ARIF SHALA- ASNJË SHQIPTAR TË MOS E LËSHOJË VATANIN SE ARMIKU KËTË DËSHIRË KA, SHQIPËRIA ETNIKE VETËM ME NEVE BRENDA KA PESHËN E VET

0

(1909- u likuidua më 30 dhjetor 1946)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Arif Shala, u lind më 1909, në fshatin Sankofc të Drenicës. U lind në një familje të varfër fshatare, por me tradita të lashta patriotike. Babai i Arifit ishte arsimdashës, andaj gjithnjë mendonte ta shkollonte djalin që e donte aq shumë. Në fshatin e lindjes e kreu shkollimin fillore në mejtepin e fshatit. Si i ri, ai arriti të mësojë Kur’anin përmendësh dhe të dallohej për deklamimin e bukur që bënte. Pas kësaj shkon në Gjakovë për të vazhduar shkollimin. Regjistrohet në Medresenë e qytetit, ku fati e deshi që për mësues ta ketë Hasan (Efendi) Nahin dhe Ibrahim Fehmiun. Më 1925 përfundon këtë medrese. Më 1926, Arif Shala shkon në gjimnazin e Tiranës për të vazhduar shkollimin. Aty për hire të kushteve të vështira ekonomike, detyrohej që pas një viti ta ndërpres shkollimin. Në vendlindje u kthye me 1927. Por, Arifi duke e ditur se analfabetizmi në Kosovë ishte tejet i madh dhe mungesa e librave shqip mungonin, ai me ca lek që kishte, blen abetare dhe shumë libra të rilindësve tanë. Ato mezi i sjell në fshat dhe në ilegalitet të thellë i shpërndan fëmijëve të fshatit dhe mejtepeve të atëhershme. Ardhja e tij në fshat ishte një gëzim për familjen.

Nuk vonoi shumë dhe Arif Shala emërohej imamë në Xhamin e Koroticës së Epërme. Duke qenë se ishte në kontakt të vazhdueshëm me masat e gjera popullore, Arifi e shfrytëzon këtë mundësi për të zhvilluar veprimtari patriotike në dobi të çështjes kombëtare, duke qenë në kontakt të përhershëm me krerët e LNDSH-së. Po në këtë fshat, ai, së bashku me mësimet e fesë, u mësoi nxënësve në mënyrë ilegale dhe shkrim-leximin e gjuhës amtare shqipe. I tronditur nga krimet që bënte xhandarmeria serbe mbi popullin shqiptar, më 1933 i dërgoi një letër proteste krajlit serb, Petrit. Më 1935, me anë të një pamfleti, ftoi popullin e Kosovës të bojkotonte zgjedhjet.

Por, ajo që e bëri më të afërt me popullin, ishte kushtrimi i tij për te mos u shpërngulur kosovarët ne Turqi, por të qëndrojnë në trojet e veta. Në takimet e shumta me popullin, ai iu thoshte atyre “Asnjë shqiptarë të mos e lëshoi vatanin se armiku këtë dëshirë ka. Shqipëria Etnike vetëm me neve brenda ka peshën e vet”. Duke zhvilluar një aktivitet të dendur me masat, asnjë familje shqiptare nga Drenica nuk u shpërngul në Turqi. Fliste pesë gjuhë të huaja si: frëngjishten, arabishten, turqishten, italishten dhe serbishten. Ishte i martuar dhe kishte katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza.

Gjatë kohës që punoi si imam, Arifi, nxënëseve të tij iu mbante ligjërata, ku temë trajtimi kishte kombin e atdheun, heronjtë e shumtë që kishin rënë për një Shqipëri Etnike. Gjithmonë iu fliste për lirinë dhe robërinë dhe nëpër mes këtyre ligjëratave kultivonte dhe përçonte atdhedashurinë tek nxënësit e tij. Si mësues, nxënësit e adhuronin. Sidomos nga ata dallonte nxënësin e tij me të cilin kishte krijua raporte të shkëlqyeshme, thuajse prindore- Fazli Grajçevcin. Dhe nuk ishte aspak befasi aktiviteti i tij i mëvonshëm patriotik i Fazliut.

Profesioni i mësuesisë, Shalës i mundësoi që të ketë takime të shpeshta me atdhetar të ndryshëm. Ishte shok e mik me Ajet Gurgurin, Gjon Serreqin, Kemal Skenderin, Sokol Haxhollin e shumë të tjerë. Me angazhimin e tij u formuan disa komitete të NDSH-së në fshatra të ndryshme të Drenicës.

Siç dihej, vet profesor Ymer Berisha e Gjon Serreqi kishin porositur anëtarët e vet se, “Po qese është e mundur dhe iu jepet rasti kishte qenë mirë sa më shumë njerëz të NDSH-së, të hynë dhe të punojn në organet e pushtetit okupues, dhe të njihen me qëllimet e tyre”. Andaj, duke u nisur nga këto porosi, Arif Shalës i jepet mundësia dhe ai angazhohet në radhët e forcave partizane të LNÇ-së dhe instalimit  të pushtetit komunist pas luftës. Me propozimin e Rifat Berishës, komanda e vendit e cakton postëkomandant të milicisë në Komoran. Pastaj u caktua sekretar në komunën e Komoranit, në të cilën u angazhua në ndihmën dhe mbrojtjen e fshatarëve dhe kontribuoi shumë në ONDSH. Derisa punonte në Komoran, Arif Shala, duke par nga afër gjenocidin që kryenin forcat partizane ndaj shqiptarëve, ishte i revoltuar tej mase.  U angazhua që me të gjitha mënyrat ta luftonte armikun dhe të çlironte tokat shqiptare nga serbo-çetnikët. Kishte rënë në kontakt me Ajet Gurgurin dhe kryen shumë punë të rëndësishme për organizatën. Në banesën e tij në shkollën e Komoranit me javë të tëra e kishte strehua Ajet Gurgurin.

Më 5 janar 1945, në fshatin Sankofc, formon komitetin e ONDSH-së. Në këtë mbledhje merrnin pjesë mbi 36 veta, që unanimisht për kryetar të komitetit zgjodhën Arif Shalën, ndërsa për sekretar u caktua Ukë Plakiqi. Me fillimin e luftës së Drenicës, Arif Shala nëpër mes të këtij komiteti e ndihmoi luftëtarin e pa epur Shaban Polluzhën, me armatim e municion, me ushqime, me veshmbathje, dhe me shumëçka tjetër që patën nevojë në luftën e pa kompromise në mes ushtarëve të Shaban Polluzhës dhe forcave partizani-çetnike.

Pas ardhjes së Gjon Serreqit, organizata NO. 2, u konsolidua dhe intelektualisht u ripërtëri. Me urdhrin e KQ të NDH-së, me 2 korrik 1946, Qemajl Skenderi, anëtarë i KQ të NDSH-së në Shkup udhëton për Drenicë. Ajet Gurgurit i përcjell porosinë, që e kishte marr nga organizata NO.1. dhe të KQ të NDSH-së që ai s bashku me bashkëpunëtorët e vet të marri përsipër mbajtjen e Kongresit të Pestë të NDSH-së. Ky vendim u mor për dy arsye kryesore. E para ishte, se kjo organizatë vepronte kryesisht në Drenicë, pjesë qendrore e Kosovës, ku NDSH-ja si vazhduese e Lëvizjes së Rezistencës së Shaban Polluzhës kishte arritur suksese të mëdha, duke i lidhur për vete disa sekretarë, kryetar e këshilltarë të komunave, disa komandirë e milicë, kryetarin e të vetmit rreth administrativ të Drenicës në Skenderaj dhe në mesin e tyre merrte pjesë edhe atdhetari Arif Shala.

Shkaku i dytë ishte se, Shtabi i Zonës II të Ajet Gurgurit, tashti kishte mbuluar viset e Drenicës në lidhje të ngushtë me organizatën patriotike “Besa Kombëtare” të profesorit Ymer Berisha, në Dukagjin, mandej viset e Vushtrrisë, të Mitrovicës, të Shalës, të Bajgores, të Prishtinës, të Llapit, të Lipjanit dhe të Shtimes me lidhje të fortë me lëvizjen në vise të Gallapit, të Ferizajt dhe të Suharekës. Pas vizitës së anëtarëve të KQ të NDSH-së, në organizatën NO-2 filluan menjëherë nga puna. Ajet Gurguri dhe vetë anëtarët e Organizatës NO-2, e ndjenin veten më të privilegjuar në krahasim me të tjerët, por kishin edhe një droje, ngase situata politike ishte shumë e nderë, dhe frikësoheshin se a do të dalin faqebardhë. Ajet Gurguri, Gjon Serreqi dhe Qemal Skenderi iu rrekën punës për hartimin e Programit të organizatës. Këtyre treve iu bashkëngjit edhe hoxha intelektual Arif Shala, që kryente punën e sekretarit të Komunës në Komoran. Arif Shala ishte kushëri i Sokol Haxhollit dhe bashkëfshatar i Izet Muratit. Ishte mbështetja kryesore e Ajet Gurgurit nga shtatori i vitit 1945. Ishte bashkëpunëtor e koautor në hartimin e dokumenteve të Kongresit të Pestë të ONDSH-së me Gjon Serreqin, me grada ushtarake të para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

E tërë puna që u bë për organizimin e kongresit u bë nën mbikëqyrjen e kryetarit të komitetit të NDSH-së të Komoranit- Sokol Ibrahim Haxhollit nga Zabeli i Poshtëm, që ishte i kyqur në pushtetin e atëhershëm si këshilltar i komunës së Komoranit. Për mbrojtjen dhe sigurinë e delegatëve e pjesëmarrësve të tjerë, organizata kishte angazhua Ahmet Selacin, që me bashkëluftëtarët e vet. Dhe me tërë armatimin që kishte, të marrin pjesë në sigurimin e punëve të kongresit. Veç kësaj bashkëluftëtarët e Ahmet Selacit u porositën që me vete të marrin ushqimin për delegatët. Pasi ishin kryer të gjitha punët rreth organizimit për mbajtjen e kongresit, u caktua edhe data e saktë e tij. Data ishte 25 korrik 1946, ndërsa vendi ku do të mbahej tubimi e kishte caktua vet Ajet Gurguri, në konsultim të vazhdueshëm me bashkëluftëtarët e vet.

Kongresi u mbajt në Malet e Blinajës (Lipovicës), në vendin e quajtur “Te varret e hoxhës”, ndërsa për të krijuar huti sa më të madhe te përcjellësit e UDB-es, u lansua e dhëna se tubimi do të mbahet në bjeshkët e Kozmaqit. Arif Shala ishte pjesëmarrës i Kongresit. Në tubimin madhështor ai mbajti edhe një fjalim shumë përmbajtjesor. Veç kësaj ai organizoi rojën dhe sigurinë gjatë punimeve të Kongresit me anëtarët e komitetit të tij.

Megjithë pengesat e shumta, që dolën deri te fillimi i punës së kongresit, tubimi u mbajt, por falë punës dhe gjeturisë së organizatës NO-2, me Ajet Gurgurin në krye ia dolën me sukses. Organizata NO-2,  do e ceki se ishte formua në prill të vitit 1945. Por, prej janarit të vitit 1946, ajo u quajt edhe Shtabi i Zonës II të LP për LTSH. Gjatë tërë veprimtarisë së vet ishte e lidhur ngushtë me organizatën “Besa Kombëtare”. Anëtarët e kësaj organizate ishin njerëz të shquar të rezistencës shqiptare si në fushën politike ashtu edhe në atë ushtarake. Për këtë arsye, kjo organizatë mori për detyrë përgatitjen e kongresit V-të të Lëvizjes Popullore për Lirimin e Tokave Shqiptare.

Gjatë punimeve të kongresit, në të u paraqitën dy opsione për punën e më tejme të organizatës. Një opsion ishte që anëtarët e saj të largohen nga Kosova dhe të vazhdojnë veprimtarinë e tyre në mërgim dhe nga atje, kur të krijohen kushtet më të volitshme për veprimtari atdhetare, të kthehen përsëri në atdhe, dhe përfaqësues të saj ishin Ajet Gurguri, Gjon Serreqi dhe shumë të tjerë. Dhe opsioni i dytë ishte që assesi mos të lëshohet vendi, dhe lufta deri në fund të zhvillohet në vend. Arifi i takonte grupit të dytë, dhe në muajin gusht, 1946, kaloi në ilegalitet duke u arratis në mal. Atdhetari Arif Shala doli maleve, në përpjekje për ta çliruar Kosovën e për ta bashkuar atë me Shqipërinë.

Arif Shala, veç që ishte atdhetar i madh, ai ishte dhe politikan, ishte hoxhë,  ishte arsimdashës dhe mësues, ishte poet. Gjatë jetës së tij të shkurtër kishte shkrua shumë poezi e tregime që lidheshin me kohën dhe me dashurin ndaj atdheut. Me përkushtim të madh kishte mbajtur ditarin personal, i cili në mënyrë reale i kishte përshkruar ngjarjet e atyre viteve. Arif Shala nga e tërë kjo që u tha më lartë ishte një njeri që veprimtaria e tij ishte shumë dimenzionale, dhe mu për këtë zë vend meritor në  panteonin e atdhetarëve të merituar të kombit.

Pasi se UDB-ja kishte kuptuar se edhe Arif Shala kishte kalua në ilegalitet dhe në ndërkohë kishte vra një spiun shqiptar (F.M), udbashët filluan që ta kërkojnë atë dhe ta ndjekin hap pas hapi.

Dimri i vitit 1946/1947, mbahet në mend nga fshataret e Drenicës se ishte dimër i acarte, me borë të madhe dhe me furtunë. Arif Shala me shokët e idealit: Sokol Ibrahimin dhe Izet Muratin, lëviznin të lodhur maleve, pa ushqime dhe pa veshmbathje të nevojshme. Nata kishte fillua me ra, e ata nuk kishin ku të strehoheshin. Murrlani të ngrinte, dhe vështirë ishte ti përballoje një moti të tillë. Në atë mbrëmje të kobshme ishte përgatitur kurthi. Në fshatin Koroticë e Epërme, nga askund, iu ofrohet një “mik” dhe iu ofron që ti strehoj në një shtëpi të braktisur. Pastaj ai iu siguron edhe pak zjarr sa për tu ngrohur, më vonë iu sjell edhe ushqim. Njeriu besnik gjithmonë pikë të dobët e ka besën, andaj këta i besuan. Pas një “muhabeti të çiltër” nga “miku” i tyre ata i zë gjumi.

Pas gjumit të rëndë, “miku” i tyre i lajmëron organet e ndjekjes. Udbashët pa hezituar, rrethojnë me forca të mëdha shtëpinë e braktisur. Me bomba, murtaja dore e me pushkë, i sulmojnë trimat. Tre atdhetaret i likuiduan në atë shtëpi të braktisur më 30 janar 1946. Udbashët për të fshehur gjurmët e tradhtisë të fshatarit, i marrin kufomat e tyre , i bartin me një qerre të një fshatari duke i dërguar në një strehimore të improvizuar në malin Blinajë, edhe njëherë shkrepin disa plumba në ajër, duke trumbetuar se Arif Shala kishte rënë në prit me forcat jugosllave dhe ishin likuiduar. Pas vdekjes së Arif Shalës, pushteti jugosllav ia kishte frikën familjes së tij, andaj për të qenë më të qetë, me dhunë e shpërngulin për Sarajevë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok