06/11/2024

Diçka paradoksale në karakterin e ne shqiptarëve

0

Nga Prof. Blerim Latifi

Ka diçka paradoksale në karakterin e ne shqiptarëve. Derisa në njërën anë nuk e kemi hiç për dert të hapemi ndaj ndryshimeve dhe ndikimeve të jashtme kulturore, në anën tjetër qëndrojmë fort të lidhur pas disa vlerave, të cilat, të tjerët që dikur i ndanin me ne, prej shekujsh i kanë harruar.

M’u kujtua kjo gjë derisa po shikoja në facebook fotografi nga festa e Ditës së Verës, e cila tradiconalisht mbahet në Elbasan.

Kjo festë, siç na tregojnë antropologët kulturorë, na vjen që nga kohët antikitetit pagan. As Krishterimi, as Islami, e as Moderniteti në fund, nuk ia kanë dalë ta çrrënjosin këtë festë. Ajo vazhdon edhe sot të jetë e gjallë, si në kohët e lashta.

Ilirët, grekët dhe romakët përgjithësisht kishin hyjni të përbashkëta, por me emra të ndryshëm. Hyjnesha greke Artemis, tek romakët ishte Diana, ndërsa tek Ilirët ishte Zana. E lidhur me kultet e pyjeve, tek ilirët ajo njihej si Zana e Malit. Diku afër Elbasanit, në brigjet e Shkumbinit, thuhet se ekzistonte një tempull kushtuar asaj. Në fillim të marsit besohej se ajo e vizitonte këtë tempull dhe kjo vizitë shënonte fillimin e verës. Njerëzit vërshonin rrugët dhe fushat në nderim të vizitës hyjnore. Që nga ato kohë pagane na vjen lidhja e fuqishme semantike midis fjalës “festë” dhe ritualeve religjioze. Këtë na e kujton edhe Heidegger derisa citon Holderlinin :  Të festosh do të thotë të përjetosh ardhjen e të shenjtës në mesin tonë.

Monoteizmi abrahamik, që triumfoi në Europë pas Konstandinit të Madh, i rrafshoi e diku i transformoi tempujt paganë, përfshirë edhe tempullin e Zanës së Malit në brigjet e Shkumbinit, por jo edhe tempullin e saj të ngritur në imagjinatën kolektive të  iliro-arbërorëve, dhe pasardhësve të tyre modernë, shqiptarëve.

Sot turistët romantikë nga e gjithë bota turren gërmadhave të Romës dhe Greqisë për të prekur atë që ka mbetur nga qytetërimet e tyre antike, derisa nuk e shohin para syve të tyre diçka krejt të gjallë nga ajo kohë, që shfaqet në rrugët e Elbasanit në çdo 14 mars. Kuptohet, shkaku është se duke qenë për shumë shekuj e burgosur brenda kafazit otoman, dhe pastaj për gjysmë shekulli brenda bunkerit komunist, Shqipëria mbeti dhe ende mbetet një thesar i natyrës dhe kulturës i pazbuluar nga bota e qytetëruar. Në mesin e këtyre thesareve është padyshim edhe festa e Ditës së Verës, festa e Zanës së Malit, të cilën as Kryqi i Krishterimit, e as Gjysmëhëna e Islamit, nuk ia dolën ta dëbonin nga shpirti i shqiptarëve.

Gëzuar Dita e Verës!

___________

Dy atentateve serbe ua kanë pa hajrin shqiptarët. Atentatit mbi mbretin Aleksandri i Parë, në vitin 1903, dhe, 100 vite më pas, atentatit mbi kryeministrin Gjingjiq.

Të dy këta kishin diçka të përbashkët: synimin për largimin e Serbisë nga ndikimi rus dhe afrimin e saj me Perëndimin. Nëse ata do të jetonin për t’i përmbushur synimet e tyre, shqiptarët do t’i kishin punët shumë më vështirë.

Vrasja e mbretit Aleksandër nga një fraksion prorus i ushtrisë serbe, bëri që Serbia t’i kthehet orientimit gjeopolitik prorus. Kjo i bindi përfundimisht austro-hungarezët që të fillonin punën për krjimin e një shteti shqiptar, për të mos lejuar që përmes Serbisë proruse, ndikimi rus të shtrihej deri në Adriatik. 28 Nëntori 1912 ishte rezultat logjik i kësaj gjeopolitike austro-hungareze.

Gjingjiq ndoqi qasjen e mbretit Aleksandër. Ai donte një Serbi të distancuar nga Rusia dhe të afruar me Perëndimin. Këtë politikë ai donte ta përdorte kundër aspiratave të Kosovës për pavarësi. Eleminimi i tij e varrosi këtë politikë bashkë me të. Ata që erdhën pas tij nuk dolën dot nga hija e rrymës proruse dhe kjo pati ndikim të rëndësishëm në krijimin e bindjes perëndimore për pavarësinë e Kosovës si opcion paalternativë.

Ideja se Gjingjiq mendonte për Kosovën jashtë skemave të nacionalizmit serb, është një mit të cilin e ushqeu edhe më shumë vrasja e tij. Sot e pamë se edhe kryeministri ynë po besojka në këtë mit.Fatkeqësisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok