13/12/2024

AHMET SELACI- NJË JETË E TËRË PËR SHQIPËRINË ETNIKE

0
Ahmet-Selaci

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1894- u likuidua më 19 shkurt 1947)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Patrioti i madh, Ahmet Selaci, u lind në fshatin Selac të Shalës së Bajgorës, më 1894. U lind në një familje që në ADN-në e tyre, gjysh e katragjysh e kishin atdhetarin, burrërinë dhe besën. Pas kapitullimit të Jugosllavisë, në vitin 1941, duke e parë urtësinë, shkathtësinë e tij luftarake e organizative,  Ahmet Selacin e zgjedhin kryetar të komunës në Bare. Në këtë post qëndroi deri në fund të vitit 1944 dhe gjithashtu udhëhoqi të gjitha luftimet që u zhvilluan në Kollashin, Shalë të Bajgorës, Pazarit të Ri, Rozhajë, Tutin e deri në Bihor. Pas formimit dhe Kuvendit themelues të Lidhjes së Dytë të Prizrenit (16 shtator 1943), me angazhimin e Ibrahim Lutfiut, Bedri Gjinajt e Asllan Boletinit, në tetor 1944 u mbajt një Kuvend në fshatin Kovaçicë të Shalës, përveç që u përkrahën vendimet e Komitetit Qendror të Lidhjes së Prizrenit, u morë qëndrimi që të formohen grupe, çeta, njësi vullnetare, si dhe të bëhet mobilizimi i popullatës në disa zona të Shalës e më gjerë. Ndikim të dukshëm në formimin e këtyre njësiteve vullnetare duhet theksuar se patën: Ahmeti Selaci, Adem Voca dhe Ukshin Kovaçica. Për përgatitjen dhe organizimin sa më të mirë të kësaj lufte dhe qëndrese, përveç Kuvendit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe Kuvendit të Kovaçicës, janë mbajtur edhe kuvende të tjera, si: Kuvendi i Bares (shtator 1944), Kuvendi i Vidishiqit (25 janar 1945), Kuvendi i Mrizishtës (mes Kovaçicës dhe Vesekovcit) 11 gusht 1946 etj. Po ashtu ndikim të dukshëm gjatë viteve 1941-1945 dhanë edhe këto personalitetet si: Ahmet Selaci, Bislim Bajgora, Mehmet Rexhep-Selaci, Riza Rexhep Selaci, Imer Tahir Selaci, Bajram Mehmet Selaci, Mursel Igrishta, Tafil Pajazit, Asllan Isufi, Faik Boletoni, Ukshin Kovaçica, Adem Hetem Voca, Mulla Mustafa, Kadri Bistrica, Rexhep e Rifat Dedia, Haradin Vidishiqi, Qerim Ibrahim Shupkovci, Shaban Mujani, e shumë të tjerë.

Kuvendet dhe kongreset e organizuara nga përfaqësues të nacionalizmës shqiptare, të cilët aspiruan, punuan dhe luftuan për ta bërë Shqipërinë etnike ishin Kuvendi i Drenicës, mbajtur më 20 nëntor 1944, në lokalet e Kuvendit Komunal në Polac, Në të cilin kuvend formohet Brigada e Drenicës, si Lëvizje politike, ushtarake, antifashiste, demokratike, shqiptare, për çlirim dhe bashkim kombëtar, si bërthamë e Lëvizjes kombëtare për mbrojtjen e pavarësisë së plotë, lirisë dhe integritetit të shtetit shqiptar. Komandant i brigadës së Drenicës emërohet Shaban Polluzha, ndërsa për anëtarë të Shtabit të brigadës emërohen: Ahemt Selaci, Miftar Bajraktari, Azem Aruçi, Sadik Lutani, Halil Haxhia, Mulla Ilaz Broja, Ukë Sadiku, Zukë Xani, Rexhep Gjeli, Mulla Brahimi Polaci, Bajram Dërguti, Jetullah Rezalla, Qazim Bajraktari, Hysen Bajraktari. Po në këtë kuvend, Ahmet Selaci gradohet me gradën ushtarake të kolonelit. Po ashtu ai ishte anëtar i Shtabit Suprem të Forcave Ushtarake që komandoheshin nga Shaban Polluzha.

Rol të rëndësishëm në rezistencën shqiptare luanin edhe organizatat ilegale që vepronin në atë kohë të cilat organizonin popullatën shqiptare në mbrojtje të vendi, si: Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, Besa Kombëtare, Organizata Nr.2 e Ajet Gërgurit dhe disa të tjera më të vogla. Situata e krijuar si brenda ashtu edhe jashtë kufijve ndikoi që organizata e NDSH-së të mbante tri kongrese brenda një viti. Kongresi V, u thirr të mbahet më 25 korrik 1946 në malet e Lipovicës (Blinaj) në Drenicë, por për të humbur gjurmë nga organet e sigurimit jugosllav lajmërohet se do të mbahet në Kozmaç. Në kongres merrnin pjesë mbi 250 delegat ndaj edhe ishte më masivi në historinë e ONDSH-së.  Gjatë zhvillimeve të punimeve në kongres, do të vijnë në kundërthënie dy rryma politike, të cilat artikulonin mënyrat specifike të luftës. Rryma e parë përfaqësohej nga Osman Bunjaku, i cili konsideronte se atdhetar është ai luftëtar që nuk e lëshon Kosovën, dhe këtu zhvillon luftën; ndërsa rrymën e dytë e përfaqësonte Ajet Gërguri i cili konsideronte se në vitet e pasluftës nuk kishte kushte për të zhvilluar luftën në atdhe, prandaj duhet përgatitur për luftë nga jashtë dhe më përkrahjen e forcave demokratike në mënyrë të organizuar të kthehen në atdhe për të vazhduar rezistencën aktive.

Udhëheqës i Kongresit ishte Ajet Gërguri, kryetar i ONDSH-së ishte zgjedhur pas vrasjes së Prof. Ymer Berishës, kurse Gjon Sereçi sekretar i këtij kongresi. Në Kongres morën pjesë mbi 100 vetë, ndër të cilët edhe Aziz Zhilivoda, Ahmet Selaci, Ismet Boletin, Osman dhe Shaban Bunjaku, Feriz Bici, Ukshin Kovaçica, Shaban Dobreva, Azem Bellaqevci etj. Ahmeti Selaci ishte pjesëmarrës i kongresit të V të NDSH-së që u mbajt në Blinaj të Drenicës. E tërë puna që u bë për organizimin e kongresit u bë nën mbikëqyrjen e kryetarit të komitetit të NDSH-së të Komoranit, Sokol Ibrahim Haxhollit nga Zabeli i Poshtëm, që ishte i kyçur në pushtetin e atëhershëm, si këshilltar i komunës së Komoranit. Për mbrojtjen dhe sigurinë e delegatëve e pjesëmarrësve të tjerë, organizata kishte  angazhua Ahmet Selacin, që me bashkëluftëtaret e vet, dhe me tërë armatimin që kishte, të marrin pjesë në sigurimin e punëve të kongresit. Veç kësaj bashkëluftëtarët e Ahmet Selacit u porositën që me vete të marrin ushqim për delegatët, gjë që e kryen me kënaqësi.

Në Kongresi, gjithashtu, u mor vendim që të formohet “Divizioni i Ibrit” i Ushtrisë Kombëtare për Mbrojtjen e Kosovës dhe komandant u emërua Ahmet Selaci. “Divizioni i Ibrit”, që udhëhiqej nga Ahmet Selaci, përbëhej prej pesë regjimentesh dhe çdo regjiment kishte komandantin e vet. Komandant i Regjimentit I- ishte emëruar Faik Boletini, i Regjimentit II- Osman Bunjaku, i Regjimentit III- Ukshin Kovaçica, i regjimentit IV- Avdi Tashefci, i Regjimentit V- Ilmi Zatriqi. Çdo regjiment kishte nga katër batalione, çdo batalion kishte komandantin e vet.

Duhet përmendet se, edhe pas përfundimit të LDB, organizatat ilegale të cilat filluan të vepronin në Kosovë karakterizohen me programet e tyre që kryesisht kishin mbështetje në kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Organizata e cila veprimtarin e saj patriotike gjatë viteve 1945 e deri më 1956, ishte LNDSH-në. Ajo, aktivitetin e saj e shtrinte në Kosovë dhe në pjesën Lindore të Maqedonisë, duke u përcaktuar për luftë të armatosur kundër robërisë së re jugosllave dhe formimit të një shteti shqiptar me territoret e veta. Kishte një politik nacionale e demokratike pro-perëndimore, dhe kryesisht udhëhiqej nga patriot dhe intelektual të shquar si Ymer Berisha, Halim Spahiu, Selman Riza, Gjon Serreqi e shumë të tjerë.   Programi i saj ishte i përbërë prej pesë pikave të cilat kryekëput përputheshin me pikat e LSHP.

Organizata patriotike “Besa Kombëtare” u formua me 28 nëntor 1944, ne fshatin Abria e Epërme të komunës së Skenderajt, ne ndërtesën e Shkollës fillore te këtij fshati. Profesor Ymer Berisha, me shumë patriot dhe me shumë nxënës të Shkollës Normale-Gjimnazit “Sami Frashëri” kishin ardhur nga Prishtina, për të organizuar dhe mbajtur: Kuvendin e parë të organizatës “Besa Kombëtare”

Ky Kuvend u mbajt si rrjedhojë e parapërgatitjeve të bëra qysh ne Mbledhjen konstituive të  12 shtatorit 1943-ës, të mbajtur në Pejë. Në Kuvendin e Drenicës, morën pjesë shumë delegatë të “Besës Kombëtare” si dhe mysafirë e te ftuar, ne radhët e te cilëve dalloheshin : Kolonel Sylejman Vuçitërna- Shkoza, tribuni Shaban Polluzha, Bislim Bajgora, Ukshin Kovaçica, Ahmet Selaci, Adem Voca, Haradin Vidishiqi, Mulla Mustafë Fazliu, Sherif Tërstena, Aziz Zhilivoda, Lahë Luboveci, Ismail Murtez Lushta, Miftar Bajraktari, Mehmet Gradica, Ndue Përlleshi, Qazim Bajraktari i Astrazubit, Zef Gjidoda me çetën e tij luftarake, Marije Shllaku, e cila edhe e mbajti procesverbalin e këtij Kuvendi, si dhe mbajti një fjalim, Mehmet Gradica, Ukë Sadiku me Çetën e tij i siguroi rojet për mbajtjen e këtij Kuvendi pa pengesa. Aty ishin edhe Sadik Lutani, Rexhep Gjeli, Sadik Zeneli, Hamit Emini – “Doktorri”, Alush Smajli – “Qerrataja”, Feriz Boja, Mulla Ilijaz Broja e shumë të tjerë e sidomos përfaqësuesit e Drenicës së Epërme. Në Kuvend u ftuan edhe mysafirë të tjerë, kështu që numri i pjesëmarrësve në këtë Kuvend arriti ne 243 veta. Në këtë tubim të madh u vendos që të punohej për shkëputjen e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nga Serbia dhe Jugosllavia; te sabotohej çarmatimi i popullit shqiptar nga pushtuesit e rinj, e që do të bashkohej me Ushtrinë e ardhshme kombëtare shqiptare. Këtu, në këtë Kuvend u zgjodh edhe Kryesia e Organizatës “Besa Kombëtare”, me kryetar prof. Imer Berishen, sekretar Ismail Ymer Thaçi nga Zakuti i Podujeves, si dhe u aprovua një program i qartë kombëtar dhe u caktuan kahet e organizimit për shtrirjen organizative te saj, sidomos ne radhët e rinisë kosovare

Shkuarja e prof. Ymer Berishës nga Prishtina në Drenicë, kishte për qëllim zhvillimin e aktivitetit politik e ushtarak në ato fshatra, por edhe aktivizimin e lidhjeve të vjetra të luftës së përbashkët të Drenicës dhe anës se Rrafshit të Dukagjinit, por edhe të Mitrovicës, Vushtrrisë, Shalës së Bajgorës dhe Llapi. Ndërsa në Prishtinë kishte vënë lidhje edhe me Adem Gllavicën, ngaqë ai ishte kryetar komiteti. Prof. Ymer Berisha në Prishtinë bëri përgatitjen e nevojshme: siguroi armatim të nevojshëm dhe njerëz që do të shkonin në Drenicë.

Në këto rrethana të okupimit, në Kosovë dhe në të gjitha territoret shqiptare këndej kufirit, zbatohej një diktaturë e egër ushtarake e udhëhequr nga grupet e komandove çetnikë si dhe komunistëve sllav. Sidomos, terrori e gjenocidi ndaj popullatës së pafajshme shqiptare erdhi e u shtua pas vrasjes së Milladin Popoviqit ( 13 mars 1945), i cili ishte një alibi i mirë, që OZNA haptas justifikonte terrorin dhe likuidimin e intelektualëve e popullatën shqiptare. Prijësit e Mbrojtjes Kombëtare dhe të njësiteve vullnetare shqiptare, të cilët i kishin shpëtuar ndjekjes, bënin përpjekje të vazhdueshme në grumbullimin dhe në konsolidimin politiko-ushtarak të forcave shqiptare për formimin e Ushtrisë Demokratike Popullore Shqiptare. Nëpër mes kësaj patriotët synonin të bënin lidhjen e të gjitha forcave antikomuniste, që më vonë do të shndërrohen në një ushtri me karakter gjithëkombëtar shqiptar.

Pas takimit që pati prof. Imer Berisha me Pashkë Bibën, më 20 korrik të vitit 1945, në fshatin Vogovë, afër Gjakovës, aktiviteti që u zhvillua më vonë nga anëtarët e lëvizjes ishte i pamohueshëm. Pas kthimit nga takimi profesori u takua me mikun dhe shokun e idealit, Ukë Sadikun, që llogaritej se ishte njeriu më me ndikim në ilegalen kosovare. Po në këtë takim u morën vesh që ata të dy të përfaqësojnë grupet ilegale në tubimin, që u caktua të mbahet në shtator në vendin Mirditë, në veri të Shqipërisë. Po aty u mor qëndrimi që të formojnë organizatën politike, respektivisht të riorganizojnë punën në organizatën ilegale-politike të NDSH-es. Pas kësaj mbledhjeje u dërguan korrierët, në çdo grup ilegal që t’i dërgojnë përfaqësuesit në takimin që do të mbahet në Dobërdol.

Në këto rrethana të krijuara, momenti historik shtroi nevojën e domosdoshme për mbajtjen e një Kuvendi të ilegales shqiptare, ku do të bëhej bashkimi i të gjitha këtyre grupeve-lëvizjeve, me një qendër udhëheqëse ushtarako-politike për veprime kombëtare-bashkimin e trojeve shqiptare. Nga një takim paraprak i njësive udhëheqëse u caktua vendi- fshati Dobërdol, dhe data e mbajtjes 4-5 gusht 1945. Në bisedë me Ukë Sadikun, prof. Imer Berisha takimin ndërmjet krerëve  të ilegales e kishte caktuar për muajin gusht të vitit 1945, në fshatin Dobërdol, në malet e Martin Pjetrit. Më 24 gusht filloi tubimi i madh i ilegales. Në të merrnin pjesë 19 grupe me përcjellësit e tyre, ndër të cilët edhe përfaqësuesit prej Rozhaje dhe Pazarit të Ri gjithsejtë 158 veta.

Aty u takuan udhëheqësit siç ishin : Ukë Sadiku, Ahmet Selaci, Demë Ali Pozhari, Ndue Përlleshi, Zef Gjin Doda, Zeqë Sokoli, Qazim Bajraktari, Shaban Sadik- Rama, Sadik Lutani, Alush Smajli, Ferat Kotorri , Adem Shala, Njazi Alishani, Zhukë Haxhia, Islam Tabaku, Rexhë Xhela, Mulla Ilazi, Biko Dresheviq ( i cili me vete kishte sjell edhe katër të arratisur nga Sanxhaku ), dhe shumë të tjerë.

Në mënyrë solemne Kuvendin e hapi Ukë Sadiku. Ai i përshëndeti të pranishmit dhe prezantoi prof. Imer Berishën si iniciator ideor të lëvizjes dhe krijues i organizatës “Besa Kombëtare”, dhe pikërisht për situatën politike foli vetë profesori. Ai tha para të pranishmëve se “Situata politike është shumë e rëndë dhe me ndihmën e aleatëve priten ndryshime të mëdha, por theksoi se , ne duhet të jemi të gatshëm që në momentin e duhur të marrim pushtetin”. U kërkua që edhe në terren të bëjmë mobilizimin e duhur të masave, dhe të jenë të gatshëm për aksione konkrete. Kuvendi i Dobërdoli zgjati dy ditë, procesmbajtëse e këtij tubimi kaq të madh e kaq të rëndësishëm ishte Marie Shllaku, shkodrane. Gjatë tërë kohës tubimi ishte i siguruar shumë mirë, sepse e ruanin luftëtarë të spikatur, njëherë edhe tërë fshati bënte roje, por dalloheshin Smajl Hajdari, Halil Sadria, Zef Përlleshi, Martin Pjetri dhe luftëtar të tjerë të Ukë Sadikut dhe Ndue Përlleshit. Kuvendi pasi zgjodhi udhëheqësit ushtarak, mori vendim që të sulmohen njësitë e “UNÇ” në Drenicë dhe në minierën e Trepçës, ku ishin inkorporuar forcat çetnike pas rehabilitimit të tyre. Kjo luftë ishte një goditje e rëndë për armikun. Në këtë kuvend u mor edhe qëndrimi që të formohet organizata politiko-ushtarake, patriotike ilegale “Besa Kombëtare”, e cila do të udhëhiqet nga kryesia e përbërë  prej 12 vetave. Ahmet Selaci u zgjodh anëtar i Kryesisë së Organizatës ilegale “Besa Kombëtare” dhe njëkohësisht ishte anëtarë i Kryesisë së KNDSH-së për Shalë që vepronte në ilegalitet nën komandën e prof. Ymer Berishës. Kuvendi zgjodhi  Ukë Sadikun udhëheqës të sektorit ushtarak, ndërsa prof. Ymer Berisha u caktua udhëheqës i sektorit politik. Të dy këta ishin anëtarë të rrethit të ngushtë të Shtabit Udhëheqës të organizatës.

Ishte hera e parë që në radhët e grupeve ilegale patriotike u emëruan komisarët. Kjo ishte edhe një garanci se grupet do të aktivizohen dhe do të veprojnë edhe më tepër në teren sipas direktivave të udhëheqësish qendrore. Përveç këtyre në kuvend u zgjodhën edhe udhëheqësit e sektorëve sipas parimit territorial, duke mos lënë pa emëruar edhe aty, pos udhëheqësve ushtarak edhe udhëheqësit politikë. Meqenëse Kosova dhe Dukagjini u ndan në  12 sektorë dhe u emëruan 12 komandantë dhe po aq komisarë politikë për të pasur autoritet edhe më të madh në fushën ushtarako-politike dhe për të qenë më afër popullit, ky grup u quajt “12 këshilltarët”. Pas kryerjes së kuvendit, grupet u larguan njëra pas tjetrës, pa pasur as më të voglin problem. Të gjithë delegatët u shpërndan me përshtypjet më të mira, posaçërisht ndjenin një simpati dhe një besim të madh ndaj profesor Ymer Berishës.

Organizata politike-patriotike “Besa Kombëtare” gjatë veprimtarisë së vet arriti të ketë një strukturë organizative, që i përshtatej kushteve dhe rrethanave në të cilat vepronte. Përveç Shtabit Udhëheqës që ishte i përbërë prej 12 vetash, në kuadrin e saj në mënyrë aktive vepronin edhe katër grupe: Roja besnike; Urdhërdhënësit; Atentatorët dhe Dora pastruese ose dorë-vrasësit. Qëndrimi ishte që këto grupe të vepronin edhe në shtabet e sektorëve, që ishin të përfshirë në 16 rrethe. Për rrethin e Prizrenit udhëheqës politik u caktua Njazi Alishani, ndërsa udhëheqës ushtarak u caktua Ali Riza, kapiten; Në Gjakovë u caktua Mehmet Agë Rashkoci, udhëheqës ushtarak- Demë Ali Pozhari; Në Rahovec u caktuan Alush Ismaili dhe Qazim Bajraktari; Në Pejë u caktuan Zef Gjin Doda dhe Ndue Përlleshi; Në Rugovë u caktuan Islam Tabaku dhe Zhukë Haxhia: në Istog Azem Shala dhe Feriz Bojaj; Në Drenicë u caktua Mulla Ilazi dhe SadikLutani; Në Suharekë u caktuan Sali Rama dhe Mehmet Sherifi; Për Sanxhak u caktuan Sadik Radovci dhe Bik Dreshoviqi; Për Prishtinë u caktuan Ismail Gorani dhe Luan Gashi; Për Mitrovicë, Vushtrri, dhe Podujevë u caktuan Ahmet Selaci, ndërsa për Ferizaj, Gjilan dhe Kaçanik u caktua Adem Gllavica.

Vlen të cekët se puna që bëhej në terren organet e OZN-es nuk kishin njohuri, ndonëse vijimisht gjurmonin grupe të shumta dhe kishin një numër të madh spiunësh në terren, që i kishin angazhuar për zbulimin e tyre.

Qëllimet e gjithë rezistencës shqiptare,   ishin dhe mbetën uniteti në organizim dhe në veprim, mirëpo rrethanat politike impononin një aktivitet të veçantë të grupeve. Për hir se mundësia e bashkëveprimit ishte e pamundshme, edhe pse qëllimi suprem i të gjitha organizatave ishte bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare, për të krijuar një Shqipëri Etnike. Qëllimi i tërë ilegales ishte që masat e gjera popullore të përfshihen në grupet e rezistencës. Programet e të gjitha organizatave ilegale ishin vetëm një, pra programi kombëtar pa ngjyrime ideologjike.

Ilegalja shqiptare përveç lidhjeve që mbante me misione të huaja në  Tiranë e vende të tjera, ato ishin edhe më të shpeshta me grupet e brendshme, e personalitete të dalluara kombëtare. Se sa i rëndësishëm ishte Ahmet Selaci për rezistencën shqiptare, e dëshmon letra e Prof Ymer Berishës që i dërgon Ahmet Selacit. Ja çfarë i shkruan profesori: “ Organizata  jonë “Besa Kombëtare” është interesuar me kohë të njohë të gjithë shqiptarët e mirë andej e këndej dhe ty të kam çmuar si një patriot të vyeshëm dhe trim të rrallë për luftërat që ke bërë në Shalë të Bajgorës kundër armiqve të kombit shqiptarë… Merru vesh me bashkëpunëtorët e tu të tjerë dhe na njofto me shkrim sa luftëtarë, në rast lufte mund të dalin me armë në dorë në qarkun dhe në komunën tënde, sepse këtë do ta dijë kuvendi i parisë nga Shqipëri e Vjetër”

Atdhetari Ahmet Selaci ishte luftëtar i vendosur dhe besnik i betimit të dhënë për ribërjen e Shqipërisë Etnike. Pas një rezistence të fortë me forcat ushtarake jugosllave dhe të OZN-es, u likuidua në malet e Bistricës së Shalës, më 19 shkurt 1947, bashkë me Bajram Selacin, Imer Tahirin, Mehmet Selacin, Isuf Boletinin dhe Faik Boletinin. Pas vrasjes, trupat e të vrarëve u ekspozuan nga ana e pushtetit jugosllav për disa ditë, te Ura e Ibrit, në Mitrovicë. Edhe sot nuk dihet varri i tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok