09/11/2024

AT SHTJEFËN GJEÇOVI NË 75-VJETORIN E THEMELIMIT TË ARKEOLOGJISË SHQIPTARE

0

Ate Shtjefen Gjeçovi ( Mehill Kostandin Gjeçi Kryeziu ) Veprimtare i shquar i levizjes atdhetare ... etnograf, shkrimtare, arheolog

Nga Frank Shkreli

“Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me e mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë. Le ta marrë vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër, i patën prej etërve tanë, Pellazgëve”.   At Shtjefën Gjeçovi

Ditën e mërkurë, në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë filloi punimet “Konferenca Arkeologjia shqiptare në 75-vjetorin e krijimit të saj: arritje, risi dhe perspektiva”, organizuar nga Akademia e Shkencave të  Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, njofton Gazeta Telegraf e Tiranës. Çelet KonferencaArkeologjia shqiptare 75-vjetorin e krijimit saj: arritje, risi dhe perspektivaorganizuar nga Akademia e Shkencave   Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve Kosovës | Gazeta Telegraf

Sipas artikullit të mësipërm, me këtë rast, përshëndeti edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, Në fjalën e tij përshëndetëse, Z. Gjinushi theksoi, sipas gazetës Telegraf, se gjithçka filloi nga viti 1948. Çdo gjë u “institucionalizua si kërkim i specializuar me mbështetje shtetërore në vitin 1948…”, ndërkohë që “brenda dy dekadash u kapërcy romantizmi shkencor”,  citon Gazeta Telegraf,  Gjinushi, i cili përmend emrat e disa arkeologëve të kohës komunizmit, pa dyshim për meritat e tyre në fushën e arkeologjisë shqiptare. Më ra në sy se Z. Gjinushi nuk përmendi At Shtjefën Gjeçovin, françeskanin shqiptar i cili konsiderohet nga shumë ekspertë, të brendshëm dhe të jashtëm, si babai i arkeologjisë shqiptare – “I pari arkeolog shqiptar”, e ka cilësuar Gjeçovin At Zef Pllumi në librin e tij Françeskanët e Mëdhej”. At Zef Pllumi shprehet se mund të thuhet se At Gjeçovi, “pa dyshim që kurrnji udhëtar i shkencës nuk e përshkoi mbarë Shqipninë që nga Veriu deri në Jug ma shumë se ai”. Siç duket Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Z. Gjinushi e konsideron punën dhe veprimtarinë e At Shtjefën Gjeçovit si një “romantizëm shkencor” që duhej, jo vetëm të “kapërcehej”, sipas tij, gjatë kësaj konference, por që edhe të zhdukej e të mos përmendej në vazhdimësinë e historisë “shkencore” të komunizmit. Çdo gjë filloi nga ne, nga viti 1948, thotë Gjinushi me shokë – ne jemi fillimi, ne vazhdojmë të jemi!

Por për fat të mirë, gjithçka nuk është e humbur se Z. Gjinushi e pa të arsyeshme të “kapërcente” emrin e At Shtjefën Gjeçovit në konferencën kushtuar 75-vjetorit të themelimit të Arkeologjisë Shqiptare. Sepse sipas përshkrimit tek Gazeta Telegraf në atë konferenncë mori pjesë e përshëndeti edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës, Akad. Mehmet Kraja.  Gazeta Telegraf shkruan se Akademiku Kraja shprehu respekt për të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë zbuluar se në këtë hapësirë, edhe përkundër furtunave dhe erozioneve të mëdha, toka flet shqip!  Ai foli për arkeologjinë në Kosovë — në trojet dardane — ku sipas tij ajo ka kaluar periudha të errëta, periudha kur dëshmia për vazhdimësinë iliro-shqiptare ndëshkohej herë me plumba, si në rastin e (At Shtjefën) Gjeçovit, ose me helmim, si në rastin e antropologut hungarez Nemeshkeri, i cili supozohet se u helmua, pasi dërgoi një raport paraprak se Nekropoli Mesjetar i Vërmicës dëshmonte për një popullsi josllave, me vazhdimësi nga shekulli II para epokës së re, V dhe VI në mesjetën e hershme dhe më vonë në shekujt IX-XI. Kjo vazhdimësi iliro-shqiptare në ish-Jugosllavi konsiderohej armiqësore, aq sa që mund të ndëshkohej edhe me vdekje. Në lidhje me këtë, sipas Telegraf, Akademiku Kraja theksoi kontributin e “At Shtjefën Gjeçovit, themeluesit të arkeologjisë shqiptare”, siç e cilësoi ai.

“Prifti françeskan Shtjefën Gjeçovi-theksoi akad.Kraja, sikundër e dini, ka lindur në Janjevë, ku më pas, gjatë kohës që unë mbaj mend, jetonte një komunitet i krishterë katolik. Shtëpia e tij e lindjes gjendet atje edhe sot, vetëm se pushteti jugosllav — ku ishin të përfshirë edhe një numër kosovarësh — nuk e desh Shtjefën Gjeçovin, të cilin jo vetëm që e vrau më 1929, por nuk i bëri as nderimet që i takonin një burri mendjendritur, i cili la trashëgimi dy monumente të pavdekshme: themeloi arkeologjinë shqiptare dhe kodifikoi veprën më të rëndësishme të trashëgimisë zakonore shqiptare, Kanunin e Lekë Dukagjinit”, ka thenë Kryetari i Akademisës ë Shkencave dhe Ar teve të republikës së Kosovës Dr. Mehmet Kraja.

Dr Kraja njoftoi të pranishmit – ndoshta një lajm që ata të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përfshir Z. Gjinushi– nuk donin të dëgjonin me rastin e 75-vjetorit të Arkeologjisë Shqiptare.  “Ju bëjë me dije, ka thënë Kraja se “Akademia e Kosovës do të kërkojë zyrtarisht nga institucionet e Kosovës, që viti 2024, i cili bie në 150 vjetorin e lindjes së Shtjefën Gjeçovit, të shpallet zyrtarisht si “Viti i Gjeçovit”.  Kjo është më e pakta që mund të bëjmë në respekt të atij që i pari ndër shqiptarët dëgjoi zërat nga thellësia e tokës sonë që flet, ka citohet (nga Gazeta Telegraf), të ketë thenë Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës.  Uroj që ky njoftim i përmasave kombëtare nga Dr Mehmet Kraja të mos ketë ra në veshë të shurdhë të akademikëve të Tiranës zyrtare. Por që vitin që vjen, me rastin e 150-vjetorit të At Shjtefën Gjeçovit të kujtohet së bashku në Prishtinë dhe në Tiranë “Emëri i këtíj njeriu të rrallë”, siç e ka cilësuar Faik Konica.

Ka mundësi që Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe enti akademik e shkencor që ai kryeson të kenë zgjedhur që me këtë rast të anashkalojnë emrin e At Shtjefën Gjeçovit – të cilin disa ekspertë dhe akademikë e quajnë themeluesi i Arkeologjisë Shqiptare – vetëm e vetëm se ishte prift katolik. Se emri, puna dhe veprimtaria e At Shjtefën Gjeçovit, në sytë, mendjen dhe në përgatitjen e tyre shekncore marksiste-leniniste, mund të jetë një “romantizëm shkencor” që duhet të “kapërcehet” në minimum ose të zhduket fare nga kujtesa, në maksimum.

E vërtetë se At Shtjefën Gjeçovi – për veçse ka qenë prift katolik dhe arkeolog, ai, sipas Dr Syrja Pupovcit, duhet të shikohet dhe të vlerësohet edhe si, mësues e arsimues , puntëror i kulturës dhe shkencës, për kohën në të cilën ka jetuar. “Shtjefën Gjeçovi i ka dhënë kontribut të rëndësishëm kulturës kombëtare dhe shkencës dhe ka lënë në trashëgimi vepra që do të mbeten edhe në të ardhmen gurrë e pashterrur për studime”, ka shkruar pedagogu dhe akademiku i njohur nga Kosova, Dr. Syrja Pupovci (1937-1998)

Ndërsa një admirues i deklaruar i At Shtjefën Gjeçovit, Faik Konica i madh është shprehur kështu për Gjeçovin:

Bir i përulët i Shën Franciskut, e ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që i përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár.  Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípja dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuara janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.”

“Sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë që në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lotët t’ona për At Gjeçovin”.

“Po, At Gjeçovi është përmi çdo sharje.  Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur – dhe një ditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shënjtëruar të Shqipëtarësisë.”  — Faik Konica –Kujtime mbi At Gjeçovin — Gazeta “Dielli” e organizatës Panshqiptare Vatra, 18 Mars 1930, nr. 5156, fq. 2.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok