18/04/2024

BEGZAT AZEM ALIU (VULI) (1911- 1944)

0

DËSHMORË PËR SHQIPËRI ETNIKE

NGA BAJRAM ҪELIKU – BALI

Begzat Azem Aliu (Vuli) lindi në vitin 1911, në fshatin Zajas të Kërçovës, në një familje bujare dhe trime. Babai i tij Azem Aliu (Vuli), sipas rrëfimit të gjyshit tim Emin Çeliku, por edhe nga vet goja e Azem Aliu (Vuli), djalit të Begzat Vulit, mësova se ai na paska qenë një trim mbi trima, duke luftuar kundër ushtrisë së madhe turke, dhe duke rënë dëshmorë në një luftë të zhvilluar në Karadak të Kumanovës. Edhe sot e kësaj dite rrëfen nipi i tij nuk ia dimë varrin, por dimë vetëm për trimëritë e tija nëpër luftëra. Unë nuk do të shkruaj më shumë për të, por do të mundohem sado pak të zbardh fytyrën e djalit të tij Begzat Aliu (Vuli), që ra dëshmorë për Shqipëri Etnike, duke mbrojtur vatrat tona që i trashëguam nga të parët tanë brez pas brezi.

Begzat Aliu (Vuli), për trashëgimtar na kishte një vajzë me emrin Safije dhe djemtë Osmanin dhe Azemin. Djali i madh Osmani u trashëgua me një djal me emrin Asllan, dhe dy vajza të martuara në SHBA (Amerikë). Edhe Osmani ka punuar dhe jetuar në SHBA, ku së bashku me vëllain e tij Azemin, vazhduan rrugën e babait të tyre i rënë dëshmorë për çështjen shqiptare, ku së bashku me shumë të emigruar tjerë atje, morën pjesë nëpër shumë demonstrata, duke ngritur lartë zërin e tyre për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni.

Azemi për trashëgimtarë kishte dy vajza dhe një djal, të cilin e pagëzoi me emrin e babait të tij, i rënë si dëshmorë në ,,Luftën Ballë për Ballë,, për çlirimin e Kërçovës në vjeshtën e vitit 1944, te oborri i xhamisë Baba Teqe, afër ,,Pucko Petrolit,, të sotëm apo teneqexhiut Llaze, i cili bënte edhe shporetë për dru. Djali i Azem Aliut, Begzati jo vetëm që nderoi emrin e gjyshit të tij, i rënë dëshmorë i popullit për ideal kombëtarë, duke vazhduar rrugën e gjyshit të tij, e duke punuar për të mirën e popullit shqiptarë, në luftë për liri dhe pavarësi. Fal aftësive të tija, amerikanët e emërojnë si Ambasador i SHBA -së, në Shkup dhe Kosovë, gjatë luftës së UÇK -së, e pastaj në Dubai e Krakov të Polonisë e Mal të Zi. Më vonë vazhdon punën si Ambasador në Varshavë të Polonisë, e tani në kohë të fundit është propozuar si Ambasador për Mal të Zi, por ende i pa emëruar.

Dhe, tani të këthehemi pak te dëshmori Begzat Aliu (Vuli), i cili me trimërinë, besnikrinë e bujarinë e tij shkruajti histori… Qysh në moshë të re, thuhet se ra në sy të keq nga Mbretëria SKS (Serbo – Kroate – Sllovene), arrestohet dhe burgoset, por me rënien e Mbretërisë SKS në prag të luftës së dytë botërore lirohet, duke u këthyer në shtëpi, pranë gjirit të tij familjar. Me formimin e Ballit Kombëtar i bashkohet Mefail Shehut, duke u bërë krahu i majtë i tij dhe njëri nga më besnikët, e për krahë të djajthtë Mefail Shehu kishte zgjedhur Mefail Mehmedin (Mefailin e vogël). Mefail Shehu (Mefaili i madh), siç që njihet në popull, duke parë aftësitë e tija organizative e luftarake, Begzatin e cakton si kordinator në zonën e rretheve nga fshati Qafë e deri në fshatin Garanë, ku kishte disa komandantë të aftë për luftë nga ato fshatra si Demir Qafa, Imer Bllaca, Shefki Jagodini, Medin Zenku, Habib Kaleshi, Dervish Llokaçi, Ramazan Mislim Dauti, por edhe shumë trima tjerë, që nuk u trembej syri kurrë në luftë me armikun sllav, që ua mësynte t’i pushtojë Trojet tona Etnike. Nuk kishte luftë ku trimi i Vulajve nuk kishte marrë pjesë, e gjithmonë kishte dalë fitimtarë, por unë do të përçëndrohem në luftën e fundit të tij të pagëzuar si lufta ,,Ballë për Ballë” për çlirimin e Kërçovës, luftë të cilën edhe pse e fitoi ra dëshmorë.

Re të zeza, rrëfente gjyshi im Emin Çeliku e kishin mbuluar Kërçovën, duke shfrytëzuar rastin kur dy Mefailat i kishin shkuar në ndihmë Xhemë Hasë Gostivarit për të çliruar Dibrën, nga forcat sllave. Komandanti malazez Tempo dërgon forca të mëdha serbo – malazeze partizane, në majë të Kalasë së qytetit të Kërçovës, duke e shpallë atë si qytet të “çliruar” nga partizanët. Kur dëgjojnë shqiptarët nga të gjitha fshatrat e Kërçovës, kush me mitrolozë e kush me pushkë e bomba dore, nisen në drejtim të Kalasë, duke e sulmuar atë nga të katër anët. Zhvillohet një luftë e rreptë rrëfente gjyshi, por një mitroloz malazez i vendosur në majë të Kalasë na bënte problem, nuk mundeshim t’i ngjiteshim majës. Papritmas, arriti Halim Mangupi nga Zajazi me mashingerrin e tij dhe një bombë dore në gojë. Rrini këtu na tha, çitni nga ndonjë herë, por mos më vrisni mua! Barkas me mitrolozin e tij i ngjitej kodrës së Kalasë, e kur iu afrua mitrolozit malazez, shpërtheu bombën e dorës dhe vrau mitrolozxhiun malazez, dhe me mitrolozin e tij bënte kërdi në sheshin e Kalasë atje lartë. Partizanët të befasuar filluan të lëshojnë Kalanë e qytetit duke ikur në drejtim të Krushinës e Knezhinës, ku nëpër rrugët e qytetit zhvillohej luftë ballë në ballë, prej më këmbë. Na ranë shumë dëshmorë në marrjen e Kalasë, si mitrolozxhinjtë Medin Zenku, Shefki Jagodini, Habib Kaleshi, Nuredin Elezi e disa me pushkë në dorë, por ne vazhduam luftën nëpër qytet në krye me Begzat Vulin, Ramazan Mislim Dautin.

Halim Sali Rexha (Halim Mangupi), rrëfente gjyshi i cili kishte zënë pusi afër spitalit të sotshëm, ku zen rob një kapetan malazez, të cilin e vret dhe ia merr teshat duke u veshur si kapetan. Vijnë partizanët nga pjesa jugore e qytetit, e Halim Mangupi duke u treguar si komandant i tyre i bën rrjeshtë, e pastaj me mitrolozin e tij i vret pa mëshirë, dhe në këte mënyrë ua lehtëson punën shokëve të vet të luftës deri në fitore.

Begzat Vuli, rrëfente gjyshi duke parë dredhitë e torbeshëve, të cilët nga fusha transportonin partizanë me karrocat e tyre, me mitrolozin e tij ngjitet në minaren e xhamisë  Baba Teçe, që ndodhet në afërsi të “Pucko Petrolit” të sotëm, apo ish teneqexhiut Llaze, dhe nga atje me mitrolozin e tij bën kërdi në partizanët që silleshin aty për të vrarë shqiptarët pas shpine. Isha pranë trimit sypatrembur nga Cërvica, rrëfente gjyshi, fort pak partizanë serbo- malazez, kishin mbetur gjallë, iknin si lepujt kur i nget qeni, e i ngjiteshin kodrës në rdejtim të Krushinës e Knezhinës, e lufta tani më kishte marrë fund. Papritmas, u dëgjua një krismë pushke që vinte nga afërsia e stacionit të sotëm policor. Ai plumb i zi qëlloi për vdekje trimin sypatrembur nga Cërvica Ramazan Mislim Dautin, i cili ra dëshmorë afër stacionit të sotëm hekurudhor dhe atij të autobusve mbi një shkëmb që gjendej aty, duke dhënë kushtrimin e tij të fundit: ,,Bini burra dushmanit, vrisni këto të pa besë, mos lini asnjë të gjallë!…

Begzat Aliu (Vuli), me mitrolozin e tij e kishte kryer punën e tij, nuk kishte lënë më partizan të gjallë, duke zbritur nga minarja e xhamisë duke vendosur në të flamurin shqiptarë kuqezi me shqiponjën dykrenare, ua bërë me dije se Kërçova është shqiptare, dhe se u takon vetëm shqiptarëve. Zbretë nga minarja e xhamisë para hyrjes, por një plumb nga ballkoni i një shtëpie torbeshe e çëllon pas shpine, duke ia marrë jetën trimit sypatrembur të Vulajve. Kur lufta më kishte mbaruar mblidhen trimat e Ballit kombëtarë, por jo për të festuar fitoren por kokë ulur, sepse kishin humbur shokët më të mirë të luftës në mes tyre edhe trimin e Vulajve.

Lavdi veprës së tyre atdhetare, shpirti i tyre le të pushojë në prehje Parajsë, sepse ato luftuan për idealin kombëtarë, nën ombrellën e Shtetit shqiptarë, nënës Shqipëri, e cila na la nën këmbët e njerkës të ashtuquajtur Jugoslavi…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok