21/06/2024

BISLIM KADRI BAJGORA-SHALJANI QË IU PËRKUSHTUA ME TËRË QENIEN MBROJTJES, ÇLIRIMIT DHE BASHKIMIT KOMBËTAR NË NJË SHQIPËRI ETNIKE

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1890- u vetëvra në dimrin e vitit 1947)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Trimi i madhi Shalës, Bislim Bajgira u lind më 1890, në fshatin Kçiq i Vogël të Shalës së Bajgorës. Ishte i biri i Kadriut dhe nënës Tahire, të cilët kishin edhe dy fëmijë të tjerë: Eminin e Sadriun. Familja Bajgora duke kërkua kushte më të mira për jetë, ishte shpërngulur nga fshati Bajgorë për në Podujevë e nga atje ishte vendosur në  fshatin Kçiq i Vogël, komuna e Mitrovicës e më vonë në një paralagjë të Mitrovicës- Shupkofc, që edhe tani jetojnë pasardhësit e tyre.

Bislim Bajgora u lind e u rrit në një familje të njohur shaljane që kurrë nuk u pajtuan të jenë të robëruar dhe të nënshtruar në tokën e tyre. Si i ri kishte dëgjuar për të bëmat e patriotëve shqiptar andaj i kishte idhuj dhe ishte i përgatitur për lufta në mbrojtje të atdheut. Tradita patriotike në familjen e bajgoreve nuk ishte e panjohur. Vite më parë, më 1904, iu kishin vrarë dy xhaxhallarët e Bislimit në luftën e Mitrovicës. Ngase pushteti turk kishte fillua reformën agrare në dëm të shqiptarëve dhe kishte lejuar që të hapet në Mitrovicë konsullata Ruse. Në Mitrovicë u zhvillua një luftë e madhe në të cilën morën pjesë shumë atdhetar anë e këndë Kosovës e Dukagjinit dhe duhet përmendur se gjilanasi Ibrahim Halit Popovci vrau vet konsullin rus Shqerbinin. Sipas Avni Bilallit, i cili shkruan për biografin e Bislim Bajgorës, thotë se gjatë kësaj lufte u vranë mbi 100 shaljan dhe 200 patriot të tjerë nga vendet e ndryshme që kishin ardhur për ti ndihmuar vëllezërit e tyre.

Bislim Bajgora gjatë tërë jetës së vet njihej si një njeri trim dhe i pamposhtur. Nuk e duronte robërinë dhe e urrente komunizmin. Gjatë tërë luftërave që u zhvilluan në këtë pjesë të Kosovës, ai ishte i pranishëm dhe luftonte pa u trembur për Mitrovicën, Kosovën e Shqipërinë Etnike që ëndrra e tij ishte që ta bëjë një dhe të vërtetë. Ishte i pandashëm me luftëtar të tjerë të kësaj ane si: Xhafer Devën, Rexhep e Xhelal Mitrovicën, me vëllezërit Boletini, Bedri Gjinnaj, Ferta Dragën, Ukshin Kovaçicën, Ahmet Selacin, Shaban Polluzhën, Mehmet Gradicën e shumë e shumë të tjerë.

Duhet theksuar se detyrë mbi detyra për Bislim Bajgoren ngeli  dëbimi i okupatorit nga tokat shqiptare, kësaj radhe nga okupimi sllavë. Gjithashtu, pavarësia kombëtare dhe bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare ishin thelbësore për atdhetarët shqiptar. Sepse, e tërë kjo buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme për të qenë të bashkuar dhe të barabartë me popujt tjerë. Nuk gjendet në Evropën e sotme ndonjë komb tjetër, i cili të jetë cunguar aq rëndë dhe që t’i jetë bërë një padrejtësi aq e madhe sa ajo që pësuan shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sllavët e jugut, të ardhur nga veriu i Karpateve, që nga dita kur u dukën në portat e Perandorisë bizantine nuk bënë asgjë tjetër veçse, u përpoqën me të gjitha mjetet e mënyrat për të zgjeruar hapësirën e tyre në kurriz të popujve të tjerë autoktonë evropianë e ballkanikë. Sllavët e invaduar në këto treva synim të përhershëm kishin spastrimin etnik dhe sllavizmin e trojeve arbërore – shqiptare nga banorët e saj të lashtë iliro-shqiptarë. Ata, përveç shfrytëzimit ekonomik, përdornin të gjitha mjetet mizore si vrasjet, terrorin, shpërnguljen e një numri sa më të madh shqiptarësh nga atdheu i vet dhe shkombëtarizimin e atyre që mbeteshin deri në asimilimin e plotë, si dhe në anën tjetër kolonizimin e atyre trojeve me elementin serbo-sllavë. Ata donin që ti shpërngulnin shqiptarët me të gjitha format e dhunës.

Serbët u bënë fqinjë me shqiptarët shumë shekuj më herët, atëherë kur erdhën e u vendosën poshtë Danubit dhe, si një metastazë vazhduan të zdirgjeshin poshtë e më poshtë nga jugu, duke i tkurrur vazhdimisht tokat shqiptare, duke i shfarosur, duke i përzënë ose duke i asimiluar shqiptarët, metoda këto të njohura të pushtuesve të djeshëm e të sotëm serbosllavë. Por, duhet cekur se çdo dhunë e terror që aplikohej ndaj shqiptarëve ishte i legjitimuar dhe i shkruar në programet e tyre antishqiptare. Politika serbe antishqiptare dëshmohet nëpër mes të 32 programeve të shkruara që gjenden në arkiva të ndryshme të ish-Jugosllavisë e të Serbisë.

Edhe pse shumë programe e elaborate serbe kundër shqiptarëve e Shqipërisë ishin shkrua në kohët më të hershme të periudhave historike, megjithatë aplikimi i tyre vije në shprehje edhe pas Luftës së Dytë Botërore në shtetin e “Ri” socialist duke bërë gjenocid dhe krime të papara. Programet antishqiptare jo vetëm që u aplikuan në mënyrat më perfide, bile urrejtja shkoi edhe më larg sa që në to u përfshi edhe Akademia e shkencave e Arteve Serbe, duke shkrua dhe specifikua si dhe në çfarë mënyre duhet të eliminohen shqiptarët nga trojet e tyre. Për copëtimin, uzurpimin, shpërnguljen, eliminimin e shqiptarëve nga ana e intelektualëve të njohur serb është shkrua shumë , por edhe tani shkruhet më të madhe. Por, pas përfundimit të LDB-së, me aneksimin e Kosovës Serbisë, programet serbe në mënyrë institucionale u futen në sistem dhe tërësisht u legalizuan. Më vonë, çdo gjë që u punua dhe katrahurat që përjetoi populli shqiptar në Jugosllavi ishin prodhim i programeve antishqiptare.

Por atdhetari Bislim Bajgora duke e parë rrezikun nga shpërngulja e popullit shqiptar, ndërmori masa urgjente duke u organizuar me patriot të tjerë, duke shkuar derë më derë duke iu treguar qëllimin e okupatorit. Dhe ndodhi çudia, shumë familje shqiptare edhe pse kishin shitur tërë pasurin i ranë pishman dhe vendosën që të qëndronin në shtëpitë e tyre.

Pas kapitullimit të Jugosllavisë, Kosova u nda në tri zona. Gjermanët kishin marrë Mitrovicën dhe Shalën. Ata deri sa e pushtuan Mitrovicën dhe Shalën pothuajse nuk patën fare vështirësi, pasi se ky vend ishte i pushtuar nga forcat sllave me te cilët luftonin shqiptaret qe një kohe te gjate, dhe hyrja e forcave gjermane në Mitrovicë e Shalë nuk u pengua nga nacionalistët shqiptarë. Mitrovica në atë kohë udhëhiqej nga njerëzit më autoritativë siç ishin Bislim Bajgora, Ahmet Selaci, Ukshin Kovaqica, etj.

Për kohën, Bislim Bajgora ishte njeri që asgjë nuk kursente për vendin e vet. Ai dallohej për trimëri, burrëri dhe ishte strateg i njohur i luftës dhe në të gjithë rajonin por edhe më gjerë gëzonte një respekt të madh nga të gjithë. Edhe pas pushtimit gjerman, ishte krejt e natyrshme që gjermanet të bashkëpunonin me të. Një njeri autoritativ dhe me qëllime të qarta siç ishte Bislim Bajgora iu konvenonte gjermanëve, ngase shqiptaret luftonin për çlirimin e popullit shqiptarë nga okupimi sllav dhe bashkimi i trojeve shqiptare këto ishin qëllime të përafërta me ato të forcave gjermane, pasi që edhe gjermanëve iu nevojiteshin aleatët kundër sllavëve.

Për një bashkëpunim sa më të mirë në mes gjermanëve dhe shqiptarëve, me 21 prill 1941 u mbajt një mbledhje në hotelin “Jadran” në Mitrovicë ku Xhafer Deva kërkoi që pushtetin vendor në Mitrovicë ta kryejnë vetë shqiptarët, kështu që gjermanet e pranuan këtë kërkesë.

Duke e njohur trimërinë dhe ndikimin e madh të Bislim Bajgorën nga afër, gjermanet filluan edhe më tepër të avanconin në plotësimin e disa kërkesave të shqiptarëve. Pas 21 prillit të 1941, dukshëm ndryshoi situata në Mitrovicë e rrethin. Shkollat filluan të funksiononin në gjuhën shqipe, pushtetin vendor e kontrollonin shqiptarët dhe përkrah forcave gjermane u formuan njësitet e armatosura në Shalë të Bajgorës e Mitrovicë me komandant Ahmet Selacin si dhe Xhandarmëria Shqiptare me komandant Pajazit Boletinin.

Xhandarmëria Shqiptare kishte selinë në Mitrovicë por në ndërkohë hapi edhe  disa stacione të tjera në Shalë të Bajgorës ku si komandantë u emëruan Bislim Bajgora, Ukshin Kovaqica, Mehmet Gradica, Shaban Polluzha, Sylejman Vuçiterna, etj. Xhandarmëria Shqiptare patrullonte në qytet dhe kujdesej për qetësinë, por gjithashtu ata mbronin edhe kufijtë shqiptarë dhe popullatën shqiptare.

Kontributi atdhetar i Bislim Bajgorës nuk ishte i koncentruar vetëm në Shalë të Bajgorës, ai kishte kalua kufijtë e saj dhe luftonte pa u kursyer gjithandej ku kishin nevojë shqiptarët. Këtë patriotizëm të pashoq e dëshmojnë edhe betejat e shumta që i zhvilloi bashkë me shokë si ajo e Kolashinit 1941, beteja e Pazarit të Ri -1943, etj.

Sipas të thënave të asaj kohe, del se Kollashini ishte i banuar nga shumica shqiptare. Ky numër i madh i banorëve shqiptar normalisht se nuk i konvenonte serbomëdhenjëve, andaj shumë shpesh sulmoheshin nga çetnikët, vetëm e vetëm që të zbrazet nga  qenia shqiptare. Kështu në vitin 1941 shqiptarët e Koloshinit rrezikohen nga çetnikët, të cilët donin të djegin tërë fshatin dhe t’i vrisnin e t’i keqtrajtonin popullin shqiptarë të atij vendi.

Për këto kërcënime kishin dëgjuar patriotët shqiptarë në Kosovë e më gjerë. Bislim Bajgora posa merr këtë informatë, mobilizon njerëzit më luftëtarë të Kosovës për të shpëtuar shqiptarët e Koloshinit. Falë ndihmës së trimave Shqiptarë si Idriz Rexha nga Koshtova e Bobit, Bislim Bajgora nga Shala e Bajgorës dhe patriotëve nga e tërë Kosova, nuk është djegur asnjë shtëpi në Kolashin gjatë atyre sulmeve nga çetnikët serb.

Më 1943, Çetnikët ia mësynë Pazarit të Ri, ku mbi popullatën shqiptare e boshnjake të pambrojtur, shfrynë egërsinë e tyre. Duke urdhëruar njerëzit e tyre që të djegin, plaçkitin, dhe të vrasin sa më shumë shqiptarë e boshnjak, madje edhe gra e fëmijë.

Shqiptarët e tjerë nga trojet shqiptare ishin të njoftuar për gjendjen e keqe që kishin vëllezërit shqiptarë nga Pazari i Ri, dhe rrezikun që po iu kanosej nga çetnikët, kështu u organizuan dhe iu dolën përballë hordhive çetnike, duke luftuar mbi shtatë javë në mbrojtje të vëllezërve të tyre.

Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, si në Kosovë, gjithashtu edhe në botë, pati  ndikim të madhe. Shumë patriotë të mëdhenj të organizatave të shumta ilegale, qen të detyruara të lëshonin Kosovën, duke u strehuar në vende të ndryshme të botës, ku ndjeheshin të sigurt, si në SHBA, Angli, Turqi, etj. Po kjo nuk vlente për Bislim Bajgorën. Edhe pse shokët e sugjeruan që të shkonte në Greqi, ai nuk pranoi. Dua të vdes në vendin tim iu thoshte trimi shaljan.

Pasi që përfundoi lufta, më 9 maj 1945, partizanët jugosllav morën qeverisjen, atdhetarët që ishin angazhua për një Shqipëri Etnike, si dhe Bislim Bajgora, ishin të rrezikuar. Andaj, Bislim Bajgora, me shokët e tij të mbetur, kaluan në ilegalitet të thellë, me qellim të organizimit të luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Atëherë, filloj terrori i madh kundër popullatës shqiptare. Nacionalistët ndiqeshin hap pas hapi dhe vriteshin në prita të ndryshme. Mitrovica u kthye prapë nën robërinë serbo-sllave në vitin 1945, kështu që Ahmet Selaci me Bislim Bajgoren e me Ukshin Kovaqicën vendosën të përgatisin një plan dhe strategji të re të luftës në rrethana krejt të reja.

Në ilegalitet të thellë vepronin shumë organizata patriotike shqiptare, e që duhet përmendur Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare, Besën Kombëtare e shumë të tjera më të vogla. Këto organizata më 25 korrik 1946, organizuan dhe mbajtën Kongresin e V të  NDSH-es. Po në këtë kongres u bë edhe ndryshimi i emrit nga Ushtria e Ballit Kombëtar në Ushtria Nacional Demokratike Shqiptare.

Në korrik 1946, ishte marrë iniciativa për themelimin e ” Divizionit të Ibrit” të Ushtrisë Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe si përgjegjës ishte caktuar Ahmet Selaci, ndihmës i tij ishte caktua Jusuf Boletini. Ndërsa pjesë komanduese ishte edhe Bislim Bajgora. Komandant i Grupit të parë ishte caktua Faik Boletini, zëvendës Agjutant Bislim Bajgora. Komandant i Grupit të dytë u caktua Osman Bunjaku, zëvendës Agjutant Hashim Basholli. Komandant i Grupit të tretë u caktua Ukshin Kovaica, zëvendës Agjutant Smajl Svarqa. Komandant i Grupit të katërt u caktua Avdi Tashevci, zëvendës Agjutant Musli Dumoshi. Komandant i Grupit të pestë u caktua Ilmi Zariqi, zëvendës Jetullah Rezalla.

Nuk kishin kalua 2-3 vite nga riokupimi jugosllave mbi Kosovën dhe trojet tjera shqiptare jashtë kufirit të Shqipërisë politike komuniste, situata politike në Kosovë ishte e rënduar. Forca të mëdha të OZN-es e të UDB-es, ishin angazhuar të pastronin terrenin nga “Armiqtë e popullit” dhe “bandat kriminele” siç i quanin atdhetarët shqiptarë pushteti i atëhershëm jugosllav. Bislim Bajgora, me shokë në ato kushte të vështira aktivitetin e vet e zhvillonte në Mitrovicë dhe rrethinën e saj. Në dimrin e vitit 1947, Bislim Bajgora me grupin e vet zbulohet dhe fillojnë ndjekjet e UDB-es ndaj grupit. Pas një lufte të gjatë, i gjithë grupi i Bislim Bajgorës vriten. Ndërsa, në një shkrim kam hasur se Bislim Bajgora, pasi se plagoset rëndë nga policia që i kishte zënë pritën dhe rrethi vinte duke u ngushtua, për mos me iu rënë në dorë udbashëve,  ai nxjerr revolen dhe vetëvritet. Pas vdekjes, udbashët, kufomën e Bislim Bajgorës e të shokëve të tij i ekspozojnë ( e që ishte bërë traditë tek pushteti jugosllav), para ish–Hotel “Jadrani” në qendër të Mitrovicës. Vetëm e vetëm që të fusin frikë e panik tek qytetarët. Populli i Mitrovicës, i rrethinës e më gjerë, i nderoi bijtë e vet, në heshtje duke parakaluar në nderim të tyre. Thuhet, që Bislim Bajgora dhe shokët e tij, ishin varrosur në afërsi të kalasë së Zveçanit në një varr masiv. Edhe sot, sikurse që ndodhë me shumë atdhetar anë e këndë Kosovës, nuk u dihen varret e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok