06/10/2024

Çmimi i krijimit dhe përfitimet e moskrijimit të Asosacionit serb në Kosovë!

0

Nga Enver Bytyçi

Në mediat tona lexon e dëgjon pa fund një fjali: “Nëse Kosova nuk e formon Asosacionin, ajo do të paguajë kosto, do të izolohet”! Shumë nga analistët dhe njerëzit politikanë e mediatikë nga shqiptarët e përsërisin këtë fjali sa herë e shohin veten në tastierën e kompjuterit ose ekranin e televizorit. Madje me një lloj trumfi, duke e paraqit veten si “fitimtar” të mendimit të tyre “brilant”!

“Kosova do të dënohet, nëse nuk i plotëson kërkesat serbe të krijimit të një Republika Srpska brenda saj”! Kjo është narrativa e kësaj qasjeje të vazhdueshme. Shqiptarët që flasin për këtë besojnë se “Zeusi”, d.m.th Perendimi, do ta ndëshkojë qeverinë e zotit Kurti dhe shpresojnë se me këtë ndëshkim ata rikthehen në pushtet, shijojnë sërishmi favoret e pushtetit dhe njëkohësisht presigjin që ua jep po ashtu pushteti. Ndërkaq mund të ketë dhe arsyetime tjera rreth kësaj formule.

Jo më vonë se dje një diplomat britanik paralajmëroi që të mos pranohet formimi i një republikë Srpska përmes asosacionit. Këtë e kanë paralajmëruar deputetë dhe qeveritarë të Londrës, si dhe i ngarkuari special i Anglisë për Ballkanin Perendimor, i cili sheh rrezik në këtë pikë dhe për këtë shkak nuk i është bashkuar pesëshes diplomatike-euro-amerikane në dialog. Paralajmërojnë për rrezikun e asosacionit shumë ekspertë amerikanë gjithashtu. Por shoh se edhe gjermanët nuk janë aq entuziastë, pavarësisht autorësisë së planit të marrëveshjes që pas tri ditësh do të diskutohet në Ohër. Megjithatë, po përdoren edhe “kërbaçi”, edhe “kulaçi”! Na thuhet se po nuk e pranuat asosacionin do të paguani një çmim të rëndë. Cili është çmimi? Askush nuk e thotë, por nuk është vështirë të paramendohet.

Mund të ndalen investimet për Kosovën për një farë kohe! Mund të anulohen përkohësisht projektet për të. Mund të bllokohet integrimi në organizatat ndërkombëtare. Edhe kjo përkohësisht. Pra të gjitha pasojat janë e do të jenë të këtij karakteri. Po kulaçi? Do të përfitohet partneriteti për Paqe me NATO-n! A ia vlen dhe cfarrë ia vlen në këto kushte? Nëse bëjmë analizën sipas parimit se cila është më e keqja që ndodh, nëse nuk pranohet asosacioni dhe cila është më e keqja, nëse pranohet ai, atëherë logjika racionale të çon se e keqja më e madhe do të burojë nga pranimi, sesa nga mospranimi.

Mospranimi sjell disa pasoja afatshkurtëra, sepse shtetet perendimore pas disa kohësh do të rikthehen në marrëdhënie në normalitet me Kosovën. Pranimi i Asosacionit do të sjellë Serbinë në Kosovë. Do ta bëjë shtetin e Kosovës defunksional. Do ta thellojë krizën e konfliktin midis dy vendeve e do ta shtyjë në kohë të pacaktuar, derisa bashkësia ndërkombëtare dhe vetë Kosova të jetë lodhur e ta pranojnë shkëmbimin e territoreve apo ndryshimin e kufijve, më saktë ndarjen e Kosovës dhe faljen e pasurive më të mëdha Serbisë. Në mes të këtyre dy alternativave çdo njeri me mend e me logjikë zgjedh mos-pranimin. Skënder Hyseni thoshte se Thaçi e Mustafa e pranuan marrëveshjen për asosacionin, sepse ata ishin të detyruar.

Liderët e kapur peng nga hasmi, gjithmonë janë të detyruar të nënshkruajnë kundër territorit e shtetit të vet. Dhe unë e besoj se ata ishin të detyruar. Por liderët e pakapur nuk janë të detyruar edhe duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Marrëveshjet burojnë, sipas së drejtës ndërkombëtare, nga vullneti i palëve nënshkruese, jo nga diktati i më të fuqishmëve. Marrëveshja për asosacionin është kërkesë e patjetërsueshme e Serbisë. Ndërkohë që Serbia i ka marrë benefitet e veta me planin e Ahtisaarit, me qëllim që të joshet për njohjen e shtetit të Kosovës. Serbët në Kosovë, megjithëse 5 përqind e popullsisë, gëzojnë sot ato të drejta që nuk i gëzojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, megjithëse numri i tyre është së paku shtatë herë më i madh se numri I serbëve në Kosovë, ose 35 përqind e popullsisë së këtij vendi.

Serbët në Kosovë dhe Serbia kanë fituar 10 për qind, ose 12 vende në parlament, pa marrë pjesë në votime, pavarësisht se përbëjnë 5 përqind të popullsisë. Veç këtyre vende kanë edhe dhjetë vende të tjera përmes votimit të drejtpërdrejtë. Kanë fituar të drejtën e vetos në ndryshimet kushtetuese gjithashtu. Kanë fituar dhjetë komuna, madje në katër prej tyre artificialisht. Lutfi Haziri ua hoqi fshatrat me shqiptarë komunave serbe, me qëllim që ato të quheshin komuna më shumicë serbe.

Nuk ka bërë askush kaq shumë lëshime për një minoritet me 5 përqind, sa ka bërë Kosova për serbët atje. Tani duan edhe asosacionin. Përse e duan? Që ta defunlksionalizojnë shtetin e ta ndajnë territorin. Këto synime janë dëshmuar që prej 23 vitesh, që kur Serbia u largua nga Kosova. U dëshmuan edhe në dhjetë vitet e fundit, që kur Thaçi nënshkroi marrëveshjen e stabilizimit të marrëdhënieve me Serbinë (19 prill 2013) e bashkë me këtë edhe krijimin e asosacionit. Prej asaj kohe Kosova e Serbia janë në konflikt. Vetëm ushtritë nuk janë përplasur me njëra tjetrën.

Serbët bënë gjithçka që ta ndajnë Kosovën. Pa e patur asosacionin. Po nesër kur ta kenë këtë entitet territorial e autonom? Duhet të jesh miop e idiot të mos kuptosh se asosacioni kërkohet për ta zhbërë shtetin e Kosovës! Atëherë, cila nga pasojat është më e rrezikshme? I ashtuquajturi izolim në pak vite apo zhbërja e shtetit të Kosovës? Bëni këtë llogari dhe vendosni. Marrëveshjet në demokraci nuk imponohen, ato pranohen vetëm me vullnet të lirë e jo me diktat. Kush bën diktat, çfarëdo qoftë ai, manifeston mentalitet deiktatori! Por edhe “izolimi” do të jetë i pjesshëm. Britania e Madhe dhe Gjermania nuk do bëhen pjesë e tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok