndonjëherë, kur zihen ngushtë, të njëjtit, të kërkojnë nderim e respekt prej të tjerëve. Dhe Kadareja mendjemprehtë, në këtë novelë, duke u futur thellë në psikologjinë e pushtuese, ndër të tjera thotë se ata:

“…shpresonin që një ditë të shtypurit do t’i donin sunduesit. Madje të kishin mall për ta, saqë, po të vinte dita që ata të iknin, t’u thoshin: mos! Mos na lini. Ose: kthehuni prapë.”’

Pra, këta janë zinxhirët e robërisë së mendjes, që shqiptarët ende nuk i kanë hequr.

Dhe lexuesi i sotëm, që do ta kthjellojë pamjen përballë kësaj çoroditje, mund ta kuptojë fare lehtë se fara e tradhtisë është e lidhur me mentalitetin e trashëgiminë.

Dhe kundrejt këtyre problematikave, ata në vend se të imunizohen në mënyrë të duhur, me kulturë e vlera sublime, përkundrazi, ata përditë e më shumë kequshqehen, dhe për rrjedhojë bëhen edhe më shëndetligë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok