Austria e ndihmoi shkollimin, shkencën, kulturën dhe pavarësinë e shqiptarëve

0


Nga Mr. Sci. Hazir MEHMETI, Vjenë

Qe nga kohët kur Austria ishte një perandori në Evropë dhe përfshinte shumë territore, arsimit dhe edukimit i dhanë një vend të veçantë. Dhe, jo vetëm në territorin që sot e zotëron por  në të gjitha hapësirat e perandorisë së saj. Pikërisht në Austri qe atëherë u bë mësimi fillor për të gjithë fëmijët pa marr parasysh gjininë i detyruar me ligj për të parën herë në kontinent. Kjo u përcoll me ngritjen e infrastrukturës shkollore: godina shkollore, universitete e biblioteka të pasura, teatro, shumica e të cilave tani vizitohen nga miliona njerëz nga gjithë bota. Nuk janë rastësi zhvillimi i gjenive me emrat si: Mozarti, Shtrausi, Karl Gega, Ajnshtajni e shumë  të tjerë. Investimet në arsim janë baza më e fuqishme e perspektivës së shoqërisë, respektivisht e një kombi.

Kjo frymë pozitive kishte rëndësi për progresin në kulturë e shkencë në kontinent edhe tek  kombet tjera, pra edhe të shqiptarëve. Shqiptarët kudo që u gjenden jashtë territoreve etnike në fillim të shekullit të njëzet kishin përqendruar veprimtarinë e tyre në jetësimin e idealeve të rilindësve në bërjen e alfabetit dhe shtetit shqiptar. Sundimi i gjatë osmane kishte dëmtuar çdo gjë shqiptare, në radhë të parë gjuhën, trashëgiminë kulturore, fetare, zakonet. Edhe në trevat shqiptare filloi të ndihet rritja në kërkim të identitetit kombëtar për çka duhej liria dhe shteti i lirë. Idetë e tyre të shprehura natyrshëm,  të trashëguara bashkë me lashtësinë e kombit shqiptar, u shkruan e rishkruan gjithandej shtypit të kohës krahas brumosjes së tyre në zemrat shqiptare.

Kështu ndodhi edhe në Vjenë ku studiuan intelektualë tani të njohur në historibërjen kombëtare. Në fletushka dhe gazeta kohe u botuan vargjet e Naim Frashërit, vepra dhe jeta e tij në fillimin e Shekullit të Pavarësisë nga “Kolonia Shqiptare e Austrisë”. Studentë e intelektualë,të mbledhur rreth “grupit iniciues”, krahas botimeve ndërtuan struktura organizative me programe të fuqishme me interes kombëtar. Ata themeluan  shoqërinë  “Liria” emër synonim i qëllimit, e cila në vitin 1904, do ndërron emër në shoqëri “Dija”. Emrat e Dr. Gjergj Pekmezit, kryetar, Hilë Mosit, Kristo A Dako,Kolë Kodheli, Dervish Hima, Ndue Paluca (Batusha), Kolë Rrota, Simon Kadarja, Gaspër Beltoja, Gaspër Mikeli, Kolë Margjini, Lec Çurçia dhe po aq të tjerë do jenë emra të respektuar në letërsinë, kulturën dhe historinë kombëtare. Shoqëria e intelektualëve shqiptarë i kishte vënë vetit qëllime patriotike.

Kontributi në arsimimin dhe ngritjen kulturor u përcoll me hartimin dhe  botimin e librave, duke filluar nga abetarja në vitin 1903 dhe e dërguar në atdhe, gramatika e gjuhës shqipe dedikuar gjermanofolësve dhe atij shqiptar, ndër të parat në Evropë nga intelektuali patriot Dr. Gjergj Pekmezi. Për disa vite me radhë në Vjenë u botua Kalendari, një fletushkë kohe me ngjarjet e vitit të sapo kaluar e cila botohej edhe tek kombet tjera.  Në këtë periudhë  për herë të parë nisi zanafilla e shkencave shqiptare, kryesisht nga studiuesit gjerman të cilët kishin botuar e botonin vepra studimore lidhur me shqiptarët. Shumë nga këto studime janë aktuale dhe të pacenueshme edhe në kohën tonë. Duhet veçuar këtu veprat  e shkencëtarëve të kohës mbi historinë e shqiptarëve, arkeologjinë shqiptare, etnografinë shqiptare, folklorit, të gjuhësisë, duke vënë kësisoj themelet e para të studimeve albanologjike me një vërtetësi të pakontestueshme. Shkencëtaret austriak vunë themelet e studimeve në shkencat natyrore si në botanikë, zoologji, arkeologji, gjeografi, në shkencat medicine etj. Pra veprimtaria studiuese e shkencëtarëve gjermanofolës është me rëndësi të  gjithanshme dhe të një rëndësi historike për kombin shqiptar i cili vuante nën robërinë aziatike për pesë shekuj.

Pa dyshim në studimin e historisë, gjuhës, kulturës e zakoneve të popullit shqiptar, studiuesit gjerman zënë vendin e nderit si themelues të studimeve albanologjike si shkencë mbi shqiptarët.  Që nga Arnold Fon Harffi me fjalorthin e tij historik, vazhdojnë emrat e njohur nga radhët e studiuesve gjermanofolës:  Johannes Thunman me veprën e tij “Hulumtime mbi Historinë e popujve të Evropës Lindore”, vitit 1774;  Jakob Philipp Fallmerayer  me veprën e tij të njohur “Elementi Shqiptar në Greqi”, München 1857; Dr. Johannes Georg von Hahn “Studime Shqiptare” 1854 në tri vëllime; Gustav Meyer ”Fjalor etimologjik të gjuhës shqipe”- Strasburg-1891; Franz Baron Nopcsa, Jan Urban Jarnik, Dr.Norbert Jokl,  Maximilian Lambertz, Franc Xaver Ritter Miklosich, Theodor Ippen e shumë të tjerë.

Shtrirja e perandorisë Austro-Hungareze në territoret shqiptare e filluar me 23 janar 1916, paraqet një fat të ri historik për çështjen e përgjithshme shqiptare. Barbaria e pushtuesve turq, serbo-malazezë dhe greko-bullgar u zëvendësua me një pushtet civilizues dhe çlirimtar për popullin shqiptar, në veçanti për shqiptarët e Kosovës. Në Vjenë do të qëndrojnë herë pas herë, disa personalitete të njohura kombëtare; Faik Konica, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Ahmet Zogu.

Kjo kishte rëndësi në themelimin dhe ndërtimin e  administratës shtetërore dhe  të shkollave shqipe.Gradualisht gjuha shqipe u bë gjuha e vendit, u krijuan rrethanat për  zvogëlim të analfabetizmit kombëtar .

Në nëntorin e vitit 1916, Hasan Prishtina kërkoi bashkimin e të gjitha viseve shqiptare në një njësi shtetërore administrative nën administrimin e Vjenës.Në trevat shqiptare u lejua administrata në gjuhën shqipe, shkolla, flamuri, himni kombëtar. Vet Perandori austriak atij i kishte garantuar se nëse fiton blloku i tij “Shqipëria do mbetej e bashkuar në kufijtë etnik”.

Austro-Hungaria  financoi  shoqëri kulturore, gazeta, revista, si ne Vilajetin e Shkodrës dhe më gjerë, deri ne Vjenë. Kjo u realizua përmes  inteligjencës shqiptare, të cilët kishin kryer studimet në Austro-Hungari dhe që përbënin pjesën më të ngritur të intelektualëve shqiptarë. Prirja e shqiptarëve për t’u arsimuar në shkollat e Austrisë është e hershme dhe kjo prirje nuk ishte vetëm tek shqiptarët katolike të Shqipërisë Veriore, por edhe shqiptarë ortodoks të Elbasanit, Korçës , Voskopojës, Gjirokastrës, Lunxhërisë, si dhe  tek shqiptaret e besimit islam kudo. Mbresat e jashtëzakonshme që i kishte lënë tregtarëve shqiptarë të Shkodrës, Voskopojës, Beratit, Elbasanit,  institucionet shtetërore austriake, se si duhet ndërtuar vendin, do jetë shembull e përkryer e funksionimit të shtetit me gjithë disiplinën, përgjegjësinë, rregulli qytetar, shkollat, institucionet që do ndërtoheshin në Shqipëri.  Për inteligjencën shqiptare tani shteti austriak ishte ideal evropian.

Qëndrimi miqësor i Austrisë ndaj  shqiptarëve është i hershëm. Kjo vjen jo vetëm për shkak të rivalitetit gjeostrategjik në raport Austro-Hungari përball Rusisë, por edhe nga lidhjet e vjetra që ishin venë qysh nga kohët e hershme (1699 me Traktatin e Karllovcit neni. XIII). Kjo përkrahje është më e theksuar në pjesë veriore të Shqipërisë veçan në krahinën e Mirditës banorët e së cilës janë të besimit katolik. Qe para vitit 1855 në Shkodër kishte shkolla private të cilat financoheshin nga qytetarët shkodran. Me 1859 Perandoria austriake hapi shkollat e para fillore në Shkodër dhe Seminarin Pontefik me 20 nxënës.( U.A.f60). Në periudhën 1855-1861 numri i nxënësve u rrit. Ata fillimisht mësonin në gjuhën italiane pasi gjuha shqipe ishte e ndaluar nga pushteti. Në shkollat e para u regjistruan vetëm djem kurse më vonë hapet shkolla për vajza ku mësueset e para ishin Tushe Mici e Terezina Bërdica. Me ndihmën austriake, kleri katolik ishte pro politikës arsimore austro-hungareze kështu në vitin 1877 me urdhrin jezuit hapet në Shkodër Kolegji Saverian. Ndihma austriake jepej drejtpërdrejt nga konsulli austriak i Shkodrës.(UB-f.61). Po në vitin 1877 hapet Seminari Françeskan i cili u bë vatër e patriotizmit shqiptar. Hapja e shkollave vazhdoi në Vilajetin e Shkodrës si në: Shirokë (1873v), Troshan (1882v), Banjzë të Kastratit(1891v), Blinisht dhe Selcë të Kelmendit (1893v) dhe  në Traboinë etj.

Në konkurrencë për ndikim në popullatën vendore  me italianët të cilët hapnin shkolla laike, edhe Austria e intensifikoi hapjen e shkollave. Sipas evidencës nga diplomatët austriak në  Shqipërinë e pavarur numërojnë 26 shkolla të kategorive të ndryshme. Qeveria e Austro-Hungarisë politikën arsimore ndaj Shqipërisë e zbatoj edhe në dhënien e bursave për studime të  rinjve në qendrat e ndryshme të perandorisë duke përfshirë këtu Vjenën, Gracin e qendra tjera. Student që u dërguan për studime në Austri mes viteve  1880- 1890 dhe vitet 1900-1905 ne drejtimet teologji dhe shkollat publike do shënojmë: Pjetër Gjura, Lazër Mjeda, Vinçenc Prenushi, Anton Harapi, Mathe Prenushi, Luigj Bumçi, ndërsa mësuesit që shkëlqyen ishin: Hilë Mosi, Kol Kodheli, Ndue Paluca, Kolë Margjini e disa të tjerë.

Në mësimet albanologjike, pa dyshim, njëri nga figurat madhore është Norbert Jockli, albanolog hebre, pastaj  Franz Nopca, ndër të parët themeltarë të albanologjisë si shkencë, të cilën e vazhduan pastaj nxënësit e Jocklit, siç ishin Eqrem Çabej, Aleks Buda,Lazgush Poradeci etj. Njëri nga veprimtarët pararendës të kësaj plejade studiuesish, pa dyshim ishte Dr. Gjergj Pekmezi, me iniciativën e tij në Institutin e Orientalistikës  së Vjenës u hap katedra e gjuhës shqipe në vitin 1903, njëra nga të parat në Evropë dhe në botë, ku do studiohej gjuha shqipe.Dr.Pekmezi,ishte edhe nga të parët ligjërues i gjuhës shqipe në UN-e Vjenës deri në vitin 1938.

Pas shpalljes së pavarësisë se Shqipërisë më 1912, roli i intelektualëve që u shkolluan në Austri ishte domethënës. Librat mësimore si, abetare, matematika, libra mbi dituritë natyrore kryesisht ishin të hartuara nga autorë të shkolluar në Austri. Mësimi në klasat e larta të shkollës fillore zhvillohej sipas konspekteve dhe metodave didaktike austriake. Qeveria e Ismail Qemail bej Vlorës (“Qeveria Provizore e Vlorës”), që në hapat e parë i kushtoi rëndësi të veçantë shkollimit. Ajo trashëgoi një gjendje katastrofe në arsim.

Nga marrëdhëniet e ndërtuara mes Shqipërisë e Austo-Hungarisë u dha mundësia e dërgimit të rinjve shqiptarë për studime në Universitet austriake Vjenë, Graz, Insbruk. Ky aktivitet u mbështet fuqishëm nga miqtë e shumtë austriak dhe të personaliteteve të njohura shqiptare si Faik bej Konica, Hilë Mosi, Aleks Drenova, Visar Dodoni, Nikollë bej Ivanaj, Petro Nini Luarasi e të tjerë.

Luigj Gurakuqi, kishte arritur mirëkuptimin me austriakët që të shtohet numri i bursistëve shqiptarë që do studiojnë në Austri. Prej grupeve të para nga Elbasani dërgohet kontingjenti i studentëve në vitet 1917/18, i cili do pasohet edhe në disa vite më vonë. Kontribut me vlerë dhanë Sali Butka dhe Hajdar Kolonja të cilët dërguan student kolonjarë të cilët pastaj u dalluan si mësues të devotshëm të Shqipërisë. Deri në Kongresin e Lushnjës sistemi arsimor në Shqipëri është mbështetur tërësisht në sistemin arsimor austro-hungarez.

Pjesë e kësaj kohe ishin disa nga figurat e njohura për kulturën, shkencë e historinë shqiptare të kohës: Hilë Mosi, Ndue Paluçe, Lec Çurçia , Kolë Kodheli, Gasper Beltoja, Gaspër Mikeli, Nikollë Rrota, Karl Gurakuqi, por edhe mësues e figura të tjera patriotike me rëndësi kombëtare. Nga diskutimet në Parlamentin Shqiptar del se në vitin 1924 në Austri studionin 69 student shqiptarë. Kjo flet për përparësitë që i kishte dhënë shkollimit të kuadrove nga qeveria në të gjitha profilet aq të nevojshme për Shqipërinë. Disa nga ministra për arsim në qeveri do jenë intelektual të shquar të shkolluar në Austri, mes tyre ishin edhe  Hilë Mosi e Kristo Dako.  Qeveria Shqiptare ndau bursa studentëve shqiptar pas vitit 1920 dhe caktonte përgjegjës  rreth rrjedhës së studimeve nga bursistët. Këtë funksion e kreu Dr. Gjergj Pekmezi deri më 1924 pastaj Dr.Nush Bushati, Çatin Saraçi, Ndue Paluca, Kolë N.Rrota, dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishte Filip Llupi.  Me këto bursa studiuan  në Austri këto personalitete: Nush Bushati, Fuad Asllani, Remzi Baçe, Sokrat Dodbiba, Xhevat Korça, Jakov Deliana, Irakli Buda, Rrok Gera, Ndoc Saraçi, Gjevalin Gjadri, Jani Basho, Karl Gurakuqi, Hifzi Korça, Kristo Kristidhi etj. Arsimtarët e rrethit të Shkodrës të shkolluar në Austri, me veprimtarinë e tyre kishin vlera përcaktuese në funksionimin metodik, pedagogjik e organizativ të arsimit shqip.

Austro-Hungaria në Kosovë dhe viset tjera shqiptare,  bëri që gjuha shqipe jo vetëm të bëhet gjuhë në shërbimin civil zyrtar, por edhe të mësohet në disa qytete, për njërën nga ato është shkruar në nr. 65 të gazetës Vëllazënia të Vjenës.

Shkollat e Shkodrës: “Në këto ditë Feldmarschalleutnang Baron von Schnehen i vizitoj disa shkolla shqipe të Shkodrës bashkë me komisarin civil të përgjithshëm, Generalkonsull Ritter von Karl”

Para një shekulli gazeta “Djalëria”, Nr. 17, viti 1917 shkruan:  “Sikundër nuk mund të rrojë një njeri pa gjak, sikundër nuk mund të zhvillohen bimët pa Diell, ashtu edhe një popull pa një gjuhë të zhvilluar nuk mund të naltësohet”.

Ky qëndrim kaq fisnik e parimor i treguar ndaj shqiptarëve u vazhdua me refugjatët e luftës (1999), para njëzet vjetëve kur Serbia ushtroi gjenocidin më barbarë ndaj kombit shqiptar në Kosovë duke dëbuar me dhunë rreth tetëqind mijë qytetar nga vatrat e tyre. Austria mori dhjetë mijë refugjat nën përkujdesje, pesë mijë nga të cilët në Austri. Atyre u siguroi veç tjerash edhe shkollimin në gjuhën amtare. Të gjithë studentëve shqiptarë shteti austriak u dha bursa, pa marr parasysh kriteret në rrethana normale për bursa.Sipas shënimeve diku rreth tetë milion shiling (1.1 milion marka)  u ndanë për studentët. Studentëve shqiptarë  iu njihej diploma e viteve 90-dhjeta nga Universiteti i Prishtinës, kur studentët të dëbuar nga auditorët e tyre mësonin në kushte të vështira lokaleve të ndryshme. Sot në universitetet në Vjenë, Grac, Linc, Insbruk të Austrisë studiojnë rreth dymijë student shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare.Tradita e emrave me famë në shkencën shqiptare të studiuesve në Austri vazhdon mes tjerësh me emrin e Prof. Dr. Eqrem Zenelaj, Prof. Neritan Ceka si dhe shumë emra ministrash  në qeveritë e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë.
Në vitet e fundit të ndërtimit dhe reformave shkollore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, ekspertët austriak ishin të pranishëm me projekte e tyre të shumta. Ministria e Mësimit e Austrisë ndihmoj në ndërtimin dhe meremetimin e shumë shkollave dhe institucioneve tjera në Shqipëri dhe Kosovë.  Koha e re e mësimit shqip në Austri dhe vende tjera evropiane nuk mund të kalohet pa përmendur emrin e autorit, metodicientit e pedagogut nga Zvicra Prof. Dr. Basil Schader. Ai është albanologu nga hapësirat gjermanofolëse më aktiv i kohës sonë. Projektet e tij kapin fushën mësimore me 20 tekste për nxënësit shqiptarë në diasporë; fushën didaktike e metodike me dhjetëra tekste kushtuar problemit didaktik të mësimdhënies në diasporë; fusha e ndihmës materiale, disa  shkolla të rinovuar dhe ndërtuara në Shqipëri nga buxheti i tij privat; fusha e mësimdhënies, ligjërata në shumë seminare vendeve të ndryshme rreth gjuhës shqipe dhe mësimit të saj. Në Austri pa dyshim emër i respektuar sot është albanologu Dr. Kurt Gostentschnigg, një hulumtues i pasionuar në gjuhësi e fusha tjera të shkencave albanologjike, përkthyes i dhjetëra veprave të autorëve shqiptarë në gjuhën gjermane. Mendimtari, fotografi dhe shkrimtari i njohur austriak Prof.Peter Paul Wiplinger, një aktivist i madh në mbrojtje të të drejtave të njeriut i njohur po ashtu tek shqiptarët me aktivitetin e tij në mbrojtje të të drejtës për të pasur shqiptarët Universitetin e tyre në Tetovë, në demaskimin e komunizmit jugosllav i cili burgoste e torturonte shqiptarët dikur. I njohur me veprat e tij në fushën letrare edhe në gjuhën shqipe.Fatbardhësisht vargu i miqve të shqiptarëve sot është i madh, por edhe veprat e shqiptarëve për të mirën e kulturës, sportit dhe shkencës botërore është i gjatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok