02/12/2024

BEDRI GJINAJ- “DJEMTË ME SHKOLLË SHOHIN ME KATËR SY”

0
Bedri-Gjinaj

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1913- u likuidua në qershor 1945)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Mësuesi, patrioti i madhe Bedri Gjinaj, u lind më 21 maj 1913 në qytetin e Mitrovicës. Nga babai Ibrahim Vela. Babai i Bedriut ishte njeri që e donte shkollën dhe donte gjuhën shqipe, andaj dëshira më e madhe e tij ishte që ti shkollonte fëmijët, dhe shpesh thoshte se vetëm të shkolluar jemi të dobishëm për vendin. Andaj, me propozimin e Hasan Prishtinës, Bedriun e vogël e dërgojnë në Tiranë ku përfundon shkollën fillore, e më pastaj vazhdon Shkollën Teknike Amerikane Harry Fulcit, dhe e përfundon me sukses. Ai shpejt u adaptua, dhe dallohej në mësime si në lëndët shoqërore po ashtu edhe në ato matematikore. Ai ishte i gjithanshëm. Donte letërsinë, lexonte shumë, donte artin, pikturonte pa u ndalur, donte muzikën e këngën, këndonte kurdo që kishte mundësi. Donte sportin, luante me shokë të gjitha llojet e sportit. Në shkollën e mesme pati rastin të njoftohet edhe me nxënës të tjerë që vinin nga Kosova. Aty u njoh dhe u bë mik me Sadik Stavilecin, Mehmet Gjakovën, Rasim Spahiun, Nijazi Xharren, Nazmi Këpuskën e shumë të tjerë. Pas përfundimit të shkollës, Bedriun e caktojnë të punoi si ekonomist në Konviktin e Burrelit në Mat. Aty bashkëpunoi ngushtë me mësuesit Mehmet Gjevorin, Rifat Spahiun, Omer Beshirin. Aty punoi deri më vitin 1941, kur edhe kapitulloi Jugosllavia.

Bedri Gjinaj deri sa jetonte në Tiranë e kishte të ndaluar që të kthehej në Kosovë, por me fillimin e LDB, ai bashkë me shumë bashkëkombës të vet organizojnë që të kthehen në Kosovë. Bedriu u kthye në Kosovë me 120 shokë të idealit. Këtij grupi i printe Bedri Pejni i cili ishte kryetari Komitetit  për Mbrojtjen e Kosovës, Rexhep Mitrovica, Xhelal Mitrovica, me vëllezërit Bahriun e Zenelin, përkatësisht u kthyen në Mitrovicë. Kthimi i tyre në vendlindje çetnikëve serb iu prishën hesapet. Me ardhjen e tyre pushtetin vendor e morën shqiptaret.

Me 21 prill 1941 u formua xhandarmëria shqiptare, e cila u vu nën komandën e kapiten Pajazit Boletinit. Në Mitrovicë, u formua shkalla e lart gjyqësore; u formua pleqësia, e cila kishte për qëllim pajtimin e familjeve të gjakosura dhe për të ndalua ngatërresat që shpinin në vëllavrasje; u hapën shkollat në gjuhën shqipe. Megjithatë popullata shqiptare ishte e pakënaqur, ngase kishte ngelur jashtë trungut kombëtar, andaj ishin të shpeshta protestat dhe pakënaqësitë e popullatës. Ata kërkonin me ngulm që të bashkoheshin me Shqipërinë. Është i njohur tubimi i madh e fshatarëve që ishte organizua në fshatin Maxhunaj , afër Vushtrrisë, më 6 maj 1941. Në të cilin tubim morën pjesë elita e Mitrovicës dhe rrethinës. Në tubim, një fjalë rasti e kishte mbajtur prefekti i Mitrovicës-Ibrahim Lutfiu. Pas tij, në foltore ishte ngjitur Bedri Gjinaj, i cili hapur kishte shpreh mllefin për ndarjen me kufij të Mitrovicës, Vushtrrisë, Podujevës e Jeni Pazarit. Kishte tregua se çfarë pasoja do të ketë kjo ndarje etj. Pas kësaj Bedri Gjinaj ishte angazhuar me të madhe për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe gjithandej në prefekturën e Mitrovicës. Veç kësaj ai duke e parë situatën e rënduar politike, angazhohej në organizimin e çetave të armatosura vullnetare në zonat kufitare me Serbin. Ai kishte dhënë edhe idenë për formimin e forcave të rregullta mbrojtëse, të cilën e kishin mbështetur Xhafer Deva, Ago Agaj dhe patriot të tjerë.

Bedri Gjinaj ishte anëtar i organizatës ilegale “Lidhja Popullore Shqiptare”, me ç ‘rast, ai, ishte caktua kryetar i Rinisë së organizatës. Bedri Gjinaj ishte patriot i përgatitur, andaj pati ndikim të madh në rinin e kësaj ane.

Bedri Gjinaj kishte marr pjesë në takimin përgatitor për mbajtjen e Kuvendit Themelues për Lidhjen e Dytë të Prizrenit që ishte mbajtur me 11 shtator 1943, në Prizren. Sipas Qazim Bllacës, Mbledhjen themeluese të Këshillit organizues e kishte kryesuar Asllan Boletini. Në takim kishin marr pjesë: Xhafer Deva, Musa Sheh Zade, Sheh Hasani, Tahir Zajmi, Lukë S. Mjeda, Qazim Bllaca e Pjetër Vuçaj. Në të dhënat autentike të pjesëmarrësve në Kuvendin themelues ky Këshill quhet Grup nisjatuer i Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Në ditën e parë këtë Këshill e përbënin patriotët: Sheh Musa Shehzade (kryetar), ( i cili me sukses e udhëhoqi komitetin Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit prej datës 26 shtator deri në Kuvendin e Dytë më 12 tetor 1943[6]), Shefqet Shkupi, Sheh Hasani, Asllan Boletini, Qazim Bllaca, PjetërVuçaj, Tahir Zajmi, Hevzi Meraku, Luk Simoni, Qemal Balila, Haxhi Fahriu dhe Sokol Dobroshi (anëtarë).

Në këtë takim ishte vendosur që Kuvendi Themeluesi i Lidhjes të mbahet me 16 shtator 1943, dhe vendimet e marra nga ana e delegatëve në mbledhjen e datës 11 Shtatorë 1943, kishin rëndësi të madhe për zhvillimet e mëvonshme politike e luftarake, që përmblidhen në këto pika: a) Thirrje e një mbledhjeje të përgjithshme popullore me shpirtin dhe me frymën e Lidhjes së Prizrenit, në të cilën të përfaqësohen të gjitha krahinat e Kosovës, të Dibrës, të Strugës, të Tuzit dhe të Ulqinit, përmes delegatëve të zgjedhur nga ana e popullit; b) Për derisa të themelohet e të caktohet një autoritet suprem nga mbledhja e përgjithshme dhe për me mbajt qetësin dhe rendin publik, si edhe me i përgjigj kërkesave që impononin rrethanat e interesat e atdheut; c) Me krijua këshille autonome- ekzekutive ; ç) Ngarkim i këshillit ekzekutiv të Prizrenit me përgatitjen e mbledhjes së Kuvendit, hapja e të cilit parashihej të bëhej më së  voni,  deri me 16 Shtatorë 1943. Dhe menjëherë pas përfundimit të takimit të parë iniciues, anëtarët e saj fillojnë përgatitjet për mbledhjen e Kuvendit. Konsultohet populli dhe bëhen zgjedhje te rregullta. Gati në të gjitha trevat ku jetonin shqiptarët u caktuan delegatet që të marrin pjesë në Kongres.

Kongresi ishte mbledhur në Prizren, nga data 16 deri me 20 shtator 1943. Në te morën pjese 45 delegate te zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresi punimet i kishte zhvillua në Shkollën “Bajram Curri”. Atë e kishte hapur kryetari i Këshillit organizues, Musa Sheh Zade. Në të merrnin pjesë: 120 përfaqësues të popullit nga: Ohri, Struga, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda, Kolesjani (Luma), Rahoveci, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica, Pazari i Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e Gjakovës u vunë themelet e Lidhjes.

Punimet e Kongresit i kishte hapur Musa Sheh Zade, duke tregua për arsyen e këtij tubimi, dhe masat e nevojshme që duhet ndërmarr kundër okupuesve të atdheut. Në kryesi të punës së Kongresit u zgjodhën: Musa Sheh Zade- kryetar, Aqif Blyta-Nënkryetar, Prof. Rexhep Krasniqi- Nënkryetar, Bedri Gjinaj – Sekretar. Kuvendi vendosi formimin e Lidhjes se Dyte te Prizrenit, organizatë politike kombëtare, e cila do te angazhohej për bashkimin dhe mbrojtjen e trojeve etnike.

Pas 4 ditë pune të madhe u propozua dhe u zgjodh  kryesia e Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë Prizrenit prej 7 vetave:  Rexhep Mitrovica (kryetar), Musa Sheh Zade dhe profesor Kolë Margjini (nënkryetarë), Sheh Hasani, Asllan Boletini, Tahir Zajmi dhe Qazim Bllaca, anëtarë. Pas përfundimit të kuvendit, lidhja filloi me aktivitetet e saja dhe brenda një afati të shkurtër arriti që të themelojë në të gjitha rrethet komitetet e rretheve, ndërsa nëpërmjet tyre edhe ato komunale dhe të fshatrave

Më 23 nëntor 1944 forcat jugosllave hynë në Mitrovicë. Andaj OZN-a filloi arrestimet ndaj patriotëve të shumtë të Mitrovicës e të rrethinës. Hamzë Mehmeti, në fshatin Lubovec, në shtëpinë e tij  e kishte strehua patriotin e madh Bedri Gjinën, ku qëndruan mbi dy javë. Gjatë asaj kohe Ali Shukriu, kishte lëshua urdhëresë për arrestimin e Bedri Gjinajt.  Deri sa ishte në ilegalitet Bedriu kishte shpreh dëshirën që të takohet me Shaban Palluzhën. Takimit i tij me Shaban Palluzhën u bë në mbledhjen e Shtabit  të mbajtur më 30.11. 1944, në Palluzhë, ku, pos tjerash, u vendos që Bedri Gjinaj  të emërohet  këshilltar i komandantit të Brigadës së  Drenicës – Shaban Palluzhës.

Menjëherë, Bedriu fillon të punojë me një vullnet të madh  në punimin e shkresave, informatave, raporteve  dhe analizave  mbi situatën politike dhe ushtarake, duke e konsultuar rregullisht dhe duke e informuar komandantin e Brigadës së Drenicës, Shaban Palluzhën.

Më vonë Shaban Palluzha thuhet t’i kishte thënë Bedri Gjinajt “ Djemtë me shkollë shohin me katër sy”, prandaj angazhimi i tyre për liri është i domosdoshëm. Dihej se në Brigadën e Shaban Polluzhës, OZN-a kishte arrit të fuste spiunët e vet, të cilët raportonin në bazë për çdo lëvizje që bënte Brigada. Ata kishin raportuar se në Brigadën e Shaban Polluzhës, kishin ardhur Bedri Gjinaj dhe Abdyl Zhubi. Njerëzit e OZN-es, posa morën këtë informatë hartuan planin se si do i zënë ata. I zunë me tradhti, në odën e Jetullah Gashit në Kryshec. Ali Shukriu kishte urdhërua që ti lidhin këmbë e duar me tela duke i dërgua në Mitrovicë.

I dërguan në burgun famëkeq të Mitrovicës që ndodhej në hotelin “Jadran”, ata i rrahën dhe i malltretuan në mënyrën më çnjerëzore. I rrahën deri në alivani. S’bashku me Bedri Gjinen ishte edhe atdhetari i madh Idriz Rexha. Po këta atdhetar nuk i dënuan e as nuk i ekzekutuan me grupin e të dënuarve prej 12 vetave. Për këta dy, udbashët, më herët ishin përkujdesur që ti nxirrnin nga birucat e burgut, dhe në mënyrën më misterioze ti likuidonin në një natë qershori më 1945, e sot nuk dihen as për varret e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok