16/04/2024

Fragment nga romani “Me sytë e fëmijës”

Nga Resmi Osmani

Aty ku mbaronte lagjia jonë, niste kodra e Mbyetit,dhe ca te tjera, të buta e të ulta, që të zëna dorë për dore  lartoheshin e madhoheshin duke ecur drejt lindjes, Tek-tuk me ca shkurre drize, ferra e gjëmbaç,  sheshe  e çeltira që shërbenin si kullotë. Kodra lartohej me një kulm të rrafshët, që quhej Bregu i Erës, ngaqë erërat aty kishin shtëpinë e tyre dhe frynin ditë-natë, e pastaj zbriste tatëpjetë në një prroskë ku niste kodra tjetër.  Në të zbritur, nga ana lindore Rridhte një burim me ujë të bollshëm, brisk I ftohtë. Në atë breg, moshatarë të mitë, por edhe më të vegjël e më të mëdhenj, ngrinin balonat dhe  sanxhakët e zhvillohej një garë e vërtetë se kush do të ngjitej më lart. Vendosa ta provoja. Jo të bëhesha pjesë e  e çetës së garës, por për qejf tim, të synoja qiellin!

Duhej ndërtuar balona. Bleva një tabak letre të kaltër në librari dhe një fletore punëdore me ngjyra, një rodhan me penjë te çertexhinjtë, dhe një kallam nga gardhi i xha Saqushit. Kallamin e çava, fijet i gdhenda e hollova që të ishin sa më të lehta. Katër syresh i kryqëzova dhe i lidha në qëndër sa morën formën e yllit,përbërë nga tetë trekëndësha që kulmonin në mes, i lidha me kujdes  dhe forcova fundet me fill ku do të ngjitej tabaku, për ngjitje bëra pak brumë të hollë. Pastaj përgatita bishtin larush me letrat me ngyra, të gjatë që të mbante drejtpeshimin. Me tre penjë, që kishin gjatësinë sa periferia në qëndër, sajova mekanizmin që do të mbante barazpeshën dhe tendosjen nga era gjatë fluturimit. I sajova edhe dy krahë,një majtas e nje djathtas, si krahë future me ngjyra. Marifete jo shaka! Balona doli e hatashme. Sanua që po e ndiqte atë që po bëja, shqeu sytë dhe  la mendjen kur i thashë se me këtë ballonë do të ngitesha në qiell!

Vrapova drejt Bregut të erës. Mbrrita. Bregu ishte i gjithi imi.

Kisha një balonë, që e ndërtova me duart e mia, të bukur të lehtë që do të fluturonte drejt qiellit.

Kisha edhe erën, një fllad që frynte nga perëndimi dhe sillte freskinë e ujë rave të detit.

Kisha edhe qiellin, pa fund e anë. Të pastër si lot, të kaltër e tërë dritë sa më lbyrte sytë.

Kisha edhe diellin, mbret i qiellit e gjithësisë, që kur lindëte i jepte dritën e gjallërinë botës mbarë dhe kur ikte sillte natën, me yje e hënë. Edhe ai rrinte atje në kupë të qiellit, më shikonte dhe buzëqeshte me rreze drite

Isha i pasur pa pasuri. Atë çast, e vetmja psuri, ishin dëshirat dhe  imagjinata, se mund të ndodhte një mrekulli.

Fluturo balonë!

Dola në të kundërt të erës dhe mora turravrapin. E lëshova balonën, filli u tendos, balona nisi fluturimin, bishti vallëzonte, krahët fërfërinin. Lëshova fill. Balona ngjitej në lartësi. Dukej që më lart era frynte më fort dhe balona e tendoste fillin. E shtiliksja fillin pak e nga pak për të shijuar ngjitjen në lartësi drejt qiellit. Më në fund, filli I   rodhanit u shtill i gjithi. Atje lart, balona vallzonte në erë dhe dukej më e vogël se sa ishte.

Më lindi një dshirë e marrë, të fluturoja e të ngjitesha në qiell bashkë me të. Po si t’ia bëja? Unë s’kisha krahë fluture, pëllumbi apo shqiponje. I krijuar për të ecur, por jo për të fluturuar. Kujt t’i drejtohesha për ndihmë? Erës!

“Erë moj erë, a më dëgjon?”

“Po”- mërmëriti era me gjuhën e saj të fshehtë por që unë e kuptoja.- Ç’farë dëshiron të më thuash?”

“Ndihmomë, dua të bëhem si ti, të fluturoj, të ngjitem në qiell bashkë me balonën!”

Për një çast era u zatet. Duket që pyetja i erdhi e papritur.

“Përse do që ta bësh këtë?”Pyeti era e habitur.Ti je bërë për të ecur e jo për të fluturuar!

“Është ëndërra ime.Ta shoh botën nga lart, deri aty ku shkon shikimi, një botë ndryshe nga ajo që shoh tani.

“Nuk mund ta bëj, ne jemi të ndryshëm.Unë jam ajr, ti nga mish e eshtra. Unë jam pa peshë, bërë për të fryrë e fluturuar, mbi tokë e në qiell, ti për të ecur.Vogëlush, kuptohet që nuk na njeh. Ne jemi shumë motra.Jemi bija të diellit, fryma e tij. I biem botës an e mbanë, i shohim të gjitha, i dimë të gjitha edhe çfarë ke ti në zemrën tënde! Unë jam Zefiri, që flladit botën, kaq është fuqia ime. Jemi

shumë motra e me shumë emra. Ty mund të të vijë në ndihmë motra Tramundanë. Kur i hipën zemërimi, ajo trazon detin, ngre shkulme e dallgë, mbyt anije, shkul nga rrënja lisat madhështorë, shemb çatitë, godet me rrufe dhe pështyn me kokrra breshëri. Ngre rërën nga shkretëtira dhe errëson qiellin. Ajo mund të të ndihmojë.” Tha Zefiri dhe vijoi të fryjë lehtë- lehtë për qejf të tij.

“ Tramundanë, apo Furtunë, sido që të quhesh, ndihmomë të ngrihem në qiell, ashtu siç po ngre zefiri balonën!”

Duket më dëgjoi, se papritur, një shtjellë e vrullshme përdredhore ajri më mbështolli të gjithin dhe si të isha pupël, më ngriti lart e me lart. U shkëputa nga toka dhe se ndjeja peshën time, këmisha dhe pantallonat u frynë si tyollumbace. Mbahesha me të dy duart pas fillit të balonës. Lart e më lart. O ç’mrekulli. Qëndroja pezull me krahë hapur,  pëndë i lehtë dhe hapsira mu hap në të katër horizontet: shikimi rroku fusha, kodra, male, pyje, rudina e ograja, lumenj e dete, fshatra e qytete dhe njerëz që ngisnin rrugëve e dukeshin si të ishin  milingona. Isha i ngazëllyer e mrekulluar dhe vetiu nisa të recitoja vargjet”O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë….” Teksa nga lartësitë, jehonin  tingujt e një muzike hyjnore që shoqëronin recitimin tim……

Dëgjova një zë: ”Ku shkon mor’i marrë, mos guxo të ngjitesh më lart!-Ishte dielli- se rrezet e mia do t’a djegin balonën” Por se kisha    veten në dorë, ngitesha e ngjitesha. Balona mori flakë. Nisa të bija tatëpjetë. Klitha me sa zë kisha. Ishte llahtar,gjithçka posht levizte me  shpejtësi marramendëse, po bija si gur dhe do të përplasesha në tokë e do të bëhesha copë e çikë ashtu siç thyhet një enë qelqi. Ndjeva një dorë rreth belit. Ishte një njeri- zog, me dy krahë të mëdhenj puplorë shqiponje  në supe. Flokë e mjekërgjatë krejt i thinjur. E pashë. Më erdhi goja. Ishte ëngjëlli im mbrojtës, por gabohesha.Po të ishte ëngjëll do të ishte i ri dhe i bukur.

”Kush je ti, shpëtimtari im?”

“Ti s’më njeh, por duhet të kesh dëgjuar për mua. Jam Dedali, babai i Ikarit.Unë ndertova krahët. Ne bab e bir, guxuam dhe fluturuam.Kur u ndodhëm midis detit dhe qiellit, edhe pse e porosita, djali nuk më dëgjoi,  u ngjit lart e më lart që të arrinte diellin. Por dielli, që s’le askënd ti afrohet, e shkriu dyllin me të cilin ishin ngjitur puplat, krahët u shpupluan dhe im bir ra nga lartësit dhe u mbyt në det. Që

atëhere, Zeusi më mori në olimp, më bëri të pavdekshëm. Une rri e vëzhgoj gjithë ata që duan të fluturojnë dhe u vi në ndihmë kur nuk ia dalin. Jam aty kur duhet.Të fluturosh është ëndërra e gjithkujt, por vetëm një gjë e bën të pa arritshme, frika nga dështimi. Por njerëzit kanë shpikur ata zogjtë e hekurt e fluturojnë me ta. Megjithatë, guximtarët që duan të fluturojnë, nuk mungojnë. Ja edhe ti kuturise ta bësh”-Tha këto dhe Dedali plak, flokë e mjekërbardhë, me krahë shqiponje më uli ngadalë në sheshin e bregut të erërave dhe vetë u zhduk fluturim si të ishte erë.

U përmënda. Ishte një ëndërr me syhapur. Balona vallzonte atje lart në kaltërsi. Por ah, filli u këput. Balona nisi të bënte kollotumba dhe lakadredhas po binte në tokë. E ndoqa me sy.E shtyrë nga era, u rrëzua prapa kodrës, në prroskë. Vrapova që ta merrja. Nuk mund ta humbisja. Më kishte bërë të ëndërroja, ta shoh botën siç më pëlqen të jetë dhe , jo siç është në të vërtetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok