14/10/2024

Burri më i mirë i fshatit… një grua!

0

Nga Ndue Dedaj

Aty nga viti 1995, në një ndejë kulle, dikush iu drejtua Alfredit, njërit prej djemve të Perlatit, që me ardhjen e demokracisë kishte fituar vendin e tij në shoqëri, se cili ishte burri më i mirë i atij fshati? Kishte dhe në atë sofër individë që prisnin të shqiptohej emri i tyre. Por jo! Zotëria, në mënyrë befasuese tha se burri më i mirë kishte qenë… Nënë Mrika. Ata burra panë njëri-tjetrin, si ishte e mundur që ai po i fynte, për më tepër që në atë rreth njerëzish kishte dhe të atin, burrë jo i padëgjuar për ç’kishte hequr nga regjimi i kaluar, si dhe për hokat e tij të këndshme.

Ata burra, fshikulluar ashtu  pa mëshirë nga një shoq i tyre, që deri në 90-n e vetmja gjë që kishte bërë në jetë, ishte se kishte lexuar libra artistikë pafund, tash po i brente kurreshtja të dinin se pse ai, si për t’i sfiduar në krenarinë e tyre, kishte shqiptuar emrin e një gruaje të munduar jo pak nga vështirësitë e jetës familjare, e cila ishte shuar aty nga fundi i viteve ’60.

“Nëse ti nuk po tallesh, ç’lidhje ka ajo grua me burrninë e katundit tonë?”

“Nuk tallem aspak, por unë ashtu mendoj, që “burri” më i mirë ndër ju ishte ajo që sapo iu thashë!”

Dhe vazhdoi t’i ironizonte: “Të gjithë ju mund të tregoni histori trimërish se si keni “vrarë e prerë” në jetën tuaj, gjysh pas gjyshi, kurse Mrika e Pal Krosit bëri një gjë që nuk e bëri askush nga ju. Kur Prifti i tha se djali i saj, Nikolla duhej të vente në shkollë, mbasi ishte i dhënë fort për mësimet, por s’i ishte e lehtë të gjendeshin lekët e bursës, ajo tha: “I gjej unë paratë!” dhe e shiti sendet e arkës së saj të nusërisë, vathët prej sermi e mbase dhe teshat e dekës dhe e shkolloi djalin, deri sa ai u diplomua për hidroteknikë në Torino, në vitin 1938, duke qenë inxhinieri i parë nga krahina e Mirditës dhe njëri nga inxhinierët më të dëgjuar të vendit në profesionin e vet. Kudo ndërtoheshin diga të larta në Shqipëri ishte dhe firma e tij e pashmangshme…”

Atëherë, ata burra të lënduar në sedër pak më parë, gjetën njëfarë ngushëllimi. Fundja ajo grua përmendej për diçka shkollore dhe nuk kishte hyrë, në punë burrash, si trimëria etj. Nuk ishte hera e parë që gra të thjeshta të maleve t’ona kishin qenë më të emancipuara e të sakrificës se burrat, kur ishte fjala për familjen, pasardhësit dhe anë të tjera humane e sociale.

P.S. Menduam se nuk do të kishte një rast më të volitshëm për ta publikuar këtë skicë-batutë se sa në vigjilje të Ditës së Mësuesit dhe Ditës së Gruas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok